Fillimi i shekullit XVIII e gjeti Kosovën e sotme dhe viset shqiptare përreth, me një shpopullim të konsiderueshëm, me rrënime të shumta të qyteteve e të fshatrave, të kështjellave e të minierave, të çarshive e të esnafëve, si dhe të institucioneve të ndryshme arsimore edukative, kulturore e fetare. Karakteri i zhvillimeve historike shqiptare nga fillimi i shekullit XVIII deri në vitet ‘40 të shekullit XIX kanë rëndësi për albanologjinë
Janë shumë faktorë që kanë ndikuar në zhvillimet historike shqiptare të fillimshekullit XVIII por, gjithsesi faktori kryesor dhe më i rëndësishëm, i cili ka përcaktuar zhvillimin e përgjithshëm të trojeve shqiptare, po edhe më gjerë, në këtë kohë, kanë qenë luftërat e gjata dhe dramatike ndërmjet Perandorisë Osmane dhe fqinjëve të saj evropianë në kapërcyellin e shekullit XVII dhe në katër dekadat e para të shekullit XVIII respektivisht, luftërat habsburge-osmane dhe veneto-osmane, pasojat e të cilave kanë shënuar kthesë në rrjedhat historike të kohës. Këto luftëra, siç dihet, kanë pëfshirë një pjesë të madhe të trojeve shqiptare, ku kanë lënë pasoja të thella. Le të përmendim këtu vetëm faktin, se në vendbanimet qytetare e fshatare të sanxhaqeve të Prizrenit, Dukagjinit, Vuçitërnës dhe të Shkupit, gjatë tremujorit të fundit të vitit 1689 si pasojë e eksterminimit të popullsisë shqiptare myslimane, e epidemisë së murtajës dhe e zisë së bukës, ia doli të mbijetojë vetëm afro një e treta e kësaj popullsie. Kështu që, fillimi i shekullit XVIII e gjeti Kosovën e sotme dhe viset shqiptare përreth, me një shpopullim të konsiderueshëm, me rrënime të shumta të qyteteve e të fshatrave, të kështjellave e të minierave, të çarshive e të esnafëve, si dhe të institucioneve të ndryshme arsimore edukative, kulturore e fetare.
Proceset e reja në jetën ekonimike
Si pasojë e drejtpërdrejë dhe e tërthortë e këtyre luftërave, në fillim të shekullit XVIII u paraqitën dukuri dhe procese të reja në jetën ekonomike – shoqërore, politike e kulturore shqiptare. Këto dukuri e procese të reja, ndërlidhen me ndryshimet e konsiderueshme sistemore të regjimit osman, që ndodhën në atë kohë si pasojë e një vargu faktorësh politikë, socialë dhe ekonomikë, të brendshëm e të jashtëm. Dy nga këto ndryshimet kanë pasur ndikim të thellë në jetën ekonomike, sociale e politike shqiptare dhe ato janë: 1) Format e reja të pushtetit vendor, respektivisht decentralizimi de facto i pushtetit osman dhe 2) Rrënimi i sistemit timar-spahinj dhe ngritja e sistemit çiflig-sahibinj në vend të tij. Me këto ndryshime e dukuri të reja, në trojet shqiptare morën rrugë zhvillimi i proceseve historike tejet të rëndësishme për popullin shqiptar.
Decentralizimi i pushtetit osman
Dukuria më e rëndësishme dhe madje, përcaktuese për zhvillimin politik-shoqëror të popullit shqiptar, gjithsesi ishte decentralizimi, de facto, i pushtetit osman, që filloi në vitet e para të shekullit XVIII kur sulltani qe i detyruar, në një mënyrë, t’ua njihte sanxhakbejlerëve shqiptarë të drejtën e trashëgimit familjar të pushtetit, ofiqeve dhe gradave të larta shtetërore në sanxhaqet shqiptare përkatëse. Tashmë në njëmbëdhjetë sanxhaqet shqiptare, në Sanxhakun e Shkodrës, Dukagjinit, Vuçitërnës, Prizrenit, Shkupit, Ohrit, Manastirit, Elbasanit, Vlorës, Delvinës dhe në Sanxhakun e Janinës, qeverisnin dyer të mëdha të fisnikërisë shqiptare si, Mahmutbegollët, Vlorajt, Asllanpashajt, Bushatlinjtë, Biçakçinjtë, Hoxhollët, Kryezinjtë, Rrotllajt, Rexheppashajt, Tepelenasit, Gjinollët, Toptanët, Ngurzajt, Abdurrahmanpashajt, Vrionët, Delvinajt, Kokajt, Libohovajt Alltunët, Zejnelpashajt, Vërlacët, Alizotajt, Bargjinollët dhe të tjerë, disa nga të cilat i përkisnin fisnikërisë shqiptare edhe në kohën para pushtimit osman.
Me aktin e njohjes së pushtetit lokal të trashëgueshëm, Porta e Lartë, me ose pa dashje, i hapi rrugë fuqizimit politik të shtresës së fisnikërisë shqiptare, formimit të pashallëqeve shqiptare dhe përftimit të elitave politike, ekonomike e kulturore shqiptare. Këto elita patën rolin kryesor në zhvillimet politike, ekonomike dhe kulturore të vendit gjatë shekullit XVIII dhe gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX. Falë kontributit të këtyre elitave, shqiptarët dhe trojet e tyre në dekadën e dytë të shekullit XIX arritën apogjeun e zhvilimit ekonomik-shoqëror, politik-ushtarak, demografik dhe kulturor.
Ndërsa me sistemin çiflig-sahibî i mundësohej fisnikërisë dhe ajanëve shqiptarë që të fuqizoheshin ekonomikisht, duke i zgjeruar çifligjet e veta aq shumë, sa disa prej tyre kishin arritur që të kenë në pronësi të tyre madje edhe provinca të tëra, që kapnin sipërfaqe prej disa qindra hektarësh.
Kështu që fuqizimi politik dhe ekonomik i fisnikërisë (oxhakërisë) shqiptare ju mundësoi atyre që në sanxhaqet shqiptare të organizojnë pushtetin administrativ dhe ekzekutiv, i cili ishte i ngjashëm me pushtetin e Portës së Lartë. Organi më i lartë vendimmarrës ishte divani domethënë kuvendi të cilin e drejtonte vetë sanxhakbeu. Sanxhakbeu me të ardhurat që realizonte nga çifligjet e veta dhe nga tregëtia e brenshme dhe e jashtme që bënte me produktet e këtyre çifligjeve, si dhe nga një sasi e caktuar e taksave që mblidhte, paguante personelin administrativ dhe ushtrinë e sanxhakut të tij, e cila shkonte në disa mija ushtarë. Kësaj ushtrie ai i siguronte veshmbathjen, armatimin, ushqimin dhe pagën. Përveç ushtrisë së tyre profesionale, sanxhakbejlerët shqiptarë, në sajë të raporteve shumë të mira që kishin krijuar me bajraqet e malësive, përfaqësuesin e të cilave e kishin anëtarë të divanit, kishin në dispozicion gjithmonë, në rast nevoje, një forcë të armatosur rezevë e cila mobilizohej sipas parimit tradicional shqiptar “burrë për shtëpi” nën udhëheqjen e bajraktarit. Le të theksojmë këtu se sanxhakbejlerët shqiptarë nga fillimi i shekullit XVIII kanë treguar konsideratë ndaj Kanunit dhe ndaj së drejtës zakonore shqiptare që buronte nga ai. Ndërkaq, në raste të caktuara Kanuni është përfillur edhe nga gjykatat e vendit.
Shembulli nga koha e pashallëqeve shqiptare
Duhet të theksohet, gjithashtu, se sanxhakbejlerët shqiptarë kanë treguar interesim të veçantë dhe janë angazhuar për raporte të mirëfillta vëllazërore me pjestarët e komunitetit shqiptar të krishterë. Një shembull shumë domethënës në këtë drejtim, e gjejmë te sanxhakbeu i Shkodrës, Hydaverdi pashë Mahmutbegolli. Ai në vitin 1703 duke qenë në këtë pozitë, në cilësinë e Pashait të Lartë të Shipërisë, të cilit i nënshtroheshin edhe sanxhakbeu i Ohrit dhe ai i Vlorës, ka pasur takime miqësore dhe korrespodencë me Vinçenc Zmajeviqin, argjipeshv i Tivarit dhe vizitor apostolik në Shqipëri, po ashtu edhe me shoqëruesin e tij Gjon Bollica nga Kotorri, me të cilin pashai ishte farefis dhe mbanin raporte familjare. Hydaverdi pasha ka mbështetur organizatorët e Kuvendit të Arbërit që u mbajt po atë vit në Mërqi të Lezhës. Kjo mbështetje mbase i kushtoi me jetë. Vdiq i helmuar në Shodër, më 13 shtator të vitit 1705, duke u bërë kështu martiri i parë i Kuvendit të Arbërit. Ky është një shembull emblematik, por jo edhe i vetmi nga koha e pashallëqeve shqiptare. Kjo frymë tolerance vëllazërore ndërkonfesionale, që u bë normë etike shqiptare në kohën e dy pashallëqeve të mëdha, ishte e pashembullt në Evropën e asaj kohe.
Autonomia e sanxhakbejlerët
Deri në gjysmën e dytë të shekullit XVIII sanxhakbejlerët shqiptarë të njëmbëdhjetë sanxhaqeve shqiptare, kanë ushtruar pushtet autonom në hapësirën e kufijve administrativë të sanxhaqeve përkatëse, ku ishin emëruar me akt zyrtar nga Porta e Lartë. Në dekadat e para të shekullit XVIII, një pjesë e tyre është dashur të investojnë dhe të angazhohen në rindërtimin dhe në riparimin e vendbanimeve, institucioneve dhe çarshive të rrënuara e të dëmtuara nga lufta. Por, me që çdo qendër të saxhakut kishte dy e më shumë familje nga dyert e oxhakërisë shqiptare, pozita e tyre nuk ishte e qetë. Ata sfidoheshin kohë pas kohe që të luftojnë për ta mbajtur, ose për ta marrë pushtetin. Në raste të tilla ishin të detyruar të bëjnë aleanca me gildat më të fuqishme esnafore që ishin tabakët dhe terzinjtë.
Në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII u fuqizuan dyer të caktuara fisnike dhe shfaqën ambicie për ta shtrirë pushtetin edhe në sanxhaqet fqinje. Kështu lindën dy pashallëqet e mëdha shqiptare, Pashallëku i Shkodrës (1757-1831) i krijuar nga Mehmet Pashë Bushatliu dhe Pashallëku i Janinës (1787-1822) i krijuar nga Ali Pashë Tepelena. Këto dy pashallëqe u konsoliduan e u forcuan aq shumë, sa që u bënë de facto të pavarura nga Porta.
Qytetet shqiptare në këtë periudhë ishin pika kristalizimi procesesh konvergjente ekonomike, shoqërore, politike e kulturore dhe njëherësh pika rrezatimi të gjithanshëm mbarëshqiptar.
Zhvillimi i tregtisë së brendshme dhe të jashtme, ngriti dhe fuqizoi borgjezinë tregtare dhe ekonominë monetare, zhvilloi zejtarinë në qytetet shqiptare, lidhi më ngushtë fshatin me qytetin dhe krijoi mundësi më të mëdha punësimi të popullsisë. Të gjitha këto që u përmendën, bashkë me shtimin e popullsisë, mundësuan zhvillim të ndjeshëm të qyteteve shqiptare.
Tregjet ndërkrahinore në periudhën e dy pashallëqeve të fuqishme, faktikisht të pavarura nga Porta, të cilat u zhvilluan në zonën e veprimit të tregtarëve të kryeqyteteve të këtyre dy pashallëqeve, përbënin tashmë një hap drejt unitetit ekonomik e politik të krahinave më popullsi shqiptare, në kuadrin e këtyre dy formacioneve politike paralele shqiptare.
Borgjezia tregtare dhe nënshtrimi ndaj vullnetit politik
Zhvillimi i kësaj dukurie politike në sferën e dy tregjeve të mëdha ndërkrahinore nuk mund të funksiononte pa harmonizimin e interesave të borgjezisë tregtare me ato të sanxhakbejlerëve. Kështu që borgjezia tregtare duhej t’i nënshtrohej vullnetit politik të pushtetarit të pashallëkut. Në këtë sferë nuk mund të lejohej dukuria e anarkisë.
Këto zhvillime në jetën shqiptare, sollën krijimin e një shtrese të re shoqërore, që është borgjezia qytetare shqiptare. Kjo shtresë shoqërore kishte lidhje të ngushta interesash me shtresën drejtuese vendëse. Kështu që, me fuqizimin ekonomik të kësaj shtrese drejtuese, e cila përfshinte fisnikërinë shqiptare, ajanët, nëpunësit e lartë administrativë, fetarë e arsimorë, shtoheshin edhe nevojat për një jetë më luksoze, me objekte banimi e pallate të bukura, me orendi e veshmbathje më luksoze dhe gjithsesi shtoheshin nevojat edhe për një jetë kulturore më të gjallë.
Gjithsesi dukuri e një rëndësie të veçantë e kësaj periudhe në trojet shqiptare është fuqizimi i veprimtarisë kulturore, e cila gjatë shek. XVIII e deri në fund të tri dekadave të para të shek XIX, merr karakteristikat e një lëvizjeje të mirëfilltë kulturore shqiptare.
Ndryshimet e rëndësishme ekonomike, shoqërore, politike e kulturore, që ndodhën në Shqipërinë Etnike gjatë periudhës së përkufizuar, e karakterizojnë këtë periudhë si një epokë të veçantë të zhvillimit historik të popullit shqiptar; - si një epokë të re të emancipimit të përgjithshëm politik, shoqëror e kulturor dhe të ndërgjegjësimit kombëtar të këtij populli; - si epoka e tendencave shtetndërtuese e kombndërtuese
Shqiptarët në fund të shek. XVIII ishin një fuqi politike ushtarake, që mund të krahasohej me disa nga shtetet e fuqishme evropiane. - Kishin një popullsi me numër më të madh se secili nga popujt fqinjë me ta, sidomos krahasuar me serbët dhe me grekët. -Kishin një territor etnik shumë më të madh se territori etnik i grekëve apo i serbëve. -Kishin një shkallë të zhvillimit ekonomik më të lartë se këta dy popuj fqinjë, po edhe një shkallë të zhvillimit kulturor që assesi nuk ishte nën nivelin e këtyre dy popujve.
Goditja prapakthyese
Por, me rrënimin e Pashallëqeve të Mëdha Shqiptare dhe me elitocidin që kreu Porta e Lartë, në kohën e Mahmudit II (1808-1839) me nxitjen e fuqive evropiane të kohës, nën pretekstin e reformave administrative centralizuese, populli shqiptar mori goditjen prapakthyese më të kobshme. Mungesa e një dore miqësore të shtrirë nga ndojëra prej fuqive të mëdha evropiane, e ndali përpjekjen shumëshekullore shqiptare në hapin e parafundit të arritjes së cakut të synuar për një shtet natyral shqiptar.
Këto dukuri që u cekën më lart, si dhe të tjera që për shkak të kohës së kufizuar, i kaluam pa i zënë në gojë, e bëjnë harkun kohor nga fillimi i shekullit të XVIII e deri në vitet ‘40 të shekullit të XIX një epokë të veçantë të historisë të popullit shqiptar.
Si përfundim mund të themi se epokën historike nga fillimi i shekullit të XVIII e deri në vitet ‘40 të shekullit të XIX e karakterizon tendenca politike shtetformuese e kombformuese shqiptare. Në këtë drejtim kjo epokë, sidomos në dekadat e fundit të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit të XIX, shënon një hop të dukshëm përpara.
Mund të themi, gjithashtu, se kjo epokë është pasardhëse e epokës së lavdishme të Skënderbeut dhe paraardhëse e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Si e tillë, kjo epokë kërkon vëmendje të shtuar të Albanologjisë me të gjitha degët e saja. Në veçanti duhet të hulumtohet, të studiohet e të ndriçohet më shumë nga historiografia shqiptare. Sepse kjo mund të na ndihmojë që t’i kuptojmë më mirë, më drejt dhe më qartë, jo vetëm shkaqet dhe faktorët e prapakthimit tonë si komb në vitet ‘40 të shekullit të XIX, po edhe sfidat me të cilat po ballafaqohemi sot në rrafshin politik kombëtar e ndërkombëtar.