Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Shqiptarësia e Toplicës

Refugjatët shqiptarë (turq. muhaxhirët) u vendosën kryesisht në trevën e Llapit dhe në veri të Kosovës, ndanë kufirit të ri Turqi-Serbi. Popullata serbe nga Llapi u largua drejt Serbisë gjatë dhe pas luftës më 1876 dhe atëherë shqiptarët banuan fshatrat e tyre. Shumica e refugjatëve u vendosën në trevën e Prishtinës e më pak në atë të Vushtrrisë, Ferizajt dhe Moravës së epërme. Ishin 31 fshatra me muhaxhirë nga Serbia dhe 3 fshatra të pastra muhaxhirë në hapësirën në jugperëndim të kufirit serb, mes Novobërdës, lumit Kriva, Gjilanit dhe Moravës së Vogël.

Një numër i ndjeshëm i refugjatëve u vendosën në Prishtinë; ata nga Nishi dhe Leskoci u bën shpejt me mjaft ndikim në qytet. Përveç Prishtinës, muhaxhirët nga Leskoci u vendosën edhe në qytete të tjera të Kosovës dhe Maqedonisë. Myslimanët nga Piroti migruan në të njëjtat treva, derisa disa prej tyre u vendosën edhe në Stamboll.

“Autoritetet turke të ftohta ndaj muhaxhirëve”

Refugjatët në Kosovë nuk u pritën mirë nga autoritetet turke. Ata u vendosën zakonisht në toka kënetore apo malore, që kishte nevojë për kultivim. Refugjatët ngadalë krijuan vendbanimet e tyre brenda ose përkrah fshatrave tashmë ekzistuese (në shumë raste serbe), përgjatë kufirit Serbi-Turqi. Myslimanët vendës (turq. jerli) nuk i pranuan me qejf refugjatët, të cilët i konsideronin si më pak të vlershëm sesa ata. Përplasjet e ndërsjella, përleshjet e madje edhe vrasjet nuk ishin të rralla. Marrëdhëniet mes myslimanëve vendës dhe refugjatëve nuk ishin hiç më mirë as në qytete. Në Prishtinë, turqit po ankoheshin se gjithçka mori tatëpjetën që prej ardhjes së refugjatëve.

Ata madje as nuk i konsideronin muhaxhirët si turq. Arsyeja për një sjellje si kjo duhet të kërkohet në konservatorizmin e vendësve, meqë ekzistonin dallime të caktuara në zakone mes tyre dhe të ardhurve. Fjala vjen, refugjatët nuk i fshihnin gratë, si vendësit. Përpos kësaj, ata e ndryshuan mënyrën e zakontë të të tregtuarit. Ajo e moçmja, që mbështetej në besim e në fjalën e dhënë, u zhdavarit. Refugjatët sollën faturat, kontratat e shkruara dhe interesat, që ishin të reja e të huaja për vendësit. Është e sigurt që muhaxhirët nga Nishi dhe Leskoci morën një pjesë të madhe të tregtisë në Prishtinë.

Edhe Beshlin: Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore u nxit nga politikat jugosllave Arbëri 3 j. më parë Beshlin: Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore u nxit nga politikat jugosllave

Duket që, megjithatë, ata e morën prej serbëve vendës dhe jo prej turqve. Është e gjasueshme që e njëjta gjë ngjau edhe në Prizren dhe Pejë. Refugjatët në Kosovë e quanin veten sipas vendeve prej të cilave erdhën. Ata iu jepnin të njëjtat emra edhe vendbanimeve të tyre të reja. Rrjedhimisht, refugjatët dhe pasardhësit e tyre mund të njiheshin me lehtësi edhe pesëdhjetë vjet pas migrimit të tyre.

Numri i imigrantëve myslimanë

Nuk është e mundur të etablohet numri i saktë i myslimanëve që migruan nga Serbia. Është edhe më pak e mundur të flitet për numrin e shqiptarëve, turqve dhe çerkezëve që u larguan. Unë mund të përpiqem vetëm të vlerësoj numrin e përafërt të imigrantëve myslimanë, duke u mbështetur në dokumente arkivore serbe, si dhe udhëpërshkrime.

Për aq sa e di, ka vetëm një anticipim për numrin e refugjatëve dhe që është pranuar në historiografinë serbe. J. Cvijiq sugjeronte që aty pati rreth 30 mijë refugjatë shqiptarë. Unë besoj që numri i shqiptarëve dhe myslimanëve në përgjithësi, që migruan nga rrethet e reja të Serbisë, ishte shumë më i madh.

Territori që mbahej prej ushtrisë serbe mes armëpushimit dhe Kongresit të Berlinit ishte i ndarë administrativisht në gjashtë rrethe: Nishi, që kishte distriktet e Nishit, Koprivnicës dhe Bella Pallankës; Kurshumlia, që kishte distriktet e Prokuples, Kurshumlisë, Ibrit dhe Vushtrrisë; Kurshumlisë, që kishte distriktet e Veternicës, Vlasotinces dhe Pusta Rekës; Vranja, që kishte distriktet e Vlasinës, Polanicës, Moravës dhe Pçinjës; Piroti, që kishte distriktet e Nishavës, Visoqkit, Breznikut, Tërnit dhe Luzhnicës; Kulla, që kishte distriktet e Kullës dhe Novosellës.

Sipas traktatit të Berlinit, distriktet e Tërnit, Ibrit dhe Vushtrrisë, ashtu sikundër gjithë rrethit të Kullës mbetën jashtë kufijve të Serbisë. Pas Kongresit, ndarja e re administrative në katër rrethe (Nish, Pirot, Vranjë dhe Toplicë) u etablua dhe kështu hyri në statistikat e para zyrtare shtetërore. Një prej detyrave të para të autoriteteve të reja lokale serbe ishte të bënin lista për distriktet dhe të krijonin bashkësi të përkohshme. Pasi përfunduan këtë detyrë, ata dërguan njoftime te ministri i Arsimit. Unë jam përpjekur të etabloj numrin e përafërt të myslimanëve që ikën sipas këtyre njoftimeve, e që tregojnë pamjen e saktë të territoreve të pushtuara, fill pas mbarimit të luftës. Krahas tyre, unë kam përdorur edhe disa udhëpërshkrime nga ajo kohë.

Distrikti i Prokuples

Njoftimi i autoriteteve lokale, me datë 31 mars (12 prill) 1878, për ministrin e Arsimit, Alimpje Vasiljeviq, përmban të dhënat në lidhje me qytetet, fshatrat dhe popullatën e distriktit.

Sipas listës, në distrikt ishin 131 vendbanime, mes të cilave Prokupla ishte i vetmi qytet. Unë hëpërhë do të merrem vetëm me fshatrat dhe do t’u kthehem më vonë qyteteve. Numri i shtëpive në dymbëdhjetë fshatra ngeli pa u regjistruar, pasi që ato nuk mund të arriheshin për shkak të dëborës. Sidoqoftë, është thënë në njoftim që këto fshatra ishin shqiptare dhe se ato ishin braktisur krejtësisht. Zaten, numri i shtëpive në fshatrat e distriktit i referohet 119 prej tyre. Mund të hamendësohet se shqiptarët, që jetonin këtu, kishin familje po aq të mëdha sa fqinjët e tyre, serbët, meqë që të gjithë jetonin në grupe të zgjeruara familjare. Numri mesatar i banorëve në një shtëpi serbe ishte 8 (8,13). Nëse ky relacion zbatohet edhe për shtëpitë shqiptare, atëherë del që 11.437 shqiptarë u larguan nga 119 fshatrat e distriktit të Prokuples.

Distrikti i Kurshumlisë

Autoritetet lokale të këtij distrikti nuk bën ndonjë regjistrim. Ndaj, ne do të mbështetemi në të dhënat nga udhëtimet e M. Rakiqit. Në distrikt ishin 127 katunde dhe Kurshumlia ishte i vetmi qytet, por mbeti krejtësisht i boshatisur pas luftës. Myslimanët që u larguan ishin shqiptarë. Këto janë të dhënat për numrin e shtëpive dhe banorëve në distrikt:

Numri i popullatës së mbetur myslimane nuk është thënë. Ka të ngjarë që të gjithë prej tyre u larguan, duke pasur parasysh betejat, që janë zhvilluar në këtë truall. Shtëpitë e Kurshumlisë me gjasë janë përfshirë në numrin e plotë, për shkak se autori nuk e konsideronte Kurshumlinë si qytet i njëmendët. Një shtëpi serbe kishte rreth 9 (9,12) banorë. Nëse i njëjti relacion zbatohet edhe për shtëpitë shqiptare, atëherë del që përafërsisht 17,604 shqiptarë u larguan nga ky distrikt. Qarku i Kurshumlisë kishte edhe dy distrikte të tjera, Ibrin dhe Vushtrrinë. Meqë ato nuk u përfshinë në Serbi, unë nuk do t’i diskutoj këtu.

Rrethi i Leskocit

Drejtuesi i rrethit administrativ të Leskocit bëri një listë të vendbanimeve dhe shtëpive në hapësirën e tij administrative dhe e dërgoi si njoftim për ministrin e Arsimit me datë 14 (26) mars 1878. Sipas kësaj liste, në distriktin e Leskocit kishte 221 vendbanime dhe 10.369 shtëpi. Vetë Leskoci kishte 2015 shtëpi të banuara myslimane dhe rreth 700 të boshatisura. Përveç tyre ishin edhe 53 fshatra të braktisura shqiptare, që nuk ishin përfshirë në numrin e mëparshëm të vendbanimeve. Ato ishin vendosur në rajonin e quajtur Pusta Reka. Përveç këtyre fshatrave, shqiptarët jetonin në tri komunitete të tjera pranë tyre. Këto komunitete ngërthenin 45 fshatra, prej të cilave 14 ishin shqiptare të pastra, 10 serbe, 17 me popullatë të përzier dhe nuk ka të dhëna për kusurin në katër të tjera. Ishin 542 shtëpi serbe dhe 691 shqiptare në këto 41 fshatra. Këto të fundit ishin boshatisur. Drejtuesi i rrethit administrativ theksonte në njoftim se në 53 fshatra të zbrazura mund të ishin përafërsisht nga 30 shtëpi në secilin. Numri mesatar i shtëpive në 41 fshatrat e zëna në gojë ishte 27 (27,4). Meqë ato ishin pranë atyre të zbrazura, ky relacion mund të përdoret edhe për ato, që nënkupton se kishin 1431 shtëpi. Kështu del që kishte 2122 shtëpi të boshatisura shqiptare tok me fshatrat në qarkun e Leskocit. Numri i banorëve nuk është thënë në njoftim, por mund të hamendësohet se familjet kishin përafërsisht 8 anëtarë, sikundër në qarqet e tjera. Në distriktin e Pusta Rekës, që u themelua pas Kongresit të Berlinit, numri mesatar i banorëve në një shtëpi ishte saktësisht 8, që konfirmon vlerësimin e mëparshëm. Rrjedhimisht del që 16.976 shqiptarë u larguan nga fshatrat në qarku e Leskocit.

Territori i këtij qarku ishte identik me atë të ish-distriktit turk të Leskocit. Ky fakt jep mundësinë të kontrollohen vlerësimet e theksuara për numrin e imigrantëve. Rreth 17.033 myslimanë jetonin në distriktin e Leskocit më 1877, që domethënë se hamendja e përmendur është korrekte.

Qarku i Vranjës

Burimet që kam kanë mungesë të dhënash mbi numrin e myslimanëve, që jetonin në fshatrat e qarkut të Vranjës para 1878-s. E di vetëm që 817 shqiptarë mbetën në 8 katundet e trevës së Masuricës. Sipas kërkimeve antropogjeografike të R.T. Nikoliqit, të bëra në fillim të shekullit të 20-të, në Masuricë ishin 7 fshatra shqiptare, 8 në rrethinat e Vranjës e 1 në rajonin e Vinogosit si dhe përafërsisht 230-250 shtëpi shqiptare në trevën e quajtur Polanicë. Rreth 1700-1900 shqiptarë duhet të kenë jetuar në rajonet e fundit të zëna në gojë. Megjithatë, sipas këtyre të dhënave, unë nuk jam në gjendje as të vlerësoj numrin e plotë të shqiptarëve, që migruan nga fshatrat e këtij distrikti.

Edhe Mars, 1929: Shpronësim, shpërngulje, shfarosje e shqiptarëve Shtojca për Kulturë 3 muaj më parë Mars, 1929: Shpronësim, shpërngulje, shfarosje e shqiptarëve

Qarku i Nishit

Autoritetet lokale të distriktit të Koprivnicës bënë një listim të fshatrave në territorin e tyre administrativ. Aty kishte 80 fshatra, të banuara nga serbët. Ata punonin tokat, të cilat në pjesën më të madhe iu takonin turqve. 26 turq, pronarë, katër prej të cilëve kishin rezidenca në Nish, janë të listuar në këtë regjistrim. Nuk ka këso lloj të dhënash për distriktin e dytë të qarkut, Nishin. Ai shtrihej në bregun e djathtë të lumit Nishavë dhe kishte një numër të caktuar fshatrash të braktisura çerkeze në këtë territor. Sidoqoftë, nuk është e mundur të thuhet se sa prej tyre ishin këtu dhe sa njerëz u larguan.

Distrikti i Bella Pallankës dhe qarku i Pirotit

Kishte disa vendbanime të zbrazura çerkeze në afërsi të Bella Pallankës, në bregun e djathtë të Nishavës, por numri i tyre nuk mund të etablohet sipas burimeve të qasshme. Kalaja e Bella Palankës banohej prej turqve, që ikën drejt Leskocit; për fat të keq, numri i tyre mbetet i panjohur. Nuk jam në gjendje të them diçka më specifike rreth strukturës etnike në qarkun e Pirotit në periudhën e paraluftës, përpos asaj që kishte edhe disa katunde çerkeze.

Popullata rurale myslimane ishte kryesisht homogjene në kuptimin etnik në rajone të caktuara, si për shembull shqiptarët e distriktit të Pusta Rekës. Ky nuk ishte rasti me qytetet. Këtu, është e pamundur të ndahen myslimanët në kombësi (me përjashtim të Prokuples), meqë burimet i trajtojnë që të gjithë si “turq”, që është sinonim për “myslimanë”. Prandaj, unë kam zgjedhur të merrem ndarazi me numrin e myslimanëve që migruan nga këto qytete.

Sipas njoftimit të përmendur më parë të administratës së distriktit të Prokuples, në qytet ishin 1114 shtëpi, 364 serbe dhe 750 shtëpi të boshatisura myslimane. 1804 banorë mbetën dhe ata ishin që të gjithë serbë. Të dhënat e përfshira në udhëtimet e M.Rakiqit dallojnë një çikë. Numri i gjithsejtë i shtëpive dhe banorëve është identik, por lidhja mes shtëpive serbe dhe myslimane nuk është: 405 shtëpi turke, 299 shqiptare dhe 440 serbe. Nëse e njëjta metodë si më parë përdoret del që përafërsisht 1226 shqiptarë dhe 1660 turq, apo 2886 myslimanë, migruan nga Prokupla. Kjo e dhënë përputhet me numrin e banorëve të qytetit më 1877, ndaj edhe mund të pranohet si korrekte.

Para luftës në Leskoc ishin 900 shtëpi myslimane dhe përafërsisht 5 mijë myslimanë. Sipas statistikave të para zyrtare serbe, në fillim të 1879-s, kishin mbetur 120 myslimanë në qytet, që do të thotë se 4.880 u larguan. Vetëm 878 myslimanë qëndruan në Vranjë pas luftës, por shumë prej tyre migruan gjatë muajve në vijim. Në qytet kishte 860 shtëpi serbe me 5805 banorë si dhe 991 shtëpi myslimane. Një familje serbe kishte përafërsisht 6,75 banorë. Nëse i njëjti relacion përdoret edhe për shtëpitë myslimane del që rreth 6690 prej tyre jetuan në Vranjë para luftës. Kishin ngelur 437 myslimanë më 1879, që do të thotë se migruan 6250.

Para luftës në Nish ishin rreth 8500 myslimanë. 1168 prej tyre ishin listuar në regjistrimin e parë serb të 1879-s. 797 romë myslimanë me gjasë ishin përfshirë në këtë numër. Sipas të dhënave të përmendura, rreth 7332 myslimanë u larguan nga Nishi.

Të gjitha burimet pajtohen që 2500 myslimanë jetuan në Pirot deri më 1878. Më 1879, 638 prej tyre kishin mbetur në qytet, që do të thotë se përafërsisht 1862 myslimanë migruan nga Piroti pas luftës.

Numri i gjithsejtë i myslimanëve, që u larguan nga qytetet e përmendura, është përafërsisht 23.210.

Kur shtohen të gjitha të dhënat e përmendura del që rreth 71 mijë myslimanë migruan nga qarqet e reja të Serbisë, gjatë ose pas luftës. 49 mijë prej tyre ishin me siguri shqiptarë. Sidoqoftë, është e sigurt që gjithsejti i numrit të imigrantëve myslimanë ishte i madh, por për mungesë burimesh nuk mund të etablohet. Kishte edhe më shumë se 49 mijë imigrantë të kombësisë shqiptare, meqë ata nga Vranja dhe Leskoci nuk janë të përfshirë në këtë shumë. Një numër i caktuar i tyre mund të ketë jetuar edhe në Nish.

Sipas statistikave, numri absolutisht më i madh i myslimanëve mbeti në qarkun e Nishit. Më 1879, ky rreth përbëhej nga një pjesë e rrethit të mëparshëm të Leskocit, përfshirë edhe këtë qytet. Myslimanët jetonin kryesisht në qytete. Numri relativisht më i madh i myslimanëve qëndruan në rrethin e Vranjës.

Shumica e myslimanëve mbetën në distriktin e Masuricës. Këta ishin prej atyre që iu dorëzuan ushtrisë serbe dhe pritën fundin e luftës në shtëpitë e tyre.

Shumë myslimanë qëndruan në qarkun e Toplicës, që përbëhej prej distrikteve të dikurshme të Prokuples dhe Kurshumlisë. Sidoqoftë, duhet të mbahet në mendje që shqiptarët ishin shumicë në këtë hapësirë para luftës.

Nuk kishin mbetur myslimanë në distriktet e Kosanicës dhe Prokuples. Ata që ishin në të parin me gjasë migruan që të gjithë gjatë luftimeve rrotull Kurshumlisë, por myslimanët nga i dyti distrikt ishin dorëzuar pjesërisht dhe ishin rikthyer në shtëpitë e tyre. Ata ashiqare u dëbuan më vonë. Myslimanët nga distrikti i Jabllanicës gëzonin mbrojtjen e posaçme nga princi Millan. Numri më i vogël i myslimanëve, absolutisht dhe relativisht, mbeti në rrethin e Pirotit. Në krahasim me këtë, kishte një përqindje të madhe të tyre që mbeti në vetë qytetin – 6.8 për qind.

*Autori është profesor i historisë në Universitetin e Beogradit. Ky shkrim është marrë nga revista “Balkanologie: Revue d’etudes pluridisciplinaires”, Vol. II, Nr. 2, 1998. Titulli dhe disa nga mestitujt janë vënë nga redaksia.

Edhe Lutfiu: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ilegalët, humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi Arbëri 4 muaj më parë Lutfiu: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ilegalët, humbje e shpresës për shqiptarët në Serbi

(Përktheu: Salih Mehmeti)

(Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës)