Shtojca për Kulturë

“Vetëharrimi” me autor Besim Rexhajn në revistën e Akademisë kroate

Përjetimet e gruas kosovare gjatë luftës së fundit tanimë që shpërfaqen nëpërmjet një drame, pjesë e botimit më të ri të revistës së institucionit më të lartë të studimeve shkencore e të artit në Kroaci. Monodrama “Vetëharrimi” me autor studiuesin dhe dramaturgun, Besim Rexhaj, përmes karakterit të Fatmires artikulon dilemat e kryqëzimin mes gjendjes psikologjike e morale si pasojë e dhunimit dhe pozitën e saj në shoqëri për paragjykimet që i bëhen përkundër statusit e të qenit viktimë krahas autorit të krimit. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kroacisë në trenumërshin 4, 5 dhe 6 të revistës së saj “Forum”, ka botuar monodramën e cila depërton në botën e traumatizuar të femrës së dhunuar gjatë luftës.

Fatmirja është kryepersonazhi në monodramën “Vetëharrimi” që pasqyron traumën si pasojë e dhunimit dhe pasqyron pozitën e saj të margjinalizuar në shoqëri. Ajo është veç një mostër pasqyruese nga rreth 20 mijë gra të mbijetuara ndaj dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Paraqet absurditetin dhe trajtimin e padrejtë e të ulët të saj si pasojë e nivelit të ulët të shoqërisë, në kohën kur pak mbështetje morale do të ishte krejt çfarë do të ishte e nevojshme. Ajo është e pushtuar e tëra nga pamundësia e shqiptimit të dramës së saj personale e të familjes së saj. Kur gjendja e saj e rëndë emocionalisht arrin kulmin, ajo fillon luftën e saj të brendshme dhe thyen muret e heshtjes e margjinat e shoqërisë. Përmes një magnetofoni, më në fund arrin të publikojë tmerrin që ka përjetuar, por edhe gratë e tjera të cilat janë goditur nga kthetrat e mizorisë së luftës. Drama ishte inskenuar vitin e kaluar në teatrin “Dodona” nën regji të Fadil Hysajt. Në monodramë luante Sheqerie Nuçaj. Autori Besim Rexhaj është shprehur se për të botimi ka rëndësi të shumëfishtë për shkak të traditës së gjatë e të pasur letrare, kulturore e shkencore të institucionit më të lartë shkencor e artistik në Kroaci. Përmes një përgjigje me shkrim, është shprehur i lumtur me botimin e monodramës për shkak të temës, idesë dhe mesazhit që bart vepra e tij për fatin e gruas së dhunuar si pasojë e regjimit gjenocidal serb. “Duke e artikuluar, besoj në mënyrë sintetike e me përgjithësimin e duhur artistik, dramën e femrës shqiptare e të familjes së saj si dramë të luftës e të dhunës së egër të saj, në njërën anë, dhe dramën e pasluftës të po kësaj femre e familjeje… kujtoj se i kam bërë jehonë në një shtrirje më të gjerë këtij problemi, jo vetëm ballkanik, por edhe universal”, është shprehur ai.

Rexhaj ka vlerësuar se drama e pasluftës nuk ka hasur në trajtim njerëzor nga shoqëria kosovare për krimet e egra serbe në kohën jo të largët. Ka përmendur edhe se monodrama vjen para një publiku lexues për të cilin historia e tillë nuk është e huaj, pasi vetë Kroacia ishte përballur me të njëjtin okupator.

Monodrama “Vetëharrimi” është botim i qendrës “Multimedia” në gjuhët shqipe dhe angleze. Në gjuhën kroate është përkthyer nga studiuesi But Nue Jaku.

“Vetëharrimi” është monodrama e dytë e Rexhajt. Ajo vjen si identifikim i thellë i gjendjes psikologjike të kryepersonazhit me rastin e aktit të dhunimit dhe frustrimin e saj, e cila me përjashtimin e familjes së saj në Qendrën e Rehabilitimit refuzohet, përçmohet e margjinalizohet. Monodrama e parë e autorit “Loja e Pafund” e botuar në kroatisht, po ashtu, ishte botuar në revistën kroate “Republika” si organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kroacisë. Autori e vlerëson si pjesë të kulturës e të letërsisë shqiptare, e cila më shumë se kurrë ka nevojë për tejkalim të kufijve kombëtarë.