Shtojca e Kulturës e numrit të sotëm të KOHËS Ditore, vjen me numër special me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe “Gjuha shqipe sot“, i akademik Rexhep Ismajlit, është shkrimi në ballinën e Shtojcës i cili nis me pyetjen: “Ç’është gjuha shqipe sot?
“Shqipja standarde me burimet e saj nga gjuha e gjallë do selitur në frymën e përshtatjes së gjerë me nevojat e botës moderne, duke përthithur sa më shumë nga shprehja e saj e gjallë. Ajo, shprehja e gjallë, e përcakton hapësirën e lirisë shprehëse“, shkruan ndër të tjera akademik Ismajli.
“Ideologjia e preskriptivizmit – rasti i shqipes”, është titulli i punimi të Bardh Rugovës, i cili siç shkruan autori, ka për synim që, duke e pasur parasysh se preskriptivizmi është ideologji më vete, të hetojë ndikimin e tij në gjuhësinë shqiptare, si rast të veçantë studimi.
“Gjuha shqipe është një nga ato gjuhë që kanë një variant të standardizuar që shërben për komunikime formale. Është krijuar në një kohë kur a. shoqëria shqiptare ka qenë nën diktaturë, pra krejtësisht dogmatike dhe b. kur bota ka qenë shumë më konformiste se sot. Sidoqoftë, shqipja standarde është një variant i përpunuar e i kodifikuar i gjuhës së popullit shqiptar. Është variant që pritet të realizohet në domene formale përdorimi. Shqipja e njësuar letrare ka kaluar nëpër një shteg të gjatë e kompleks të zhvillimit të saj krahas proceseve të vendosjes së rregullave të drejtshkrimit që ka kulmuar me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972”, shkruan Rugova.
Në jubileun e Kongresit të Drejtshkrimit, KOHA risjell edhe një punim më të hershëm të akademik Idriz Ajetit (1917 – 2019) për rrugën e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë.
Në numrin e sotëm të “KOHA për kulturë”, mund të lexoni edhe artikullin bazuar në dokumentet sekrete të Sigurimit të Shtetit Shqiptar për Ibrahim Rugovën sikurse edhe tekste të tjera nga fusha e teatrit, muzikës dhe e artit.