Shtojca për Kulturë

“Era” në shesh xhirimi kthen kohën e represionit serb ndaj shqiptarëve

"Era", xhirimet e filmit të Parta Kelmendit

“Era” me skenar dhe regji të Parta Kelmendit, të shtunën ka dalë në shesh xhirimi. Është xhiruar skena kur shqiptarët dëbohen prej Radiotelevizionit të Prishtinës. Aktori i njohur shqiptar, Alban Ukaj, ka rolin kryesor. Filmi merr emrin e së bijës së tij në film, Erës që luhet prej Zana Berishës

Një pjesë në zemër të Prishtinës, për disa orë u kthye në zonë të okupuar. Makinat “Zastava” të milicisë dhe makina të blinduara ushtarake ia behën te ndërtesa e Radio Kosovës, që është “shndërruar” në RTP, rrethuar prej pjesëtarëve të njësive speciale të policëve serbë. Prej aty me dhunë u nxor gazetari shqiptar, nën grushte e goditje “pendrekësh”. Janë fillmivitet ’90. Dhe krejt kjo pamje është një skenë filmi.

“Era” me skenar dhe regji të Parta Kelmendit, të shtunën ka dalë në shesh xhirimi. Është xhiruar skena kur punëtorët shqiptarë dëbohen prej Radiotelevizionit të Prishtinës. Aktori i njohur shqiptar, Alban Ukaj, ka rolin kryesor. Filmi merr emrin e së bijës së tij në film, Erës, që luhet prej Zana Berishës.

Në vlugun e punës, Parta Kelmendi ka pranuar të zbulojë ca detaje midis pauzave të xhirimit të kësaj skene, që ka mbledhur jo pak kalimtarë rasti.

“Tema e filmit bazohet në vitet e ‘90 pas okupimit të Kosovës. Bazohet në një vajzë tinejxhere që quhet Era, e cila detyrohet të shkojë të jetojë në fshat, mandej nga fshati të udhëtojë edhe të shkojë në shkollat-shtëpi... kështu që është njëfarë lufte e Erës për ta pranuar realitetin e ri në fillim të viteve të 90-ta, kur filloi të keqësohet situata”, ka thënë Kelmendi për filmin e saj të metrazhit të gjatë, bashkëprodhim midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndër caqet më të mëdha të okupuesve serbë në atë kohë ishin mediat të cilat kontrolloheshin tërë kohën dhe gazetarët e tyre largoheshin nga puna, përndiqeshin. Fati i shumë gazetarëve edhe pas më shumë se tri dekadave nuk dihet ende. Në “Era”, Agroni është një gazetar që personifikon atë që përjetuan gazetarët kosovarë në atë kohë.

"Unë gëzohem gjithmonë kur xhiroj diçka në Kosovë edhe mendoj që ky është njëri nga skenarët që e ka njëfarë plotnie më të mirë që kam pasur rastin ta lexoj, dhe është një temë që mua më intereson intimisht, personalisht, ngase jam rritur në këtë frymë të kësaj gazetarie, të fundit të viteve të 80-ta, fillimet e viteve të 90-a. Më kujtohet ajo periudhë mirë edhe jam goxha i mishëruar me këtë që po e përpilon Parta”, ka thënë Ukaj, njëri prej aktorëve më të njohur shqiptarë, i shquar edhe në Bosnjë-Hercegovinë ku jeton prej vitesh, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.

Image
Ekipi i “Erës”, të shtunën, në shesh xhirimi...

Tematika pasqyruese e kohës së viteve të 90-ta në Kosovë del të jetë një film i bazuar në ngjarje fikse për aktorin Ukaj, babai i të cilit, Shefki Ukaj si gazetar i asaj kohe ishte ballafaquar me të njëjtën situatë sikur faktohet në film.

“Është një gazetar që mundohet ta mbrojë familjen e tij në mënyrën më të mirë që mundet në atë situatë. Mundohet ta luajë figurën e babait në atë mënyrë që të mos r vërejnë fëmijët se është duke u thyer. Është diçka që mua më ka interesuar të bëj edhe kur ma ka ofruar Parta rolin, shumica e gjërave që janë në skenar, mua më kujtohen prej fëmijërisë, edhe i kam si fotografi që kanë mbetur tek unë që s’mund të fshihen asnjëherë”, ka thënë Ukaj pas disa dublave të skenës së xhiruar të shtunën kur ai nxirret me dhunë nga RTP-ja, i rrahur prej milicisë. Poshtë shkallëve e pret e bija, Era (Zana Berisha).

Një kohë e konsiderueshme ka kaluar qëkur Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake e policore serbe, të paktën aq e gjatë sa për të mos ekzistuar një vajzë adoleshente që ka përjetuar kohën e regjimit serb.

“Unë i kam 19 vjet edhe është diçka e papërshkrueshme për mua, është shumë privilegj të jem këtu. Ekipi është shumë e mirë. Më vjen mirë që e kam pasur rastin, ndoshta jo ta përjetoj në realitet, por një gjë e mirë në këtë profesion është se të bën të përjetosh disa gjëra që nuk i ke përjetuar në jetën reale, unë që nuk e kam përjetuar është interesante për mua”, ka thënë aktorja Zana Berisha, që luan personazhin e Erës, një vajzë e cila duhet të pajtohet me ndryshimin e fatit të saj që i erdhi si pasojë e rrethanave të krijuara pas okupimit të Kosovës nga serbët.

“Era” do të ketë edhe rreth dhjetë ditë xhirimeve. I takon zhanrit dramë dhe rolet e tjera të filmit i luajnë: Irena Cahani, Armend Smajli, Majlinda Kosumoviç, Avni Sohodolli, Blin Sylejmani, Blerta Gubetini e të tjerë. Për rreth 100 minuta, ky film synon të sjellë te shikuesit, ndër të tjera, fatin e atyre gazetarëve të cilët dolën nga vendi i tyre i punës dhe nuk u kthyen kurrë më.