Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Arti i ikjes nga tema e luftës zbeh kujtesën kolektive të Kosovës

Historia jo e largët e Kosovës nuk trajtohet mjaftueshëm në art. Një çerekshekull pas e edhe në vitet e para kur kujtesa kolektive ishte shumë e freskët, në format e ndryshme të artit, ajo qe refuzuar e gati edhe harruar. Ky ka qenë njëri prej konstatimeve në panelin e diskutimit në temën “Interpretimi i luftës përmes artit: Duke kujtuar Kosovën” në ditën e tretë të edicionit të dytë të konferencës shkencore ndërkombëtare me titull “Nga lufta te rimëkëmbja: Një qasje multidisiplinare ndaj traumës së luftës në Kosovë”.

Në kinemanë “Armata” në Prishtinë, midis ngjarjesh të tjera që kthejnë kujtesën kolektive në luftën e fundit në Kosovë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në ngjarjen e organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, është trajtuar edhe aspekti i heshtjes së artit për të trajtuar temat e luftës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Temat universale, sipas dramaturgut Arian Krasniqi, zgjidheshin para atyre aktuale edhe në vitin 1999 kur ishte student i vitit të parë në Fakultetin e Arteve në drejtimin Dramaturgji dhe Skenar.

“Ne si studentë ngurronim të trajtonim temat e luftës në skenarët tanë, në dramat tona. Ka qenë energjia e përgjithshme që sado ballafaqohesh me dhimbje, humbje, trauma dhe nevojën individuale e kolektive për t’i kaluar apo refuzuar. Këtë ndjenjë refuzimi për të trajtuar temat e luftës e ndieja edhe unë atëherë si student i vitit të parë në Fakultetin e Arteve për Dramaturgji dhe Skenar”, tha Artan Krasniqi. 

Sipas tij, kjo situatë kishte zgjatur deri në pikën kur gati u harrua se në Kosovë kishte pasur luftë.

“Vitet kalonin dhe gjithnjë e më pak në Kosovë prodhoheshin filma për luftën dhe gjithnjë e më pak realizoheshin shfaqje me tema për luftën. Sikur u krijua një lloj pakti i heshtur që duhet të gjejmë tema të tjera, më universale dhe të largohemi nga temat e luftës, gjë që na solli në një periudhë ku ne gati kishim harruar që në Kosovë kishte luftë”, tha Krasniqi. 

E studiuesja e letërsisë Blerinë Rogova-Gaxha, e cila mban pozitën e drejtoreshës së përgjithshme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka thënë se të trajtosh luftën, si në mënyrë institucionale a individuale, është mision më vete.

“Të shkruash për luftën, të përdorësh mediume të ndryshme të memories, siç është letërsia, apo rrëfimi, teatri, është një lloj larjeje e borxhit individual karshi borxhit të madh kolektiv. Mendoj se ne si pjesë e shoqërisë, e kemi secili për borxh të japin kontributin tonë në trajtimin apo rikujtimin e rindërtimin e luftës. E dimë që trauma dhe memoria e luftës kërkojnë një kohë historike të pushimit të qetësisë, apo të një periudhe që quhet injorim i njeriut ndaj traumës së luftës”, tha Rogova-Gaxha. 

Ka thënë se në shoqërinë e Kosovës ka ndodhur të refuzohet e injorohet trauma dhe se këtë e ka bërë edhe vetë ajo në veprën e saj.

“Me apo pa dashje, gabimisht, edhe në shoqërinë e Kosovës ka ndodhur ajo që i ndodh biologjikisht një njeriu: që ta refuzojë e ta injorojë traumën. Unë vetë në letërsinë që shkruaj e kam injoruar pothuajse krejtësisht temën e luftës duke trajtuar vetëm në vija të trasha ndoshta qenien e traumatizuar të luftës sesi ai ndihet në periudhën e pasluftës. Jo aq shumë si pasojë direkte e luftës, por si pasojë e zhgënjimit të tij me realitetin e pasluftës. Kanë kaluar më shumë se njëzet vjet paslufte dhe m’u desh t’i rikthehem asaj teme, ta trajtoj temën e luftës si studiuese e letërsisë”, tha ajo. 

Në këtë panel, moderuar nga Rrezarta Ahmeti, ishte paralajmëruar të merrte pjesë edhe regjisorja Blerta Basholli, por ajo nuk ka qenë e pranishme.

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me titull “Nga lufta te rimëkëmbja: Një qasje multidisiplinare ndaj traumës së luftës në Kosovë nisi punimet të martën në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës.