John Bolton, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i Donald Trumpit, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për keqmenaxhim të informacioneve sekrete, raporton BBC.
18 akuzat lidhen me pretendime se ai ka ndarë ose ka mbajtur materiale të ndjeshme, përfshirë disa që janë cilësuar si “sekret shtetëror”. Ai u paraqit në një gjykatë federale ditën e premte dhe u dorëzua tek autoritetet, ku deklaroi pafajësinë e tij.
Bolton ka shërbyer gjatë mandatit të parë të Trumpit, por është larguar nga Shtëpia e Bardhë në mënyrë konfliktuoze dhe më pas është bërë një nga kritikët më të ashpër të presidentit.
Aktakuza e bën Boltonin, 76 vjeç, personin e tretë kundërshtar politik të Trumpit që përballet me akuza në javët e fundit. Ai ka thënë se do ta mbrojë sjelljen e tij që sipas tij ka qenë “ligjore”.
Prokurorët e kanë akuzuar Boltonin se ka përdorur aplikacione mesazhesh dhe email personal për të dërguar ilegalisht informacione të klasifikuar.