Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Skena e pavarur kulturore përballë vlerës, pasigurisë dhe presionit

Skena..

Organizatat vazhdojnë të mbijetojnë me “horizonte të shkurtra financimi: një edicion, një raund, një sezon”. Sipas raportit të prezantuar të enjten, mungesa e parashikueshmërisë për thirrjet publike dhe vonesat në pagesa, sipas raportit, shkaktojnë “djegie profesionale dhe zhvendosje nga cilësia te sasia”

Raporti kërkimor “Hartëzimi i ndikimit social të sektorit të pavarur kulturor të Kosovës dhe implikimet për të ardhmen”, i prezantuar të enjten si draft, shpërfaq një paradoks të zhvillimit kulturor në vend: ndikimi i lartë social dhe artistik nuk është rezultat i mekanizmave të qëndrueshëm, por i mundit dhe sakrificës individuale. Shifrat e nxjerra nga ky hulumtim dëshmojnë një dinamikë të lartë pune. Që prej vitit 2023 deri më 2025, organizatat kanë realizuar mbi 2 mijë e 200 aktivitete

Sektori i pavarur kulturor në Kosovë njihet gjerësisht si prodhuesi kryesor i ngjarjeve e po ashtu edhe vlerës kulturore në vend, por prapa skenës së gjallë dhe sukseseve ndërkombëtare fshihet një realitet i rënduar nga pasiguria financiare e po ashtu pasiguria e stabilitetit të punonjësve të kulturës. 
Kështu konstatohet në raportin kërkimor “Hartëzimi i ndikimit social të sektorit të pavarur kulturor të Kosovës dhe implikimet për të ardhmen”, i realizuar nga “Platforma AKT” në partneritet me organizatën “Tialt” i cili do të publikohet në fillim të vitit që vjen. 

Hulumtimi shpërfaq një paradoks të zhvillimit kulturor në vend: ndikimi i lartë social dhe artistik nuk është rezultat i mekanizmave të qëndrueshëm, por i mundit dhe sakrificës individuale. 

“Ndikimi prodhohet nga njerëz që punojnë nën presion të vazhdueshëm” dhe “presioni absorbohet nga njerëzit, jo nga sistemet”, shkruhet në raport, duke vënë në pah se reformat e deritashme të politikave kulturore në Kosovë janë ndërmarrë kryesisht pa një bazë të besueshme dhe të strukturuar të dhënash.

Për të ndërtuar këtë pasqyrë, ekipi hulumtues – i përbërë nga Ares Shporta, Douglas Lonie, Claire Sivier, Aliriza Arënliu dhe Rina Gurgule – ka analizuar periudhën 2023–2025 nëpërmjet intervistave me palë në ndryshme e po ashtu me pyetësorë ku janë përgjigjur nëntë organizata anëtare si: “7 Arte”, “Anibar”, “Armata”, “Autostrada Biennale”, “DokuFest”, fondacioni “Hajde”, fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, “Lumbardhi Foundation” dhe “Sekhmet Institute”, si dhe anketave me publikun. Në formë drafti paraprak, raporti është prezantuar nga Douglas Lonie të enjten mbrëma në kinemanë “Armata” në Prishtinë. 

Shifrat e nxjerra nga ky hulumtim dëshmojnë një dinamikë të lartë pune. Që prej vitit 2023, organizatat kanë realizuar mbi 2 mijë e 200 aktivitete, me një zhvendosje të dukshme drejt pjesëmarrjes aktive të qytetarëve, ku punëtoritë janë rritur për 36 për qind, ndërsa aktivitetet e hapura pa regjistrim paraprak për 70 për qind. Për më tepër, janë organizuar 190 ngjarje në hapësira publike që zakonisht nuk shfrytëzohen për kulturë, ndërsa shumica e programeve gjatë vitit 2025 kanë qenë falas. Po ashtu, skena e pavarur ka çuar kulturën e Kosovës në mbi 30 shtete nëpërmjet 129 ngjarjeve ndërkombëtare, krahas 187 aktiviteteve të fokusuara në drejtësinë sociale, klimën dhe mjedisin.
Kjo qasje, sipas raportit, ka gjetur jehonë të drejtpërdrejtë te qytetarët. Në anketën e audiencës, publiku e ka vlerësuar reagimin emocional ndaj këtyre ngjarjeve me notën 4.43 nga 5, kurse ndjenjën e vendit dhe përkatësisë me 4.46. Por, siç paralajmërohet në dokument, “ndikimi varet nga kushtet që e prodhojnë atë”, dhe pikërisht këtu nis lista e problemeve strukturore.

Ndonëse reformat e brendshme –  përfshirë Ligjin për artin dhe kulturën, i cili është në fuqi prej vitit 2024, financimi shumëvjeçar dhe rritja e buxhetit –  vlerësohet se po funksionojnë në parim, zbatimi praktik mbetet problematik. Sipas Raportit, periudha 2025–2026 solli sfida të reja për shkak të tkurrjes së fondeve ndërkombëtare dhe asaj që në hulumtim cilësohet si “fërkime legjislative vendore”, duke rritur ndjeshëm pasigurinë. Organizatat vazhdojnë të mbijetojnë me “horizonte të shkurtra financimi: një edicion, një raund, një sezon”. Mungesa e parashikueshmërisë për thirrjet publike dhe vonesat në pagesa, sipas raportit, shkaktojnë “djegie profesionale dhe zhvendosje nga cilësia te sasia”.

Në raport kritikohet edhe mënyra se si vlerësohen organizatat kulturore, duke kërkuar kritere të drejta që u përshtaten organizatave të shkallëve shumë të ndryshme si dhe vlerësim të cilësisë dhe përmbajtjes, jo vetëm të qarkullimit financiar. 

“Politikat ekzistojnë në letër, por nuk implementohen gjithmonë në praktikë”, konstatohet në gjetjet e prezantuara, ku po ashtu vihet në dukje mungesa e kuadrove që kombinojnë aftësitë artistike me ato menaxheriale.

Një kapitull i veçantë i studimit i kushtohet dimensionit gjinor dhe ndërsektorial. Sektori i pavarur kulturor përbëhet kryesisht nga të rinj nën moshën 35-vjeçare, ku 55 deri në 65 për qind e punonjësve janë gra. Megjithatë, hulumtimi tërheq vërejtjen se “përfaqësimi nuk është i njëjtë me barazinë” dhe shtrojnë pyetjen se “puna e kujt është e dukshme dhe e vlerësuar”. Në kushte ku dominon pasiguria e kontratave dhe e pagave, sipas raportit, pasiguria bëhet edhe çështje gjinore. Theksohet se mungojnë ende të dhëna të sakta se si gjinia ndërthuret me rolin, moshën, etninë, aftësinë e kufizuar apo gjeografinë.

Për të shmangur reduktimin e kulturës vetëm në numërim statistikor të produkteve, rrjeti “PAKT” ka propozuar krijimin e një praktike të përbashkët vjetore të monitorimit dhe vlerësimit. Ky mekanizëm parashikon një pasqyrë vjetore organizative me pyetje mbi shëndetin organizativ dhe kushtet e punës, indikatorë të përbashkët për audiencën, si dhe një përmbledhje vjetore publike mbi “gjendjen e skenës së pavarur”.

Duke u thirrur në zhvillimet globale, ku UNESCO-ja e trajton kulturën si e mirë publike globale dhe Bashkimi Evropian po shtyn përpara një “Kartë të Artistëve” për të luftuar pasigurinë në punë, ky hulumtim e vendos skenën kosovare përballë një pasqyre deri diku reale. Siç përmbyllet në dokument, ky studim është veç një pikënisje, jo një verdikt dhe një ftesë për debat të bazuar në dëshmi, pa të cilin suksesi i kulturës së pavarur rrezikon të mbetet peng i konsumimit të njerëzve që e mbajnë gjallë.
Pas prezantimit të gjetjeve, disa nga udhëheqësit e organizatave kontributdhënëse kanë diskutuar se si të dhënat të jenë më gjithëpërfshirëse në raport me skenën e pavarur, po ashtu edhe me publikun që i frekuenton ngjarjet. Organizatorët planifikojnë që nëpërmjet raportit t’i japin edhe Ministrisë së Kulturës një pasqyrë me atë që ngjanë në skenën e pavarur.