Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Shqiptarët, gjithnjë të vonuar!

Mbijetesa e figurës së Qosjes nis tashmë, kur kritikëve do t’u duhet t’iu kthehen shqyrtimeve dhe analizave të tij letrare dhe politike dhe përpjekjes për ta harruar

Mbijetesa e figurës së Qosjes nis tashmë, kur kritikëve do t’u duhet t’iu kthehen shqyrtimeve dhe analizave të tij letrare dhe politike dhe përpjekjes për ta harruar

Si për paradoks, tani që Qosja ka mbyllur sytë, shqiptarët janë e mbeten të vonuar. Për trishtimin e tij e të të gjithë shqiptarëve që mendojnë. Këtu janë ngushëllimi dhe respekti për të, këtë mendje të paepur të së vërtetës kombëtare. Pa frikë e vendosi gishtin në plagën e madhe kombëtare, sikur ia drejtoi vetes: Si gjithnjë të vonuar

Lajmi i para pak ditëve për vdekjen e prof. Rexhep Qosjes ngjalli më shumë kërshëri për përkorjen e lajmit dhe ceremonialit funebër tepër strikt, nëse mund të thuhet kështu për një ngjarje të tillë, sesa vetë ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të shquar! Sikur ta kishte ndier, por edhe dëshiruar për nderimin e tij (distancimin), edhe në atë ditë të mbrame shqiptarët e këtej kufirit përplaseshin pa sens në parlament; e shumë afër tij, në një kufi tjetër, n’Kosovë kulisonin për zgjedhjen e një presidenti, i cili prej muajsh përflitet dhe kulisohet më kot. Megjithatë, Apeli i Ndërgjegjes e bëri Parlamentin shqiptar të mbante zi për të, kurse Kosova të shpallte zyrtarisht një ditë zie kombëtare. Këtu merr fund, të themi kthimi i nderit ndaj tij. Prof. Qosja, vetë, e pati më të lehtë, qysh në të gjallë, duke paraprirë disi lajmet e hidhura dhe kaosin tonë, të linte amanetin që të varrosej ashtu thjesht. Pastër. Qetë. “Harruar”. Veç, pa politikanë. Pa vajtovica. E, pa fjalimmbajtës patetikë.

Mbijetesa e figurës së Qosjes nis tashmë, kur kritikëve do t’u duhet t’iu kthehen shqyrtimeve dhe analizave të tij letrare dhe politike dhe përpjekjes për ta harruar. Për fat, pjesa më e madhe e këtij qëndrimi është lënë e dokumentuar përmes një kolane të tërë, që përbën ditarin dhe krijimtarinë e tij, ku mund të shqyrtohet diagrama e perceptimeve, qëndrimeve, emocioneve dhe realiteti i tyre, por nga ana tjetër edhe bashkëkohësia e shumë gjërave të tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Qosja nuk e konsideronte veten si zëri i vetëm dhe sublim i Ndërgjegjes Kombëtare, por me atë që krijoi, debatoi dhe kumtoi, tregoi se kishte atributet (me formimin mund ta artikulonte atë si pakkush) të tregonte atë që ndër vite shqiptarët e kishin përballur, shpesh edhe pa ditur ta përtypnin si duhet. Më së vështiri për të mbeti ndriçimi i mendimit të bashkatdhetarëve dhe gjetja e pikave, ku mund t’u flitej për kultivimin bashkëkohor. Dhe, shqiptarët duhet t’i kujtosh vazhdimisht për Vetëdijen, larg patetizmit, ku masë e autoritetit moral është e duhet të mbetet atdheu dhe zhvillimi i tij.

Vetëdija historike mbështetet në tri parime të mëdha, ku i pari mbetet ndryshimi, atë që Qosja e trajtoi në aspekte të ndryshme të çështjes shqiptare, duke kërkuar ta bënte sa më të përshtatshme për kohën. Kontributi i tij në vitet ’70, ’80 dhe ’90 e më vonë, kur çështja e Kosovës ende nuk ishte formësuar, do të jetë masë për kritikët për ta shqyrtuar rolin e tij, ashtu si do të ndodhte në parashikimet e tij për mëvetësinë që kulmuan me 17 Shkurtin e vitit 2008 me aktin e madh të pavarësisë; e dyta me kontekstin që përbën një komponent vital të vetëdijesimit historik për një komb. Këtu Qosja polemizon me shumë shqiptarë qeveritarë dhe mendimtarë të letrave. Do të jetë i ashpër deri me Kadarenë, paçka se hera-herës mes tyre do të ketë shprehje të larta konsiderate, ndërsa debati i tyre do të përshkallëzohet sërish para disa vitesh deri në një agresivitet intelektual. E gjitha në thelb do të tregojë se çështja shqiptare ende ka nevojë për maturim, kur edhe mes personaliteteve të tilla ka perceptime të ndryshme. Pa asnjë mëdyshje nuk do t’i ndahet Berishës, si një nga njerëzit më historikë të Shqipërisë post ’90, duke e konsideruar sjelljen e tij ndaj Kosovës, t’ngjashme me atë të Ahmet Zogut. Megjithatë vdekja harron shumë gjëra. Berisha do ta vlerësojë pak orë më parë: “Kultura, mendimi letrar dhe shoqëror e politik shqiptar, polemika dhe letrat shqipe humbën një kolos të tyre, autor të një serie veprash në këto fusha”.

Qosja do ta kontekstualizojë çështjen shqiptare, kundër gandizmit gati servil të Ibrahim Rugovës dhe njerëzve të tij, do të ketë përballje dhe bashkëpunim me Adem Demaçin, ndërkohë do ta vigjilojë me shumë kujdes kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare për Kosovën. Dhe, do të dijë të mbajë qëndrim për një nga problemet më të mëdha të identitetit tonë: standardin e shqipes, që në vitet e para ’90 u kërkua të ndryshohej. E mbron standardin, por për një ish-doktorantin e tij Sedaj, që e artikulon si tezë kundër, edhe pse nuk është dakord e vlerëson se: ngriti zërin kur iu cenua e drejta e shprehjes së lirë. Ky quhet dinjitet, por edhe arsye. Kjo është cilësia e njerëzve që ndajnë perceptimet me idetë dhe bindjet.

Veçse nuk do të harrohet me vite mllefi ndaj profesorit nga Shqipëria, por sidomos në Kosovë. “Po zhvillohet një fushatë tepër e paskrupuj kundër meje, kundër Adem Demaçit, kundër Bujar Bukoshit, dhe kundër Bajram Kosumit, por posaçërisht e poshtër është ajo fushatë kundër meje”, shkruan diku me trishtim...Befas, në një shënim të 28 dhjetorit 1997 shkruan atë që në Kosovë është e sotmja dhe përbën pengesën më të madhe: ”Ngadalë, por pandalshëm, partitë po e pengojnë rolin e inteligjencës krijuese në jetën shoqërore, politike dhe kombëtare në përgjithësi”. Dhe, aspekti i tretë i vetëdijes historike, citojmë historianin John Tosh është njohja e procesit historik apo i marrëdhënies ndërmjet ngjarjeve dhe kohës. Këtë prof. Qosja e bën si patriot, por edhe si mendimtar, duke përsiatur mbi vonesat tona përgjatë të gjitha kohërave. E shpreh jo thjesht me dhimbje se jemi të vonuar dhe do të mbesim të tillë, por do të alarmojë, atë që në fakt e ka bërë qysh në tetor të vitit 1990, kur do të shkruante: “Shqipërisë i duhen ndryshime rrënjësore, por unë dëshiroj që ato ndryshime Shqipëria t’i bëjë duke ecur vertikalisht. Vetëm ashtu vertikalisht mund të mos vonohet në ardhmërinë. Për këto bindje të mia e kam dëshmitare historinë tonë”. Të mos harrojmë, u shkruan në kapërcyell të shekullit të shkuar, kur Kosova nuk ishte ende shtet dhe Shqipëria po shikonte rrezet e para të agut demokratik...Si për paradoks, tani që Qosja ka mbyllur sytë, shqiptarët janë e mbeten të vonuar. Për trishtimin e tij, e të të gjithë shqiptarëve që mendojnë. Këtu janë ngushëllimi dhe respekti për të, këtë mëndje të paepur të së vërtetës kombëtare. Pa frikë, e vendosi gishtin në plagën e madhe kombëtare, sikur ia drejtoi vetes: Si gjithnjë të vonuar. Ne të gjallët, sot, na mbetet thjesht ta nderojmë dhe...t’i themi me shpirt: I qoftë dheu i lehtë!