Sinergjia si zbërthim i bashkëveprimit a bashkëpunimit, në këtë rast të veprave si substancë e ekspozitës “Synergy”, ka qëndruar në hapësirën e kafe-galerisë “Hani i dy Robertëve” në Prishtinë, megjithëse veprat kanë ngjarë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra për nga estetika e tyre
“Synergy” si titull mbledh në një ekspozitë të vetme vepra të krijuara midis një periudhe gati tridekadëshe. Kjo, ngase veprat bashkëveprojnë dhe janë në dialog harmonik në galerinë “Hani i dy Robertëve”. E veprat e zgjedhura janë pjesë e koleksionit të galerisë “Dada”, ku çdo vepër sjell entitete, edhe si pasqyra të vetë evoluimit të punës së artistëve.
Sinergjia si zbërthim i bashkëveprimit a bashkëpunimit, në këtë rast të veprave si substancë e ekspozitës “Synergy”, ka qëndruar në hapësirën e kafe-galerisë në Prishtinë, megjithëse veprat kanë ngjarë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra për nga estetika e tyre.
Disa shpërthejnë në ngjyra e të tjera janë kufizuar në minimalizëm bardhezi. Por mediumi përbashkues është piktura.
Në hapjen modeste është thënë se ekspozita është titulluar kësisoj, ngase pos midis veprave, sinergjia është e vërejtshme edhe midis galerisë “Dada” dhe galerisë “Hani i dy Robertëve”.
Marisa Rodiqi, kuratore e kësaj ekspozite, ka thënë se veprat e prezantuara u përkasin viteve që nga 1997 e deri më 2025.
“Ekspozita e ka emrin ‘Sinergy’ për shkak të përzgjedhjes së veprave të disa artistëve tanë. E kemi bërë këtë kombinimin midis galerisë ‘Dada’ dhe galerisë ‘Hani i dy Robertëve’. Të gjitha pikturat që janë përzgjedhur janë prej periudhës 1997 deri më 2025. Thjesht i kemi përzgjedhur pikturat që na kanë lënë më së shumti përshtypje gjatë këtyre viteve, thjesht diçka që vërtet flet me njerëzit, që na ka prekur dhe që mendojmë se është e mahnitshme dhe që meriton të dalë në dritë. Kjo ka qenë kryesore”, ka thënë ajo.
E koleksioni i veprave është krijuar nga artisti Genc Rodiqi që e menaxhon galerinë “Dada”. Një pjesë prej tyre janë nxjerrë nga arkivi duke iu ofruar shikuesit të shtunën mbrëma.
Marisa Rodiqi ka thënë se mënyra e përzgjedhjes së veprave ka qenë thjesht nga ana vizuale e tyre.
“Nuk është se kemi pasur ndonjë teknikë, por jemi ndalur dhe kemi parë veprat që kemi menduar se meritojnë të shfaqen. Nuk ka pasur ndonjë faktorë shumë determinues që patjetër ky punim ose ky artist duhet të dalë. Kjo ka qenë teoria pas kësaj, të gjendet një sinergji midis veprave”, ka treguar ajo.
Në këtë ekspozitë, midis veprave të tjera, është ajo e Renea Begollit me titull “Stretchmarks” me vaj në pëlhurë, e cila sjell zgjatimet e trupit në veprën përplot ngjyra. Bardhezi e tejet estetike është vepra “Final light” e Samir Ramaxhikut duke ilustruar përhapjen e burimit të dritës. Me “It’s a magic trick”, Mimoza Sahiti ka sjellë forma të pastrukturuara brenda trupit të lepurit.
Plot ngjyra vijnë edhe në veprën e Yll Xhaferit, titulluar “Cards against humanity”. Ngjan me kontekst politik, ndonëse ambienti në të cilin subjektet vendosen është më intim. Derisa ai ia mbush gotën e gostisë, ajo fsheh pas shpine kartat si shenjë e djallëzisë së saj. Vepra “Yama” e Erion Kllokoqit sjell me nuancat e ngjyrës bezhë imazhin tejet real të njeriut duke ia dhënë pozën e trupit lakuriq të mbledhur që shkel në atë që ngjan në trung peme.
Anën estetike e sjell edhe artisti Arbër Sahiti me “Portret vajze”. Ashtu siç është titulli edhe vepra nuk ka më shumë filozofi. Aty shfaqet eleganca e një vajze në ngjyra kryesisht bardhezi me prekje të lehta të ngrohta në pjesët e trupit.
Për veprën me teknikën vaj në pëlhurë, artisti Sahiti ka bërë të ditur se është punuar një dekadë më parë.
“Teknikën që e përdori është vaj në pëlhurë, kryesisht portrete. Vepra është e vitit 2015. Arti im nga kjo kohë ka ndryshuar shumë, janë dhjetë vjet nga ajo kohë dhe e kemi krijuar personalitetin tonë si artist”, ka thënë ai.
Është shprehur se retrospektiva të tilla janë dëshmi të evoluimit të punës artistike.
“Ideja e këtyre veprave të mia ka ardhur kur kam qenë në studime. Me Gencin jam takuar në atë kohë, ai qe një kohë të gjatë merret me koleksione dhe ka qenë ndihmesë e madhe për mua si artist i ri. Ka blerë veprat dhe kështu ka vazhduar me koleksionin e tij me vepra nga artistët e rinj e nga ata që kanë emër në skenën artistike”, ka thënë Sahiti.
Ekspozita “Synergy” qëndron e hapur në galerinë “Hani i dy Robertëve” në Prishtinë deri më 18 dhjetor.