Roma nuk u ndërtua brenda një dite është maksimë e përsëritur shpesh dhe që ka shumë kuptim: metropoli me gati tre milionë banorë (nëse llogaritet edhe zona metropolitane, mbërrin në 4 milionë) është i gjithi histori – ngado që kthen kokën do të gjesh diçka para erës sonë. Sipas mitologjisë, dy vëllezër e themeluan qytetin më 753 p.e.s.. Pushteti i futi binjakët në luftë. Romuli vrau Remin dhe qytetin e emëroi sipas vetes. Roma është qyteti i përjetshëm, një muze i gjallë ngado që të sillesh. Deri në udhëtimin e radhës, i shijojmë kujtimet nga ikja prej realitetit tonë të përditshëm – në vend ku nuk kishte politikë. Veç bukuri, kulturë, shoqëri dhe qeshje pafund!
Trena prej Napolit në Romë ka nja 70 në ditë, dhe rezervimi i biletave bëhet online. E pëlqyeshme do të ishte që rezervimi të bëhet më herët për shkak të çmimit, i cili sa më shumë afrohet sezoni i verës, aq më shumë rritet.
Për 39€ për person, sigurohet udhëtimi me klasë të dytë në tren të shpejtë që 230 kilometrat që i ndajnë dy qytetet i kalon për 70 minuta. Super komod dhe me internet brenda, ta bën udhëtimin bash të këndshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTreni arrin në stacionin gjigant të Romës, Termini – i pesti më i madhi në Evropë dhe me rreth 150 milionë udhëtarë në vit. Emri i stacionit është ballafaqimi i parë me Qytetin e përjetshëm – Romën – nuk quhet ashtu për shkak të terminaleve, por nga Terme di Diocleziano (Banja e Dioklecianit) – një nga reliktet e Romës antike, me lokacion përballë stacionit.
Qyteti ka rrjet të organizuar të transportit urban, autobusë e metro (kjo e fundit e zgjeruar në 20 vjetët e fundit), por nëse nuk e njeh qytetin dhe nuk e di se në cilën adresë do të jesh i vendosur, merre një taksi. Nuk është shumë i lirë, por është shumë i sigurt dhe më komod gjithsesi.
Çka nuk sheh
Roma nuk u ndërtua brenda një dite është maksimë e përsëritur shpesh dhe që ka shumë kuptim: metropoli me gati tre milionë banorë (nëse llogaritet edhe zona metropolitane, mbërrin në 4 milionë) është i gjithi histori – ngado që kthen kokën do të gjesh diçka para erës sonë.
Sipas mitologjisë, dy vëllezër e themeluan qytetin më 753 p.e.s.. Pushteti i futi binjakët në luftë. Romuli vrau Remin dhe qytetin e emëroi sipas vetes.
Sipas arkeologëve, zanafilla e qytetit të shtatë kodrave nisi me ndërtimin e fshatrave buzë Tiberit aty diku nga viti 1000 p.e.s.. Pos rëndësisë së transportit lumor, kodrat u ofronin mbrojtje latinëve – siç quheshin fshatarët.

Në 500 vjetët e parë, Roma qe mbretëri dhe deri te formimi i republikës, atë e udhëhoqën shtatë monarkë. Të lodhur nga sundimi i vetëm një njeriu, njerëzit vendosën që ta themelonin ResPublican (pra Republikën, apo pronën publike). I zgjodhën dy konsuj (një për ushtri e një për qeverisje), zgjodhën Senatin dhe Asamblenë e Popullit dhe kështu funksionuan edhe nja 500 vjet të tjera.
Ambicia për pushtet (çfarë befasie!) bëri që republika të binte dhe që Roma të kthehej në Perandori. Nja 300 vjet më vonë. Perandoria e madhe do të ndahej në dysh (Perëndim e Lindje). Përderisa Perandoria Perëndimore do të ishte “jetëshkurtër” ajo e Lindjes (Bizantine) do të mbijetonte deri në Mesjetë. Të dyja “degët” do t’i kishin mbi 150 perandorë që e sunduan deri në shuarje.

Prandaj edhe nuk është fare çudi që në qytet mund të gjenden struktura mbindërtimi që u takojnë tri epokave: Romës antike dhe epokës së paganizmit; krishterimit të hershëm dhe mesjetës.
Dhe, në qytetin e vjetër, çka nuk sheh. Në fakt, nuk mbërrin të shohësh gjithë atë që do të mund të shihje.
“Party” tek ura
Llogaritet se Roma i ka rreth 1000 hotele dhe nja 25 mijë banesa që lëshohen me qira nëpërmjet platformave të ndryshme turizmi. Natyrshëm, ato që janë afër qendrës historike kushtojnë më shumë – dhe bëhet fjalë për ndërtesa dy a treshekullore që janë ruajtur nga jashtë, por që brenda janë rregulluar sipas “modës” aktuale.
Me t’u vendosur në një objekt nga shekulli 19, vendosëm ta bënim një xhiro në mbrëmje. Ishte ditë e shtunë. Tekstualisht, nja njëqind gjuhë të ndryshme përziheshin rrjedhës së pafundme të të rinjve që defilonin rrugicave të ngushta të qendrës historike, në kërkim të dëfrimit.
Nuk duhej ecur shumë për të arritur deri te njëra nga 30 urat që shërbejnë për të kaluar mbi lumin Tiber (Tevere në italishte). Ponte Sisto, një ngrehinë nga shekulli i 15-të, e ndërtuar me urdhër të Papa Sikstit V, mbi gërmadhat e Romës së lashtë, nja 20 metra e gjerë, na doli e ngushtë për t’i kaluar ato 100 metra në anën e kundërt.
Kalimi mbi urë na e ofroi një pamje fantastike: perëndimin e diellit që hijezonte siluetën e Bazilikës së Shën Pjetrit. Na ofroi edhe muzikë live, ekzekutuar nga muzikantë të rinj e të talentuar dhe që ua ofronin mikrofonin kalimtarëve të (pa)talentuar për pak dëfrim. Dhe, na hapi shteg drejt Trasteveres (matanë Tiberit, në përkthim të lirë), zonës boheme, fantastike, të Romës shtruar thuajse krejtësisht me kalldrëm dhe përplot me lokale, restorante e bare.
Po që se do të doje të uleshe, do të duhej pritur rend të gjatë. Ose, sikurse edhe ne, ta zbuloje një lokal të porsahapur në zonën më të frekuentuar, me muzikë live dhe me menaxhere, shpejt do ta merrnim vesh, shqiptare nga Lezha.
Hitet italiane nga vitet ‘70, përfshirë edhe të famshmen “Parole, parole”, thuajse na kthyen për një çast nga fëmijëria: pavarësisht mossukseseve të vazhdueshme në Evrovizion, këngët italiane gjithnjë depërtonin nëpër radiostacionet evropiane.
Nejse, pas muzikës live në një objekt që dikur kishte qenë kinema, dhe që ende mund të shërbejë edhe për projektim filmash derisa njerëzit hanë e pinë, u ramë rrugicave të ngushta përplot me njerëz, që u bënin rezistencë orëve të vona, thuajse nuk donin të lejonin t’u ikte asnjë përjetim i ri.
Nga ora 2 mbas mesnate, më nuk kishte njerëz rrugëve, dhe ajo pjesë e qytetit ra në gjumë. Të nesërmen, dita agoi e qetë, me diell, dhe me një plan pak a shumë të qartë se nga do të silleshim.

Nëntoka, mbitoka dhe Skënderbeu
Ecjen e ditës së vetme që kishim në dispozicion sa për t’ua ofruar një shije Romë një pjese të ekipit që nuk e kishte vizituar atë më parë, nisi në drejtim kah Colle del Quirinale, apo Kodra e Kuirinalit, më e larta prej të shtatë kodrave të qytetit.
Aty, nga shekulli 16, u ndërtua pallati veror i Papës (Palazzo del Quirinale), i cili, kur u bashkua Italia, u bë Pallat Mbretëror, kurse që nga fundi i LDB-së shërben si rezidencë e kryetarit të Republikës së Italisë.
Para objektit gjigant, për të cilin thuhet se është 20-fish më i madh sesa Shtëpia e Bardhë e Amerikës, është i vendosur njëri nga 13 obeliskët sa i ka Roma. Tetë nga këto shtylla të gdhendura nga një copë guri, me peshë prej disa qindra tonelatash, u plaçkitën nga Egjipti pasi ky u pushtua nga Roma. Obeliskët e parë u sollën andej nga viti 10 p.e.s..
Me shkatërrimin e Perandorisë së Romës, thuajse të gjithë obeliskët pos atij të Vatikanit u rrënuan. Papa Siksti V, për të cilin thuhet se i ka rrënjët ilire, shënohet në histori si reformatori i qytetit, i cili për pesë vjet, jo vetëm që e ndërtoi rrjetin e rrugëve në qytet, ndërtoi ujësjellësin, ndali krimin – por edhe i shpëtoi edhe obeliskët të cilët i shndërroi në pikat orientuese në qytet.
Nja 200 metra pa ardhur te pallati, kthyem nga e majta, për të hyrë në një rrugicë të vogël me emër të madh: Vicolo Scanderbeg, apo sokaku Skënderbe, që shpinte drejt sheshit të vogël që bartte emrin e tij, dhe në të cilën gjendet edhe Palazzo Scanderbeg. Kjo ndërtesë kishte shërbyer si rezidencë e tija nga 1466-a, kur Skënderbeu erdhi në Romë pasi kishte pësuar disa humbje në fushëbetejë, në kërkim të përkrahjes perëndimore për ta vazhduar luftën kundër osmanëve.



Dhe para se të niseshim drejt njërit nga monumentet më emblematike të Romës, bëmë ndalesë në Vicus Caprarius – La Città dell’Acqua, përkatësisht Qytetin e ujit i cili u zbulua krejt rastësisht nga fundi i shekullit 20, teksa po rinovohej një objekt i shekullit 17.


Nën tokë u gjendën një shtëpi aristokrate, një ndërtesë banimi dhe rezervuarët e ujit të lidhur me akueduktin e ndërtuar në vitin 19 p.e.s., Aqua Virgo, që sot e kësaj dite e furnizon me ujë fontanën më të famshme të Romës, Trevi.
Ofertat turistike për ta parë këtë mrekulli janë të shtrenjta, dhe sinqerisht të panevojshme. Vizita shumë e shkurtër me ciceron kushton 40€ për person. Vizita po aq e shkurtër pa ciceron, por me rezervim paraprak, kushton dhjetëfish më lirë, pra fiks 4€.
Veç po të tepronte koha
Prej ujit nga nëntoka, tek uji mbi sipërfaqe duhet një minutë ecje në mes një “zilionë” njerëzve që ia mësyjnë vendit ku bashkohen tri rrugët kryesore të Romës – “trivium” apo edhe “tre vie”, që ia lënë emrin edhe vendit: Trevi.


Para përmbushjes së traditës, vendosëm të ndaleshim për nga një pije. Vargu i tarracave të lokaleve të gastronomisë përgjatë rrugëve anësore, fton për një pushim qejfi. Ajo që bie në sy është që pjesa më e madhe e kamerierëve e mbase edhe menaxherëve janë nga nënkontinenti indian. Një pjesë e madhe e mbi 600 mijë imigrantëve nga kjo pjesë e botës është përqendruar në Romë me rrethinë.
E tradita në Trevi, fontanë e ndërtuar në shekullin 18 dhe mbështetur për një ndërtesë të njohur si Palazzo Poli, është që, varësisht nga dëshira, të hidhen një, dy apo tri monedha me shpinë të kthyer nga kryefigura, Oqeani (e jo Neptuni).
Kështu pra: e hedh një monedhë, që të kthehesh në Romë; dy monedha, për një dashuri të re; tri monedha, për martesë me dashurinë e jetës.
E pata ndërmend të shkoja e t’i hidhja katër monedha, për pensionim me shëndet e gëzime, porse përtova të prisja në rend. I vendosur që prej vjet, qasja me rend te monumenti synon ta kontrollojë fluksin e turistëve ashtu që të parandalohet dëmtimi i tij edhe nga monedhat. Përndryshe, monedhat mblidhen njëherë në vit dhe paratë shkojnë për bamirësi.
Koha e pamjaftueshme dhe ideja se do të duhej dyfishuar kilometrat në këmbë për të mbërritur te monumentet e tjera, na bënë që t’i qaseshim zgjidhjes magjike: autobusit hyp-zhdryp.
Janë diku pesë ose gjashtë kompani që e ofrojnë shërbimin, nga ruta e njëjtë dhe stacionin e nisjes e kanë në Termini, porse në secilin stacion do të gjenden përfaqësuesit e linjave të gatshëm për t’i shitur biletat aty.
Zanafilla e Romës
U ndalëm tek i pari që takuam në rrugë. Ky ishte nga Bangladeshi. “U shtymë” nga pak dhe pos që na e zbriti çmimin prej 28 në 22€ për biletën ditore, na i fali edhe dy. Kushti ishte që të paguanim me të gatshme. Mirë boll.




Dhe derisa ende merreshim me kthim kusuri, nga dyqani afër na dolën dy të rinj, punëtorë ndërtimtarie. Na kishin dëgjuar që flisnim shqip dhe dolën për të na përshëndetur. Djemtë nga Tetova na siguruan se shitësi ishte njeri që i besohej dhe njëkohësisht u siguruan që të na ketë dhënë çmim të mirë 😊.
E hipja në autobus qe rrëfim më vete. Në mesin e gjithë asaj tollovie u gjet një grup më i madh ballkanasish – pra asnjë grimë nerva për ta respektuar rendin dhe duke i mësyrë hyrjes. “Konduktori” i ktheu prapa dhe na dha përparësi. Zumë vendet lart në pjesën e hapur – ndryshe zor mund të shiheshin të gjitha objektet e rrugët që do të na shpinin te Kodra Palatine (Colle del Palatino), më e rëndësishmja dhe, thuhet, e para nga nisi themelimi i Romës.

Pranë kësaj kodre gjendet Koloseumi, amfiteatri më i madh antik i ndërtuar ndonjëherë me kapacitet për 80 mijë shikues (tash Camp Nou ia kalon 😊). Ka mbi një vit që është hequr mundësia për ndalimin e autobusëve turistikë, për shkak të dridhjeve që e dëmtojnë monumentin.
Nuk u ndalëm as një stacion më lart, te Forumi Romak (Foro Romano), qendrën e njëmendtë të Romës ku, sikur në Pompeii, gjenden rrënojat e ndërtesave qeveritare, të tempujve fetarë dhe tregjeve e gjykatave. Dhe për dallim nga vendet e tjera, Forumi Romak e kishte edhe të ashtuquajturën “Rrugë të shenjtë” (Via Sacra) ku ngadhënjimtarët marshonin në shenjë triumfi drejt Harkut të Titit (Arcus Titi) që daton nga shekulli 1. Harku i Triumfit në Paris e ka burimin e frymëzimit te ky monument.
Për ta kaluar këtë pjesë të qytetit e për të kuptuar bile pak nga rrëfimi që kanë lënë pas, duhen më së paku tri orë dhe rezervim bilete. Çmimet e biletave ndryshojnë varësisht nga agjencia që i ofron dhe sillen ndërmjet 15 dhe 95 eurosh.
Pra, në mungesë të kohës për ilustrim do të shërbejnë fotot e bëra para 20 vjetësh – interesant, askush nuk i kishte prekur monumentet e ndërtuara 600 vjet para erës sonë (Forumi), përkatësisht në vitin 80 (Koloseumi).
Madhështia në përmbajtje e formë
Stacioni i radhës çon tek edhe një super-vepër e Michelangelos (sepse gara për kryeveprën është e madhe) dhe te kodra e radhës, shumë e rëndësishme e Romës.
Campidoglio, apo Kodra Kapitoline është projektuar në shekullin e 16-të me kërkesë të Papa Palit III, për ta rregulluar dukjen e qendrës dhe për ta simbolizuar disi se trashëgimia nga e kaluara ka mbetur në duart e Romës nën udhëheqjen e Kishës katolike.

Hapësira mes tri objektesh që i bëjnë Muzetë Kapitoline, përkatësisht muzeun më të vjetër në botë (shek. 15), u dizajnua një shekull më vonë nga gjeniu i artit në formë të yllit gjeometrik me një statujë në mes. Aktualisht, dy ndërtesa shërbejnë si muze, kurse e treta është selia e kryetarit të qytetit të Romës. Për të mbërritur te sheshi, i cili nga njëra anë shërben si pikë shikimi panoramik të Forumit, duhet ngjitur shkallëve. Shumë shkallëve.
Ngjitur me këtë vepër, është një monument tjetër: Altare della Patria (Altari i atdheut), apo Monumenti i Vittorio Emanueles II. I vendosur në Piazza Venezia (Sheshi Venecia) e paraqet pikën zero të qytetit, prej nga nisin krejt matjet e distancave.
Altari qe objekt i ndërtuar për ta shënuar bashkimin e Italisë, por që u realizua me çmim shumë të lartë: një pjesë e arkitekturës antike dhe mesjetare u shkatërrua për t’i hapur vend një monumenti kolosal me ndërthurje të neoklasikes dhe eklektikës. Monumenti përfundoi së ndërtuari pas 50 vjetësh, më 1935, në kohën kur Mussolini ishte në pushtet. Këtij të fundit i shërbeu shumë për propagandë madhështie.


Shteti miniaturë e plot fuqi
Stacioni i radhës dhe absolutisht i pashmangshëm është Vatikani. Dikur autobusët kanë mundur të parkoheshin fare në afërsi të bazilikës, kurse tash, pika më e afërt për të arritur aty është ndalja para urës më të bukur mbi lumin Tiber dhe edhe një monumenti impresiv – Castel Sant’Angelo.
Për të mbërritur te kështjella, që e kishte porositur perandori Adrian për mauzole të vetin aty nga viti 135, duhet kaluar nëpër urën Ponte Sant’Angelo, 135 metra e gjatë dhe e dekoruar me statujat e dhjetë engjëjve të cilat iu shtuan urës nga koha e Adrianit (viti 134) në shekullin 17.
Vetë kështjella sot është muze dhe në të më nuk ka asnjë gjurmë të urnave që mbanin hirin e Adrianit dhe perandorëve të tjerë, pos një hapësire që quhet “dhoma e urnave”. Objekti gjatë shekujve ka shërbyer për shumë qëllime, duke qenë më i rëndësishmi ai i fortesës mbrojtëse të papëve. Passeto di Borgo është quajtur korridori me mure të larta që ka shërbyer për evakuimin e Papëve në kohë rreziku dhe strehimin e tyre në kështjellë.


Posa shkel në oborrin e Sant’Angelos, mbërrin në Lungotevere Castello shëtitorja e madhe që shtrihet përgjatë Tiberit dhe që çon në Vatikan.
Qyteti-shtet i njohur ndërkombëtarisht si i tillë më 1929 është i shtrirë në 44 hektarë tokë dhe mund të kalohet, me një ecje të shpejtë për nja një orë. E gjithë hapësira është bukur e organizuar me ndërtesa më të ulëta, natyrisht, sesa bazilika, me restorante, bujtina e hotele.

Për qejf u ulëm ta pinim nga një espresso “me pamje nga deti”... dhe pos muhabetit të pafund të pronarit të kafe-tarracës na erdhi edhe fatura: 2€ për një espresso të mirë. Ama midis Vatikanit.
Natyrshëm, objekti që dallohet nga distanca është Bazilika e Shën Pjetrit, më e madhja në botë, me nja 15 mijë metra katrorë sipërfaqe, e vendosur në sheshin homonim, me gati 50 mijë metra katrorë. Sheshin e ka projektuar njëri nga skulptorët më të famshëm italianë, i ashtuquajturi “baba i barokut”, Gian Lorenzo Bernini. (Gjanlorenco Bernini).
Në mes të sheshit është obelisku i vetëm që nuk ka rënë kurrë, i vendosur aty në vitin 37; janë dy fontana, si dhe kolonada gjigante me 284 shtylla të vendosura në katër rende. Mbi shtyllat janë të vendosura 140 statuja shenjtorësh. Që të gjitha janë të ndërtuara nga travertini dhe mermeri.


Hyrja në bazilikë është falas, por jo edhe ngjitja në kulmin e saj. Janë dy bileta që mund të blihen aty: ajo e kombinuar ashensor shkallë (320 shkallë që duhen hipur nga baza e kupolës) për 10€ apo vetëm me shkallë (551 shkallë – fitness i vërtetë) për 8€. Pamja nga lart gjithsesi është fantastike – Roma si në pëllëmbë të dorës.
Për ta kryer këtë pjesë të shëtitjes, që përfshin edhe marrjen e vetes pas hipjes së gjithë atyre shkallëve si dhe soditjen e qytetit nga lart, të duhet më së paku një orë, dhe kjo nëse të tepron pasi t’i kesh vizituar Muzetë e Vatikanit dhe Kapelën Sistine. E kjo me kusht që ta kesh blerë biletën online (ku do të presësh do orë të mira në rend për të hyrë) për 25€, ose nëse e blen një nga ndonjë agjenci turistike me opsionin “kapërce radhën” për nja 45€. Nëse e do ciceronin të të udhëzojë, kjo do të të kushtojë nja 75€.



Për mua, pjesa më e veçuar e kësaj pjese të këtij objekti sakral është pa dyshim Kapela Sistine (Capella Sistina). Tavani dhe muri i madh i altarit janë pikturuar nga gjeniu Michelangelo. Para thuajse 40 vjetësh, tavani po pastrohej dhe restaurohej dhe nuk m’u dha rasti ta shihja kryeveprën e tij të quajtur “Krijimi i Adamit” (Creazione di Adamo), të pikturuar më 1512.
Pas njëzet vjetësh, tashmë të gjithë hapësirës i ishte kthyer shkëlqimi i ngjyrave dhe munda ta shkrepja një foto pa “blic”. Me këtë rast nuk e dija se po e shkelja një rregull i cili ishte futur në praktikë nga Nippon Television Network Corporation që kishte financuar restaurimin e freskave në këmbim të të drejtave ekskluzive për “eksploatimin” e imazheve. Edhe pse kontrata me japonezët ka kohë që ka skaduar, autoritetet kishin vendosur që kjo praktikë të mbetej në fuqi. Me rëndësi unë foton e kam bërë 😊.
Edhe këtu duhen shumë orë për t’i kaluar të gjitha... pra, Vatikanit optimalisht do të duhej ndarë një ditë të tërë për t’ia parë e shijuar gjërat mirë e qetë.
Në ndjekje të obeliskëve
Llogarisim që kemi edhe disa orë dritë, prandaj vendosim t’i hipim autobusit e të nisemi sërish matanë lumit. Na kanë mbetur së paku edhe katër “landmarks”, pra vende që duhen parë, por e llogarisim që nuk do të kemi mjaftueshëm kohë, dhe vendosim ta kapërcejmë Piazza del Popolo (Sheshin e popullit) njërin nga sheshet më të mëdha të Romës të shtritë në mbi 17 mijë metra katrorë dhe vendin ku është vendosur obelisku më i vjetër egjiptian i sjellë në Romë në vitin 10 p.e.s..
Nga ana e majtë e këtij sheshi është kodra e radhës e Romës, e quajtur Colle Pincio (Kodra Pinço, apo Pincio varësisht si është normuar), prej nga shihet sheshi me dy kishat thuajse identike afër njëra-tjetrës si dhe një bazilikë – që të tria kushtuar Shën Mërisë, por me atribute të ndryshme.
Përndryshe, Roma i ka mbi 900 tempuj – kisha, bazilika edhe një katedrale, e quajtur San Giovanni in Laterano (Shën Gjoni në Lateran), bartësja e fronit zyrtar të Papës si Peshkop i Romës. Dhe, është kisha publike më e vjetër në të gjithë botën perëndimore, e themeluar në vitin 324 nga Perandori Kostandin.



Autobusi na lë nja 500 metra larg sheshit të radhës, që megjithatë botës i është bërë e njohur me bukurinë e shkallëve që çojnë drejt e te një obelisk e kishë tjetër. Kushdo që e ka shikuar filmin bardhezi “Roman Holiday” (1953) me aktorët Gregory Peck dhe Audrey Hepburn, do ta kujtojë skenën ku Hepburn ha gelatto (akullore), kurse Peck vjen dhe e takon “rastësisht”. Hepburn e fitoi të vetmin Oscar në karrierë për këtë rol, duke qenë ky filmi i saj debutues në Hollywood.
Por, për Oscar qe dukja që kishin shkallët që njihen si Scalinata di Trinità dei Monti – se çojnë te kisha po me të njëjtin emër, por që përgjithësisht njihen si Shkallët spanjolle. Qëlluam në sezonin kur pjesët e mesme dhe anësore të 135 shkallëve ishin mbushur përplot me lule, ku dominonte ngjyra rozë. Pamja si nga lart, ashtu edhe nga poshtë qe fantastike. Ngjyrave u kontribuuan edhe qielli pa re dhe dielli që tashmë kishte nisur perëndimin e ngadaltë.
Kaluam ngadalë nëpër Via dei Condotti – rrugën e mallit të shtrenjtë dhe firmave “in”, ku do të mund të zbatohej thënia: “Me sy shiko, me dorë mos prek”. Dhe në rrugë e sipër po vendosnim nëse duhej shkuar ta shihnim Panteonin apo Piazza Navonan. Obelisku do të na priste në të dyja lokacionet.
E treta e vërteta

Panteoni është ndërtesa e tretë e cila u ndërtua mbi rrënojat e dy paraprakeve që ishin shkatërruar nga zjarri, përkatësisht vetëtima. Me urdhër të Adrianit u ndërtua në vitin 125 si objekt kushtuar të gjitha perëndive romake. Impresive është kupola e saj e ndërtuar me beton por pa armaturë, që në mes e ka një vrimë të madhe 9 metrash që quhet oculus (sy) nga hyjnë rrezet e diellit, por edhe shiu, që më pas kullohet në dyshemenë me vrima.
I shpëtoi shkatërrimit ngase në shekullin 7 u shndërrua në kishë (e tillë është edhe sot) dhe në të mbahen shërbesat e rregullta, ndërkohë që është edhe vendprehja e disa figurave të shquara italiane, përfshirë piktorin e Renesancës Raphael, si dhe dy mbretërit e parë të Italisë së bashkuar, Vittorio Emanuele II dhe Umberto I.

Kuptuam se nuk do të mbërrinim me kohë, për t’i blerë biletat, ngase “shalteri” mbyllej në 18:00. E lamë për ndonjëherë tjetër, krahas Piazza Albania (Sheshit Shqipëria) dhe statujës së Skënderbeut (ajo e Krujës është gjithsesi më e bukur 😊), apo edhe Esposizione Universale di Roma, apo Ekspozitën Universale të Romës, ndërtuar me urdhrin e Mussolinit për ta kremtuar 20-vjetorin e fashizmit. Sidoqoftë, për nevojat e reportazhit na hyjnë në përdorim fotot nga arkivi dydekadësh.
Prej stadiumit në shesh
Aty ku nuk na duheshin biletat, ishte vizita që e përmbylli ecjen 12-kilometrëshe (kushedi edhe sa të tjera me bus) në Piazza Navona.

I shtrirë në nja 12 mijë metra katrorë, Navona u ndërtua mbi rrënojat e stadiumit antik ku dikur kishin bërë gara vrapimi. Brenda formës së vet paksa ovale, janë vendosur tri fontana të mrekullueshme, dhe qëllojani, një obelisk në mes. Fontanat, secila e ka rrëfimin e vet: njëra është e Berninit, kushtuar katër lumenjve që atëherë besohej ishin më të mëdhenjtë në botë (Danub, Nil, Gann dhe Rio de la Plata); tjetra, kushtuar Afrikës dhe e treta hyjit të detit Neptunit në luftë me një oktopod gjigant.
Navona është vendi i artit – shumë piktorë e kalojnë kohën aty duke i ekspozuar punimet e tyre apo duke realizuar portrete, dhe një vend që njihet si “kurth turistik”: çmimet nëpër lokalet përreth janë shumë më të larta se në vende të tjera.
Prandaj edhe zgjodhëm që të largoheshim ngadalë, me qëllimin që të blinim nga një gelatto, posi Hepburn, e të bëheshim gati për kthimin në shtëpi.
Zgjodhëm ëmbëltoren La Romana 1947 – e njohur për nga shërbimi i akullore artizanale me çokollatë të shkrirë në kornet. Dhe kur erdhëm, e pamë që rreshti ishte sa prej Grandit deri te BQK-ja, dhe vendosëm që edhe këtë ta linim për ndonjëherë tjetër. Sikurse edhe tiramisunë...
* * *

Ekskursioni qe i suksesshëm, e do të ishte edhe më i pëlqyeshëm po qe se nisja me aeroplan do të bëhej nga Prishtina. Nuk e di nëse dikush do të mund ta jepte një shpjegim të logjikshëm se përse në Tiranë bën të ketë operatorë low cost, e në Prishtinë jo. Me vete po e mendoj, sa subvencionin e ndan qeveria për një numër të caktuar të popullatës, po të shfrytëzohej një pjesë e tyre për të mësuar për kulturat e të tjerëve, sa më të pasur do të ishim.
Mbase do të mbledhim mend, ndërkohë që vazhdojmë të jetojmë me të vjetrën: shpresa vdes e fundit.
Deri në udhëtimin e radhës, i shijojmë kujtimet nga ikja prej realitetit tonë të përditshëm – në vend ku nuk kishte politikë. Veç bukuri, kulturë, shoqëri dhe qeshje pafund!
Lexo edhe: