Është një situatë e kufijshme, e cila, pasi që përmbys zakonshmërinë, motivon një sentiment, stimul, mendim të pazakontë e edhe të pakufishëm të marrë formë. Prandaj, për Kadri Metajn e zakonshëm, në kushte të jashtëzonshme që ngjarja e vdekjes së tij prodhoi, do të thoshim që për pesë vjet sa kam qenë student i tij, edhe për katër vjet sa i kam asistuar në disa lëndë, profesorin do ta mbaj në mend si artikulimi më i arrirë i përpjekjes intelektuale për vlerat perëndimore në të cilat, ai thellësisht besonte
Glorifikimi, haxhizmi, hiperbola janë figura të mbushura me stil, prapa së cilave, shpesh, ndërsa fshihemi, si për të adresuar një kompleks, ne kujtojmë ata që më nuk janë. – E ndoshta ngaqë realiteti nuk na mjafton, ajo lidhje fenomenale pjesë integrale e së cilës, vazhdimisht, jemi. Ne ndiejmë nevojën e një shkëputje, atij kapërcimi të rendit: kapërcimi të madh dhe kjo sikur për të ushqyer një perceptim dalëduarsh të një dimensionaliteti poetik – asgjëkundi, në dëlirin e hiçit. Pafundësinë e hiçit.
Po të thoshim se Kadri Metaj ishte njeri shumë i zakonshëm, ky predikat, në negacionin e vet do të thotë se ai nuk ishte shumë i jashtëzakonshëm. Çka do të thotë se do të ishim në pozicione logjike fare korrekte. Por, sigurisht, zakonshmëria nuk na mjafton, ndër të gjallë, ne, gjithnjë, priremi për më shumë. Kufishmëria e së zakonshmes së pakufishme, nëse parafrazojmë Jaspersin, psikologun dhe ekzistencialistin gjerman, – të cilin profesori e çmonte. Pra, është ajo zonë diskonfronte e ngjarjes si të tillë që, duke na shtyrë kah kufijshmëria, bën që të lindë filozofia: të lindë pyetja. – Vdekja është situatë kufitare e cila, po ashtu, bën të lindë pyetja. Është një situatë e kufijshme, e cila, pasi që përmbys zakonshmërinë, motivon një sentiment, stimul, mendim të pazakontë e edhe të pakufijshëm të marrë formë.
Prandaj, për Kadri Metajn e zakonshëm, në kushte të jashtëzonshme që ngjarja e vdekjes së tij prodhoi, do të thoshim që për pesë vjet sa kam qenë student i tij, edhe për katër vjet sa i kam asistuar në disa lëndë, profesorin do ta mbaj në mend si artikulimi më i arrirë i përpjekjes intelektuale për vlerat perëndimore në të cilat, ai, thellësisht besonte. Ndonëse vetë e kishte të konsumuar intelektualisht idenë se relativizmi gjithnjë fiton. – Për diskutimet e shpeshta të polaritetit të cilat shoqërinë tonë tashmë e karakterizojnë – po t’i thoshim: profesor, premisa e një mirëbesimi të palëkundur absolutist na çon në një kondicion dogmatist, ai do të ofendohej. Kjo, pasi, për aq thellë sa e njihte zhvillimin me perëndimin përgjatë gjithë shekullit XX, të tashmen dhe të kaluarën tonë, ai do të thoshte se demokracia dhe liberalizmi duheshin ushtruar si një imperativ. Të paktën, deri në shkallën tjetër të vetëdijes, te vetëdenoncimi retroaktiv i vlerave për shansin proaktiv të evoluimit shoqëror – pikëmbërritje kjo, për të cilën, ai linte të kuptohej që ne, si shoqëri, nuk ishim gati. Autonomia, pavarësia janë atribute të një subjekti të pastër, të një civiliteti që nxjerr kryet nga një sistem imun i vlerave, të cilin ai-subjekt tashmë e ka konsumuar. Andaj, kërkohet një stad analitik i subjektit të lirë për t’u vetëkundërvënë – një depërtueshmëri e subjektit e cila kërkon kohën e vet për t’u kultivuar.
Për këtë, leksionet e tij kishin referencë gjithnjë Lirinë dhe subjektivitetin njerëzor: “Ingjinieringun gradual-social” të Karl Popperit; “Liberalizmin dhe individualizmin” e Isiah Berlinit; “Klasicizmin e të drejtave njerëzore” të Locke, Rosseaus e Kantit e deri tek “Indiferentizimi ndaj motiveve të jashtme dhe radikalizmin subjektiv” të Sartre dhe Camus.
Ai i aktualizonte leximet e tij, i sintetizonte ato me ngjarje nga jeta e tij: përvojat e jashtme akademike, aktivizmi publik, përvojat e ndryshme jetësore, për çka, ndër të tjera, përmendej ndër studentë. Ai tregonte se si në Bologne kishte nxjerrë një këmishë me gjak, diku në fillimet e viteve 2000, në një tryezë-diskutimi mbi të drejtat e njeriut. Po t’i thoshe ...por profesor, dikush, diku, në front, ka dhënë jetën... mos po ju duket gjë, kush e di sa... Ai do të përgjigjej – sado që do të tingëllonte mospërfillës për shumëkënd, - shpejt dhe lehtë: “Po pra – dikush ka dhënë jetën; unë këtë kam bërë, kaq kam mundur të bëj”.
Ngaqë intelektuali nuk mund të heshtë, ai thoshte se kurdo që refuzonte, e bënte nga reaksioni, dhe jo indiferenca. Ai e dinte se, për nga përgjegjshmëria intelektuale dhe akademike të cilën e ndiente, indiferenca i falej vetëm bufit.
Edhe
Kadri Metaj – mendje e ndritur e dijes filozofike
Në lamtumirën e fundit, profesorin Kadri Metaj, e kujtojmë si njeri me individualitet të lartë, modest, studiues, njohës dhe ithtar i liberalizmit, kulturës franceze: estetikës dhe ekzistencializmit – mendësi kulturore dhe filozofike këto të cilat ai, si pakkush, i integronte në përditësimin e tij profesional dhe i kuronte me një stil dhe elegancë të jashtme e cila, sa të njoftojë retorikën e tij, lehtazi, do të të binte në sy.
Adieu, profesor!