Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Qytezat që të bëjnë të mendosh të kthehesh ndonjë ditë

Pamje panoramike e Amalfit

Pamje panoramike e Amalfit

“Qendra e botës” sërish u bë Piazza Garibaldi nga ana e stacionit hekurudhor. Ndalja e parë, pas nja 50 kilometrash rrugë të përshkuar për më pak se një orë, ishte Sorrento i cili, si Napoli, ka histori të lashtë. Rruga deri në ndaljen e radhës, Positano, pushimorja e dikurshme e romakëve. Nisemi derisa në vesh, dhe pavetëdijshëm jehon edhe një nga perlat napolitane që na i zbuloi Pavarotti: “Torna a Surriento” (Kthehu në Surriento/Sorrento). Ka diçka këtu që të bën të mendosh se ia vlen të kthehesh ndonjë ditë. Një rrugëtim që përfshin edhe trashëgiminë e vullkaneve, limonët karakteristikë, plazhet e shtrenjta të Amalfit, linin, gomarin, Vezuvin e historinë e futur nën dhé

“Non sono italiana, sono napoletana! È un'altra cosa” (Nuk jam italiane, jam napolitane. Është tjetër mesele).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në përkthim të lirë, kështu e kishte thënë shumë herë nëpër intervista, Sofia Loren, mbase më e famshmja aktore.

Dhe ky manifestim i yllit filmik duket se është i gjithëpërhapur në jugun e Italisë, e posaçërisht në Napoli, i përçmuar nga veriu i industrializuar dhe i pasur. Është edhe një luftë e pashpallur për shpëtimin e identitetit dhe veçorive kulturore si dhe të gjuhës – sidomos kjo e fundit që në Itali trajtohet si dialekt, ndërkohë që UNESCO e ka futur në listën e gjuhëve të rrezikuara dhe e njeh si gjuhë romane me gramatikë e fjalor të vetin.

Loren hyri në histori si aktorja e parë që e fitoi “Oscarin” për rol kryesor në një film të huaj dhe për aktrim në gjuhë joangleze. Statujën e fitoi një vit para se të lindesha unë, ndërkohë që ajo është gjallë, duke e shijuar pleqërinë edhe në vilën e saj në bregdetin amalfitan 😊.

Gadishulli i Sorrentos 

Trashëgimia e vullkaneve

Nuk e di nëse ende janë në përdorim, por e di që aty nga klasa e gjashtë fillore e kishim të detyruar mësimin e gjeografisë edhe nëpërmjet atlaseve. Mësuam për male, dete, liqene e lumenj gjithandej, dhe kryesisht përqendroheshim t’i mësonim emrat e deteve këndej nga ana jonë, se mbase dikur do të mund t’i vizitonim.

Po ja që një det nuk e kisha regjistruar kurrë – Deti Tirren, për të cilin vetëm tash e kuptova të ishte pjesë e Detit Mesdhe, e që shtrihet përgjatë bregdetit perëndimor të Italisë. Gjasat janë që do të më ketë qëlluar atlasi me harta memece.

Nejse, e rëndësishmja për këtë rrëfim është se ky det me fund vullkanik, “i lidh” dy krahinat, Napolin dhe Salernon, e të njëjtit regjion, Campania (Kampania). Kurse në mes dy gjireve që bartin emrat e dy krahinave, gjendet një gadishull që është shndërruar në atraksion turistik që nga 1953-a, kur për të shkroi Nobelisti i mëvonshëm John Steinbeck.

Gadishulli i Sorrentin, apo i Sorrentos dikur kishte qenë më i gjatë, porse para më shumë se 10 mijë vjetësh, shkrirja e akullit dhe ngritja e nivelit të detit e fundosi një pjesë të saj, për ta krijuar atë që sot njihet si ishulli i VIP-ave, Capri (Kapri).

Pjesa tjetër e dominuar nga një vargmal guri gëlqeror të quajtur Monti Lattari (Malet qumështore), bart emrin jo për shkak të ngjyrës së gëlqeres, por për shkak se është trevë e shquar e prodhimit të qumështit dhe të bulmetit.

Dhe në mesin e disa vendbanimeve, dallohet Sorrento, apo siç e quajnë napolitanët Surriento.

Limoni

Përzgjedhja e transportit për numër të vogël udhëtarësh doli të ishte zgjidhja e përkryer për turneun që do të zgjaste diku rreth nëntë orë.

“Qendra e botës” sërish u bë Piazza Garibaldi nga ana e stacionit hekurudhor. Një grumbull ciceronësh, mbanin nga një flamur, çadër apo një pankartë më të vogël për ta identifikuar agjencinë e udhëtimit. Pas një pritjeje të detyrueshme 10-minutëshe përtej orarit të planifikuar, një kombibus me nja 20 ulëse niset. Ajo që lë përshtypje është saktësia dhe respektimi rigoroz i orarit.

Ndalja e parë, pas nja 50 kilometrash rrugë të përshkuar për më pak se një orë, ishte Sorrento.

Posa zbritëm nga kombibusi, ajri kishte një shije tjetër. Rruga e shtruar dhe e rregulluar mirë, me beharin ngjyrë rozë që kishte mbuluar trungjet e mbjella përgjatë saj, shpinte te sheshi kryesor. Aty lejohej qarkullimi i veturave, të cilat megjithatë nuk u pengonin atyre shumë njerëzve që në kafehanet përreth po i shijonin kafetë dhe rrezet e diellit.

Edhe Sorrento, si Napoli, ka histori të lashtë. Themeluar nga grekët në shekullin e 6-të p.e.s., ka kaluar nëpër pushtimet e romakëve, të cilët e shndërruan në pushimore dhe ndërtuan vilat luksoze andej nga Pompeii dhe Herkulaneumi. Mandej erdhën bizantinët, lombardët e pastaj normanët për t’u bërë dikur pjesë e Mbretërisë së Sicilisë. Nga mesjeta erdhën otomanët me një sulm grabitqar, që shtyu banorët që ta rrethonin qytetin me mure të larta mbrojtëse e kulla që ende qëndrojnë.

Poster i Sofia Lorenit dhe thënies së saj të famshme

Kthimi nga e djathta çon drejt qytetit të vjetër që ruan strukturën e ndërtimit romak. Ngjashëm me shumë qytete nga kohët e shkuara, ja ku ishin rrugët e ngushta, shtruar me gurë, të njohura si “vicolo” (vikolo – shteg). Dhe ja ku ishin dyqanet e kohëve të tashme, në “Via San Cesareo”, rrugën kryesore, që kishin ruajtur formën e jashtme, por ishin mbushur me produktet e sotme.

Tur-operatori do të ketë pasur për detyrë të na çonte deri te njëri nga shumë dyqanet ku shiten produktet e limonit, në rend të parë i famshmi Limoncello (limonçello). Por derisa i afrohemi dyqanit, ta tërheq vëmendjen madhësia e limonëve të ekspozuar në rrugë – po si të ishin kokos – një copë do të mund të peshonte së paku gjysmë kilogrami. Janë shumë të verdhë, e kanë lëkurën e trashë dhe një erë më të theksuar sesa limonët që na vijnë në pazar. Madje edhe korja e ka shijen e mirë.

Qendra e Sorrentos
Rruga dhe bagremi në Sorrento
Shtëpitë e ndërtuara mbi murin mbrojtës, Sorrento

Limoncello është rrëfim më vete. Shija e fortë e limonit përzier me sheqer e mbyt shijen e alkoolit (17%) dhe të lë përshtypje se po pi limonadë. Por, degustimi nuk mbaron aty: prodhuesit artizanalë prodhojnë edhe liker fëstëku, fryt që kultivohet në Sicili, më pas edhe “arancello”, pra liker portokalli... Dhe, prodhojnë shumë variante bonbonesh dhe “drazheshë”: bonbone limoncello; bonbone limoni; çokollata me mbushje limoni; limoni e fëstëku; limoni e portokalli… apo edhe pastë fëstëku… diçka si “nutella” e famshme, veç pak më ndryshe… dhe dukshëm më e shtrenjtë.

Shkuarja drejt detit nuk na u duk shumë tërheqëse – qyteza s’ka plazhe klasike, por ka platforma druri të shtrira mbi shkëmbinj. Megjithatë, shëtitja nëpër qytezë ofronte qetësi me gjithë tollovitjen e turistëve rrugicave të ngushta. Ofronte edhe një copëz pizze, jo si ajo e Napolit, por mjaftueshëm sa për ta mbytur urinë e çastit. Na e tërhoqën vërejtjen se në qytetin e radhës “nuk ta qet” me hëngër çfarëdo, ngase çmimet janë pakrahasueshëm më të larta.

Ngadalë kthehemi te stacioni i vogël i autobusëve. Rruga deri në ndaljen e radhës, Positano, na e dëshmon se përse zgjedhja e kombibusit paskësh qenë më e mira.

Nisemi derisa në vesh, dhe pavetëdijshëm jehon edhe një nga perlat napolitane që na i zbuloi Pavarotti: “Torna a Surriento” (Kthehu në Surriento/Sorrento).

Ka diçka këtu që të bën të mendosh se ia vlen të kthehesh ndonjë ditë.

Madhësia e limonëve sa e kokosit

Lini

Distanca mes këtyre qyteteve është nja 15 kilometra, por të cilat bëhen shumë të gjata për shkak të rrugës gjarpërore, me shumë kthesa dhe shumë të rrezikshme nëse ngasja nuk bëhet me kujdes. Pas nja 40 minutash, arritëm.

Positano, dikur kishte qenë pushimore e perandorëve romakë. Pas shuarjes së tyre, ishte bërë një nga portet më të rëndësishme në atë pjesë të territorit. E mbajti këtë fuqi deri kah fillimi i shekullit 20, kur për shkak të ndërrimit të rutave tregtare, u reduktua në një fshat të thjeshtë peshkatarësh. E megjithatë, zgjoi kureshtjen e një njeriu, i cili shkroi për të në “New York Times”. Steinbeck ishte mahnitur me larminë e fasadave të shtëpive: – shumë ngjyra që i jepnin jetë një vendbanimi me rrugë tejet të ngushta, me pak hapësirë parkimi dhe shtëpitë si të varura nëpër kodra.

Është absolutisht mbresëlënëse kur e kupton se ngrehinat, u bënë pa përdorimin e asnjë mekanizmi të rëndë dhe kryesisht me kulme të rrafshëta, ndikim i morëve (berberëve dhe arabëve).

Thuhej se arsyeja kryesore se pse fasadat lyheshin kryesisht me katër ngjyra, të kuqe, rozë, të verdhë, e portokalli ishte për t’ua lehtësuar peshkatarëve kthimin nga deti, se shtëpitë me këto ngjyra shërbenin si një lloj udhërrëfyesi. Gjithashtu thuhej se këto ngjyra i “dëbojnë’” rrezet e diellit dhe i mbajnë shtëpitë e freskëta në muajt e nxehtë të verës.

Për vite të tërë, kartolinat me fotot e qytezës plot ngjyra kanë qenë ftesë për vizitë. Por, ajo çka gjen tash, dëshpëron jo pak: koloriti thuajse është zhdukur dhe tash dominon ngjyra e bardhë. Thonë se është më ekonomike dhe kthimi në tradicionale. Mund të jetë, por kartolinat megjithatë janë më të bukura.

Via San Cesareo”, rruga kryesore në Sorrento
Pamje panoramike e Positanos, në qendër Kisha e Shën Mërisë

Qyteza është e vogël dhe ka nja 4 mijë banorë. Por numri ditor i turistëve e shumëfishon këtë numër. Aq, sa për të arritur te plazhi, është sikur të futesh në rend të gjatë për blerjen e një diçkaje të rrallë.

Pika më e veçantë e qytezës është, pa dyshim, Chiesa di Santa Maria Assunta (Kisha e Shën Mërisë së ngritur në qiell), e ndërtuar në shekullin 10 dhe e cila dallohet për nga kupola e mbuluar me majolikë disangjyrëshe.

Prej oborrit të kishës janë një mori shkallësh që çojnë rrugicës së ngushtë deri në plazh. Është një plazh i madh, i ndarë, pjesa më e madhe e të cilit është nën menaxhim privat, kurse një pjesë më e vogël e hapur për publikun. Plazhi është i mbuluar me gurë ngjyrë të hirtë në të zezë – “relikte” nga aktiviteti shekullor i Vezuvit – është gur vullkanik.

Bri plazhit janë edhe baret e restorantet – dhe qejfi “për ta pirë një te deti”, e ka çmimin e vet: asnjëra pije, pos kafesë, nën 15€.

Por, s’ishte ai vend për të pirë kafe 😊.

Positano nuk i ka limonët e Sorrentos, por e ka zanatin e modelimit, qepjes dhe ngjyrosjes së linit, që kryesisht importohet. E gjithë ajo që ofrohet në shitje këtu, është e punuar me dorë, porse një këmishë krahëshkurtër shitet mbi 100€, se mos të flasim për ndonjë fustan që e kalon edhe 300 euroshin.

Dhe arsyet kryesore se përse çmimet janë kaq të larta në këtë vend janë dy: sezoni i pushimeve zgjat nja gjysmë viti dhe mandej qyteza “vdes” si dhe, ajo që është më me rëndësi, këtu kryesisht pushojnë njerëz të kamur nga Evropa dhe Amerika. Vetë prania e tyre i ka ngritur çmimet.

Vizita përfundon brenda orës – mjaftueshëm sa për “t’i hipur këmbëve” e për t’u ngjitur kodrës e për të mbërritur te pompa e vetme e karburanteve në këtë vendbanim – aty afër gjendet parkingu. Ora e parkingut bënte 10€. Dhe ky ishte çmimi jashtë sezonit.

Gomari

Prej Positanos u nisëm rrugës së vetme që çon në Amalfi. Është e asfaltuar, por e ndërtuar në skaj të shkëmbit. Është rrugë e ngushtë, tamam sa për dy vetura dhe jo rrallë duhet ndalur e kthyer pak në rikverc ashtu që të realizohet harku në kthesë. Nëse këtë manovrim detyrohej ta bënte kombibusi, imagjinoni çfarë ndodh me autobusët standardë me mbi 50 ulëse. Dhe sado që pamja e detit dhe natyrës është impresive, rruga nuk është fort e këndshme, sidomos jo për ata që turbullohen në veturë.

Pamje e Positanos nga parkingu lart në kodër

Rruga është nja 17 kilometra e gjatë, por na merr gati nja 50 minuta për të arritur te vendi. Por rrugës, na ofrohet një pamje fantastike: njihet si Fiordo di Furore (Fjordi i tërbimit), një rrip i ngushtë, i gjatë dhe i thellë deti që çan tokën mes dy shkëmbinjve të lartë e të thepisur.

Ndalemi mbi urën që i lidh dy anët e kanionit dhe pos ujit kristal të pastër, dallojmë edhe shtëpitë e peshkatarëve të ngujuara nëpër shkëmbinj. Pamja është fantastike, por nuk ka kohë për t’i zbritur, po nja 200 shkallë, për t’i futur këmbët në det. Mbas shumë kthesash më në fund arritëm në Amalfi. Parkimi i përkohshëm lejohet te limani. Prej aty, kemi një orë e gjysmë për të mbërritur për të parë bile diçka. Edhe pse më butë sesa në Positano, megjithatë pjerrtësia pengon për të arritur te objektet lart në kodër e për të pasur pamje më të mirë të asaj që është Amalfi sot.

Pamje e Positanos – shikimi nga plazhi

Në të kaluarën ka qenë superfuqi – një nga katër republikat e mëdha detare italiane, krahas Venedikut, Gjenovës dhe Pizës. Për dy shekuj (10 dhe 11) kishte qenë kryeqytet i Dukatës së Amalfit që kishte kontrollin mbi rrugët tregtare të Mesdheut, sipas Kodit të vet detar, që quhej Tavole Amalfitane, që përdorej në të gjithë Mesdheun me shekuj.

Posa hymë në rrugën kryesore të pjesës së mbyllur për qarkullim veturash, “u takuam” me ndërtesën më madhështore të Amalfit: “Duomo di Sant’Andrea” (Katedralja e Shën Andreut) një objekt shumë i madh, me një arkitekturë unike dhe me shumë, shumë shkallë. Objekt nisi të ndërtohet në shekullin 10 dhe ka ndikim të fortë arab në strukturën dhe pamjen e vet. Pamjen aktuale të fasadës e ka marrë në shekullin 19.

Ndërtimi mbresëlënës në Positano – pamja nga kisha
Dyqan suvenirësh në Positano – qeramika prodhohet në vend
Fjordi i tërbimit

Për dallim nga qytezat e tjera, Amalfi i ka pesë plazhe, prej të cilave më e afërta është ajo bri parkingut ku u ndalëm me të arritur. Njësoj si në Positano, plazhi është me gurë të hirtë në të zezë, pra vullkanikë, i shtrirë e i përhapur me kohën.

Çmimi i shtretërve dhe çadrave janë më të ulëta sesa në Positano mes 35 e 50€ për person (në Positano, varësisht nga plazhi, shkon edhe deri në 200€ për person në ditë) kurse karakteristikë tjetër është se ditët e plazhit janë të shkurtra, sepse dielli ik shpejt pas kodrave të larta përreth.

Por asnjëra nga këto qyteza nuk do të bëheshin kjo çfarë janë sot, po të mos ishin gomarët – bartësit kryesorë të të gjithë materialit ndërtimor që shërbeu për të gjithë ndërtimin në to. Prandaj nuk është e rastësishme që në Amalfi, një nga fontanat kryesore i kushtohet mu këtyre shtazëve – Fontana De Cape ’e Ciucci (Koka e gomarit, në gjuhën e vendit) është njëri nga atraksionet kryesore aty.

Amalfi – pamja nga stacioni i autobusëve
Kodrat e bëjnë ditën e plazhit të shkurtër në Amalfi

Por, gomarët do të merrnin edhe një tjetër kuptim falë turizmit – dikur simbol i vuajtjes së fshatarëve të varfër, tashmë janë shndërruar në simbol të fatit të mirë prandaj edhe artizanët prodhojnë shumë suvenire me pamjen e tyre në pjata e figura porcelani. E dyqane suveniresh, me gjithë sapunët prodhuar edhe me limon dhe që kanë formë të limonëve janë të shpërndarë gjithandej. Sikurse edhe ëmbëltoret.

Janë dy që veçohen në qendër: “Pansa”, më e vjetra, e themeluar si biznes familjar më 1830 ka zënë të jetë më e famshmja, por është edhe ajo tjetra, të cilën e zgjodhëm, “Savoia” me traditë njëqindvjeçare. Prej shumë ëmbëlsirave të punuara me dorë, unë e zgjodha, e besoj më të mirën: “Coda d'Aragosta al limone (pra, “bishti i karavidhes mbushur me krem limoni”). Përcjellë nga një espresso (espressoja në Itali është një – të shikojnë si të kishe rënë prej Marsit nëse e kërkon një “deri n’gjys’” a “70-she”) ishte forma më e bukur për ta përmbyllur shtegtimin nëpër bregdetin amalfitan – nëse për asgjë, sa për të kuptuar se çka është ajo që e bën këtë vend kaq atraktiv për pasanikët që jetojnë aty dhe për turistët kureshtarë që kryesisht takohen me atë që nuk mund ta gjejnë në vendet prej nga vijnë.

Rruga kryesore në Amalfi
Rrugë karakteristike anësore në Amalfi
Duomo di Sant’Andrea (katedralja e Shën Andreut) në Amalfi

Vezuvi dhe historia e futur nën dhé

Nga Napoli nuk bën të largohesh pa e parë Pompeiin, e nëse ke kohë edhe Herkulaneumin. Këto ishin dy nga katër vendbanimet më të mëdha të epokës romake që u shkatërruan nga shpërthimi katastrofat i vullkanit në vitin 79 të erës sonë.

Pamja e Vezuvit pak para perëndimit të diellit

Për të kursyer kohë, zgjidhja më e mirë, sërish, është të rezervohet një aranzhman me transport, biletë hyrëse dhe me ciceron për nja 25€ për person – sepse ajo që është gërmuar deri tash është e shtrirë në rreth 40 hektarë tokë.

Edhe nja 20 hektarë mbesin të pagërmuara dhe do të marrë shumë kohë që e gjitha të zbulohet, natyrisht nëse ky do të jetë qëllimi i Ministrisë së Kulturës.

Dyqan tipik prodhimesh vendore e suveniresh 

Ah, edhe para se të niseni, merrni ujë me vete – një shishe ujë (50ml) në Pompeii bën 2€. Dhe, provojeni ‘sfogliatellan” (sfoliatela), ëmbëlsirën mbase më të famshme të kësaj treve. E ka formën e guaskës së detit, brumi i të cilit punohet me shumë shtresa të holla dhe që mbushet me krem të ëmbël vaniljeje, djathë rikota, bollgur dhe lëkurë portokalli. Gjithsesi ia vlen!

Dyqan tipik prodhimesh vendore e suveniresh 

* * *

Arrijmë shpejt në destinacion. Pompeii është 25 kilometra larg Napolit, dhe deri aty mbërrihet nëpërmjet autostradës e cila në varësi se sa është e ngarkuar, kalohet për maksimum 30 minuta.

Te porta na pret udhërrëfyesja – një grua energjike dhe me sens humori. Na paralajmëron se shtegtimi nuk do të jetë i lehtë: ka shumë njerëz në kompleks dhe rrugët janë të shtruara me gurë të mëdhenj vullkanikë, që nuk janë përherë të kalueshme pa ndonjë rrëshqitje a zënie thua.

Suveniret e vendit – dominojnë limonët dhe specat e kuq

Na jepen pajisjet për ta dëgjuar rrëfimin e saj – porse shpesh e humbim, porsa largohet pak nga grupi, ose porsa mbetesh pak mbrapa duke bërë foto. E foto mund t’i bësh një milion.

Nga ajo marrim vesh se qyteti kishte qenë i rrethuar me mure mbrojtëse në qark prej nja 3 kilometrash; që qyteti i ka pasur 8 porta kryesore edhe minimum nja një duzinë kullash vrojtuese dhe se llogaritej t’i ketë pasur më së paku 10 mijë banorë. Numër, thuhej, i cili rritej verës, ngase patricët e senatorët i kishin pasur vilat e pushimit aty.

Suveniret e vendit – dominojnë limonët dhe specat e kuq
Forumi në Pompeii me Vezuvin prapa

* * *

Sipas hartës të cilën na e japin në hyrje të kompleksit, dhe të cilën na thonë ta ndajmë nga dy veta, shihet se qyteti ka qenë i ndarë në 9 mëhalla, për të mos i quajtur “regioni”.

Pra, pos që shërbente si pushimore e të pasurve, Pompeii kishte qenë qendër tregtimi me vaj ulliri, verë dhe një produkt autokton: salcën e peshkut të njohur si “garum”.

Rrugët ishin të gjitha të shtruara dhe trotuare të ngritura. Qyteti kishte pasur akueduktin të shtrirë në të gjithë qytetin, por të padukshëm si në vende të tjera ku është ndërtuar me harqe dhe mbi tokë: ky sistem është shtrirë nën tokë dhe ka siguruar ujë edhe për banjat publike.

Forumi në Popmeii – qendra politike, tregtare e kulturore 

Nga ana tjetër, jeta sociale do të ketë qenë shumë e pasur – sepse ka pasur së paku tri teatro dhe një amfiteatër për të cilin thuhet se kishte kapacitetin për 20 mijë njerëz. Dhe ky, për dallim nga Koloseumi i Romës, nuk shihet si ngrehinë: është i ndërtuar nën nivelin e rrugëve, nja gjashtë metra thellë. Por, pjesa më impozante e qytetit është Forumi – qendra e gjithë aktivitetit politik, tregtar, fetar e çka mos, rrethuar nga tempuj, tregje dhe ndërtesa të pushtetit.

* * *

Pompeiit gjithsesi do të duhej kushtuar një seri shkrimesh, sepse ka shumë histori e detaje që nuk mund të përmbyllen në një reportazh si ky. Por megjithatë, tri janë gjërat që do t’i veçoj me këtë rast, e tjerat do t’i lë për ndonjëherë tjetër.

Garnizoni i Pompeiit

Gjëja e parë, është sistemi i kanalizimit ka qenë shumë specifik dhe nuk ka qenë nëntokësor. Duke shfrytëzuar nga pjerrtësia e rrugëve, romakët ideuan që ujërat e zeza dhe mbeturinat të rridhnin në mes të rrugës dhe që falë rrjedhës dhe shirave, uji të mbërrinte deri te deti. Trotuaret ishin të ngritura dhe për ta mundësuar kalimin nga njëra anë në tjetrën, pa u ndyrë nga ujërat e zeza, në rrugë ishin vendosur “gurët e kalimit”, në gjerësi dhe lartësi të mjaftueshme, për të mundësuar edhe kalimin e qerreve nëpër ato rrugë.

Gurët në rrugë që mundësojnë kalimin nga trotuari në trotuar – Pompeii
Guri vullkanik i shtruar në rrugë – Pompeii

E dyta, e rëndë dhe abuzuese janë shtëpitë publike apo “lupanaret” (nga “lupa” – apo ulkonjë në shqip) që ishin, me gjasë, të kudondodhshme. Një nga to quhet “Lupanare Grande”, objekti më së miri i ruajtur. Është dykatësh, i mbushur me ndarje të vogla dhe shtretër nga guri, dekoruar me murale erotike, që në njëfarë forme paraqisnin edhe “menynë” e shërbimeve. Ato që detyroheshin të punonin aty kryesisht kanë qenë skllave.

E fundit – procesi i gjatë, shumëshekullor i zbulimit të qytetit të mbuluar nga hiri dhe gurët e Vezuvit.

Qyteti u gjet rastësisht nga një inxhinier italian në shekullin 16. Në shekullin e 18-të, pas zbulimit aksidental të Herkulaneumit, i cili për dallim nga Pompeii ishte mbuluar me lavë, mbreti Carlos i Borbonëve urdhëroi të niseshin gërmimet e asaj që besohej se mund të ishte qyteti i vjetër romak.

“Kallëpet” e viktimave të Vezuvit në Pompei, “rikthyer në formë” me gips

Nën pushtetin e kësaj dinastie, gërmimet vazhduan një shekull, kurse revolucioni i vërtetë ndodhi me bashkimin e Italisë. Atëherë në krye të gërmimeve u emërua një arkeolog italian, Giuseppe Fiorelli, i cili vendosi që të gjitha zbulimet të mbesnin në vend dhe i cili e zbuloi mënyrën e nxjerrjes së viktimave që u mbytën nga hiri i nxehtë vullkanik. Me kalimin e kohës, trupat ishin dekompozuar, por eshtrat kishin mbetur të mbuluar thuajse me çimento. Fiorelli kërkoi që “gavrat e mbetura” mes hirit dhe tokës, të mbusheshin me gips të lëngshëm. Rezultati ishte krijimi i “kallëpeve” të trupave të viktimave ashtu siç i ka mbuluar dhe mbytur hiri – ose në lëvizje, ose me trupin e mbledhur ose në përqafim. Dhe duhet kujtuar se kjo metodë u zbatua andej nga viti 1865.

Shtëpi patricësh – Pompeii
Odeoni ose teatri i vogël në Pompeii
Sfogliatella – ëmbëlsira tipike e jugut italian

* * *

Do t’i kemi bërë më shumë se 5 kilometra ecje gjatë tri orëve të qëndrimit në Pompeii – mbase të pamjaftueshme për të marrë gjithë ato informata dhe për të parafytyruar se si ka qenë jeta andej nga fillimi i erës sonë.

Por megjithatë të mjaftueshme për të kuptuar, për kushedi të satën herë, se gjërat nuk nisin me ne dhe sa më shumë marrim vesh për epokat dhe vendet e tjera, aq më të pasur bëhemi.

U kthyem në Napoli. Na priste treni për në Romë për edhe një përjetim.

[email protected]

Pjesa e parë e reportazhit: