Dukuria e animozitetit kundër identitetit të shqiptarëve në Mal të Zi nuk është e panjohur, sepse si më parë në monizëm është e pranishme edhe në pluralizëm, ku rasti i fundit në Tuz dëshmon se disa individë të infektuar me virusin e albanofobisë, e kanë të vështirë ta pranojnë realitetin etnodemografik në Tuz e tërë Malësinë
Me rastin e festave të ndryshme në çdo qytet është bërë praktikë dekorimi i tyre me flamuj nga shërbimet e qeverisjes lokale. Vendosja e flamujve si shtetërorë e të pjesëtarëve të popujve që jetojnë në ato mjedise është e rregulluar me ligje të miratuara nga Kuvendi i Malit të Zi.
Por, në këtë aspekt individë të ndryshëm, në kundërshtim me etikën qytetare i kanë dhënë vetes autorizim për çështje që nuk janë kompetencë e tyre.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIncidenti në Tuz
Pikërisht në lidhje me këtë çështje mediat informuan se në prag të festimeve për Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, më 21 maj, në Tuz është shënuar një incident lidhur me vendosjen e flamujve në hapësirat publike. Sipas informacioneve nga terreni, disa ditë më parë një grup individësh nga Tuzi kanë vendosur flamujt e Malit të Zi në qendër të qytetit, në hapësira publike. Ndërkaq, kur autoritetet e Komunës së Tuzit kanë tentuar të vendosin flamujt zyrtarë, ashtu siç bëhet çdo vit, përfshirë edhe flamurin shqiptar krahas atij malazez, një grup individësh ka penguar vendosjen e tyre. Në vendngjarje kishte mbërritur edhe policia.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në opinionin publik dhe interpretime të ndryshme politike. Ngjarje të tilla kanë nxitur debat edhe më herët në Malësi. Kjo nuk konsiderohet hera e parë që individë vendas, shqiptarë të asimiluar, shfaqin kundërshtim ndaj pranisë së flamurit shqiptar në aktivitete publike në Tuz.
Çështja e tillë ndonëse mund të trajtohet e izoluar, ajo ka peshë të veçantë në raportet shoqërore në Malësi përkatësisht në Tuz, sepse kemi të bëjmë me veprime të cilat irritojnë qytetarët në këtë mjedis, që mund të ndikojnë ne raportet shoqërore.
Shqiptarët e asimiluar
Në saje të rrethanave shoqërore e politike në veriun e hapësirës etnogjeografike shqiptare, në të kaluarën, një numër i konsideruar i shqiptarëve janë përfshirë në procesin e asimilimit. Historikisht dihet se prej shekullit XVII, krahina e Kuçit e cila ishte e banuar me shqiptarët katolikë, filloi të asimilohet në aspektin fetar në ortodoks e më pas edhe në aspektin gjuhësor duke përfunduar me atë kombëtar. Një dukuri e tillë më pas i ka përfshirë shqiptarët edhe në krahinën e Plavë-Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Peshterit e të tjera.
Një dukuri e tillë në këto mjedise mori përmasa të mëdha pas viteve 1912/13 ku në saje të ndryshimeve të pushtetit, shqiptarët e përkatësisë fetare islame u asimiluan gjuhësisht e me të edhe në aspektin kombëtar. Se si ka evoluar përkatësia kombëtare në disfavor të shqiptarëve, dëshmohet nga regjistrimi i vitit 1908/09, ku në Rozhajë në këtë vit shqiptarë ishin 86.5 për qind, në Plavë 82.6 për qind dhe në Tuz 100 për qind. Por, nga ajo kohë situata ka ndryshuar në disfavor të shqiptarëve ku në të gjithë këto qytete duke përjashtuar Tuzin, shqiptarët u asimiluan në myslimanë sllavishtfolës e më pas në boshnjakë duke u bërë popullsi shumicë.
Por, procesi sociologjik i asimilimit të popullsisë shqiptare ka vijuar edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e sistemit socialist ku ideologjia komuniste në mënyrë perfide ka mbështetur asimilimin, ku të dhënat nga regjistrimet e popullsisë dhe kontaktet e drejtpërdrejta me këtë popullsi e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.
Individët albanofobë në Tuz
Nuk është befasi nëse themi se dukuria e albanofobisë në Malësi është e pranishme e atë në veçanti në Tuz, që deri më tash në opinion është manifestuar në disa raste. Siç duket kemi të bëjmë me një grup të individëve të cilët jetojnë jashtë realitetit shoqëror, duke harruar se jemi në pluralizëm, ku të gjithë qytetarët duhet të realizojnë në praktikë të drejtat e tyre qytetare e kombëtare. Dhe të tillët janë pjesëtarë të komunitetit sllavishtfolës me përkatësi fetare islame (myslimane) ndërsa për nga origjina janë shqiptarë të asimiluar. Por, rasti i paraqitjes së tyre në opinion nuk është i rastësishëm, sepse duke qenë afër pushtetit në të kaluarën, atyre u pengon çdo e arritur e shqiptarëve në Malësi e sidomos nga konstituimi i komunës së pavarur për territorin e Malësisë me seli në Tuz.
Origjina nuk mund të mohohet
Pasi territori i Malësisë është i vogël, njihen të gjithë pothuajse në detaje nga përkatësia familjare e fisnore dhe kjo është dëshmi e mjaftueshme për të përcaktuar origjinën e tyre. Ndonëse, është e drejtë e çdo individi të deklarohet sipas dëshirës së vet në aspektin kombëtar, gjuhësor e fetar, origjina nuk mund të mohohet dhe të shlyhet me gomë, sepse argumentet janë të qëndrueshme.
Individët e tillë në vend që të heshtin, duke dëshmuar tolerancë dhe kulturë qytetare, ata me veprimet e tyre dëshmojnë albanofobi që paraqet çështje për hulumtim të veçantë. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse atyre u pengon çdo gjë që ka të bëjë e identitetin shqiptar si komuna e pavarur e Malësisë, gjuha shqipe, emblema e re e klubit të Deçiqit dhe së fundmi edhe flamuri shqiptar.
Duke marrë parasysh se në Malësi, përkatësisht në komunën e Tuzit pushtetin lokal e kanë shqiptarët përmes subjekteve të tyre politike, incidentet e tilla mbesin njollë e individëve apo të sponsorëve të tyre të cilët pasi kanë humbur privilegjet nga e kaluara, tentojnë të prezantohen në opinion si shpëtimtarë të shtetit. Por, të arriturat e Komunës së Tuzit, janë dëshmi e punës dhe të funksionalitetit të qeverisjes lokale, në favor të të gjithë qytetarëve sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare.
Nuk ka dilemë se të asimiluarit janë specie e veçantë me komplekset e tyre, andaj me këtë kategori të qytetarëve nuk ia vlen të trajtohen çështjet identitare. Sepse çështjet e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Malësi si në tërë Malin e Zi, në viset e tyre autoktone janë ekskluzive të tyre e jo të të tjerëve, që janë definuar me kushtetutë e ligje, që janë në favor të barazisë qytetare e kombëtare në Mal të Zi, si mjedis specifik multinacional, multigjuhësor e multikulturor si asnjë vend tjetër në Evropën Juglindore.