Selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, nuk e kishte përmendur Kosovën në deklaratën e tij të parë pas shortit të tërhequr për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Selektori i Sllovenisë, Matjazh Kek, kishte thënë se përfaqësuesja e tij do të ketë rol të madh në kualifikime, kurse selektori i Zvicrës, Murat Yakin, me bindje kishte thënë se do të dalin të parët në grup.
Por pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Kosova është para Sllovenisë e Suedisë të mbushura me yje, ndërsa ka vetëm tri pikë më pak se liderja Zvicra. Kosova është e dyta me shtatë pikë. Zvicra zë vendin e parë, kurse Sllovenia në pozitën e tretë me tri pikë. Suedia e fundit me një pikë nga katër ndeshje të zhvilluara.
Suedia është në kërkim të selektorit të ri. Tomasson u shkarkua pas humbjes 1:0 nga Kosova të hënën në Goteborg. Me Slloveninë më 10 tetor, Kosova luajti baras pa gola në Prishtinë.
Selektori i Sllovenisë, Kek, kishte parashikuar ndeshje të vështirë në Prishtinë.
“Jemi të vetëdijshëm për forcën e Kosovës qëkur Franco Foda u bë trajner. Ata kanë një ekip shumë kompakt me individë të shkëlqyer që luajnë në klube të mira. Disa emra bien në sy. Kemi përgatitur një plan, por po mendojmë për çështjet tona për të rregulluar atë që nuk ishte mirë në Zvicër. Duam të fitojmë çdo ndeshje”, kishte thënë Kek një ditë para ndeshjes kundër Kosovës.
Kosova e nisi ciklin e tretë kualifikues për Kupën e Botës 2026 me humbje të thellë 4:0 nga Zvicra në Basel. Por reagoi në mënyrën më të mirë me fitore 2:0 në Prishtinë kundër Suedisë.
Me dy fitore e një barazim, Kosova është kthyer fuqishëm në garë për të siguruar kualifikimin në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ekipi i parë i grupit kualifikohet direkt në Botëror, ndërsa i dyti luan në plejof. Ndeshjet e plejofit luhen në mars të vitit të ardhshëm.
Botërori 2026 mbahet prej 11 qershorit deri më 19 korrik. Do të zhvillohet në 16 qytete të ndryshme. Do të jetë i pari me 48 përfaqësuese.
Kualifikimi direkt në Botëror është i hapur edhe nga pozita e parë për Kosovën.
Nëse Zvicra nuk arrin të fitojë ndeshjen e parafundit në shtëpi kundër Suedisë në Gjenevë më 15 nëntor dhe Kosova arrin të sigurojë tri pikë të tjera jashtë fushe në Slloveni, beteja për pozitën e parë do të vendoset në Prishtinë. Ndeshja e fundit Kosovë – Zvicër luhet më 18 nëntor. Kosova nuk ka humbur në shtëpi për më shumë se një vit.
“Është e jashtëzakonshme ajo që po arrin Kosova”, tha ditë më parë Yakin.
Zvicra paraqitet rregullisht në ngjarjet e mëdha, ndërsa mbetja jashtë Botërorit të ardhshëm do të ishte dështim i madh.
Për Kosovën pjesëmarrja në Botëror do të ishte historike.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka përsëritur rregullisht se Kosova ka gjasat e saj për kualifikim. Këtë e konfirmoi edhe pas fitores kundër Suedisë të hënën.
“E di që në Kosovë janë rritur emocionet dhe ambiciet. Pas humbjes me Zvicrën kishte nervozizëm dhe dëshpërim, por më pas ndryshuam shumë gjëra. Arritëm të marrim shtatë pikë, sollëm prurje të reja, i aktivizuam menjëherë në ekip, dhe me gjithë mungesat e shumta, kemi krijuar një grup shumë konkurrues. Kjo është një arritje shumë e madhe, sidomos kur nuk e ndiem mungesën e shumë emrave të mëdhenj”, ka thënë Foda.
Kosova është rritur shumë nën drejtimin e teknikut gjerman, Franco Foda.
Për rritjen e Kosovës ka folur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Sot, askush nuk dëshiron të vijë të luajë kundër Kosovës, sepse të gjithë kanë frikë se do të humbasin”, ka thënë Infantino në podcastin e FFK-së të publikuar të enjten.
Kampanjën e parë kualifikuese për Kupën e Botës, Kosova e mbylli me një barazim e nëntë humbje. Nga tetë ndeshjet e ciklit të dytë, Kosova shënoi një fitore, dy barazime e pesë humbje, kurse nga katër ndeshjet e ciklit kualifikues për Kupën e Botës, Kosova i ka dy fitore, një barazim e një humbje. Në total i ka 22 ndeshje, tri fitore, katër barazime e 15 humbje.
Por a do të jetë i suksesshëm cikli i tretë kualifikues? Kjo do të mësohet vetëm pas ndeshjes së fundit kundër Zvicrës më 18 nëntor, në Prishtinë.