Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kadareja “flet” serbisht edhe me “Telefonatën e diktatorit”

Telefonata e Diktatorit - Ismail Kadare

“Nëpërmjet një analize të saktë dokumentesh dhe një imagjinate të fuqishme letrare, Kadare tregon se si një takim i shkurtër mund të bëhet metaforë e një sistemi ku çdo fjalë është e rrezikshme, ndërsa heshtja ndonjëherë është fatale”, shkruhet për “Diktatorov poziv” siç është titulli i botimit në serbisht i romanit “Kur sunduesit grinden”

“‘Telefonata e diktatorit’ nuk është vetëm një rrëfim për një bisedë telefonike; mbi të gjitha është një histori për fatin e artistit në kohë diktature, por edhe për kufirin midis guximit dhe kujdesit, së vërtetës dhe mbijetesës”, shkruhet për botimin në serbisht të veprës së Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”, teksa cilësohet si një roman i fuqishëm për natyrën e pushtetit, frikën dhe përgjegjësinë e artistit. Është vepra e radhës e shkrimtarit më të përkthyer shqiptar që botohet në Serbi

“Diktatorov poziv” (Telefonata e diktatorit), siç është përkthyer romani i fundit i Ismail Kadarasë, “Kur sunduesit grinden”, është vepra e radhës e botuar në serbisht e shkrimtarit të madh shqiptar. “Shtëpia botuese e Novi Sadit, ‘Akademska knjiga’ ka botuar romanin e fundit ‘Thirrja e diktatorit’ të Ismail Kadaresë, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekujve XX dhe XXI”, shkruajnë mediat serbe për këtë botim. “Kur sunduesit grinden: rreth misterit të telefonimit Stalin-Pasternak”, pati një botim të parë në shqip në vitin 2018. Në anglisht u përkthye e botua më 2023 me titullin “A Dictator Calls”. Në serbisht është përkthyer prej shqipes nga Danica Avramoviq. 

“Në ‘Telefonata e diktatorit’, një telefonatë e shkurtër, në dukje pa peshë, bëhet simbol i frikës në regjimet totalitare – bëhet fjalë për telefonatën e Joseph Stalinit. Në qershorin e vitit 1934, në kulmin e spastrimeve politike, Stalini telefonoi Boris Pasternakun. Biseda zgjati vetëm disa minuta, por për të flitet tash e disa dekada. Në librin e tij të fundit, klasiku i letërsisë evropiane, Kadare përpiqet të zbulojë çfarë mund të jetë thënë atëherë përmes trembëdhjetë varianteve të kësaj bisede telefonike. Duke e ndjekur këtë gjurmë, Kadare shkruan një roman të fuqishëm për natyrën e pushtetit, frikën dhe përgjegjësinë e artistit”, shkruan për këtë roman e përditshmja e Beogradit, “Politika”. Aty shkruhet se nëpërmjet një analize të saktë dokumentesh dhe një imagjinate të fuqishme letrare, Kadare “tregon se si një takim i shkurtër mund të bëhet metaforë e një sistemi ku çdo fjalë është e rrezikshme, ndërsa heshtja ndonjëherë është fatale”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“‘Telefonata e diktatorit’ nuk është vetëm një rrëfim për një bisedë telefonike; mbi të gjitha është një histori për fatin e artistit në kohë diktature, por edhe për kufirin midis guximit dhe kujdesit, së vërtetës dhe mbijetesës”, shkruhet aty krahas biografisë së Kadaresë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe”, “Kronikë në gurë”, “Darka e gabuar”, “Kukulla”, janë disa prej veprave të Kadaresë të botuara ndër vite në serbisht. 

“A Dictator Calls” kur u botua në anglisht përkthyer nga John Hodgson, bëri bujë edhe në skenën ndërkombëtare. Më 2024 u përshi në listën e gjerë për çmimin prestigjioz “The International Booker Prize”. Në mesin e 149-të librave të publikuar midis 1 majit të vitit të kaluar dhe 30 prillit të 2024-tës, trembëdhjetë libra arritën të bëheshin pjesë e kësaj liste nga vlerësimet e jurisë së përbërë nga gazetarja: Eleanor Wachtel, poetja Natalie Diaz, romancieri i njohur ndërkombëtarisht Romesh Gunesekera, artisti vizual Willam Kentridge dhe shkrimtari, redaktori dhe përkthyesi Aaron Robertson. “Anëtarët e jurisë vlerësuan mënyrën se si ‘A Dictator Calls’ eksploron ‘tensionin midis politikanëve autoritarë dhe artistëve krijues’ dhe e përshkruan atë si ‘një kërkim për të vërtetën përfundimtare ku nuk gjendet një e tillë’ Nëse do të fitonte këtë çmim, Kadare do të bëhej shkrimtari i parë që do të fitonte dy herë çmimin”, shkruhej asokohe në “The Guardian”. Kadare e fitoi çmimin “Man Booker International” në vitin 2005, si vlerësim për arritjet e tij në letërsi. Po aty shkruhej se “A Dictator Calls”, përveçse si një roman, del edhe si një hetim për një ngjarje historike reale. “Duke përzier kujtimet e tij personale dhe reflektimet mbi natyrën e shtypjes nga pushteti, Kadare heton në një episod të shkurtër, por domethënës në historinë ruse të shekullit XX, telefonatën midis Stalinit dhe Boris Pasternakut”, shkruhej aty. 

Megjithëse s’e mori për të dytën herë çmimin e madh letrar – pasi atë e mori shkrimtarja gjermane Jenny Erpenbeck, me romanin “Kairos” përkthyer nga Michael Hofmann – edhe kjo vepër e Kadaresë s’i iku kritikës botërore. Njëra prej tyre qe edhe ajo e botuar në “Los Angeles Review of Books”, në vitin 2023. 

“Në moshën e tij të vonë tetëdhjetëvjeçare, Kadare ka shkruar ‘Kur sunduesit grinden’ (botuar në anglisht me titullin ‘A Dictator Calls’) një roman tjetër që rikthen veprimtarinë e tij të mëhershme dhe të kaluarën e tij. Megjithëse nuk është një vazhdim i plotë, kjo vepër e fundit është në linjë të drejtë me romanin e tij të mëparshëm ‘Muzgu i perëndive të stepës’ (1978), bazuar në kohën e tij të kaluar në Moskë prej vitit 1958 deri në vitin 1960. Libri i ri, në përkthimin e jashtëzakonshëm në anglisht të John Hodgson, gjithashtu ka parasysh trashëgiminë e Kadaresë dhe trashëgimitë e atyre që janë detyruar të punojnë nën hijen e një sistemi politik që kërkon të kontrollojë zërin dhe të përcaktojë fatin e tyre. Ka momente vërtet brilante në ‘Kur sunduesit...’, por në përgjithësi i mungojnë pikat e qëndrueshme kulmore dhe ritmi dramatik i veprave të tjera të Kadaresë, siç janë ‘Pasardhësi’ dhe ‘E penguara: Rekuiem për Linda B.’ (2009)”, shkruhej në atë kritikë të gjatë për romanin e Kadaresë. “‘Sepse arti, ndryshe nga një tiran, nuk pranon mëshirë, por vetëm jep mëshirë’, shkruan Kadare te ‘Kur sunduesit grinden’ dhe këto fjalë të fuqishme përfshijnë jo vetëm rrjedhën e romanit dhe kurorën e karrierës së tij, por gjithashtu qëllimin, ashtu siç e sheh ai, të artit në përgjithësi”, shkruhej po aty për këtë vepër të gjeniut të letrave shqipe i përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, i cili vdiq në ditën e parë të korrikut të vitit 2024.