Shtojca për Kulturë

“Gërrdia” e fshehtësisë së pashëruar që vret përditë

Skenë nga shfaqja “Gërrdia” me tekst dhe regji të Astrit Kabashit, e dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 19 janar të këtij viti

Skenë nga shfaqja “Gërrdia” me tekst dhe regji të Astrit Kabashit, e dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 19 janar të këtij viti

Astrit Kabashi me treshen e aktorëve, Teatrit Kombëtar të Kosovës i ka sjellë një produkt ku e kaluara merr peng të ardhmen e një individi e pak a shumë edhe të atyre që e rrethojnë. Por krejt kjo vjen nëpërmjet një loje ku bashkohen koncepti i qartë mbi dramën, mjeshtëria e vënies në skenë e zotësia e aktorëve për ta marrë barrën e interpretimit

Me krejt konvencialitetin teatror nga fillimi deri në fund, shfaqja s’është prej atyre që i lexohet epilogu qysh në minutat e para, siç ndodh jo rrallë kur regjisorët vendosin të qëndrojnë brenda strukturës së atij që është teatër tradicional. Fija që e shpëton leximin e fundit të dramës qysh në fillim është e hollë. Dhe, duket sikur regjisori për efekt dramatik sa e bën edhe më të hollë, shpejt këtë fije e kthen në diçka që s’kalohet.

Këtë Astrit Kabashi duket ta ketë menduar edhe kur e ka shkruar dramën “Gërrdia”. E mundësia – e pa kërkuar prej tij – për ta bërë regjinë e ka kompletuar krejtësisht vizionin dramatik të aktorit të prezantuar kësaj radhe për herë të parë në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dramaturg e regjisor.

Qysh në monologun e parë krejt në fillim të shfaqjes, Bujar Ahmeti që ka barrën e personazhit kryesor, paralajmëron se një alamet drame po zhvillohet përbrenda tij. Krisja e një arme është alarm se dikur do të ndodhë ose do të rrëfehet një tragjedi. Gjithçka zhvillohet në shtëpinë e një çifti që numëron nja dhjetë vjet së bashku. Aktori Bujar Ahmeti ka petkun e një mësimdhënësi historie përderisa bashkëshortja e tij, luajtur nga Maylinda Kosumoviq ka një studio projektimi. Relacioni i tyre duket normal edhe pse njëfarë tensioni kundërmon në ajër. Janë disa shenja të vogla që nxjerrin në pah krizën psikologjike të rolit kryesor të cilat në fillim vijnë si ngjyra të lehta dhe deri në fund lidhen mes vete duke e kapur të vërtetën për fyt.

Leka, siç mban emrin personazhi, është në hall të madh. Kthehet në shtëpi me sy të skuqur përderisa bashkëshortja e tij – pas një zhurme derisa Leka hyn brenda – përpiqet të lidhet me rrjetin e internetit. Ajo vëren qartë se ai ka sy të skuqur por kjo situatë tejkalohet megjithëse vërehet se ai ka qarë. Duket sikur përditshmëria e ka humbur goxha empatinë midis familjarëve për të shqyrtuar një gjendje emocionale. Njëjtë ngjan edhe kur Leka shkon për vizitë te mjekja, rol që luhet nga Rebeka Qena. Përderisa ai ka krizë dhe shpik histori se si i vogël, herë thotë t’i ketë shpëtuar një qengj në gropë septike, e herë thotë ta ketë hedhur dhe tash e sheh edhe ëndërr, si bashkëshortja edhe mjekja, mjaftohen me pyetjet: përse qan e perse nuk tregon se çfarë ke?

Premiera e parë e këtij viti kalendarik në TKK nxjerr në pah edhe mungesën e empatisë në familje e shoqëri për hallin e tjetrit. Sikurse askush s’ka kohë e as nerva ta trajtojë dikë që po luan mendsh. Ato pyetjet drejtuar inteligjencës artificiale apo ndonjë platforme tjetër se si duhet të sillesh me dikë që shpesh qan, janë ilustrimi më i mirë i mungesës së empatisë që shkon deri te kufijtë e njëfarë dehumanizimi. Shfaqja që vjen me “episode” strikte të cilat i lidh linja e rrëfimit – duke e bërë pak të ngarkuar sikurse është personazhi kryesor – ka përplot nënshtresa.

Lekën e ka mbërthyer vaji përballë nxënësve, disa e kanë xhiruar, tash e ka edhe frikën e shpërndarjes së videos. Drama e tij e brendshme është thuajse çdo ditë e më e papërballueshme. Bujar Ahmeti ia ka dalë ta reflektojë atë tejet mirë dhe pa fije patetizmi, përderisa dyshja Kosumoviq e Qena e plotësojnë mozaikun e rrëfimit. Me skenografi të Arben Shalës, kostumografi të Yllka Bradës dhe me muzikë të Memli Kelmendit, “Gërrdia” sjell përballjen e një individi me të bërat e tij të mëhershme. I vlon koka. Ka turp e s’ka më vullnet as të dalë para nxënësve dhe ligjërata e tij e historisë trajton gënjeshtra të shkruara nga dikush. Merr për bazë edhe rrëfimin e tij jetësor që ndërtohet mbi gënjeshtra. Pa e thënë këtë, nis të japë shenja se po fsheh diçka të madhe.

Një monolog i gjatë që shpërfaq krejt normat shoqërore me “mos-et” etike me të cilat njeriu rritet, tregon se atij i është mbushur kupa. “Mos i prej thonjtë natën, mos u bëj budall... e shumë ‘mos-e’” të tjera tregojnë për ngufatjen e njeriut shkaku i normave familjare e shoqërore. Krejt vijnë si dramë më vete, përderisa brenda tyre ka shkëndija që prekin satiriken, siç ka këso ngjyrash krejt shfaqja për të mos e bërë atë të njëtrajtshme.

Lekës i ka vdekur e ëma dhe i ati jeton diku tjetër. S’e ka pikën e vullnetit ta vizitojë atë dhe as që i përgjigjet kujdestares së tij. Madje s’ia hap telefonin askujt dhe i duket se krejt bota i ka borxh. Kjo ngjan të vijë nga fakti se bash askujt nuk i bëhet vonë se me çfarë po përballet ai dhe gjithsecili ka kërkesa për të.

Një tjetër monolog ku thotë se dënimi më i rëndë në ferr është se nëse ke vrarë dikë, atë do ta bësh çdo ditë, tregon qartë se fshehtësia e tij po e vret atë përditë dhe s’ka shpëtim.

Kur tragjedia del në pah, heshtja mbretëron. Kabashi s’ka dashur se kur të merret vesh se Leka ka vrarë motrën e tij duke e hedhur në gropë septike si i vogël, të ngjallë britma nga bashkëshortja e tij. Edhe këtu del në pah njëfarë humbjeje e empatisë. Por duket se regjisori ka dashur që pikërisht kësisoj t’i “trokitet” në kokë publikut duke ngacmuar ndërgjegjen e duke bërë me dije se shoqëria tashmë funksionon si e zhveshur nga ndjenja për hallet e tjetrit.

Leka rrëfen se e ëma e kishte zbuluar çfarë kishte ngjarë por i ati i tij – që tash s’mund ta shohë me sy – e kishte mbajtur fshehur atë që ka ngjarë pasi ishte bërë nga djali pas pesë vajzave. Edhe pse nuk thuhet, shpërfaqet mentaliteti se thjesht një vajzë ishte vrarë nga djali i vetëm. Por krejt kjo tash e vret Lekën nga dita në ditë.

Astrit Kabashi me treshen e aktorëve, TKK-së i ka sjellë një produkt ku e kaluara merr peng të ardhmen e një individi e pak a shumë edhe të atyre që e rrethojnë. Por krejt kjo vjen nëpërmjet një loje ku bashkohen koncepti i qartë mbi dramën, mjeshtëria e vënies në skenë e zotësia e aktorëve për ta marrë barrën e interpretimit. Bujar Ahmeti e ka barrën kryesore dhe është i zoti ta bartë atë. Bashkë me mesazhin se e bëma e dikurshme dhe fshehja e mostrajtimi i saj, kthehen si luftë e brendshme e shkatërruese, herët a vonë.