Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bullgaria me rebelim bën histori në “Eurovisionin” jubilar e të trazuar

Dara me “Bangaranga” e ka çuar për herë të parë trofeun e “Eurovisionit” në Bullgari

Dara me “Bangaranga” e ka çuar për herë të parë trofeun e “Eurovisionit” në Bullgari

Foto: Associated Press

E gjatë ka qenë nata finale e “Eurovisionit” jubilar e të trazuar politikisht për shkak të lejimit të pjesëmarrjes së Izraelit, por votat e publikut njësoj si ato të jurisë, të shtunën mbrëma, ia kanë dhënë trofeun Bullgarisë. “Bangaranga” nga artistja Dara është një këngë për rebelim pozitiv. Shteti bullgar ka bërë histori duke e fituar për herë të parë Garën Evropiane të Këngës teksa me 516 pikë ka lënë prapa Izraelin. Shqipëria me “Nân” është renditur e 13-ta

Kënga “Bangaranga” nga artistja Dara e ka fituar edicionin e 70-të të Garës Evropiane të Këngës. Kënga është kombinim i ritmeve energjike elektronike, elementeve dance-pop dhe motiveve folklorike bullgare, duke sjellë atmosferë shpërthyese e moderne. Sipas vetë këngëtares, ajo simbolizon forcën e brendshme e rebelimin pozitiv. Vetë titulli i saj nënkupton rebelim. Fitorja e saj i sjell histori Bullgarisë duke shënuar fitoren e parë të vendit në këtë garë e që rrjedhimisht e bën atë edhe nikoqir në edicionin e radhës.

Kënga është e shkruar nga vetë Dara, një prej emrave më të njohur të pop-skenës moderne në Bullgari. “Bangaranga” u zgjodh përmes festivalit kombëtar “Natsionalna Selektsiya”, ku fitoi bindshëm si nga juria ashtu edhe nga publiku bullgar. Kënga është shkruar nga vetë këngëtarja së bashku me Anne Judith Wik, Cristian Tarcea dhe producentin e njohur Dimitris Kontopoulos. Performanca e saj në skenë ka qenë me shumë elemente koreografike, drita neon dhe energji klubesh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bullgaria debutoi në “Eurovision” në vitin 2005 dhe deri më tash ka marrë pjesë 16 herë. Rezultati më i mirë i saj ka qenë vendi i dytë në vitin 2017 me këngën “Beautiful Mess”, interpretuar nga Kristian Kostov. Me “Bangaranga”, Bullgaria u rikthye në garë pas disa vitesh mungesë.

Me gjithsej 516 pikë, Bullgaria ka lënë prapa Izraelin me 343 pikë dhe Rumaninë në vendin e tretë me 296 pikë. 

Shqipëria është renditur e 13-ta në listën e rezultateve të sivjetme të “Eurovisionit”. Ajo i ka dhënë 12 pikët e saj për Italinë ndërsa pikët maksimale i ka marrë nga juria e Portugalisë. Ka marrë 85 pikë nga publiku. Mali i Zi ia ka dhënë 10 pikë i cili pikët e veta maksimale ia dha Serbisë.

Mënyra e votimit sivjet ka qenë me nga një juri të secilit nga 35 vendet pjesëmarrëse në “Eurovision” që vendos gjysmën e rezultatit. Vetëm pikët maksimale janë shpallur me gojë. Votat e publikut janë shpallur nga prezantuesit pas votave të shteteve duke filluar nga vendi me më pak pikë nga juritë.

12 pikët e para i ka marrë Ukraina nga Zvicra ndërsa shteti nikoqir, Austria, i ka dhënë pikët maksimale për Poloninë. Prezantuesi i Izraelit ka thënë me ironi se e di se kush do të fitojë, para se të shpallë 12 pikët e shtetit të tij për Australinë.

Bullgaria ka kryesuar para votave të publikut me 204 pikët e jurisë dhe është pasuar nga Australia me 165 pikë dhe Danimarka me 165 pikë. Austria ka pasur vetëm një pikë, e fundit në tabelë, sikurse edhe Mbretëria e Bashkuar. Nga publiku, nikoqirja e ngjarjes ka marrë vetëm 5 pikë ndërsa Mbretëria e Bashkuar asnjë, sikurse edhe Gjermania e Belgjika.

25 vende kanë konkurruar për trofeun dhe njëkohësisht për nderimin e organizimit të “Eurovision Song Contest” të vitit të ardhshëm. E ngjarja ka kulmuar të shtunën mbrëma me finalen katërorëshe me muzikë, performanca, argëtim e emocione.

Në finale, Shqipëria ka performuar e pesta sipas rendit të vendosur nga një short i transmetuesit austriak “Österreichischer Rundfunk (ORF)”.

Në mesin e kësaj gare të fortë, Shqipëria ka sjellë performancën që mbështetet më shumë te ndjenja sesa te spektakli vizual. “Nân” është ndërtuar si një rrëfim emocional, ku Alis Kallaçi ka sjellë interpretim të ndjerë, të përmbajtur dhe dramatik, duke e vendosur zërin dhe tekstin në qendër të performancës. Nostalgjia për të kaluarën, vetmia, pritja e nënës janë ndër elementet e “Nân”, kompozuar prej 23-vjeçarit Alis i cili ka shkruar edhe tekstin bashkë me Desara Gjinin. 

Me 145 pikë, Shqipëria me “Nân” kënduar nga Alis është renditur e 13-ta

Në pjesën e fundit të interpretimit të tij është shfaqur aktorja Rajmonda Bulku e veshur me elemente tradicionale duke portretizuar kështu gruan shqiptare. Me pak koreografi ka përmbledhur në një kujdesin e përkushtimin e një nëne për fëmijët e saj.

Programi u hap me një film të shkurtër që u kthye prapa në edicionin e kaluar dhe fitoren e JJ në Bazel. Varka e letrës e këngëtarit udhëton nga ky qytet për në Vjenë duke kaluar lumenj, rrugë, nëpër peizazhet austriake dhe përfundimisht në “Wiener Stadthalle” ku është zhvilluar Gara.

Aty “ORF Radio-Symphonieorchester Wien” ka performuar pjesën ikonike “The Queen of the Night” nga opera “The Magic Flute” duke prezantuar kulturën e lashtë muzikore austriake ndërsa më pas në skenë shfaqet JJ për të performuar këngën e tij të re “Unknown” e cila qe përfshirë edhe në natën e dytë gjysmëfinale të ngjarjes.

Ai është rikthyer në skenë edhe me këngën fituese të edicionit të kaluar “Wasted love” pasi është interpretuar kënga e Maltës e cila ka qenë e dhjeta me radhë.

Ndryshe nga gjysmëfinalet, shikuesit kanë mundur të votojnë këngën e tyre të preferuar që nga fillimi i mbrëmjes. Pas këngës së shtatë me radhë, e që ka qenë Ukraina, është shfaqur sërish “Professor Eurovision” me të cilën publiku njihet edhe nga gjysmëfinalja. Në këtë “ligjëratë” është shpalosur historia e “Eurovisionit” si dhe këngët më të suksesshme të gjitha kohërave, pjesëmarrëse në këtë organizim. Përzgjedhja është bërë bazuar në shifrat e transmetimeve e shitjeve.

Konkursi për fëmijë “Junior Eurovision” është prezantuar gjithashtu. Pas këngës së 15-të, ajo e Francës, prezantuesit kanë përmendur se edicioni i sivjetmë do të mbahet këtë tetor në Maltë. Është shfaqur edhe kënga fituese “Ce Monde” nga Lou Deleuze. “Eurovision Asia” është risia e sivjetme e cila do të mbahet në Bangkok në muajin nëntor.

Në kuadër të programit është shfaqur një video-material nga qyteti i Vjenës si dhe ngjarjet e aktivitetet që zhvillohen gjatë javës kur mbahet “Eurovision”. Aty janë vullnetarët, ngjarjet shtesë e tapeti i kuq.

Përfaqësues të shteteve të ndryshme interpretojnë këngë ikonike që kanë mbetur në kujtesë të këtij organizimi. Kasti përbëhet nga Lordi i Finlandës më 2006 kur edhe fitoi edicionin, Alexander Rybak i cili dy herë përfaqësoi Norvegjinë, më 2009 dhe 2018 dhe në të parin fitoi, Ruslana e cila përfaqësoi Ukrainën më 2004 dhe fitoi atë vit, po nga ky edicion në skenën e ngjarjes në Austri vjen edhe Max Mutzke nga Gjermania, përfaqësuesi i Bullgarisë Kristian Kostov më 2017 si dhe Erika Vikman e Finlandës dhe Miriana Conte e Maltës nga viti i kaluar.

Kanë interpretuar këngë si “Ne partez pas sans moi” nga Celine Dion e cila përfaqësoi Zvicrën më 1988, “All Kinds of Everything” nga Dana e Irlandës, kënga fituese e vitit 1970, hitin “Espresso Macchiato” nga Tommy Cash i Estonisë vitin e kaluar, këngën elektrizuese “Cha Cha Cha” të Käärijä që prezantoi Finlandën më 2023, “Rim Tim Tagi Dim” nga Baby Lasagna që prezantoi Kroacinë më 2024 e “Papa Pingouin” të Sophie e Magaly të Luksemburgut më 1980.

Janë interpretuar gjithashtu “Arcade” nga Duncan Laurence i Holandës që e fitoi “Eurovisionin” e 2019-s, duke shkuar te fituesi i 1976-s – “Save Your Kisses for Me” e Mbretërisë së Bashkuar, kënduar nga bendi “Brotherhood of Man”, “Eurphoria” nga Loreen e Suedisë e cila fitoi më 2012 e “Waterloo” nga ABBA e Suedisë që fitoi edicionin e vitit 1974. Ky kolazh u mbyll me ikoniken “Nel blu dipinto di blu” nga italiani Domenico Modugno që e bëri shtetin e tij fitues të “Eurovisionit” më 1958.

Muzikë elektronike ka sjellë producenti e DJ austriak, Parov Stelar që konsiderohet si një prej pionierëve të zhanrit “electro swing”. Pas tij rikthehet pika e quajtur “Professor Eurovision” duke vazhduar me historinë e ngjarjes që sivjet shënon traditë 70-vjeçare të organizimit.

Atmosfera e këngës fituese të Austrisë – “Rise like a phoenix” nga Conchita Wurst, fituese e 2014-s – vjen duke ilustruar të gjithë fituesit e “Eurovision”.

Dhjetë finalistët e parë –  Izraeli, Greqia, Finlanda, Belgjika, Suedia, Moldavia, Serbia, Kroacia, Lituania dhe Polonia –  u zgjodhën të martën. Të enjten në natën e dytë gjysmëfinale, pos Shqipërisë, u kualifikuan edhe Bullgaria, Ukraina, Norvegjia, Australia, Rumania, Malta, Qipro, Danimarka dhe Çekia, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Austrinë dhe Gjermaninë që janë kualifikuar automatikisht.

Edicionin e sivjetmë e kanë prezantuar Victoria Swarovski dhe Michael Ostroëski. E para ka qenë e veshur nga kreacionet e Valdrin Sahitit dhe Drenusha Xharrës.

Edicioni i kaluar i garës evropiane të këngës u mbajt në Bazel të Zvicrës ku triumfoi JJ me këngën “Wasted love” duke lënë prapa Izraelin e Estoninë.

Shqipëria me “Zjerm” të “Shkodrës elektronike” ishte shndërruar në hit dhe pati marrë 173 pikë nga publiku duke u renditur e teta. 

Edhe pse “Eurovisioni” u themelua si një lloj “shërimi” nga luftërat, më 1956, ngjarja që supozohet të organizohet për bashkim, dashuri e paqe, siç në çdo edicion përsëritet, Izraeli që ka pushtuar Gazën vazhdon të marrë pjesë. Ndërkohë, që nga edicioni i vitit 2022, i mohohet e drejta e pjesëmarrjes Federatës Ruse. Unioni i Transmetuesve Evropianë pati vendosur sanksione kundër shtetit rus për shkak të luftës që Rusia po bënte në Ukrainë.

Transmetuesit publikë dëshironin ta ndalonin Izraelin nga “Eurovisioni” dhe kërcënuan me bojkotim të garës muzikore për shkak të luftës në Gazë. Disa madje akuzuan qeverinë izraelite për ndikim të padrejtë në rezultatet përmes një fushate masive votimi.

Një hulumtim i së përditshmes “The New York Times” zbuloi një fushatë të mirorganizuar nga qeveria e kryeministrit, Benjamin Netanyahu, e cila e përdori “Eurovisionin” si një mjet të “Soft Power” (fuqisë së butë), si dhe një organizator të fshehtë të garës që nuk ishte i përgatitur për të reaguar.

Përderisa festivali zakonisht argëtues u kthye në një betejë simbolike mbi çështjet e Lindjes së Mesme dhe të drejtave të njeriut, “Eurovisioni” pati vështirësi të mbronte një nga parimet e tij kryesore: që politika nuk luan asnjë rol në këtë ngjarje.

Ani pse gara evropiane e këngës “Eurovision” – e cila që prej themelimit më 1956 kishte për synim të investonte mbi ndjenjën e bashkëjetesës paqësore evropiane – ka disa vjet prej kur kjo garë nuk ia del ta fuqizojë këtë mision dhe po kalon nëpër kriza identitare. Veçmas sivjet duke ngritur polemika mbi pjesëmarrjen e Izraelit që lidhur me ofensivën ushtarake izraelite në Gazë pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi.

Si protestë, Holanda, Irlanda, Islanda e Sllovenia kanë vendosur të mos marrin pjesë. Disa prej këtyre transmetuesve shtetërorë paraprakisht kanë bërë me dije se transmetimin e “Eurovision” do ta zëvendësojnë me filma palestinezë. Transmetuesi slloven RTV ka bërë me dije se “në vend të cirkut të ‘Eurovisionit’, programi televiziv kombëtar do të ngjyroset nga seriali tematik ‘Zërat e Palestinës’”. RTE e Irlandës e RTVE e Spanjës të enjten kanë transmetuar programet e tyre, ndërsa transmetuesit publikë në Holandë dhe Islandë e kanë transmetuar Garën, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk merr pjesë.

E, “Eurovision” konsiderohet festivali muzikor më i madh dhe më jetëgjatë në botë. Fillimisht nisi si një eksperiment teknik në transmetimet televizive. Organizatorët donin të shihnin nëse mund të mbanin një transmetim të drejtpërdrejtë, të njëkohshëm, transkombëtar në të gjithë Evropën. Gara e parë u mbajt më 24 maj 1956 dhe morën pjesë vetëm shtatë vende: Holanda, Zvicra, Belgjika, Gjermania, Franca, Luksemburgu dhe Italia.

Në vitin 2015, libri i rekordeve botërore “Guinness” e njohu “Eurovisionin” si Garën Vjetore të Muzikës Televizive më jetëgjatë. Gara është anuluar vetëm një herë –  në vitin 2020 për shkak të pandemisë.

Irlanda dhe Suedia mbajnë rekordin për numrin më të madh të fitoreve, me nga 7 tituj secila. Vetëm dy artistë në histori të ngjarjes kanë arritur të fitojnë “Eurovisionin” dy herë si interpretues: irlandezi Johnny Logan (në vitet 1980 dhe 1987) dhe suedezja Loreen (në vitet 2012 dhe 2023). Fituesi më i suksesshëm komercial në histori është grupi suedez ABBA, që pushtoi botën pas triumfit me këngën “Waterloo” në vitin 1974 ndërsa kënga më e ripërpunuar që ka dalë nga “Eurovision” është kënga italiane “Nel Blu Dipinto Di Blu”, e njohur si “Volare”. Është kënduar edhe nga yje si Frank Sinatra, David Bowie dhe Paul McCartney.

Austria dhe Norvegjia mbajnë rekordin negativ duke përfunduar me zero pikë në finale nga katër herë secila. Në total, Norvegjia ka dalë e fundit në tabelë 12 herë.

Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Në top-10, Shqipëria hyri edhe në vitin 2017, e përfaqësuar nga Lindita Halimi me këngën “World” e edhe vitin e kaluar qe renditur e teta me “Zjerm” nga Shkodra Elektronike. Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012. Në vitin 2022, shtetin e përfaqësoi Ronela Hajati me “Sekret”. Një vit më pas, Shqipëria me Albina Kelmendin dhe familjen e saj morën 76 pikë në total dhe u rendit e 22-ta. Në vitin 2024 me “Titan” të Besa Kokëdhima, Shqipëria nuk u kualifikua në finale.