Botë

Paditet ish-këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, John Bolton

bolton

John Bolton, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është paditur nga një juri federale në Maryland, kanë njoftuar dy burime për “CNN”. 

Ai është paditur penalisht për akuza federale. 

Departamenti i Drejtësisë ka paraqitur një çështje te një juri në Maryland të enjten dhe është rënë dakord që ka mjaftueshëm prova për ta paditur Boltonin. 

Boltoni pritet të dorëzohet vetë, të premten, tek autoritetet në Gjykatën Federale në Greenbelt. 

Bolton, që ka qenë nën hetim mbi pretendimet për trajtim të paligjshëm të informacionit të klasifikuar, bëhet rivali i tretë i Trumpit i profilit të lartë që paditet në më pak se një muaj, pas ish-drejtorit të FBI-së, James Corney dhe prokurores së përgjithshme të New Yorkut, Letitia James. 

Ai dyshohet se ka ndarë informacione shumë të klasifikuara me gruan dhe vajzën e tij përmes emailit. 

Burimet i kanë thënë “CNN” se pjesë e hetimit të Departamentit të Drejtësisë përqendrohet te shënimet që ai po bënte për veten e tij në një llogari në email – ndonjëherë duke shkruar përmbledhje të aktiviteteve të tij si shënime ditari – në kohën kur punonte për Trumpin. 

Agjentët e FBI-së kanë ekzekutuar një urdhër kontrolli në shtëpinë e Boltonit në Maryland dhe zyrën e tij në Washington. Ata kanë sekuestruar dokumente të shumta të shënjuara si “sekrete”, “konfidenciale” dhe të “klasifikuara”, duke përfshirë edhe disa rreth armëve të shkatërrimit në masë, sipas të dhënave të gjykatës.