Të gjithë kanë diçka për të thënë, por fare pak zell për të dëgjuar brengën e një fëmije. Ata i japin udhëzime, i tregojnë histori dhe këshilla, por nuk i ofrojnë ndihmë. Bota e tyre është e strukturuar nga zakonet dhe rutina, në kontrast me botën e fëmijës, që është e hapur dhe e ndjeshme ndaj tjetrit. Megjithatë, Kiarostami nuk i gjykon të rriturit; ai vetëm vë në dukje, pa moralizim, kufizimet e tyre
“Flisni vetëm kur ju flas”, u thotë ai njomakëve, teksa nis të kontrollojë detyrat e shtëpisë. Mohammedi, shoku i bankës së Ahmedit, ka bërë detyrat në një fletë dhe jo në fletore, që sjell qortimin e mësuesit, i cili kërkon me doemos pranimin e fajit. Mësuesi nuk është mizor, dhe përkundër lotëve të Mohammedit, ai nuk ka qëllim poshtërimin e tij, vetëm insiston të imponojë logjikën se si duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Fletorja është metodike dhe përfaqëson disiplinën që duhet të na shoqërojë kudo”, u thotë ai tetëvjeçarëve në klasë, duke e bërë të qartë se detyrat e bëra në një fletë të zakonshme, janë të papranueshme.
Kjo do të jetë vërejtja e fundit për Mohamedin dhe ndëshkimi do të jetë i garantuar në qoftë se përsëritet një gjë e tillë.
Kur Ahmedi kthehet në shtëpi, kupton që pahiri ka marrë fletoren e shokut të bankës, i cili pasi kishte marrë vërejtjen e fundit, do të ndëshkohet nesër. Ahmedi tenton t’ia shpjegojë hallin nënës së tij, e cila nuk e dëgjon, por insiston që ajo të dëgjohet. Bëj detyrat e tua. Bëj si të them. Përndryshe do të jetë Ahmedi ai që do të ndëshkohet.
Ahmedi nuk gjen qetësi duke e ditur se shoku i tij do të ndëshkohet. Sikleti për të kthyer fletoren e shokut buron nga një ndjenjë e pastër përgjegjësie ndaj tjetrit. Në një botë ku të rriturit tregohen indiferentë ndaj tij, ai nuk mund të jetë indiferent ndaj shokut që jeton në fshatin tjetër. Pas disa përpjekjeve dhe lutjeve ndaj nënës së tij, pa gjetur mirëkuptim, ai niset fshehurazi në një rrugëtim që e di se duhet ta bëjë vetë.
Për një tetëvjeçar, bota, që në këtë rast shtrihet përtej në një vend të panjohur, është e madhe dhe e frikshme. Frika i lexohet qartë në fytyrë, por ai e merr me vete dhe niset me vrap, duke ndjekur rrugën zigzag mbi kodër, në kërkim të një shtëpie që nuk e di se ku është. Është një zgjedhje e qartë morale: ai e di se mund të ndëshkohet vetë, por megjithatë, vendos ta vendosë tjetrin para vetes.
Gjatë rrugës, ai takon personazhe që mishërojnë botën e të rriturve. Të gjithë kanë diçka për të thënë, por fare pak zell për të dëgjuar brengën e një fëmije. Ata i japin udhëzime, i tregojnë histori dhe këshilla, por nuk i ofrojnë ndihmë. Bota e tyre është e strukturuar nga zakonet dhe rutina, në kontrast me botën e fëmijës, që është e hapur dhe e ndjeshme ndaj tjetrit.
Megjithatë, Kiarostami nuk i gjykon të rriturit; ai vetëm vë në dukje, pa moralizim, kufizimet e tyre. Ky model sjelljeje dhe disipline përsëritet brez pas brezi, siç ilustrohet përmes rrëfimit të gjyshit të Ahmedit, i cili kujton shuplakat e përjavshme nga i ati si mënyrë për ta mësuar të mos i përsëriste gabimet. Brenda këtij zinxhiri të trashëguar, ku rregulli mësohet përmes ndëshkimit, të bësh gjënë e duhur bëhet gjithnjë e më e vështirë, sa më shumë që rritesh dhe sa më shumë shuplaka që merr.
Forma e filmit është e bukur po aq sa thjeshtësia e përmbajtjes së tij. Koha rrjedh pa ndërprerje dramatike dhe ritmi është i qetë, pothuajse real. Kamera vetëm përcjell vrapin e Ahmedit, që vrapon në shpatin e malit të fshatit Poshteh, dhe rrugicat me gurë, pa e ditur se cila është shtëpia e shokut. Stili realist i aktrimit, me aktorë jo-profesionistë, që shpesh i afrohet dokumentarit, zhvillohet mbi një paletë të zbehtë, të dominuar nga e hirta. Përdorimi i aktorëve jo-profesionistë, një veçori e Kiarostamit, është në veti qëndrim i interpretimit, duke forcuar ndjesinë e të papërpunuarës dhe duke e bërë botën që duket më e vëzhguar, sesa e ndërtuar.
Vendi ku shpaloset ngjarja, ka një prani të fortë fizike. Shtëpitë prej balte, muret e vrazhda dhe rrugicat e ngushta që ngjiten e zbresin në terrenin kodrinor, krijojnë një ndjesi të theksuar ngurtësie. Gjithçka duket e vendosur prej kohësh, e ndërtuar shumë më herët dhe e paprekur nga ndryshimi.
Kjo qëndrueshmëri vizuale thyhet herë pas here nga lulet e vendosura para shtëpive. Ato sjellin ngjyrë, por edhe përfaqësojnë brishtësinë dhe kalimtaren. Janë të bukura, por nuk zgjasin. Ky kontrast mund të lexohet si një dallim mes botës së të rriturve, një bote rigjide të ndërtuar mbi rregulla dhe zakone, dhe një pranie tjetër, që filmi e mishëron përmes Ahmedit: e brishtë, por e lirë; e vogël në dukje, por me një agjenci të vetën. Megjithatë, ky kontrast nuk është i zhurmshëm dhe as konfliktual. Nuk ka përplasje të drejtpërdrejtë. Ai thjesht ekziston, në mënyrë të qetë dhe të vazhdueshme, si pjesë e vetë strukturës së botës që filmi vëzhgon.
Filmi nuk thekson asgjë me insistim dhe shmang çdo ekzagjerim. Në këtë qetësi qëndron edhe forca e tij. Ahmedi nuk vepron sipas si-duhet mësuar nga të tjerët, por sipas një pse-duhet që buron nga vetë ai. Në këtë gjest të thjeshtë dhe të vullnetshëm, filmi gjen formën e vet më të pastër të humanizmit.