Shtojca për Kulturë

Sandra Hüller që luajti edhe në “Exil” të Kosovës, në pritje të “Oscarit”

Sandra Hüller në rolin e Sandra Voyter në “Anatomy of a Fall” për të cilin është nominuar për “Oscar”

Bota e filmit sonte (e diel) do ta kuptojë emrin e aktores që do ta rrëmbejë “Oscarin”, e në garë është edhe aktorja gjermane, Sandra Hüller, për rolin e saj të fuqishëm në “Anatomy of a Fall”. Kritika ia atribuon suksesin e filmit. Por Hülleri në karrierën e saj ka një kapitull edhe me Kosovën. Ka luajtur në “Exile” të Visar Morinës, me të cilin Kosova më 2020 synoi nominimin për “Oscar”

Ajo ka një formulë se si të lidhet me personazhin: e paramendon sikur ka një njeri të afërt përballë. Për aktoren Sandra Hüller, siç e kishte zbërthyer në një intervistë, interpretimi i çdo roli duhet të burojë nga thellësia emocionale. Talenti i saj bashkë me “recetën” e lojës aktoreske e kanë bërë 45-vjeçaren gjermane të nominohet “Oscar” për aktoren më të mirë për rolin e saj në “Anatomy of a Fall”. Konkurrente ka Annette Bening për rolin në “Nyad”, Lily Gladstone në “Killers of the Flower Moon”, Carey Mulligan në “Maestro” dhe Emma Stone me filmin “Poor Things”. Gara është e fortë e fituesja zor e parashikueshme. Megjithatë, kritika e çmon fort rolin që ka bërë në “Anatomy...”, madje suksesin e filmit ia atribuon lojës së saj. Por Hüller në karrierën e saj ka një kapitull edhe me Kosovën. Ka luajtur në “Exile” të Visar Morinës, me të cilin Kosova më 2020 synoi nominimin për “Oscar” për filmimin me të mirë ndërkombëtar. Luan Norën, gruan e kryepersonazhit Xheferit (Mishel Matiçeviq) inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës. Kjo e zhyt në krizë të identitetit. Xhaferi gjen një mi të ngordhur të varur në derën e oborrit të tij, dyshon se është kolegu i tij racist që fshihet prapa kësaj. Çdo ndodhi, fjalë e gjest merret si dëshmi. Shqetësimi i Xhaferit sa vjen e rritet. E gruaja e tij gjermane, Nora, është e lodhur nga fakti se ai e përdor kartën e racizmit gjatë gjithë kohës. Pjesa tjetër është histori.

“Exil”, premierën botërore e pati në janarin e vitit 2020, në Festivalin e filmit “Sundance” në SHBA, e atë evropiane në shkurt, në “Berlinale”. Në gushtin e atij viti Morina u bë i pari kineast nga Kosova që mori “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Në tetor, u bë filmi i dytë i Morinës me të cilin Kosova synoi “Oscarin”, pas filmit “Babai” më 2016. Pati edhe një tjetër kapitull suksesi më 2021. U bë i pari film i Kosovës kandidat për nominim në “Golden Globe Awards” në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi, Eshref Durmishi, janë disa prej aktorëve në kastën e “Exil”. Ka qenë “Berlinalja” ngjarja kur Sandra Hüller do të ritakonte edhe disa prej aktorëve të Kosovës. Në mesin e tyre, qe Durmishi. E ka vlerësuar figurën e saj prej aktoreje e anën njerëzore të saj.

“Bashkëpunimi me të ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë xhirimit të filmit ‘Exil’ të Visar Morinës. Sandra Hüller pos që është një aktore shumë e mirë, ka qenë edhe person i jashtëzakonshëm. Ka qenë shumë njeri shumë me këmbë në tokë. Edhe kur jemi takuar për premierën e filmit në Berlin ka qenë shumë e afërt me të gjithë”, ka thënë aktori Durmishi.

Ka thënë se Hüller ka potencial për ta fituar çmimin “Oscar” në ceremoninë që mbahet sonte dielën.

“Fatkeqësisht nuk e kam parë ende filmin ‘Anatomy of a Fall’, por duke pasur parasysh talentin e saj dhe çfarë aktore është, besoj se ka gjasa goxha të mira për të fituar”, ka thënë aktori Eshref Durmishi.

Image
Sandra Hüller në rolin e Norës në filmin e Kosovës, “Exil” me skenar dhe regji të Visar Morinës

Hüller në filmin “Anatomy of a Fall” luan rolin e shkrimtares gjermane, Sandra Voyter, figurë e famshme, talentet e së cilës shtrihen për të hequr elementet e jetës për trillimet e saj. Ajo është e akuzuar për vrasjen e burrit të saj. Sipas përshkrimit të filmit, ai hapet me personazhin e Sandrës, e ulur duke u intervistuar nga një studente e gazetarisë. Në film ajo personifikon gruan që nuk është e interesuar të marrë rrugën e lehtë. Si personazh që paraqet gruan e zgjuar dhe shumë inteligjente, shfaq aftësinë e saj për të mjegulluar faktet.

“Puna ime është të mbuloj gjurmët, në mënyrë që trillimi të shkatërrojë realitetin”, kishte thënë aktorja Hüller në një intervistë.

Filmi 150-minutësh është nominuar edhe në kategori të tjera. “Anatomy of a Fall” me regjisore e skenariste francezen Justine Triet, garon edhe për regjinë e skenarin me të mirë.

Në përgjithësi, “Anatomy of a Fall” ka marrë pesë nominime, por sipas të përditshmes “The New York Times”, vëmendja është nëse Sandra Hüller do ta marrë çmimin në kategorinë e aktores më të mirë në rol kryesor.

“Në qendër është performanca e ftohtë e Sandra Hüllerit që siguron misterin e vërtetë... Ju menjëherë doni t’i drejtoheni personit me të cilin e keni parë filmin dhe t’i thoni: ‘Oh zot, kjo është e mahnitshme’. E tillë është performanca e saj”, shkruhet në një vlerësim të gazetës për lojën e Hüllerit.

Pos filmit të zhanrit triller, ajo ka luajtur rolin e nazistes në dramën “The Zone of Interest”. Është e treta aktore gjermane që nominohet për “Oscar”

Në “European Film Awards” që u mbajt në Berlin në dhjetorin e kaluar, ajo kishte dy nonimime në kategorinë e aktores më të mirë për rolet e saj kryesore në “Anatomy of a Fall” dhe “The Zone of Interest”. Të parin e fitoi. Sukseset e filmit ishin edhe në Festivalin e Cannes vitin e kaluar ku kishte marrë “Palmën e Artë”. Të dy filmat në të cilët aktorja Hülle luan rolet kryesore, u nominuan për “Golden Globe” për filmin më të mirë në një gjuhë jo-angleze. Hüller ishte ndër të nominuarat për aktoren më të mirë në kategorinë e dramës, për performancën e saj në “Anatomy of a Fall” Ajo gjithashtu ishte e nominuar për “Critics' Choice Movie Awards”.

Hüller u lind më 30 prill të 1978-s dhe u rrit në qytetin e vogël Friedrichroda në lindje të Gjermanisë. Kur po ndiqte kurs shkollor për teatër menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, ajo aplikoi dhe u pranua në Akademinë e njohur të Arteve Dramatike “Ernst Busch” të Berlinit. Ajo ishte vetëm 17 vjeçe. Ngjitja e saj në krye të botës së teatrit në Gjermanisë ishte e shpejtë. Sa i përket kinematografisë, filmat “Anatomy of a Fall” dhe “Zone of Interest” shfaqin një aktore në kulmin e saj.