Akademikë, profesorë, studiues të huaj e shqiptarë janë bërë bashkë në edicionin e 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare. Gjuha, letërsisë e kultura shqiptare një emërues i përbashkët që çdo vit mbledh në Prishtinë albanologë me nam. Gjatë dy javëve sa ka zgjatur organizimi, në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë janë mbajtur ligjërata, referime e orë letrare. Në kuadër të tij janë organizuar edhe ekspedita të shumta të cilat kishin për qëllim promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pas dy vjetëve në të cilët Seminari u organizua nën kushtet të vështira si pasojë e pandemisë, kësaj radhe, siç u pa, ai iu rikthye normalitetit. Gjatë këtij viti, në Seminar kanë marrë pjesë mbi 100 seminaristë të ardhur nga e gjithë bota, me përjashtim të Rusisë. Ndër të tjera, ata kanë pasur mundësinë të jenë pjesë edhe e aktiviteteve të ndryshme përfshirë: mësimin e gjuhës shqipe, paraqitjet e studimeve në tryezat e doktorantëve, dëgjimin e ligjëratave, ekskursione nëpër disa qytete të Kosovës e vizita në objekte të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Ky edicion i cili ngjashëm me vitet e kaluara u organizua nga Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë së bashku me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, është cilësuar i suksesshëm si nga profesorët dhe studiuesit e Prishtinës e Kosovës, po ashtu edhe nga ata të Shqipërisë e më gjerë.
Futja në botën e studimeve albanologjike
“Në të vërtetë që nga viti 2000 unë kam qenë pjesë e seminarit, në fillim si sekretare, e pastaj si anëtare e Këshillit Drejtues, prodekane, dekane dhe e di pak a shumë rrjedhën si kanë shkuar 20 vjetët e fundit. Për shkak të pandemisë, kemi pasur një zvogëlim të interesimit, përndryshe edhe para pandemisë edhe sivjet po vërtetohet interesimi i të huajve për të ardhur e për ta mësuar shqipen”, ka thënë dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova.
Edhe
Mbi 100 studiues tok në edicionin e 40-të të Seminarit
Ndonëse, kufizimet e shumta të cilat shoqëruan globin gjatë pandemisë, nuk janë më, prapë se prapë koronavirusi vazhdon të jetë problem dhe pengesë për disa njerëz. Nisur nga kjo, shumë studiues e albanologë nuk kishin arritur që të jenë pjesëmarrës të këtij edicioni jubilar të Seminarit.
“Të mos harrojmë se brenda një periudhe njëzetvjeçare, disa nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë janë shuar, nuk janë më. Por kemi edhe të tjerë që për shkak të pandemisë kanë frikë të udhëtojnë ose ende nuk bëjnë udhëtime të gjata ose kanë sëmundje, janë plakur dhe disa figura të cilat do të donim t’i kishim në Prishtinë dhe të cilëve u kemi dërguar ftesë, i kanë anuluar në momentet e fundit për shkaqe shëndetësore”, ka bërë të ditur Rugova.
Por pavarësisht kësaj, Rugova u shpreh e kënaqur që seminari vazhdon të zgjojë interesim të madh.
“Por jemi shumë të lumtur që në momentet e fundit bashkëpunëtorët e tyre më të rinj kanë filluar po vijnë dhe jo që vetëm po vijnë për ta mësuar shqipen, sepse ata shqipen e mësojnë gjatë tërë vitit në vende ku jetojnë, por edhe po vijnë me punime shkencore, po bëjnë përpjekjet e para për t’u futur në botën e studimeve albanologjike”, ka thënë dekania Rugova.
Sipas saj, Seminari po dëshmon që studiuesit e fushave të ndryshme si historianët, arkeologët, antropologët e jo vetëm gjuhëtarët, po kanë gjithnjë e më tepër interes për Kosovën.
Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi, i cili njëherësh është edhe profesor në departamentin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, e ka konsideruar si shumë të suksesshëm këtë edicion të Seminarit.
“Ky edicion jubilar ka qenë një edicion jashtëzakonisht i suksesshëm. Kemi pasur një numër të madh pjesëmarrësish të cilët kanë ardhur nga jashtë për t’i ndjekur kurset e gjuhës shqipe, por njëkohësisht edhe për të marrë pjesë në aktivitetet shkencore të Seminarit”, ka thënë Munishi.
Ai ka treguar edhe për aktivitetet e shumta me të cilat është shoqëruar ky edicion dhe pjesëmarrjen e një numri të madh studiuesish e albanologësh.
“Kemi pasur një numër të madh të ligjëratave të studiuesve të njohur nga fusha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, të cilët gjatë gjithë këtyre ditëve të Seminarit kanë mbajtur ligjërata me tematika të ndryshme nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë. Kemi pasur sesione të referimeve dhe njëkohësisht aktivitete të tjera të natyrës kulturore, ora letrare, vizita të ndryshme në Muzeun Kombëtarë, vizita në Bibliotekën Kombëtare, vizitë në qytetin e Prizrenit dhe Gjakovës e të tjera”, ka folur ai në rolin e drejtuesit të Seminarit.
Në kuadër të Seminarit i cili, siç e përmendëm më lart, organizohet në bashkëpunim midis Universiteti të Prishtinës dhe atij të Tiranës, një ligjëratë e mbajtën edhe dy profesoreshat nga Tirana, Dhurata Shehri dhe Persida Asllani.
Lidhur me këtë bashkëpunim, midis dy prej universiteteve më të rëndësishme të gjithë trevave shqiptare, Dhurata Shehri ka thënë se Seminari është një institucion më vete.
“Seminari u bë 40 vjet dhe në fakt po të kishte vazhduar një pjesë tjetër që nga 74-a do të ishte bërë 48 vjet. Në këtë rrugëtim, 20 vjet janë bashkëpunim me Shqipërinë. Natyrisht, Shqipëria është bashkëngjitur mbrapa për arsye jashtë letrare, por praktikisht Seminari në këta 40 vjet ka prodhuar shumëçka. Ka prodhuar për brenda dhe për jashtë”, ka thënë Shehri.
“Albanologjia e vërtetë shqiptare”
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Shehri e ka konsideruar si një prej faktorëve më të rëndësishme të kulturës dhe artit shqiptar si dhe një ngjarje e cila ka vënë bazat e albanologjisë.
“Po t’i shikosh arkivat e të gjitha sesioneve shkencore që janë prodhuar në 40 vjet, në fakt aty është albanologjia e vërtetë shqiptare. Pra, po themi studimet që janë mbi tema të rëndësishme, mbi letërsinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare në fakt praktikisht janë baza, gurthemelet e forta, si të historisë, si të letërsisë shqipe, si të gjuhësisë shqipe e po ashtu kulturës shqiptare”, ka thënë ajo.
Nisur nga kjo, sipas Shehrit, ky Seminar ka prodhuar edhe albanologë të shumë të cilët vazhdojnë të rriten dhe të kaliten nga kjo ngjarje vit pas viti, duke u bërë faktorë eminentë të albanologjisë dhe drejtues katedrash albanologjike të universiteteve të ndryshme në botë.
“Duke dalë përtej librave në fakt ajo që ka prodhuar Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës është në fakt dhe një armatë e madhe albanologësh të huaj të cilët mbajnë tashmë katedra të gjuhës shqipe në universitete të mëdha të Lindjes dhe Perëndimit të cilët në fakt janë produkt ad-hoc pikërisht i këtij seminari”, ka thënë Shehri. Në këtë rast ka përmendur disa profesorë të njohur të albanologjisë në botë.
“Forum i rëndësishëm studimor”
Edhe
Seminari – traditë që rinohet, urë komunikimi e albanologjisë
Lidhur me rolin që ka ky seminar, profesori i Universitetit të Prishtinës, Bardh Rugova, ka thënë se ndër të tjera, ky organizim ka si qëllim krijimin e albanologëve.
“Seminari luan shumë role. Se pari, ua mëson shqipen studiuesve të huaj, pra krijon albanologë. Së dyti, është një forum shumë i rëndësishëm studimor, ku prezantohen rezultatet më të fundit të albanologjisë dhe së treti, është një pikëtakim për krijimin e kontakteve dhe për integrimin e shqipes e të shqiptarëve në botë” ka thënë Rugova.
Sikurse çdo vit, edhe sivjet gjatë Seminarit janë trajtuar çështje e probleme të shumta të cilat lidhen me gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare. Përveç temave si shqipja në kontakt, letërsia shqipe në kontekstin komparatist dhe dezinformomi e propaganda në mediat sociale të cilat janë trajtuar sa nga profesorët, aq edhe nga doktorantë të shumtë, një vend i rëndësishëm i është kushtuar edhe letërsisë arbëreshe dhe rrezikut nga zhdukja dhe asimilimi i plotë italian.
Se rëndësia e arbëreshëve të Italisë dhe kontributi i tyre ndër shekuj është i madh, dëshmohet edhe përmes veprave të shumta të rëndësishme që ata ua kanë lënë gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare duke nisur nga drama e parë shqipe “Emira” e Anton Santorit, poezia e parë shqipe e shkruar nga Lekë Matrënga apo veprat e disa prej figurave më të rëndësishme të romantizmit shqiptar si: Jeronim de Rada, Anton Santori, Zef Serembe e të tjerë.
Sipas studiuesit Bardh Rugova, arbëreshet janë shyhreti i Prishtinës gjatë Seminarit. Ky Seminar kishte shërbyer edhe si lidhja e tyre e vetme me shqipfolësit në periudhën e viteve ’70, ‘80-, atëherë kur Shqipëria ishte e mbyllur shkaku i regjimit komunist.
Një ligjëratë për arbërishten gjatë këtij seminari ka mbajtur edhe studiuesja Giuseppina Turano. Pas përfundimit të ligjëratës, ajo ka thënë ky Seminar është shumë i rëndësishëm, sepse mbledh studiues nga shumë vende shumë universitete evropiane dhe më gjerë.
“Është një çast i veçantë edhe për studiuesit për t’u takuar dhe për të shkëmbyer mendime, ide projekte punësh. Sivjet një temë e veçantë ishte situata e arbërishtes dhe kontaktet e arbërishtes me gjuhën italiane. Kësaj teme i janë kushtuar disa prezantime si nga ana e gjuhësisë, ashtu edhe nga ajo e letërsisë”, ka thënë Turano.
Sipas saj, ngjarja u ka dhënë një hapësirë të madhe studiuesve arbëreshë dhe një mundësi që ata të paraqesin rrezikun e zhdukjes së gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Ndër të tjera, ajo ka renditur edhe një sërë faktorësh të cila kanë çuar drejt zhdukjes së saj.
“Dialektet dhe gjuha arbëreshe janë në rrezik, sepse çdo ditë e më shumë po zvogëlohet numri i folësve, nataliteti është duke rënë çdo ditë e më shumë, d.m.th nuk ka breza të rinj për ta trashëguar këtë të folme. Tani për tani, e flasin vetëm të moshuarit, pleqtë në fshatra, ndërsa fëmijët ikin në universitete italiane, në qytete të mëdha dhe ata rrallë kthehen në fshatra. Kështu, e folmja humbet, sepse mbetet në qytete italiane dhe vazhdojnë të flasin vetëm italisht” ka shpjeguar Turano.
Vendi ku mësohet shqipja
Magdalena Dimitrova ishte një nga studentët e shumtë të cilët ia kanë mësyrë Prishtinës për të ndjekur punimet e Seminarit dhe e cila ka prezantuar edhe një studim i cili lidhej me semiotikën e përbashkët të vendeve ballkanike, përfshirë këtu edhe gjuhën shqipe.
Por, përveç kësaj, Dimitrova e cila ka ardhur nga Bullgaria, ka treguar edhe për përvojat e saj si pjesëmarrëse e këtij Seminari dhe atë çka asaj i ka lënë më së shumti përshtypje në Kosovë.
“Gjithmonë më ka bërë përshtypje se si njerëz nga vende të ndryshme të botës vijnë për ta mësuar me kaq shumë dashuri dhe përkushtim gjuhën shqipe dhe sinqerisht, mund t'ju them se kam lënë një pjesë të zemrës sime në Prishtinë. Që nga hera e parë kur kam qenë në Kosovë dhe në Prishtinë, e kam pasur mundësinë të takohem me shumë njerëz, profesorë dhe seminaristë, që më kanë mësuar ta dua edhe më shumë gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe. Jam shumë mirënjohëse për gjithçka”, ka thënë Dimitrova me një shqipe shumë të rrjedhshme.
Një tjetër pjesëmarrës ishte edhe Marek Majer i cili jeton në Poloni. Derisa ka folur për seminarin ka thënë se eksperienca e sivjetme ishte shumë e mirë si gjithmonë. Ka treguar se në herën e pesë në këtë ngjarje prapë ka mësuar shumë, ka lidhur kontakte të reja dhe ka krijuar rrethana që të hulumtojë për interesimet e tij në të ardhmen.
Seminarit ia ka dedikuar foljen rrjedhshëm të gjuhës shqipe.
“Unë merrem me gjuhët të ndryshme në mënyrë profesionale dhe në fakt gjuhën shqipe, kam filluar ta mësoj për punën time shkencore, domethënë jo për të folur por për ta njohur strukturën e saj e gjëra të tjera. Kam shkuar në Shqipëri dhe në Kosovë dhe kam parë se është një vend shumë i mirë, interesant dhe njerëzit janë shumë mikpritës, kështu që kisha dëshirë të vazhdoja të vija prapë” ka shpjeguar Majer.
Seminari është themeluar në vitin 1974 nga Fakulteti i Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Për çdo vit, ky Seminar mbledh bashkë me dhjetëra studiues e studentë të cilët trajtojnë problemet gramatikore, ato të letërsisë, kulturës shqiptare si dhe ato të albanologjisë në përgjithësi.
Edhe
Seminari – koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë
Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet e 19-20 të vitit 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare përfundoi punimet e tij më 26 gusht 2022.