Në një sallë të mbushur me emocione dhe kujtime, filmi “Era” është shfaqur për herë të parë për publikun në “Brooklyn Film Festival”. Një histori e thellë dhe e ndier, që bart në vete pasqyrimin e viteve ’90 në Kosovë, u përjetua me emocione, duartrokitje dhe reflektim nga një audiencë ndërkombëtare dhe shqiptaro-amerikane. Kurse aktorja që luan rolin kryesor në film, Zana Berisha, ka marrë Çmimin për Aktoren më të mirë. Kjo premierë nuk ishte vetëm një pikë kulmore artistike, por edhe një moment thellësisht personal: një rrugëtim i përbashkët që mori jetë në ekran të madh, i ndier fuqishëm edhe në mungesë fizike të pjesës më të madhe të ekipit.
Një copë e dhembshme historie që ende zë vend në kujtesën kolektive është rikthyer në ekran përmes këtij filmi, nën regjinë dhe skenarin e Parta Kelmendit. Në rrëfimin e saj filmik, ajo ka sjellë një periudhë të errët të viteve ’90 në Kosovë – kur fjalës së lirë iu mbyll dera me dhunë dhe kur shumë gazetarë u përjashtuan nga Radiotelevizioni i Prishtinës vetëm pse ishin shqiptarë. E përmes syve të një vajze që e sheh të atin tek nxirret zvarrë nga puna, “Era” e ka ftuar shikuesin në një udhëtim emocional përmes një kohe të shtypjes, por kurrë të heshtjes. E Çmimi që ka marrë Berisha në Festivalin që u mbajt në fillim të këtij muaji, e ka motivuar aktoren e gjeneratës së re.
“Vërtet nuk e kam pritur... Për mua si aktore ky çmim ka domethënie shumë të madhe”, ka thënë ajo gjatë ceremonisë. Kurse për KOHË-n ka thënë se është shumë e lumtur që mori Çmimin për Aktoren më të mirë në ‘Brooklyn Film Festival’.
“Nuk e prisja, por është një ndjesi e jashtëzakonshme të vlerësohesh për një rol që e kam përjetuar aq thellë. Roli i Erës ishte shumë i veçantë për mua. Ajo është një vajzë e re që përballet me një botë që po i mbyllet përpara syve, dhe ndërkohë përpiqet të kuptojë kush është dhe çfarë do për jetën e saj. Ishte e dhimbshme, por shumë e bukur ta sillja atë në jetë”, ka thënë Berisha.
Ka shtuar se për të, “Era” nuk është vetëm një histori personale, është edhe një reflektim i realitetit të shumë vajzave dhe grave që janë rritur në sisteme që ua kufizojnë zërin.
“Prandaj ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjitha ato që ndihen të padukshme, por që kanë një forcë të madhe brenda tyre”, ka thënë Berisha.
Edhe pse kanë kaluar vite prej kur kishin nisur xhirimet, ngarkesa emocionale e atyre ditëve ende ndihet tek ata që e sollën “Erën” në jetë. Puna në set – vendosur pikërisht përballë ndërtesës së Radiotelevizionit të Prishtinës, e “shndërruar” në RTP-në e viteve të ‘90 ta – kishte qenë e ngjeshur dhe intensive, por e mbushur me përkushtim të thellë dhe me një ndjeshmëri të veçantë për temën që trajtohej. Çdo skenë qe ndërtuar me kujdes, duke reflektuar atmosferën e një kohe të trazuar, por edhe të mbushur me shpresë. Për ekipin, xhirimet nuk kanë qenë thjesht një proces teknik, por një zhytje e plotë në një realitet që kërkonte përfaqësim të denjë, një përpjekje që tashmë po jehon në ekranet ndërkombëtare.
Regjisorja Parta Kelmendi ka treguar se filmi “Era” është pritur ngrohtësisht nga publiku në premierën botërore në Brooklyn, duke mbledhur jo vetëm artdashës të kinemasë, por edhe shikues që kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me kohën që trajton filmi. Sallat ishin të mbushura plot, ndërsa komentet që pasuan shfaqjen e parë reflektonin se historia kishte prekur në tela ndjeshmërinë njerëzore, përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë. Qoftë përmes kujtimeve personale të emigrantëve shqiptaro-amerikanë që patën jetuar atë realitet, qoftë përmes temës universale të kërkimit të lirisë dhe identitetit, filmi ka arritur të krijojë një lidhje të thellë emocionale me audiencën.
“Filmi është pritur shumë mirë. Meqë të gjitha biletat janë shitur, njerëzit kanë ardhur dhe ka pasur komente shumë të mira. Ka pasur edhe publik ndërkombëtar, të cilët e kanë kuptuar shumë qartë mesazhin që kemi dashur ta përcjellim dhe u ka pëlqyer shumë, por ka pasur edhe shumë publik shqiptaro-amerikan, të cilët edhe kanë jetuar në Kosovë gjatë asaj periudhe, për të cilën bëhet fjalë në film, mirëpo tema është edhe universale, kështu që pos elementeve politike, flitet për lirinë e një të riu që e kërkon veten dhe lufton për lirinë e vet”, ka thënë regjisorja Kelmendi në një përgjigje për KOHËN.
Pas kësaj paraqitjeje të parë të suksesshme, “Era” pritet të vazhdojë rrugëtimin e saj në skenën ndërkombëtare të festivaleve deri në vjeshtë. Regjisorja Parta Kelmendi shpreson që në muajin tetor filmi të nisë shfaqjen nëpër kinema, fillimisht në Kosovë dhe më pas edhe në vende të tjera. Ky itinerar synon ta sjellë filmin më afër publikut të rajonit, për të cilin historia që përshkruhet nuk është vetëm një kujtim kolektiv, por edhe një përjetim personal.
“Filmi ‘Era’ do të vazhdojë nëpër festivale të tjera të filmit deri në vjeshtë. Në tetor shpresojmë se do të vijë nëpër kinema, duke filluar prej Kosovës, do të udhëtojë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe nëpër Evropë gjithashtu”, ka shtuar ajo.
Në mesin e atmosferës në Brooklyn Film Festival, ka ndodhur edhe një përballje intime dhe personale me artin: për aktoren Zana Berisha, shfaqja e filmit “Era” nuk ka qenë vetëm premierë para publikut amerikan, por edhe takimi i saj i parë me filmin në një ekran të madh.
“Jam ndier jashtëzakonisht e emocionuar. Ishte gjithashtu edhe për mua hera e parë që e shikoja filmin, sepse më herët gjithmonë e kisha shmangur. Doja ta përjetoja për herë të parë në një ekran të madh dhe në një festival me peshë, si ‘Brooklyn Film Festival’. Ishte edhe më domethënëse sepse isha e vetmja nga ekipi që isha e pranishme në premierë, sado që më mungoi prezenca e tyre, e ndjeva fort energjinë e gjithë kastës dhe të regjisores, Partës”, ka thënë aktorja kryesore në film, Zana Berisha, në një përgjigje për KOHËN.
Sipas aktores, të shohësh se një film ku ke dhënë gjithë veten po pritet me aq dashuri dhe vëmendje, është një përvojë që nuk harrohet.
“Nuk ishte vetëm një sukses personal, por një triumf kolektiv i gjithë ekipit”, ka thënë ajo.
Në film – që është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës – krahas Zana Berishës, kanë aktruar edhe Alban Ukaj, Armend Smajli, Irena Aliu, Majlinda Kosumoviq, Allmir Suhodolli, Melihate Qena, Lum Veseli, Blerta Gubetini, e të tjerë.
“Era” nuk përmbyllet me kreditet e fundit rrjedhëse – ajo vazhdon të jetojë në mendjet dhe zemrat e atyre që e kanë parë. Është një rikujtim i fuqishëm se në errësirën më të thellë të shtypjes, njeriu vazhdon ta kërkojë dritën e së vërtetës dhe të së drejtës. Filmi nuk ofron vetëm një tregim për të kaluarën, por frymëzon për një të ardhme më të vetëdijshme, ku guximi për të folur dhe dashuria për të jetuar të lirë nuk do të nëpërkëmben më.