Filmi që është bashkëprodhim midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, rrëfen një histori personale që shpërfaq kolektivitetin e një kohe të errët për shqiptarët: vitet e ‘90-a dhe dëbimi i punëtorëve shqiptarë nga Radiotelevizioni i Prishtinës e rrëfimi për këtë histori do të pasqyrohet në “Brooklyn Film Festival” në New York. Në qendër të filmit është një gazetar, i luajtur nga aktori i njohur, Alban Ukaj, dhe vajza e tij, Era – personazh prej të cilit titullohet edhe filmi – e interpretuar nga aktorja Zana Berisha. Përmes një rrëfimi të ndjeshëm e të zhveshur nga melodrama, “Era” hedh dritë mbi luftën personale për dinjitet, mbijetesë dhe identitet, në një kohë kur të gjithë ishin të detyruar ta rindërtonin jetën nga hiçi
“Era” sjell në ekran një copë të dhimbshme të historisë së Kosovës. Sot (e hënë) do të jepet premiera botërore e filmit të metrazhit të gjatë “Era”, me skenar dhe regji të Parta Kelmendit, në një ngjarje që pritet të mbledhë emra të njohur të skenës artistike dhe kulturore. Filmi që është bashkëprodhim midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, rrëfen një histori personale që shpërfaq kolektivitetin e një kohe të errët për shqiptarët: vitet e ‘90-ta dhe dëbimi i punëtorëve shqiptarë nga Radiotelevizioni i Prishtinës e rrëfimi për këtë histori do të pasqyrohet në “Brooklyn Film Festival” në New York.
Filmi që mban autorësinë e Parta Kelmendit ka për producente Afërdita Saraçini-Kelmendin, në bashkëprodhim me Viktor Pavlovskin dhe Marija Dimitrovan e Belma Bajramin, përfshinë një kastë aktorësh të njohur të kinematografisë kosovare si Zana Berisha, Alban Ukaj, Armend Smajli e Irena Aliu, Majlinda Kosumoviq, Avni Sohodolli, Blin Sylejmani, Blerta Gubetini e të tjerë.
“Kam dashur të tregoj një histori ku liria do të frymojë në një botë shumë të kufizuar. Kur janë në krizë, njerëzit zakonisht kthehen tek ajo që dinë më mirë, pra vlerat tradicionale. Njerëzit do të mendonin se ato vlera do t’i mbajnë të sigurt, por ato veç ju kufizojnë më tej. Është një histori që tregon luftën për ta ngritur zërin në një botë ku të gjithë janë të humbur dhe të heshtur, një histori për guximin, qëndrueshmërinë dhe rigjetjen e vetes, duke kaluar nëpër rrethana të jashtëzakonshme dhe duke dalë të fortë e të guximshëm për ta përballuar të ardhmen që e kemi përpara”, shkruhet për përshtypjet e regjisores Kelmendi në paralajmërimin e filmit në web-faqen e festivalit të filmit.
Në qendër të filmit është një gazetar, i luajtur nga aktori i njohur Alban Ukaj, dhe vajza e tij, Era – personazh prej të cilit titullohet edhe filmi – e interpretuar nga aktorja Zana Berisha. Përmes një rrëfimi të ndjeshëm e të zhveshur nga melodrama, “Era” hedh dritë mbi luftën personale për dinjitet, mbijetesë dhe identitet, në një kohë kur të gjithë ishin të detyruar ta rindërtonin jetën nga hiçi.
Një nga skenat më të forta të filmit është ajo e dëbimit me forcë të gazetarëve nga ndërtesa e RTP-së, nën grushte dhe dhunë policore. Poshtë shkallëve një prej tyre e pret e bija, e cila nuk arrin ta kuptojë plotësisht se çfarë po ndodh, por ndien se diçka është thyer njëherë e përgjithmonë.
Për Parta Kelmendin, ky është filmi i parë i metrazhit të gjatë që nxjerr para publikut. E lindur në Prishtinë, ajo ka studiuar regji të filmit në Universitetin e Prishtinës dhe filmi nën regjinë e saj i metrazhit të shkurtër “Birth Does Not Ask When” e kishte fituar Çmimin për filmin më të mirë shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.
Aktorja Zana Berisha, kur patën filluar xhirimet, kishte thënë se qe sfiduese për të si aktore e re të luante rolin e një vajze që nuk e kishte njohur realisht, por përmes këtij roli kishte ndier peshën e asaj kohe. Ndërsa aktori Alban Ukaj pati pranuar se shumë prej skenave të filmit i janë dukur si rikthime të gjalla nga fëmijëria e tij, kur i ati, Shefki Ukaj, kishte qenë vetë gazetar në atë kohë të rrezikshme.
Në premierën e filmit në kuadër të festivalit ku është përzgjedhur filmi i Kelmendit, do të marrë pjesë aktorja kryesore e filmit.
“Premiera është më 2 qershor në ‘Brooklyn Film Festival në New York’. Filmi është përzgjedhur të marrë pjesë në këtë festival dhe është premierë botërore. Prej ekipit të filmit do të marrë pjesë Zana Hoxha, që është aktorja kryesore në film”, ka thënë regjisorja e skenaristja Parta Kelmendi në një përgjigje për KOHËN.
Interesimi për këtë paraqitje të parë është i madh, dhe pritshmëritë nga ekipi janë të larta. Pas pjesëmarrjes në festivale ndërkombëtare, “Era” pritet të fillojë daljen nëpër kinema në rajon gjatë muajve të ardhshëm.
“Biletat veçse janë shitur, kështu që presim që publiku të kënaqet dhe pse jo edhe ndonjë shpërblim ta marrim meqë jemi në konkurrencë zyrtare. Momentalisht do t’i ndjekim vetëm festivalet e në kinema në Kosovë shpresojmë të vijë në fillim të tetorit dhe pastaj do të shkojmë në Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri”, është përgjigjur Kelmendi në vijim.
Përmes personazhit të Agronit – një gazetar shqiptar që përballet me përjashtimin dhe dhunën institucionale – “Era” përpiqet të rikthejë atmosferën e tensionit të asaj kohe, kur shumë punonjës të mediave u larguan me forcë nga vendet e tyre të punës dhe u përndoqën për shkak të përkatësisë etnike. Filmi nuk shërben vetëm si rikujtim i një periudhe të dhimbshme, por edhe si homazh për ata që mbetën pa zë, të zhdukur ose të harruar në historinë e shtypjes së fjalës së lirë. Përmes rrëfimit të një babai që përpiqet të mbrojë familjen në mes të tronditjes personale e profesionale, krijohet një skenë intime e një realiteti kolektiv.
Më shumë se për gazetarët e asaj kohe, filmi ka dashur të fokusohet te vajza që kalon nëpër kohë të vështira dhe përmes saj ta pasqyrojë edhe kohën kur familjet e tjera në Kosovë kanë pasur pothuajse fatin e njëjtë.
“Filmi nuk ka të bëjë vetëm me gazetarët e asaj kohe, tema është për një vajzë e cila kalon nëpër peripecitë e asaj kohe, humb shkollën, teksa prindërit e saj janë gazetarë. Ka të bëjë me kohën dhe familjet në Kosovë qysh e kanë përjetuar një krizë të tillë politike, e cila ka ndodhur në fillim të viteve ’90”, ka shtuar ajo.
Kur bëheshin xhirimet në prill të vitit 2022, një pjesë në zemër të Prishtinës, për disa orë qe kthye në zonë të okupuar. Makinat “Zastava” të milicisë dhe makina të blinduara ushtarake patën zënë vend te ndërtesa e Radio Kosovës, që qe “shndërruar” në RTP, rrethuar prej pjesëtarëve të njësive speciale të policëve serbë.
E në një kohë kur liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve sërish po vihen në pikëpyetje në shumë vende të botës, “Era” rikujton me ndjeshmëri një kapitull të errët të historisë sonë që ende është e freskët, ku fjala e lirë u shndërrua në rrezik dhe puna e ndershme në kurajë. Filmi nuk është vetëm një rrëfim për të kaluarën, por një thirrje për të mos harruar se sa e brishtë mund të jetë liria kur dhuna e strukturave shtetërore merr formë konkrete. Nëpërmjet një historie personale e familjare, “Era” ngre zërin për ata që dikur janë heshtur me dhunë dhe fton shikuesin të reflektojë mbi çmimin që është paguar për të drejtën për ta thënë të vërtetën.