Shtojca për Kulturë

Rinjohja shqiptare

Tiranë, 1978

Tiranë, 1978

Kur regjimi i Enver Hoxhës ra përfundimisht, shqiptarët e Kosovës filluan ta vizitonin Shqipërinë, megjithatë, ajo “njohja e madhe” ndërshqiptare ndodhi tek në vitin 1999, në kohën e luftës në Kosovë, e ku rreth gjysmë milioni refugjatë kosovarë u vendosën atje. Ky ishte një moment njohjeje në tragjedi. Shqiptarët, në të dyja anët e kufirit, pas mbi 50 vjetësh izolimi, po e dëgjonin njëri-tjetrin, po përpiqeshin ta kuptonin e njihnin njëri-tjetrin

Shqiptarët e Kosovës kanë pasur një pamje të deformuar e qëndrim iracional për Shqipërinë, gjatë krejt periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore e deri në rënien e komunizmit. Vendi më i izoluar në planet, gjatë krejt atyre rreth 50 vjetëve, në Kosovë idealizohej e mitizohej si një vend i shpresës, i të mirave, i virtyteve e trimërisë. Vendi i shqiponjave besohej se një ditë, krejtësisht befasishëm, do të marshonte dhe do ta nxirrte Kosovën nga kthetrat e Jugosllavisë, nga e cila po mbahej padrejtësisht e në të cilën po jetonte në mjerim, pa liri e pa të drejta.

Ëndrra për Shqipërinë ushqehej e mbahej gjallë kryesisht përmes letërsisë që depërtonte në Kosovë (shumica e së cilës ishte thellësisht e ideologjizuar e skematike), kinematografisë e ndonjëherë përmes valëve të Radio Tiranës (megjithëse, zyrtarisht ajo ishte e ndaluar në Kosovë). Por natyrisht, as ajo letërsi e kontrolluar, as kinematografia e as radioja nuk ishin pamja reale e Shqipërisë. Ajo pamje doli sheshazi tek pas të 90-ave.

Disa vizita të para nga Kosova që u bënë në Shqipëri në vitet e 70-a, ishin të grupeve artistike; valltarëve, këngëtarëve, artistëve të teatrit e të shkrimtarëve. Kur ktheheshin, ata sillnin pak nga gjendja reale në Shqipëri. Sepse vizitat ishin tërësisht të kontrolluara dhe të programuara, gjithçka ishte e retushuar që të dukej “normale” dhe “në lulëzim”. Ishte në të vërtetë gjithçka, por jo lulëzim, jo zhvillim, jo mirëqenie... Shqipëria ishte e zhytur në varfëri dhe njerëzit po e jetonin diktaturën në formatin e saj më të ashpër.

Por kur regjimi i Enver Hoxhës ra përfundimisht, shqiptarët e Kosovës filluan ta vizitonin Shqipërinë, megjithatë, ajo “njohja e madhe” ndërshqiptare ndodhi tek në vitin 1999, në kohën e luftës në Kosovë, e ku rreth gjysmë milioni refugjatë kosovarë u vendosën atje. Ky ishte një moment njohjeje në tragjedi. Shqiptarët, në të dyja anët e kufirit, pas mbi 50 vjetësh izolimi, po e dëgjonin njëri-tjetrin, po përpiqeshin ta kuptonin e njihnin njëri-tjetrin. Afërsia ishte aty, ajo ndihej, megjithatë, jeta në dy realitete të ndryshme e kishte bërë të veten. Para së gjithash, ishin barrierat gjuhësore dhe ishin kryesisht shqiptarët e Shqipërisë që ankoheshin se nuk i kuptonin kosovarët. Ato vitet e para të pasluftës, kur shfaqjet nga Kosova jepeshin në teatrot e Tiranës, ka qenë gati e pashmangshme të dëgjosh komente të tipit “ju kosovarë bëni teatër më modern sesa ne, por nuk i kuptojmë aktorët se çfarë thonë”! Me kalimin e viteve këto komente u harruan. Shqipja që flitet në Kosovë tani kuptohet, pranohet e nuk shihet si “e huaj” në Shqipëri. Janë shkrirë pothuajse të gjitha barrierat kulturore, sociale e gjuhësore mes shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë. Sepse janë krijuar lidhje të reja, të fuqishme, e njerëzit qarkullojnë vazhdimisht, në të dyja anët e kufirit, për turizëm, për biznes e për arsye të tjera.

Ka natyrisht, barriera të ndryshme, kryesisht të natyrës politike, çështje egosh mes krerëve të shteteve, ndonjëherë paqartësi e ngërçe administrative për këtë apo atë çështje bashkëpunimi... Por në përgjithësi shqiptarët, këtej e andej kufirit, po e jetojnë njëlloj ëndrre të moçme, të shkrirjes së dallimeve dhe keqkuptimeve, po e jetojnë ëndrrën e normalitetit.

Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit

Botohet në shqip me leje të autorit