Ka një ritëm të shpejtë, në të cilin shikuesi e humb busullën, pikërisht siç ishin ngjarjet në vitet ’90. Është rrëfimi i “Erës” dhe nëpërmjet saj zbërthehet një kohë e ferrit, të cilit i bën ballë vullneti për jetë. Krejt në fund, jeta vazhdon, ani pse cenohet e ardhmja. “Era” me skenar e regji të Parta Kelmendit me frakturë të ashpër dokumentare, ku skenat palosen tok me ngjarjet
Era është në adoleshencë. Ajo mosha kur shumë të rinjve ua ha mendja se edhe mund ta rrotullojnë botën. Energjinë e ka çdo ditë e më të madhe. Jeton me familjen e saj. Ka nisur një dashuriçkë e po e përjeton rritjen. Por brenda pak kohe, i përmbyset gjithçka. I ati përjashtohet nga puna dhe nxirret dhunshëm nga Radio Prishtina e vitit 1990. I dashuri i saj, fëmijë i një martese etnikisht të përzier, i ndikuar nga e ëma zgjedh anën e pushtetit. Familja e Erës duhet të lëshojë banesën që u duheshin edhe nja 2 vjet për ta paguar nëpërmjet kredisë. Me botën mbi kokë, ajo zë vend në ulësen e prapme të makinës, rrugës për kthim në fshatin e prejardhjes.
Janë vitet ’90 në sytë e një adoleshenteje me shumë copëza rrëfimesh përreth saj.
Filmi “Era” me skenar e regji të Parta Kelmendit, që u dha premierë vendore të mërkurën mbrëma në Prishtinë, bashkon shumë histori individuale në krye me Erën (Zana Berisha) dhe nëpërmjet disa familjeve e pak skenave kolektive nxjerr në ekran vitet kur shqiptarët përjetuan një epokë aparteidi.
Portreti i Erës derisa shikon rrugën prapa derisa familja lë Prishtinën, është prej fotografive kryesore të filmit. Lë prapa edhe të ardhmen e saj. Ia kthen shpinën dhunshëm, për t’u tretur në një fshat që ka zero perspektivë.
Filmi bashkon një kastë aktorësh, si: Alban Ukaj, Irena Aliu, Armend Smajli, Maylinda Kosumoviq, Allmir Suhodolli, Melihate Qena, Kumrije Hoxha e shumë të tjerë. Rritja e presionit ndaj shqiptarëve ndihet edhe në ajër. Por derisa në familje dëgjohet radio dhe për një moment ndalet transmetimi, merret vesh se kjo u bë dhunshëm. Era ia mësyn ndërtesës së Radio Prishtinës dhe sheh të atin Agronin (Alban Ukaj) që nxirret me forcë jashtë nga policët serbë. Është skenë krejt e shkurtër. Kalimet nga një skenë te tjetra shpesh janë të zbrazëta. Duken si palosje njëra mbi tjetrën. Përmendet se Jugosllavia po merr fund, se lufta në Kroaci është në prag, pak nga marrja e autonomisë së Kosovës, por s’ka kontekst të qartë që rrëfen se çfarë ngjau me shqiptarët në atë periudhë. Barra bie mbi ndjeshmërinë që mund ta shpërfaqin Era, Agroni e Lulja (Irena Aliu). Treshja janë karaktere që ia dalin ta bëjnë këtë.

Fshati s’ka kurrfarë perspektive e presioni për martesë Erës i vjen nga gjyshja (Melihate Qena). Ajo insiston të ikë nga Kosova. Ditët kur mban mësim në shtëpitë shkolla – pasi shqiptarët ishin përzënë edhe nga ndërtesat e arsimit – janë më të mirat për Erën. Me shoqen e saj shijojnë pak jetë adoleshentesh në kryeqytet. Hallet janë të shumta. Fatosi (Armend Smajli) është fqinji i familjes në fshat. Është njëfarë asi trafikanti i kohës që në këmbim të parave nxjerr ilegalisht jashtë shteti shqiptarët që duan t’ia mbathin e ata që i shmangen shërbimit ushtarak. I biri i familjes që është në qendër të filmit, ik për të lënë prapa gruan me fëmijë. Më pas tenton të bëjë një martesë për “letra” në Gjermani e kjo është dramë më vete. Filmi i ka nja 20 filma brenda vetes në 94 minuta dhe kjo nuk i bën hair. Por në sytë e dikujt tjetër, ashtu ishin vitet ’90.
“Ndodhnin 100 gjëra në moment dhe nuk e dinin çfarë po ndodhte. Autorja e ka futur këtë element ndoshta edhe në mënyrë të pavetëdijshme pasi e ka jetuar atë periudhë”, është komenti që jep një njohës i mirë i kinematografisë në vend. Era pak e shtyrë nga rrethanat e pak me qejf vendos të martohet me Fatosin. Propozimi vjen derisa vjedhin thëngjill bashkë, pasi drutë kushtojnë shumë. Por kur merr vesh se Fatosi do të bëhej prind – pasi e dashura e tij gjermane kur ishte emigrant është shtatzënë – merr fund kjo lidhje. Atmosfera në familje gjatë gjithë kohës është e rëndë. Alban Ukaj e Irena Aliu janë dramatikë në portretet e tyre. I bashkon pamundësia që t’u gjenden fëmijëve, tentimi për të qetësuar situatat e dhimbja e thellë për krejt çfarë ndodh. Dhe Era vendos të ikë nga vendi i saj.
Regjisorja Parta Kelmendi ka treguar se ky projekt filmik ka ardhur si nevojë për të reflektuar për periudhën kur ishte vetë e re dhe i ka përjetuar shtëpitë shkolla, okupimin dhe mungesën e hapësirës.
“Në film gjithnjë ka diçka që të vjen keq ta largosh dhe dëshira është të futen sa më shumë gjëra. Filmi e përcjell tregimin e Erës, një e re që në momentin kur duhet t’i hapen perspektivat, asaj i mbyllen dyert dhe përfundon në fshat me perspektiven e vetme të martohet e të krijojë familje. S’kam mundur t’i lë anash as gjeneratat e tjera me atë që kanë kaluar në atë kohë me gjithë atë rezistencë përballimi të situatës”, ka thënë ajo. Liria personale, ajo e shtetit, gjetja e vetes, e zërit pa marrë parasysh situatat, janë mesazhet e konceptuara prej saj në këtë film.
Zana Berisha qe 18-vjeçare kur janë kryer xhirimet në fillim të vitit 2022.
Ajo ka thënë se filmi “Era” e ka shtyrë të hulumtojë e të shikojë për një kohë për të cilën ka dëgjuar shumë, por për të punuar për atë kohë ka qenë sfiduese.
“Mendoj se e kemi bërë një punë shumë të bukur. Kjo është shumë subjektive dhe secili e ka pikëpamjen e vet. Por, sipas meje, filmi ka dalë shumë i bukur. Publiku në SHBA, ku ka pasur shumë shqiptarë, shumë prej tyre e kanë gjetur veten në këtë film dhe besoj se kjo është e bukura e këtij projekti”, ka thënë ajo.
Filmi premierën botërore e kishte në New Nork, në “Brooklyn Film Festival”, në pranverën e sivjetme dhe Berisha ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë.
Përfshirja në këtë projekt e ka kthyer në kujtimet e adoleshencës Irena Aliun.
“Kur e pashë filmin se si po rrjedh u preka shumë. Një shoqe e imja më thoshte: ‘Paramendojeni në çfarë rrethanash kemi jetuar dhe kemi dalë normalë’. Nuk i kemi menduar shumë pasojat dhe kemi jetuar pa i menduar pasojat. Tash po e shoh sa i kemi munduar prindërit tonë”, ka thënë ajo. Ka treguar se i kanë pëlqyer filmi, editimi dhe se si rrjedh ngjarja.
“Është një film shumë njerëzor për një periudhë jo të mirë e të këndshme për ne”, ka thënë Aliu.
Se i ka pëlqyer filmi ka treguar edhe dramaturgu e regjisori i teatrit, Fadil Hysaj. Profesori universitar ka thënë se filmi më shumë se storie, është një hyrje e dinjitetshme me shumë vlerë në një spektër të madh tematik që i ka munguar kinematografisë në Kosovë.
“Është një fillim i mbarë e i ndershëm shumë. S’ka pretendime që ta trajtojë në mënyrë groteske e paragjykuese mentalitetin shqiptar në një kohë tragjike”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se krejt ata që e kanë jetuar atë kohë e sidomos të rinjtë nuk e kanë kuptuar në cilën periudhë po jetojnë. Ai lloj kontrasti i madh midis një ferri dhe një jete që vlon dhe dëshiron të jetohet maksimalisht është shumë e bukur e njëkohësisht tragjik. Është shumë e dinjitetshme në kuptimin më të mirë të fjalës”, ka thënë ai. Të dinjitetshëm e ka cilësuar filmin disa herë, përderisa ka thënë se “ka shumë vite që filmat po bëhen me receta të festivaleve e me narrativë se shqiptarët janë popull i pabërë që nuk e kanë merituar shtetin, që kanë shumë probleme të së kaluarës dhe në njëfarë mënyre që janë jashtë civilizimit”.
“Mjerisht shumë kineastë kanë rënë në këtë grackë. Sonte është hapur një portë shumë e mirë në një botë me shumë vlerë në kuptimin artistik e kulturor”, ka thënë ai.
Duket se brezi që e ka përjetuar atë periudhë e gjen veten dhe humb në rrëfimet e shumta të filmit. Mund të jetë më subjektiv në vlerësim, pasi u preken shtresa e nënshtresa kujtimesh personale e kolektive. Në filmin e përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës përthekohet koha tragjike e shqiptarëve të Kosovës. Portreti i Erës në autobusin e linjës Prishtinë-Beograd, me shpresën që do të shkojë në Budapest e më pas në Gjermani, mbyll filmin. Por aty hapen hamendësimet se çfarë ka ndodhur me të e familjen e saj. Por merret vesh qartë se një populli të tërë i ishte vrarë perspektiva nga e forca e një pushteti barbar.
Lexo edhe: