Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Napoli – qyteti ku asnjëherë s’ke parë mjaft

Pamje e Napolit me Vezuvin në sfond

Pamje e Napolit me Vezuvin në sfond

Nëse, pahiri, beson se ke parë mjaft, ecja nëpër çdo lagje do të të bindë në të kundërtën. Dhe në Napoli, jo tri ditë, por e besoj as tri javë nuk do të mjaftonin për t’i parë të gjitha ato që do të mund të dëftonin bile pak për një histori kaq të pasur disa mijëra vjeçare. Gati 13 kilometra ecje këmbë edhe kushedi sa të tjera me autobus arrijnë ta zbulojnë vetëm pak nga i gjithë thesari që jeton në këtë qytet. Një udhëtim i shkurtër në qytetin ku takohen legjendat, mitet, kulturat, kontrastet e bukuritë

Terme di Caracalla, Romë, një natë para finales së Botërorit në futboll 1990. Tre tenorët, Pavarotti, Domingo dhe Carreras po e kremtonin shërimin e këtij të fundit pas trajtimit nga leukemia. Koncerti fantastik kaloi në histori si ngjarja më e bukur e një kampionati botëror që nxori Gjermaninë kampione.

Mes arieve të zgjedhura u gjendën edhe dy këngë napolitane, prej të cilave njërën e interpretoi maestralisht njeriu trupmadh dhe me zë jashtëzakonisht të ëmbël.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pavarotti, më shumë se askush tjetër në tokë tijen, e njohu botën me këngët melankolike të përcjella nga mandolina autoktone, e të cilat as italianët nuk i kuptojnë. E, nuk e kuptojmë as ne, e megjithatë refrenit ia dalim disi: O Sole Mio (Dielli im).

Mbase edhe nuk do të ketë qenë rastësi: Napoli, qyteti jugor i Italisë, është selia e teatrit të operës më të vjetër në botë, që daton nga shekulli i 18-të.

Pushtimi i tokës së sirenës

E megjithatë, ky shekull duket i vonë, kur e kupton se, legjenda e thotë, qyteti u krijua nga një dashuri e njëanshme dhe tragjike në shekullin 8 p.e.s..

Partenopa quhej sirena, që sipas mitologjisë greke ishte gjysmë grua gjysmë shpend, që u përpoq joshte Uliksin me këngën e saj magjepsëse. Ky e refuzoi, kurse kjo nga dëshpërimi i refuzimit, u hodh në det dhe u mbyt. Tradita vendëse thotë se trupi i saj u tret dhe mori formën e qytetit. Dhe kështu u krijua Partenope.

Vendbanimi do të pësonte ndryshime e zgjerime dhe do të ndërronte emrin sipas atyre që do të vendoseshin të jetonin aty.

Do të njihej edhe si Palaepolis, pra “Qyteti i Vjetër” në greqisht. Kur u ndërtua një vendbanim i ri aty pranë, do të quhej Neapolis ose “Qyteti i Ri” në greqishten e lashtë, që do të themelohej në shekullin 5 p.e.s.

Romakët do ta pushtonin qytetin në shekullin 4 p.e.s. dhe do t’ia ruanin emrin grek, që më vonë do të quhej Napule nga vendasit dhe shumë më vonë, Napoli.

Grekët do të mbesnin aty deri nga shekulli 12, kur përfundimisht do të vendosej administrata e latinizuar nën udhëheqjen e normanëve. Por, për ta kuptuar thelbin e të gjitha kulturave dhe rrymave që kaluan nëpër këtë trevë, nuk do të mjaftonin as gjysma e vëllimeve të Encyclopedia Britannica.

Kush nuk mbeti pa e pushtuar

Prej shekullit 5, Napoli u pushtua nga fiset gjermanike udhëhequr nga Odoakri; pas tij erdhën ostrogotat, më pas bizantinët dhe gotët deri në shekullin 12 kur me të u bënë normanët. Napoli u bë mbretëri e re. Dhe prej atij çasti e tutje, u bë sagë dramatike e ambicieve të mbretërve francezë e spanjollë të cilave qyteti ua pa hairin: u shndërrua në qendër të artit, kulturës dhe të pushtetit.

Pra, serinë e pushtimeve e nisi Charles 1er d’Anjou (Karli i parë i Anzhusë) – e shndërroi Napolin në mbretëri e kryeqytet si dhe ia shtoi edhe një kështjellë – Castel Nuovon, ndërkohë që e solli gotikën franceze në qytet me Katedralen të quajtur Duomo (sikurse në gjithë Italinë).

Shkoi francezi dhe erdh spanjolli: Alfonso V i Aragonit e pushtoi Napolin në shekullin 15, dhe kjo epokë do të shënohet si ajo e transformimit të madh të qytetit. Alfonso, pos që e ndërtoi Harkun e Triumfit, e bëri qytetin qendër të kulturës.

Fundi i epokës së Aragonëve e solli pushtetin spanjoll dhe shuarjen e mbretërisë. Ishin vicembretërit (virrey quhen) e Spanjës që sundonin në emër të Habsburgëve dhe në qytet e sollën edhe barokun brenda pallatit mbretëror (Palazzo Reale) dhe shumë kishave të shpërndara gjithandej.

Në atë kohë u ndërtua edhe Lagjja Spanjolle (Quartieri Spagnoli), që do të shërbente si garnizon për ushtarët spanjollë.

Nga shekulli 18, Napoli u rikthye mbretëri, tash nën dinastinë Borbón, në krye të së cilës ishte Carlos. Ky sundoi 25 vjet dhe pos që solli zhvillim, nisi edhe me gërmimet arkeologjike në Pompeii dhe Herculaneum.

Pas gjashtë shekujsh dhe një mori luftërash, Napoli u bashkua sërish me Sicilinë, në atë që njihej si Mbretëria e dy Sicilive që nuk mundi të rezistonte më shumë se 50 vjet. Më 1860 ndodhi Risorgimento – procesi i bashkimit të Italisë në një shtet nën udhëheqjen e mbretit Vittorio Emanuele II, të cilin e udhëhoqi Guiseppe Garibaldi.

Qyteti i shtatë kështjellave

Piazza Garibaldi

Dhe sheshi që mban emrin e revolucionarit italian (që më duket se nuk ka vend në botë që nuk kujtohet bile me ndonjë rrugë), është vendi prej nga nis shtegtimi i papërfunduar nëpër këtë qytet kontrastesh e bukurish që e bëjnë thjesht të mahnitshëm.

Ajo që kishte qenë Sheshi i Hekurudhës që në shekullin 19, u shndërrua me kohën në njërin nga sheshet më të mëdha të Italisë me një sipërfaqe prej nja 7 hektarësh. Gjendet në pjesën lindore të qendrës, disa kilometra larg pjesës historike të qytetit, por që në të ecur nuk ndihen shumë, për shkak të bukurive që e përshkojnë shtegtimin deri te pallatet dhe deti.

Piazza Garibaldi është qendra e botës turistike, nga nisen të gjitha trenat (stacioni hekurudhor, modern, është aty) dhe të gjithë autobusët dhe kombit që çojnë në pikat turistike jashtë qytetit. Për të dalë afër qendrës historike, mund të shfrytëzohet metroja, me sistem të avancuar për blerjen e biletave me skenimin e kredit a debit kartelave dhe me trena të mirë e të shpejtë.

Prej sheshit, në krye të të cilit qëndron statuja e Garibaldit, nuk shihen, porse Napoli është i njohur edhe për nga rariteti: i ka pasur shtatë kështjella, prej të cilave pesë ende qëndrojnë dhe shërbejnë për qëllime të tjera nga ato që janë ndërtuar.

Secila e ka historinë e vet. Secila edhe bukurinë e vet. Dhe secila nga to e veçon ndonjërën nga pikat më markante të qytetit që shtrihet nën rrezet e diellit dhe nën vëzhgimin e fjetur të Vezuvit.


Castel Nuovo në Piazza Municipio (Sheshi i komunës), nisi ndërtimin më 1279, kurse sot shërben si Muzeu i qytetit.  

Castel Sant’Elmo shihet nga pjesa e poshtme e qytetit nga cilido kënd. I vendosur në kodrën Vomerou ndërtua mes viteve 1336 dhe 1343, kurse formën aktuale e mori më 1547. Është seli e muzeut Novecento

Castel Capuano është afër sheshit Garibaldi, dhe ndërtimi i saj nisi më 1160. Përgjatë shekujve ndërroi formë për të mbetur e këtillë që nga fillimi i shekullit 18. Në kohën e Aragonëve shërbeu si burg dhe gjykatë, kurse tash është selia e Shkollës së Lartë të Gjyqësisë.

Castello del Carmine, u ndërtua më 1382. Nga ajo, kanë mbetur dy pirgje dhe një copë muri nga epoka e pushtimit të Aragonëve.

Castello di Nisida është ndërtuar mbi një ishull vullkanik në shekullin 14. Meqë është larg qytetit dhe deri te ajo nuk është lehtë të arrihet, sot shërben si qendër korrektuese për të miturit pa qasje për publikun.

Forte di Vigliena u ndërtua diku nga 1706. Nga kjo kështjellë ka mbetur pak gjë.

Castel dell’Ovo është mbase më e famshmja ndër të gjitha për shkak të emrit dhe lokacionit. Është kështjella më e vjetër e qytetit, e ndërtuar në shekullin 12 dhe emri, Kështjella e vesë, lidhet për legjendën për poetin romak Virgjilin, i cili e kishte vendosur një vezë në një kafaz te themelet e kështjellës. Për aq sa veza nuk do të thyhej, qyteti do të ishte i mbrojtur.

Sot është hapësirë ekspozitash, ngjarjesh dhe konferencash të mëdha.

Castel dell’Ovo (Kështjella e vesë), më e vjetra ndër shtatë kështjellat e qytetit

Kontrasti

Pjesët e qytetit jashtë bërthamës së saj nuk duken bukur. Janë ndërtesa të njëtrajtshme, të pamirëmbajtura, me fasada të dëmtuara dhe me pak interesim për bile pak “grim”, që nga jashtë të duken mirë. Shumë u ngjasojnë “pallateve” të kohës së Xhaxhit në Shqipëri.

Rrugët e gjera janë të stërmbushura me vetura, kurse kontejnerët e mbeturinave janë thuajse kopje e atyre në Prishtinë – përplot me dhe çfarëdo lloj bërlloku që hidhet pa asnjë kontroll, ani që ka bile 15 vjet që punohet në ndarjen e mbeturinave në qese dhe kontejnerë të veçantë.

Një nga mjetet më të preferuara të transportit për vendasit janë motoçikletat. Gjithandej shihen, dhe janë të çfarëdollojshme që mund të gjenden në treg. Ngasësit e tyre thuajse që të gjithë bartin helmeta dhe e kanë një tipar që duket “u ngjitet” posa bëhen me “motorë” – pakujdesia absolute gjatë ngasjes. Rreziku më i madh i ndonjë aksidenti vjen pikërisht nga motoçiklistët që nuk tregojnë respekt as minimal për kalimtarët, edhe nëse janë duke i kaluar zebrat: aty mbretër janë ata.

Pikërisht siç do ta përshkruante Elena Ferrante, në novelat e saj napolitane, ajo anë e qytetit është vend pa ngjyra dhe i papastër, me një ambient të zhurmshëm dhe me një lëvizje të papërmbajtshme të njerëzve andej ku jeta është më ndryshe.

Dhe ndryshimin nuk duhet pritur gjatë.

Me të shkelur në Corso Umberto I, arterien kryesore të qytetit që shpien nga të gjitha monumentet kryesore, deti, Lagjja Spanjolle dhe qendra historike, shpërthen e gjithë bukuria e arkitekturës së neo-renesancës nga fundi i shekullit 19.

Me një gjatësi prej nja një kilometri e gjysmë, në këtë aveny (te ne e kishin quajtur bulevard gjysmën e gjerësisë së saj) do të gjenden, ndër të tjera: ndërtesa e Odës Ekonomike – Palazzo della Borsa dhe ndërtesa kryesore e Universitetit, Palazzo dell’Università Federico II, e ndërtuar nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20.

Por, më mbresëlënës se godina, është një fakt tjetër. Universiteti i Napolit “Federico II” u themelua më 1224 duke u bërë universiteti më të vjetër shtetëror dhe laik në botë.

E themeloi Perandori i Shenjtë Romak dhe Mbreti i Sicilisë, Frederik II i Hohenstaufen, me qëllimin e shkollimit të kuadrove për administratën e tij, duke iu shmangur ndikimit të kishës në arsim.

Ndërtesa e Universitetit Federico II, më i vjetri laik në botë, në avenynë Umberto

Pa fund pallate e sheshe

Me ta kaluar universitetin, duhet kthyer nga rruga në të majtë që çon drejt e te Piazza Municipio, një shesh nga gjysmë kilometri i gjatë që e lidh portin e Napolit me bërthamën e vjetër të qytetit.

Objekti i parë që bie në sy është Pallati i ri (Castel Nuovo), dhe më pas një varg ndërtesash të mëdha nga të cilat dallohet ajo që sot është selia e Komunës (Palazzo San Giacomo) që përpara ka fontanën e Neptunit.

Catel Nuovo (Kështjella e re)

Hapësira e gjerë, pa asnjë fije ngufatjeje, të lejon të frymosh, derisa identifikon objektin e pallatit mbretëror nën restaurim dhe nën vëzhgimin e vizitorëve që mbushin sheshin më të madh të qytetit, Piazza del Plebiscito – që mori emrin nga vota që përcaktoi bashkimin e Italisë. Të gjitha ngjarjet e mëdha kulturore dhe festimet sportive ngjajnë aty, në zonën që është e mbyllur për qarkullimin e veturave.

Sheshi më i madh i qytetit, Piazza del Plebiscito

Për ta bërë një shkëputje nga qendra ndihmon shumë autobusi “hyp-zhdryp”. Pikënisja është nga Piazza Municipio dhe janë dy linja (e kuqja dhe e kaltra). E kuqja e bën xhiron nëpër të gjitha pikat kryesore të qytetit nga drejtimi i stacionit të trenave, kurse vija e kaltër çon në botën tjetër të Napolit, në lagjen Possilipo – një zonë absolutisht mbresëlënëse për nga organizimi, hapësira, vilat, infrastruktura dhe pamja mahnitëse nga Gjiri i Napolit.

Vetë izolimi i asaj pjese të qytetit që përfshirë zonën metropolitane mbërrin në 3 milionë banorë, pa kushedi sa turistët që sillen gjithandej, tregon për një ndarje shumë bardhezi mes pasurisë dhe varfërisë.

Possilipo, që rrjedh nga Pausílypon në greqishte (në përkthim të lirë “pauza nga brenga”) njëmend frymon më ndryshe se pjesa tjetër e qytetit me shumë njerëz, zhurmë e gjallëri.

Në këtë pjesë të qytetit kishte shumë më pak qarkullim veturash, kishte shumë më tepër gjelbërim, e kishte edhe parqe të dedikuara për banorët e kësaj pjese elitare. Impresive.

Pas pauzës mendore, vjen kthimi prapa nga pikënisja.

Dhe prej aty dhe ngado që të të çojnë këmbët, do të hasësh në edhe një bukuri arkitektonike apo edhe një rrëfim për ta treguar tutje. Nga fundi i sa shesheve del përnjëherë një ndërtesë e bukur me disa hyrje dhe tavan prej qelqi.

Ata që kanë pasur fatin të shkojnë në Milano, në këtë ndërtesë e gjejnë kopjen e galerisë që atje mban emrin e babait, Vittorio Emanuele II, kurse këtu e mban të të birit, Umberto.

Sa për kërshëri, Umberto do ta kishte vetëm një djalë, e ai do të quhej Vittorio Emanuele III, e që do të bëhej edhe mbret i Shqipërisë; kurse “treshi” gjithashtu do ta kishte vetëm një djalë (e katër vajza), që do të quhej Umberto II dhe do të mbante fronin diçka më shumë se një muaj, para se Italia të shndërrohej në republikë pas Luftës së Dytë Botërore.

Galleria Umberto I, kopje e galerisë thuajse identike në Milano

Trashëgimia spanjolle

Dhe nëse, pahiri, beson se ke parë mjaft, ecja nga Lagjja Spanjolle e drejt në qendrën historike do të të bindë në të kundërtën.

Është thuajse e pamundur të mbahen mend krejt objektet me peshë kulturore a sakrale; nuk ka rrugë më të rëndësishme që nuk e ka bile një kalim harkor mes ndërtesash, dhe sikur të mos mjaftonte hapësira e rezervuar për kalimtarët, aty afër Galerisë... gjendet Via Toledo, mbase rruga më e famshme komerciale e qytetit. Dhe jo vetëm.

Pamje nga Via Toledo

Po qëllove në ditë pushimi, dije që të kalosh asaj rruge është sikur të presësh për të hyrë në stadium kur ka ndonjë derbi që e mbush atë.

Dhe këtu, na e tërheqin vërejtjen të gjithë, kujdes nga hajnat.

Në qytetin e sunduar gjatë nga Camorra (mafia napolitane), ku skandali më i madhi ka qenë i lidhur për deponimin e mbeturinave toksike që e kanë ndotur tokën e pëlleshme në të tetëdhjetat e shekullit të shkuar, qëndron me bindjen se ndonjë krim mund të ndodhë në çdo çast. E megjithatë, masa e pafund e turistëve sikurse po e lufton frikën e magjepsur me bukurinë përreth dhe afërsinë e njerëzve të gatshëm për t’iu përgjigjur cilësdo pyetje.  

Një lëvizje e harmonishme të çon sikur lumi rrjedhës së vet, ndërkohë që secila rrugë e cila të bie nga krahu i majtë është rrëfim më vete. Janë sokakë, rrethuar me objekte banimi dhe shumë lokale gastronomie që shtrojnë tavolinat bash në mes të rrugës. Janë disa nga rrugët që shkojnë në drejtim horizontal që mbesin të hapura për furnizim dhe për qasje në objektet e banimit.

Pamje karakteristike e rrugëve të Napolit me flamuj e petka të shtrira në tel

Nuk ka rrugë që nuk ka tesha të varura në tel. Dhe teshat janë ato që janë: brekë, bluza, xhemperë, funde, e çka mos tjetër. Dhe ani që me mijëra njerëz kalojnë aty. Dhe ani që tymi i kuzhinave të lokaleve qarkullon andejpari – ashtu e kanë pasur gjithë jetën. Pse ta ndërrojnë zakonin?

Motiv nga Napoli 😊

Ecja, lodhjen e së cilës do ta ndiesh vetëm pas mbarimit të ditës do të të shpjerë në Piazza Dante, që bart emrin dhe statujën e poetit Alighieri. Ajo është porta hyrëse për në pjesën e vjetër të qytetit greko-romak, të asaj që shihet mbi tokë.

Por ekziston edhe qyteti nën tokë, të cilin nuk arritëm ta vizitonim për shkak se nuk na teproi kohë.

Dhe në Napoli, jo tri ditë, por e besoj as tri javë nuk do të mjaftonin për t’i parë të gjitha ato që do të mund të dëftonin bile pak për një histori kaq të pasur disa mijëra vjeçare, përfshirë edhe Muzeun Arkeologjik që strehon eksponatet më të çmuara e të nxjerra nga Pompeii.

Ndërthurja greko-romake

Qendra historike, apo Centro Storico është bërthama e qytetit me histori mbi 2700-vjeçare dhe e shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO më 1995.

Është një sipërfaqe prej nja 1000 hektarësh që karakterizohet për nga tri rrugë kryesore që ia përcaktojnë formën: Spaccanapoli që e ndan qytetin e vjetër në dy pjesë të barabarta; Via dei Tribunali, ajo që shihet si rruga kryesore e mbushur me objekte sakrale, dyqane artizanale dhe piceri pafund, dhe San Gregorio Armeno: që njihet edhe si “Rruga e Krishtlindjes”, ku artizanët krijojnë figura prej balte për t’i “rikrijuar” skenat e lindjes së Krishtit.

Posa shkelëm në historinë e lashtë, na priti muzika.

Një rrugicë e bllokuar nga shumë të rinj, që ishin mbledhur prej nga mos, e që vallëzonin e këndonin për qejf të vetin. Anash një ekran televiziv pak më i madh, që së shpejti do ta transmetonte ndeshjen Napoli-Cremonese, e vlefshme për kampionatin e Serie A.

Lehtë e kuptueshme, se edhe pse pa gjasa për ta përtërirë titullin e vjetëm, Napoli luante për prestigj dhe vendin e dytë që çon në Champions League.

Festa e të rinjve në Centro Storico

E si të mos kremtohej para ndeshjes, kur e gjithë mëhalla ishte mbushur flamuj të Napolit dhe thuajse çdo e treta ndërtesë e kishte bile një “banner” me fotografitë e futbollistëve aktualë. Te të rinjtë e zhurmshëm ishte një që e shënonte kampionatin e katërt të fituar. Në mesin e imazheve, ishte edhe fotoja e Amir Rrahmanit, kapitenit të Kosovës.

Banneri me futbollistët që e fituan scudetton e 4-t për Napolin, ndër ta edhe Amir Rrahmani

E kur jemi te futbolli, zor se mund të ketë krenari më të madhe për Rrahmanin se fakti që është njëri nga futbollistët më të çmuar të një klubi të themeluar më 1926, e që legjenda Diego Armando Maradona e kishte bërë sefte kampione, para 40 vjetësh.

Maradona luajti për Napolin 7 vjet dhe u nda nga klubi me një skandal kokaine dhe një suspendim të gjatë që ia pamundësoi edhe pjesëmarrjen në Botëror.

Dhe pavarësisht kësaj, Maradona, u bë legjenda e krejt një qyteti që e përvetësoi si të vetin. Fytyra e tij është e kudondodhur. Nuk ka rrugë që nuk gjendet. Por paraqitja më impresive është ajo në Centro Direzionale, që është zona afariste, bankare e tregtare e Napolit.

Murali është i vendosur në një rrokaqiell me lartësi 122 metrash dhe njihet si “Trinità Napoletana” (Treshja napolitane), që i portretizon Maradonën, aktorin dhe regjisorin Massimo Troisi dhe kantautorin Pino Daniele.

Për të mbetur i pavdekshëm për napolitanët, as dhjetë ditë pas vdekjes në moshën 60-vjeçare, Stadiumi San Siro i Napolit ndërroi emrin në Stadiumi Diego Armando Maradona.

Murali i madh i Maradonës në Centro Direzionale

Pizza

Era e pizzës që ndihej gjithandej, megjithatë nuk arriti të na e thyejë dëshirën për një akullore artizanale.

E gjetëm një “akullorexhi”, një biznes familjar i trashëguar nga brezi në brez që nga 1922-a. Një kornet i mesëm me akullore bënte 3€. E nëse doje ta shijoje ulur në tarracë, atëherë çmimi hipte në 4€. Çka është një ditë nuk është përditë, pra akullorja njëmend shijonte shumë më shijshëm ulur sesa duke ecur këmbë.

Shëtitja nëpër qytetin e vjetër thuajse të kthente në epokë tjetër – kishe përshtypjen se në çdo çast do të ndizeshin llambat e vajgurit dhe se nga cilido kënd do të dilte papritur një karrocë kuajsh me ritmin kërcyes të patkoit përplasur për gurët e shtruar në rrugë.

Ndërkohë, gumëzhima përzier me tingujt e mandolinës mbushnin shtigjet e ngushta të rrugëve rrethuar me ndërtesa të vjetra e me porta të rënda e të mëdha që më shumë shërbenin si dekor: për t’ia lehtësuar vetes, njerëzit ishin kujtuar që t’i hapnin kapixhikët të përmasave thuajse minimale.

Porta dhe kapixhiku

Por, era e brumit të mbuluar me salcë domatesh e djathë, megjithatë nuk na lëshonte.

Terri tashmë kishte rënë, pra edhe organizmit i sinjalizonte se i kishte ardhur koha pizzës – se të vish në Napoli e të mos e hash atë që është shpikur në atë vend, nga varfëria, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi.

Dhe, u nisëm në kërkim të më të famshmes piceri në qytet: L'Antica Pizzeria da Michele, e themeluar më 1870.

Rrugëve të ngushta të qendrës historike mbërrihet deri te edhe një nga rrugët e bukura me jo shumë ndriçim, por megjithatë të sigurta. E aty, plot njerëz në rend për ta marrë numër. Pizzeria nuk funksionon me rezervime, por funksionon me numra dhe deklarimin nëse doje ta haje pizzën “te vendi” apo nëse doje ta merrje me vete.

Koha e zakonshme e pritjes është ndërmjet 45 minuta dhe 2 orë (varësisht nga ora dhe sezoni) dhe derisa pret, e ke mundësinë për të shkuar në ndonjërin lokal atypari, ku janë të gatshëm të të gostitin vetëm me pije, ani që edhe vetë përgatisin pizza.

Nami e bën të vetën, dhe da Micheles zor se mund t’i bënin konkurrencë. Pra më mirë diçka sesa asgjë.

Pritja u përcoll me një verë të vendit dhe pronarit të lokalit nuk iu desh shumë që menjëherë të sillte ullinj dhe kikirikë për ta përcjellë pijen. Këto të fundit ishin gratis, “nga shtëpia”, ndërkohë që pijet kushtonin më pak sesa do të kushtonin në Prishtinë.

Dhe, erdhi radha, pas 30 minutash, për ta provuar pizzën më të mirë që e kam hëngër ndonjëherë.

Në meny ishin tri lloje pizzash që bëheshin katër kur dy të parat kombinoheshin në një. Pra në meny ishin Margherita; Marinara, Cossaca dhe Marita. Që të gjitha me çmimi prej 6€. Për pije që mund ta përcillnin pizzën ishin të zakonshmet me gaz; ujë natyral apo me gaz dhe vetëm një lloj birre, të vendit, natyrisht.

Pra, pizza dhe pija në fund mund të kushtonin 8 ose 9€. Gjithsesi që ia vlejti pritja.

Radha e pritjes te piceria “...da Michele”
Pizza Cossaca – domate, djathë pecorino, vaj dhe borzilok

* * *

Gati 13 kilometra ecje këmbë edhe kushedi sa të tjera me autobus arrijnë ta zbulojnë vetëm pak nga i gjithë thesari që jeton në këtë qytet.

Për vendasit, është e mrekullueshme t’i kenë të gjitha këto pranë vetes, njëkohësisht do të jetë bezdisëse gjithë ajo masë e njerëzve nga e gjithë bota nëpër rrugët e ngushta të historisë. Ani që aty e kanë burimin e jetesës.

E megjithatë, atë që morëm, qe mikpritje e mirësjellje dhe mbresa të paharrueshme nga kjo pjesë e udhëtimit që e pati edhe vazhdimin thuajse po kaq mahnitës.

[email protected]

Lexo edhe: