Kulturë

Kadri Metaj – mendje e ndritur e dijes filozofike

Thoshte e citonte se “nuk ka esencë, por ka ekzistencë në kohë”. Të pakoha janë vepra dhe kontributi i tij. Në ditëvdekje, Kadri Metaj është vlerësuar si mendje e ndritur e mendimit kritik estetik e filozofik. Profesori e filozofi i shquar vdiq të premten, në moshën 69-vjeçare. Kolegë e bashkëpunëtorë të tij e kanë kujtuar si profesor model e me kulturë të lartë, frymëzues e udhëzues brezash

Kishte një tis aristokracie në ligjërim në katedër a në biseda joformale. I tillë qe si filozof e profesor. Nxiste përherë kureshtjen te të tjerët për mendimin filozofik, zbërthente hollë teoritë estetike, e mbi të gjitha ishte emblemë e elitës intelektuale të Kosovës. Peshonte mendimi i tij, qe filozof në kuptimin e plotë të fjalës, profesor pedant në sjellje e në mendim. Edhe kur fliste për ekzistencën, për vdekjen.

“Vdekja është ana tjetër e medaljes dhe njeriu është e vetmja qenie që e di se duhet të vdesë”, do të thoshte filozofi i shquar kosovar, Kadri Metaj, nja tre vjet më parë kur në studion e Kohavisonit fliste për ato që ishin pasione të tij: filozofia dhe libri. Dhe kjo ishte veç një pikë e oqeanit të tij të dijes. Atë, për mbi katër dekada, e përcolli te brezat pas tij duke formuar kuadro të reja në fushën e filozofisë. Thoshte e citonte se “nuk ka esencë, por ka ekzistencë në kohë”. Të pakoha janë vepra dhe kontributi i tij. Në ditëvdekje është vlerësuar si mendje e ndritur e mendimit kritik estetik e filozofik.

Kadri Metaj vdiq të premten. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja nëpërmjet një njoftimi. Ai ishte 69-vjeçar. Ishte një prej emrave më të shquar të estetëve shqiptarë, për shumë vjet profesor në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Lamtumira e fundit do t’i jepet të shtunën në orën 14:30, në varrezat e Prishtinës, në “Dragodan”.

I lindur në Kaliçan të Istogut më 1954, shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Istog, ndërsa studimet në katedrën filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977. Sipas biografisë së tij të botuar në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Metaj magjistraturën e mbaroi në Universitetin e Sarajevës. Në vitin shkollor 1981/1982 qëndroi për specializim në Universitetin e Sorbonës, Paris IV, në Francë.

“Në vitin 1987 doktoroi në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1979 zgjidhet asistent në degën filozofi-sociologji, kurse prej vitit 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë”, shkruhet në biografi. Ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës. Nga veprat e botuara veçohen: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003. Po ashtu përktheu disa vepra nga fusha e filozofisë dhe e estetikës.

Kolegë e bashkëpunëtorë të tij e kanë vlerësuar si edukues model e me kulturë të lartë. Filozof të pashoq.

Frymëzues e udhëzues për brezat

Departamenti i Filozofisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka shërbyer për 45 vjet, teksa ka shprehur ngushëllim, ka çmuar kontributin e madh të Kadri Metajt, në zhvillimin dhe avancimin e filozofisë e të mendimit filozofik.

“Si pedagog, prof. dr. Kadri Metaj ka ndihmuar dhe frymëzuar breza të tërë studentësh, duke i udhëzuar ata drejt njohurive filozofike dhe zhvillimit të mendimit kritik. Gjithashtu, ai ka lënë një ndikim të madh në filozofi, art, kulturë etj., përmes ligjërimeve, publikimeve dhe paraqitjeve të tij shkencore dhe kërkimeve të thelluara akademike”, thuhet në njoftimin mortor të Departamentit të Filozofisë të UP-së.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ngushëlluar familjen e filozofit të ndjerë, miqtë e kolegët e tij.

“Jam thellësisht e pikëlluar nga shuarja e filozofit e profesorit universitar, Kadri Metaj. Puna dhe kontributi i tij në sferën akademike do të mbeten testament dhe kujtim i përhershëm për të. Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Shoqatës së Filozofëve të Kosovës!”, janë fjalët e presidentes Osmani të cituara në faqen e Presidencës së Kosovës.

Profesori Valon Leci, shef i Departamentit të Filozofisë, ka thënë se vdekja e Kadri Metajt është humbje e madhe për mendimin filozofik dhe kulturor në Kosovë. Ka kujtuar kontributin e tij në arsim, edhe para luftës.

“Profesor Metaj ka qenë mendje e ndritur e filozofisë dhe mendimit kritik estetik e filozofik. Kontributi i tij ka qenë i madh ndër breza, shumë vjet si profesor i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, duke përfshirë edhe vitet e vështira para luftës, kur të ishe profesor universitar ka qenë sfiduese”, ka thënë Leci teksa ka theksuar veprimtarinë e filozofit Metaj në fushën e tij edhe në rrethana okupimi, në kohën kur intelektualët shqiptarë ishin në shënjestër.

“Profesor Metaj ka qenë i rrahur dhe i maltretuar brutalisht nga forcat policore, kështu që Kosova dhe Universiteti i Prishtinës kanë qenë me fat që e kanë pasur profesor Metajn profesor në këtë fushë, sikurse edhe studentët dhe ne kolegët e tij”, ka thënë ai. Profesor Leci ka qenë edhe student i profesor Metajt, në studimet bazike, të doktoratës e më vonë koleg. Dhe këto i ka cilësuar si privilegj.

“E kam pasur mentor në studimet e mia të doktoratës. Kam kaluar njëzet vjet me profesor Metajn si koleg të afërt”, ka thënë Leci.

Profesori Blerim Latifi e ka vlerësuar ndarjen nga jeta të Metajt si humbje të madhe për Fakultetin Filozofik e Universitetin e Prishtinës në përgjithësi.

“Profesor Kadriu ka qenë pjesë e këtij Fakulteti që nga periudhat e para të ekzistencës së tij dhe kontributi i tij është pa dyshim pjesë e rëndësishme e identitetit historik dhe aktual të këtij institucioni”, ka thënë Latifi, profesor në Fakultetin Filozofik.

Profesor me kulturë të lartë evropiane, model në arsim

Profesor Kristë Shtufi ka thënë se profesor Kadri Metaj ka nxjerrë gjenerata të tëra të të diplomuarve, magjistrave e të doktoruarve.

“Kadriu ka punuar me saktësi me të diplomuarit, duke u kujdesur për konsultime në shqyrtimin e temave të diplomës. Në komisionet për mbrojtjen e temave të diplomës, të cilat i kemi organizuar gati dy dekada bashkë, Kadriu ka qenë një prej diskutantëve më të zellshëm për temat e mbrojtura”, ka thënë Shtufi derisa e ka kujtuar Metajn si profesor me qasje analitike ndaj çështjeve të ndryshme.

“Në diskutimin e temave e kujtoj si një profesor me një qasje analitike ndaj problemeve, – bile shpeshherë i thosha si me shaka se është filozof analitik, edhe pse atij nuk i pëlqente, sepse e konsideronte veten më shumë në filozofinë kontinentale, por qasja ndaj problemeve gjithnjë ka qenë tipike profesionale analizuese në hollësi, një tipar ky i një profesionisti që punon në arsimin e lartë”, ka vlerësuar Shtufi derisa Kadri Metajt i është referuar si profesor me kulturë të lartë evropiane e model i punës edukativo-arsimore.

Në një përgjigje me shkrim ka listuar pikat që e definojnë rëndësinë e profesorit Kadri Metaj për departamentin e Filozofisë. Ka qenë bartës i shumë lëndëve kryesore filozofike, disa herë shef departamenti dhe kontribues shumëvjeçar që ka rezultuar në përcjelljen e gjeneratave nëpër krejt nivelet e arsimimit universitar.

Shtufi ka përmendur se profesor Metaj kishte bashkëpunime me filozofë jashtë vendit, veçmas me ata frankofonë, edhe duke qenë njohës i gjuhës frënge. Ka thënë se filozofë të njohur botërorë ishin të preferuarit e tij të fushës.

“Nga filozofët që ka parapëlqyer më së shumti nga fusha e filozofisë politike në dy dekadat që e njihja unë kanë qenë Karl Popper me qëndrimet e tij kundër totalitarizmit dhe John Rawls me nocionin e tij të drejtësisë si paanshmëri. Nga filozofët bashkëkohorë ka preferuar sidomos filozofin gjerman, Friedrich Niçen, dhe atë francez Zhan Pol Sartrin”, ka thënë Shtufi.

Veprimtar me vizion të pasur për të ardhmen

Veprat e teoritë e dy prej emrave – të Sartreit dhe Popperit – profesor Kadri Metaj i kishte zbërthyer edhe në emisionin “Codex” në KTV në vitin 2020. Për të parin do të vlerësonte se “gjithë realitetin e qenies e ndan në dy entitete: në qenien për vete dhe qenien në vete”. Thoshte se ngjarjet e shekullit XX filozofin francez e kishin sjellë në përfundim se nuk ka esencë njerëzore, por njeri konkret që jeton në kohë.

“Ideja e tij është që pasi ta bëjë këtë lloj diference, shpjegimi në tri të katërtën e librit merret me problemin e hiçit, me qenien për vete, që është njeriu. Një qenie në mungesë, që nuk është e plotë, një zgavër në qenie. Vjen në pyetje raporti i kësaj qenieje me kohën. Kohën e merr si faktor të rëndësishëm për ta shpjeguar hiçin, përkatësisht ndikimin e faktorit kohë në bërjen e modalitetit ‘hiç’”, do të thoshte filozofi i shquar, Kadri Metaj.

Vlerësonte se “nuk ka esencë, por ka ekzistencë në kohë. Ka njeri konkret i cili merr qëndrim në kohë, në kohë ndërton veten e tij”. Dhe ai e ndërtonte veten e tij prej filozofi. Në ekstremin tjetër, kohën e definonte edhe për shndërrimin në “hiç”, në zhbërje të qenies. Shkurt e definonte edhe çështjen e jetës.

“Ekzistenca njerëzore ndodh në përditshmëri. Nuk ka jetë në kuptimin abstrakt të fjalës, por jeta është shumë konkrete në gjithçka që ndodh. Kjo është jeta”, do të thoshte filozofi Metaj.

Ajo e profesor Metajt qe jetë e tërë për dije.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, ka thënë se filozofi e profesori i ndjerë do të mbahet mend si një prej figurave më të rëndësishme të filozofisë në vend e në skenën ndërkombëtare.

“Kontributi i tij si profesor në punën e tij me studentë ka qenë shumë i çmuar, duke qenë i afërt me ta, i përpiktë dhe shumë profesional në punën e tij dhe shumë i organizuar në procesin e mësimdhënies. Po ashtu, kolegët e kujtojnë profesorin Kadri Metaj si shumë kolegial, i komunikueshëm dhe me kontribute të rëndësishme në punën universitare si para luftës ashtu edhe pas çlirimit”, ka thënë Bërxulli.

Profesori Bujar Dugolli ka thënë se kontributi i Metajt në fushën e arsimit dhe shkencës ka lënë gjurmë në komunitetin akademik shqiptar.

“Puna e tij në Departamentin e Filozofisë, në Fakultetin Filozofik të universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, la gjumë të pashlyera për breza të tërë studentësh, që patën fatin të ishin studentë të tij. Veprimtaria e tij në fushën e arsimit dhe kontributi në avancimin e dijes bënë që profesori Kadri Metaj të jetë një ndër intelektualët e shquar të vendit. Me ndarjen e tij nga jeta, humbëm jo vetëm një profesor të shquar, por gjithashtu edhe një veprimtar me një vizion të pasur për të ardhmen”, ka shkruar Dugolli në rrjetin Facebook.

Shoqata e Filozofëve të Kosovës e ka konsideruar humbje të madhe vdekjen e figurës së shquar në fushën e filozofisë si boshllëk për studentët, kolegët, komunitetin filozofik e akademik.

“Prof. Metaj, si një nga profesorët me të shquar të Universitetit të Prishtinës ka shërbyer në fushën e filozofisë me pasion e përkushtim për rreth 45 vjet. Kontributi i profesorit Metaj ka qenë i pashoq, sidomos në zhvillimin e mendimit filozofik në Kosovë dhe më gjerë. Ai ka dhënë kontributin e tij edhe në universitetet e rajonit, si ai i Tiranës dhe Tetovës”, thuhet në reagimin e Shoqatës për vdekjen e filozofit e profesorit, Kadri Metaj.