Me drejtues të rinj, veçse kanë nisur përgatitjet për organizimin e edicionit të 43-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Sivjet, sallat e Fakultetit të Filologjisë do të jenë të mbushura plot me seminaristë shqiptarë dhe të huaj prej 18 deri më 29 gusht, e tok me studentët e huaj që do të mbajnë si çdo vit kurse të gjuhës shqipe, do të ligjërojnë para një publiku të larmishëm dhjetëra studiues të albanologjisë – shqiptarë dhe të huaj – siç ngjan zakonisht. Temat bosht për këtë edicion në sesionin shkencor të gjuhësisë do të jenë dy: “Zhvillimet aktuale në leksikun e shqipes” dhe “Shqipja në rrjetet sociale”, përderisa në sesionin e letërsisë temë bosht do të jetë “Postmodernizmi në letërsinë shqipe”
Dashamirët e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare tash e katër dekada kanë zënë vend në Seminarin që mbahet gjatë ditëve të gushtit. Edhe sivjet nuk bëhet përjashtim. Me drejtues të rinj, veçse kanë nisur përgatitjet për organizimin e edicionit të 43-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Sivjet, sallat e Fakultetit të Filologjisë do të jenë të mbushura plot me seminaristë shqiptarë dhe të huaj prej 18 deri më 29 gusht, e tok me studentët e huaj që do të mbajnë si çdo vit kurse të gjuhës shqipe, do të ligjërojnë para një publiku të larmishëm dhjetëra studiues të albanologjisë – shqiptarë dhe të huaj – siç ngjan zakonisht.
Në mars ishte bërë e ditur se Seminari i ka përzgjedhur drejtuesit e rinj, me profesoreshë Lindita Sejdiu-Rugovën si udhëheqëse për një mandat dyvjeçar. Ajo është gruaja e parë që e udhëheq këtë seminar dhe, ndonëse nuk ka qenë më parë drejtoreshë, e ka një përvojë mbi 20-vjeçare në organizimin e drejtpërdrejtë të aktiviteteve të Seminarit. Nga Këshilli i Seminarit ishte propozuar Muhamed Çitaku si sekretar shkencor, ndërsa anëtarë të Këshillit ishin zgjedhur profesorët: Bardh Rugova, Avdi Visoka, Gëzim Qerimi, Shpëtim Elezi dhe Zahrije Kapllanaj. Sekretare profesionale ishin emëruar Liridona Bërkolli dhe Donika Elezkurtaj-Bërveniku. Të gjithë këta e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e këtij edicioni, me ndihmën e studentëve vullnetarë, të cilët angazhohen me punë orientuese dhe përcjellëse për seminaristët e huaj.
E cilësuar si shkollë verore, e gërshetuar me një konferencë shumë të rëndësishme shkencore, kjo ngjarje që ndryshe njihet si “Seminari i Prishtinës”, është mbajtur për herë të parë në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë, atëherë Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës dhe tradicionalisht mbahet në Prishtinë. Drejtori i parë i Seminarit ka qenë akademik Idriz Ajeti dhe njëra prej sallave ku organizohen aktivitetet e kësaj ngjarjeje e mban emrin e tij.
Më 1991 është penguar dhe ndërprerë veprimtaria e tij për shkak të gjendjes politike në Kosovën e asaj kohe, dhe më 1995 dhe 1996 sesionet e këtij seminari mbahen në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 2000, me nismën e akademik Rexhep Ismajlit, Seminari kthehet në vendlindjen e vet, për të vazhduar deri sot, tashmë në bashkorganizim me Universitetin e Tiranës, në shenjë nderi. Edhe viti 2020 e pati lënë pa organizim Seminarin për shkak të pandemisë COVID-19, megjithatë nuk kanë rënë asnjëherë shifrat pjesëmarrëse në këtë ngjarje, përkundrazi çdo herë shkojnë duke u rritur.
Ky edicion premton të sjellë emra të njohur të gjuhësisë, si: gjuhëtarin rus Aleksandër Rusakov, profesoreshën arbëreshe Giuseppina Turano, folkloristin turk Özkul Çobanoğlu, albanologen bullgare Rusana Hristova Bejleri, profesorin gjerman Björn Hansen, studiuesen bullgare Ekaterina Tarpomanova; si dhe emra të shquar të studiuesve shqiptarë, si: Lumnije Jusufi, Floresha Dado, e Aljula Jubani, që do të referojnë mes studiuesish kumtesat e tyre shkencore.
“Kemi referime dhe ligjërata të të huajve më shumë se të albanologëve vendas dhe kjo tregon për interesimin e të huajve për shqipen dhe albanologjinë në përgjithësi. Po ashtu, kemi organizuar tryezë për arnautët në Lindjen e Mesme, ndikimin e AI në Media, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin, e shumë tema të tjera të cilat vështirë se do të mund të mblidheshin për t’u diskutuar në një vend të vetëm”, ka thënë drejtoresha e këtij edicioni, Lindita Sejdiu-Rugova, ish-dekane e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Temat bosht për këtë edicion në sesionin shkencor të gjuhësisë do të jenë dy: “Zhvillimet aktuale në leksikun e shqipes” dhe “Shqipja në rrjetet sociale”, përderisa në sesionin e letërsisë temë bosht do të jetë “Postmodernizmi në letërsinë shqipe”. Sesionet, siç ngjan përherë, janë të hapura për publikun, megjithëse shënjestër e tyre janë njerëzit që e kanë një sfond të njohurive albanologjike në njëfarë mënyre.
“Çdo edicion i Seminarit sjell risi në brendinë e temave që shtjellohen. Edicioni i sivjetmë sjell risi si për nga tematika e sesioneve, ashtu edhe në formatin e ndërveprimit mes pjesëmarrësve. Këtë vit kemi përfshirë ligjërata dhe diskutime mbi shqipen në rrjetet sociale, një temë aktuale dhe e rëndësishme për mënyrën se si evoluon gjuha”, ka shtuar drejtoresha.
Sa u përket kurseve të gjuhës shqipe për studentët e huaj, sipas organizatorëve, këtë vit do të ketë interesim të madh dhe do të ofrohen tri nivele të kursit.
“Kurset e gjuhës shqipes do të ndiqen nga 140 studentë të huaj, në tri nivele dhe për secilin nivel do të ndahen në dy apo tri klasa, varësisht nga numri i pjesëmarrësve për nivel. Këtë vit kemi sjellë risi në kurset fillestare, duke i ndryshuar materialet mësimore për nivelin A1 dhe A2”, kanë thënë organizatorët.
Përveç ligjëratave dhe kurseve, në ditët e fundit të Seminarit do të mbahen edhe tryeza shkencore, ku do t’i referojnë studimet e tyre dhjetëra studiues dhe në bashkëpunim edhe me një institut austriak, do të referohen studime feministe, si dhe bashkë me Institutin Albanologjik të Prishtinës, sipas drejtoreshës, do të ketë seanca për folklorin.
“Këtë vit kemi organizuar më shumë tryeza shkencore, në mënyrë që të përmblidhen më shumë fusha studimore brenda një koncepti të përbashkët. Do të flasim për gratë në letërsinë shqipe, po ashtu edhe për studimet feministe, organizim i përbashkët me Institutin “Alter Habitus” në Graz. Ndërsa, në bashkëpunim me kolegët e Institutin Albanologjik e kemi një seancë të veçantë për folklorin”, kanë treguar organizatorët.
Vitin e kaluar kur mbahej edicioni i 42-të, Seminari e kishte shkelur gjysmëshekullin dhe në auditorium të Fakultetit të Filologjisë kishte referuar një numër i konsiderueshëm i figurave më eminente të albanologjisë e të gjuhës në botë. Gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që ishte kthyer në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu e akademiku Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt, kishin qenë vetëm disa nga ata që përmes emrave të tyre e kishin përçuar seriozitetin e kësaj shkence, pa kaluar te dija që ishte shpalosur nëpër ato 12 ditë.