Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Mësova se duhej të heshtja, dhe kjo ndodhi në kufirin serb”

Jehona Kicaj

Kur ndokush më pyet se nga vij me origjinë, do të doja t’i përgjigjesha: vij nga një vend i shkatërruar. Kam lindur në një shtëpi që u dogj. Kam dëgjuar ninulla në një gjuhë të shtypur (Foto: jehonakicaj.com)

“Shumë herët mësova se duhej të heshtja, dhe kjo ndodhi sapo arritëm në kufirin serb. Gjuha amtare mund të të vinte në rrezik nëse e flisje në vendin e gabuar. Sapo u shfaq tabela e parë që paralajmëronte kufirin, e ndalëm muzikën dhe i fshehëm të gjitha kasetat shqipe nën ulëset e makinës. Nuk thamë asgjë. Heshtëm shumë para se roja kufitare të bënte shenjë që të hapnim dritaren. Vetëm im atë foli me të... Në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i pashë për herë të parë prindërit e mi të poshtëroheshin”

Kur zgjohem, ndiej një spirrë në gojë. Që, në fakt, të krijon më shumë përshtypjen e një guraleci. E pështyj në lavaman dhe shoh: është një copë e vogël dhëmbi. Teksa shikoj kafshimin tim në pasqyrë, vërej se pothuajse të gjithë dhëmbët kanë boshllëqe ose skaje të konsumuara. Çdo mëngjes zgjohem me dhimbje në nyjat e nofullës dhe në qafë; nuk arrij ta hap gojën pa ndier një kërcitje të fortë. Dhe në këto çaste duket sikur po thyhen kocka.

Ndërkohë që ia demonstroj kërcitjen dentistit, ai vë gishtat nën mollëzën time dhe më shikon seriozisht. – Ju vuani nga bruksizmi, – thotë ai. – Kur kërcëlloni dhëmbët, muskujt tuaj kontraktohen në mënyrë ritmike, dhëmbët e sipërm shtypen fort në të poshtmit dhe lëvizjet kërcëlluese të nofullës së poshtme çojnë në gërryerje, domethënë, në dëmtim dhe konsumim të dhëmbëve. Edhe një herë, ju lutem. Çdo kërcitje të fortë, asistentja e re dentare e shoqëron me një grimasë. – Arsyeja për këtë zhurmë të çuditshme është dëmtimi i rëndë i ligamenteve të kapsulës artikulare. Disku i vogël artikular normalisht lëviz bashkë me kokën artikulare temporomandibulare gjatë lëvizjeve të gojës. Megjithatë, për shkak të kërcëllitjes së dhëmbëve, pozicioni fiziologjik i diskut artikular ka pësuar një ndryshim patologjik. Kjo shkakton atë që ndryshe quhet dislokim i diskut.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Doktor Ludvigu hesht për një çast. – Në rastin më të keq, diku pas dhjetë vjetësh, nuk do të arrini të përtypni ose të flisni pa ndier dhimbje, sepse, me kalimin e kohës, disku artikular do të jetë shkatërruar tashmë plotësisht. Dhe kur kjo të ndodhë, nuk do të mbetet më kurrgjë mes kokës artikulare dhe gropës artikulare, dhe kockat do të fërkohen me njëra-tjetrën. – Ai ia atribuon këtë gjendje stresit dhe më pyet nëse këto ditë ndihem më e ngarkuar se zakonisht. Unë them: – Ka mundësi, – dhe i premtoj se do të bëj ushtrime relaksimi para se të fle. I ngul sytë lart në tavanin e zbrazët dhe pyes veten nëse duhet të ndiej frikë apo lehtësim teksa imagjinoj atë çast kur s’do të jem më në gjendje të flas. Ai merr provat për një aparat ndihmues në përmirësimin e kafshimit dhe më thotë që të vij pas dy javësh.

Në shtëpi, i shtyp gishtat tregues në zgavrat poshtë veshëve derisa dhimbja më përhapet në tëmtha. Do të kisha dashur t’i thosha: kohët e fundit kam lexuar diku se goja mund të konceptohet si një burg. “Dhëmbët janë rojat e armatosura të gojës”, shkruhej aty, “këtu është jashtëzakonisht ngushtë; është arketipi i të gjitha burgjeve”. Do të kisha dashur t’i thosha se i kam mbajtur fjalët rob për shumë kohë dhe tani është tepër vonë.

Eliasi më tha një herë: – Ti mendon gjithmonë gjerë e gjatë para se të flasësh.

Por, në fakt, e vërteta duhet të jetë kjo: unë e bluaj çdo fjalë para se të flas.

– Mënyra se si e flet gjermanishten është mbresëlënëse. Të jep përshtypjen e një folëseje profesioniste. Toni yt, pushimet e tua, artikulimi yt preciz, mënyra se si i thekson disa fjalë të caktuara, më sjell në mendje zërat e sinkronizuar të personazheve femra të filmave të animuar, – më tha Eliasi në njërën nga shëtitjet tona të para. Dhe unë menjëherë e pyeta se çfarë nënkuptonte me këtë. – Epo, mënyra e të folurit të çdokujt është disi unike dhe e pangatërrueshme. Ka lartësinë tonale, shpejtësinë dhe ritmin e vet. Dhe fjalë e fraza të caktuara përsëriten vazhdimisht. Por te ti, – ai u mendua për një moment dhe pastaj tha, – gjithçka tingëllon e përsosur.

Në komentin e tij të atypëratyshëm, dallova një të vërtetë për të cilën nuk kisha qenë kurrë e vetëdijshme. Pastaj i thashë se nuk e kisha mësuar gjermanishten përmes librave e fjalorëve shpjegues, por përmes televizorit. Kur isha e vogël, e kisha zakon të ulesha e vetme mbi qilimin e kuq me motive arabeske, me fytyrën vetëm pak centimetra larg ekranit të televizorit. Dhe kështu vëzhgoja me vëmendje shtrembërimet e gojëve që flisnin dhe përpiqesha t’i lidhja ato me tingujt që dilnin nga altoparlantët. Disa muaj më vonë, kur fillova kopshtin, i dëgjova tingujt që i njihja vagullt të dilnin tashmë nga gojë të vërteta. U mahnita, dhe kur më pyeti motra se si më dukej kjo, unë thjesht iu përgjigja: Kta po folin si ata n’televizor. Vazhdova ta shtrëngoja fort dorën e saj dhe nuk doja ta lëshoja.

Përballja ime e parë me gjuhën gjermane ka qenë përmes filmave vizatimorë dhe serialeve të animuara. Në këtë ndërveprim mes imazheve në lëvizje dhe zërave të alteruar, kam gjetur mënyrën për t’iu qasur kësaj hapësire të re gjuhësore. Duke parë dhe dëgjuar me vëmendje.

– Gjuha e huaj, – i thashë Eliasit, – si shprehje, mbart ambiguitet krahasuar me gjermanishten, pasi mund të përdoret njëkohësisht si për një gjuhë të huaj në aspektin linguistik, ashtu edhe për një gjuhë të huaj sa i përket organit të të folurit, dhe ndonjëherë ndihem sikur brenda meje këto gjuhë si organe shumëfishohen. Ndoshta kjo është arsyeja pse zëri im të tingëllon si i folëseve të sinkronizuara. – Nuk e pata në këtë kuptim, – tha Eliasi, duke tundur kokën. – Por unë jam e bindur për këtë, – thashë unë. Shqiptimi im është i paracaktuar përpara se të flas. Edhe sot, për mua të folurit është në thelb imitim; është thjesht një sekuencë e riorganizuar tingujsh nga ato çka kam dëgjuar ose lexuar më parë. Dhe ka raste kur pyes veten se sa shumë nga qenia ime gjendet në fjalët e mia, duke pasur parasysh se i kam mësuar ato nga figura të vizatuara në një ekran.

Shumë herët mësova se duhej të heshtja, dhe kjo ndodhi sapo arritëm në kufirin serb. Gjuha amtare mund të të vinte në rrezik nëse e flisje në vendin e gabuar. Sapo u shfaq tabela e parë që paralajmëronte kufirin, e ndalëm muzikën dhe i fshehëm të gjitha kasetat shqipe nën ulëset e makinës.

Nuk thamë asgjë. Heshtëm shumë para se roja kufitare të bënte shenjë që të hapnim dritaren. Vetëm im atë foli me të. Ai fliste rrjedhshëm serbisht; si shumë të tjerë të moshës së tij, e kishte mësuar këtë gjuhë fillimisht në shkollë dhe më vonë në ushtri. Nuk kuptova asnjë fjalë, por ndjeva pasigurinë në tonin e tij. Ai nuk u step për asnjë moment për t’iu përgjigjur pyetjeve të policit, por megjithatë dukej se i zgjidhte fjalët me kujdes. Pastaj toni ndryshoi krejt papritur dhe dallova njëfarë ashpërsie në zërin e tij. Sa herë që e mprihte tonin në atë mënyrë, sa herë që dëgjoja tingullin e ndryshuar, e dija se diçka do të ndodhte.

Më kujtohet mjaft mirë se si dridheshin duart e nënës sime kur baba i kërkoi që t’i jepte pasaportat, dhe paaftësia e saj për të hapur çantën e kuqe prej lëkure ku gjendeshin të gjitha dokumentet tona. Me kokën ulur, ajo ia zgjati atij çantën të pahapur. Më kujtohet mjaft mirë edhe vështrimi i ftohtë i rojës kufitare ndërsa na ngulte sytë nga lart përmes dritareve, dhe se si na u desh të gjithëve të zbrisnim dhe ta zbraznim makinën. Më kujtohet mjaft mirë edhe zhurma e fortë e vulës që vuri në pasaportat tona vetëm pasi kishim futur disa para mes tyre. Dhe madje as denjoi të na i jepte ato vetë, por i shtyu tutje sikur të mos kishin kurrfarë vlere.

Në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i pashë për herë të parë prindërit e mi të poshtëroheshin. Kjo përvojë në kufirin serb më përndjek edhe sot sa herë që duhet të kaloj nëpër një kontroll pasaportash.

Kur isha adoleshente dhe ndokush më pyeste nëse kisha qenë ndonjëherë në Berlin, gjithmonë përgjigjesha jo. Isha ende fëmijë kur shkuam për herë të parë në ambasadën serbe në Berlin për të rinovuar pasaportat. Pak pas luftës ndodhi kjo. E kaluam gjithë ditën në ambasadë. Në shkollë më kishin dhënë leje. Mbaj mend: isha aq e lodhur, saqë u shtriva në dysheme mes këpucëve të atyre që prisnin. Pas gjashtë orësh, na thirrën. E kam të qartë në kujtesë se sa ashpër e shqiptoi emrin tim nëpunësi serb. Uniforma e tij ishte e zezë. Pasaportat ishin në blu të errët dhe mbanin përmbi fjalët “Republic of Serbia” me shkronja të arta, madje edhe shumë vjet më vonë. Vendlindja ime në pasaportën dikur serbe ishte shkruar në serbishte. Edhe në të sotmen, në pasaportën time gjermane, ashtu është, në serbishte: Suva Reka në vend të Suharekë. Kisha pritur gjithë ditën e lume që të identifikohesha si serbe në mbrëmje. Këtë vizitë në Berlin nuk e llogarisja.

Kur ndokush më pyet se nga vij me origjinë, do të doja t’i përgjigjesha: vij nga një vend i shkatërruar. Kam lindur në një shtëpi që u dogj. Kam dëgjuar ninulla në një gjuhë të shtypur. Do të doja t’i përgjigjesha: origjina ime është në pafjalësi.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Fragment nga romani “ë” i Jehona Kicajt botuar në shqip nga “Pema”, përkthyer nga Orjela Stafasani. Ky fragment botohet me leje të botuesit.