Shtojca për Kulturë

Refuzimi i përkujtimit për të vrarët e Kosovës në Mal të Zi më 1999

Vendosja e luleve në Husaj në vendin e krimit (18 prill 1999)

Vendosja e luleve në Husaj në vendin e krimit (18 prill 1999)

Në mjediset e pakonsoliduara, sikurse është Mali i Zi, nuk është befasi që për çështje identike të përdoren standarde të dyfishta, që dëshmohet me veprimin nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Mediave, e cila miraton vendosjen e bustit të mitropolitit Amfillohije, ndërsa nga ana tjetër nuk i përgjigjet pozitivisht iniciativës së shqiptarëve për vendosjen e pllakës përkujtimore në vendin e krimit në Rozhajë ku janë vrarë 21 qytetarë shqiptarë nga Kosova nga armata jugosllave në prill të vitit 1999

Në nderim të 21 viktimave të shqiptarëve nga Kosova të cilët janë vrarë më 18 prill 1999 nga ushtria jugosllave në Husaj të Rozhajës, me rastin e 25-vjetorit të masakrës, nga familjaret e tyre dhe Komitetit malazias të juristëve për mbrojtje të të drejtave të njeriut në vitin 2024 me një kërkesë i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Mediave që në vendin e krimit të vendoset një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve, sipas procedurës e dispozitave ligjore.

Heshtje morale e politike

Por, në vend që një kërkesë e tillë të jetë formalitet në shërbim të drejtësisë në nderim të viktimave të pafajshme, nga Ministria e Kulturës dhe e Mediave kanë heshtur duke mos dhënë përgjigje.

Nuk ka dilemë se tejkalimi i afatit ligjor për të dhënë përgjigje, është dëshmi e sjelljes jo vetëm burokratike, por kemi të bëjmë me heshtjen morale e politike, nga vetë fakti se viktimat ishin qytetarë shqiptarë nga Kosova, ndërsa përgjegjës kanë qenë ushtarët e Armatës jugosllave. Dhe nga mungesa e lejes për vendosjen e pllakës përkujtimore ajo nuk është realizuar deri më tash, që është dëshmi e standardeve të dyfishta të institucioneve qeveritare kur janë në pyetje shqiptarët.

Cekim me këtë rast se kosovarët në cilësinë e refugjatëve ishin zhvendosur nga lufta në Kosovë për të gjetur shpëtim, por këtu gjetën vdekjen. Ndonëse ata shpëtuan nga terrori ushtarako-policor serb në Kosovë, këtu u vranë nga pjesëtarët e ushtrisë jugosllave (serbo-malazeze). Ndonëse ndaj këtij veprimi kriminal është zhvilluar një proces gjyqësor në Mal të Zi, por gjykata, të akuzuarit për këtë krim i ka shpallur të pafajshëm (2014), duke dëshmuar se nuk është në favor të drejtësisë, për të dënuar vrasësit e qytetarëve, të cilët ishin fajtorë vetëm se ishin të një kombi tjetër!

Mitropolitit Amfillohije monumenti në Kollashin

Nga ana tjetër opinioni është informuar se në saje të kërkesës nga Komuna e Kollashinit për ndërtimin e monumentit kushtuar mitropolitit Amfillohije, vendimin e ka propozuar Ministria e Kulturës dhe e Mediave, ndërsa miratimi është realizuar në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 18 shtator 2025. Ndërsa po ashtu bëhet me dije se një monument i tillë do të vendoset edhe në Berane.

Sindromi kundër shqiptarëve

Nuk ka dilemë se një qëndrim i tillë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe e Mediave është me prapavijë politike dhe dëshmi e qasjes së dyfishtë, sepse kur janë në pyetje shqiptarët, heshtet apo refuzohen kërkesat e tyre, nga del se këtu ende është i pranishëm sindromi kundër shqiptarëve edhe tash në pluralizëm pavarësisht se cila qeveri është në pushtet. Ndërsa rastet e dëshmuara deri më tash e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Heshtje nga ministrat shqiptarë

Në lidhje me mosmiratimin për vendosjen e pllakës përkujtimore në Rozhajë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe e Mediave, nuk kemi pasur rast të dëgjojmë se ka pasur ndonjë reagim nga ministrat shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi. Ndërsa kur është diskutuar në mbledhjen e Qeverisë për dhënien e pëlqimit për vendosjen e monumentit të mitropolitit Amfillohije në Kollashin, ministrat shqiptarë e ata boshnjakë bëhet me dije se nuk janë deklaruar nga del se kanë qenë kundër një vendimi të tillë.

Pavarësisht aktualitetin politik e shoqëror një qëndrim i tillë nuk është i mjaftueshëm sepse ka munguar reagimi publik për të njoftuar opinionin me pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë çështje, nga del se ishte vendim politik i shumicës aktuale parlamentare, që ka irrituar opinionin në Mal të Zi, sepse kemi të bëjmë me qasje të dyfishta, që është kundër parimeve demokratike në botën e qytetëruar.

Përfundim

Vendosja e pllakës përkujtimore kushtuar krimeve në Husaj të Rozhajës është çështje identitare e shqiptarëve si e drejtë e tyre autonome, ku çdo pushtet demokratik do ta mbështeste një veprim të tillë jo vetëm në mënyrë deklarative por edhe financiare, por fatkeqësisht pushteti aktual dëshmon se vuan nga sindromi antishqiptar edhe tash në pluralizëm. Vendosja e pllakës përkujtimore në vendin e krimit me emrat e viktimave nëse tash nuk është lejuar duhet të insistohet që ajo të vendoset më vonë, duke qenë dëshmi e krimit ndaj qytetarëve të pafajshëm nga Kosova.

tetor 2025