Botë

NYT: Trumpi synon t’i favorizojë refugjatët e bardhë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Administrata Trump po konsideron ndryshime të theksuara në sistemin për pranimin e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas disa dokumenteve të siguruara nga New York Times, kjo parasheh shkurtimin e programit të pranimit dhe do t’u jepte përparësi folësve të anglishtes, afrikanojugorëve të bardhë dhe evropianëve që kundërshtojnë migrimin.

Propozimet, disa prej të cilave tashmë kanë hyrë në fuqi, synojnë transformimin e një programi të vjetër me dekada me qëllimin që t’u ndihmojë njerëzve në gjendje të rëndë në një që i përshtatet vizionit të Donald Trumpit – për t’u ndihmuar kryesisht të bardhëve që thonë se po persekutohen. Dhe kështu duke lënë jashtë pjesën tjetër dërrmuese.

Planet u ishin prezantuar Shtëpisë së Bardhë në prill dhe korrik nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit për Sigurinë, pasi presidenti Trump udhëzoi agjencitë federale të analizojnë nëse risistemimi i planit të refugjatëve ishte në interesat e SHBA-së. Trumpi ka supenduar pranimin e refugjatëve qysh në ditën e parë të rikthimit në pushtet.

Zyrtarët e administratës Trump nuk kanë përjashtuar asnjë ide, sipas burimeve të New York Timesit. Megjithatë nuk është caktuar ndonjë afat për pranim apo refuzim të ideve. Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti.

Ndryshimet e propozuara janë që aplikuesit duhet të “asimilohen” në SHBA, duke mësuar “historinë dhe vlerat amerikane” dhe “respektin për normat kulturore”.

Sipas dokumenteve, prioritet do të kenë evropianët “që kanë qenë cak i persekutimit për shkak të shprehjes së qëndrimeve të tyre online, siç janë kundërshtimi i migrimit masiv ose përkrahja e partive ‘populiste”. Mediumi prestigjioz amerikan ka raportuar se kjo i referohet specifikisht partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani, AfD.

Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se Shtëpia e Bardhë tashmë po monitoron situatën në Evropë për të shikuar mundësitë për të krijuar statusin për të pranuar refugjatë, por se plani s’është finalizuar ende.

Që nga ardhja në pushtet në janar, Trumpi ka kryer disa ndryshime të theksuara në programin e refugjatëve. Vendimi i fundit është pezullimi dhe propozimi që në vit të bëhen vetëm 7500 pranime, e jo 125 mijë sa ka qenë.

Disa iniciativa, përfshirë prioritizimi i afrikanëve, janë implementuar pasi disa fermerë të Afrikës së Jugut kërkuan azil në SHBA, nën pretendimin për persekutim racor. Presidenti Cyril Ramaphosa mohoi pretendimet duke thënë se ata që largohen nga Afrika e Jugut nuk janë të persekutuar dhe nuk i plotësojnë kushtet për status të refugjatit.