Debatet se çfarë ngjau me shqipen më 1972 kur edhe u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit në Tiranë, nuk ndalen asnjëherë. Por del se ideologjia e ngufati gjuhën sikurse para Kongresit ashtu edhe pas tij. Në konferencën shkencore “Shqipja sot”, e mbajtur të enjten në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, është përsëritur konstatimi se një harmonizim apo planifikim i gjuhës duket tejet i nevojshëm në ditët e sotme
Se njëri dialekt është favorizuar në raport me tjetrin kur shqiptarët vendosen që gjuhë standarde të jetë ajo që përdorët, të paktën në letërsi dhe komunikimet zyrtare, tash e gjysmë shekulli, bien dakord pothuajse të gjithë gjuhëtarët. Një harmonizim apo planifikim i gjuhës duket tejet i nevojshëm në ditët e sotme. E shikuar nga prizmi i së ardhmes, kjo ndërhyrje del të jetë urgjente.
Debatet se çfarë ngjau me shqipen më 1972 kur edhe u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit në Tiranë, nuk ndalen asnjëherë. Por del se ideologjia e ngufati gjuhën sikurse para Kongresit ashtu edhe pas tij.
Në konferencën shkencore “Shqipja standarde sot” që është mbajtur të enjten në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkorganizim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, studiuesit e kanë vlerësuar lart kompromisin që kanë bërë gjuhëtarët këtu më 50 vjet më parë, por njëkohësisht kanë adresuar edhe sfidat e sotme të shqipes.
Kraja: Kombi ynë është komb gjuhësor, para së gjithash
Kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja në hapje të Konferencës ka thënë se shumica nga të pranishmit i takojnë gjeneratës së idealistëve, të cilët gjuhën letrare shqipe e kanë konsideruar dhe vazhdojnë ta konsiderojnë si më të madhen vlerë dhe e cila krijon njësinë kombëtare të unitetit dhe identitetit. “Kombi ynë është komb gjuhësor, para së gjithash”, ka thënë Kraja.
Sipas tij, ky idealizëm ka qenë i pranishëm gjerësisht në Kosovë dhe të paktë kanë qenë ata që gjuhën letrare shqipe nuk e kanë konsideruar si parashenjë jo aq e largët e një kombi të bashkuar.
Sipas tij, ishte ky një idealitet, që kushtëzoi për një kohë të gjatë entuziazmin e zbatimit të standardit në rrethana të vështira gjuhësore për Kosovën, kur gjuha shqipe ishte gjuhë e dytë, në një shtet që i diskriminonte gjerësisht folësit e saj.
“Natyrisht, vështirësitë me të cilat është përballur Kosova në zbatimin e standardit, vështirësitë shtesë kanë qenë të mëdha dhe kjo, herë pas here, e ka ndarë entuziazmin e orëve të para, prandaj ka qenë e natyrshme që të shfaqeshin dilema dhe skepticizma: po vihej në përdorim një gjuhë letrare, me të cilën Kosova nuk ishte familjarizuar ende”, ka thënë ai.
Në këtë rast, ka shtuar se ky lloj skepticizmi ndonjëherë shpërqendroi vëmendjen e folësve dhe të shkruesve të gjuhës, por edhe të gjuhëtarëve herë pas here, të cilët sikur i shpërndërruan kauzat, “e konsideruan më të rëndësishëm revidimin e standardit se vetë standardin; më të rëndësishme mbështetjen e ‘skizmës gjuhësore’ sesa vetë kodit që i referoheshin”.
Pos sipas tij, mund të ketë pasur dhe mund të ketë akoma përpjekje agresive për ta reviduar standardin, për ta përdorur faktin që toskërishtja është vendosur në bazë të standardit. Ka thënë se në Kosovë ka pasur dhe ka akoma shkrimtarë që nuk e kanë njohur në masën e mjaftueshme gjuhën letrare shqipe, siç ka në Shqipëri shkrimtarë, folës dhe shkrues publikë që e kanë skematizuar gjuhën letrare, duke e privuar atë nga abstraksioni dhe depërtimet meditative.
“Por kjo nuk ka qenë dhe nuk është as sot arsye që letërsia jonë shqipe të mos e çojë njësinë e gjuhës së unifikuar përtej skemës recidiviste të mohimit dhe refuzimit të ndërsjellë. Jemi popull i vogël dhe nuk bëjmë dot dy letërsi, dy gjuhë, pavarësisht se kemi arritur të bëjmë dy shtete. Nuk kemi pse ta bëjmë gjuhën dhe letërsinë po aq të vështirë, siç e bëjmë politikën dhe historinë e saj”, ka thënë akademik Kraja.
Gjinushi: Dy akademitë kanë për mision e përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi ka thënë se vetë rruga që përshkoi gjuha shqipe deri te njësimi flet për një bashkëpunim të ngushtë dhe pa paragjykime midis intelektualëve shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë. Sipas tij, vendimet që mori Kongresi i Drejtshkrimit u ngjizën në Prishtinë.
“Dhe kjo nuk është rastësi. Ashtu si kërkesa për pavarësi u ngjiz në Prizren dhe u shpall në Vlorë, edhe për njësimin e gjuhës shqipe vendimi u ngjiz në Prishtinë e u shpall në Tiranë, i parë ky si hap i parë drejt bashkimit e afrimit shqiptar”, ka thënë ai.
Sipas tij, gjuha letrare shqipe i ka dëshmuar tashmë tërë cilësitë e saj si funksione e si pasuri veçanërisht në periudhën e fundit, me hapjen që pati letërsia shqipe, sidomos në Shqipëri pas mbylljes ideologjike dhe në Kosovë pas diskriminimit e kufizimeve etnike në arsim e kulturë, kohë kur letërsia e gjuha u ballafaquan me gjithë gjuhët e mëdha, nëpërmjet veprave të shkrimtarëve.
“Norma letrare është përqafuar jo vetëm nga specialistët e fushës, por nga tërë gjeneratat e reja, gjatë arsimimit të tyre në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, ku shqiptarët mësojnë të shprehen e shkruajnë pa asnjë vështirësi në gjuhën e njësuar”, ka thënë Gjinushi. Sipas akademik Gjinushit, dy akademitë kanë për mision e përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.
“Mbarëvajtja e normës është detyrë e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, sepse gjuha është një qenie e gjallë, që zhvillohet, pasurohet, normësohet. Është detyrë e gjuhëtarëve t’i ndjekin këto procese e t’u dalin përpara tendencave për çmontim të gjuhës letrare, që janë të papranueshme, ndonëse e të pamundura jo vetëm shkencërisht, por edhe politikisht; ashtu sikurse dhe nga paprekshmëria, që krijon objektivisht refleksin e kundërt”, ka thënë Gjinushi. Sipas tij, kur flitet për mbrojtje është fjala për kërcënimin e gjuhës nga barbarizmat, nga ndikimet e gjuhëve të huaja e i teknologjisë së informacionit, nga humbja e gjuhës prej emigrantëve, probleme të cilat duhen përballuar, ndërkohë që gjuha mbetet faktor kryesor i identitetit shqiptar.
“Vetë proceset e globalizimit e të integrimit nxisin proceset njësuese, ne kemi zgjedhur rrugën e integrimit evropian, proces i cili fillon nga integrimi i vetë shqiptarëve, nga heqja e çdo kufiri shtetëror a gjuhësor midis tyre, pasi edhe sipas kërkesave e standardit të Bashkimit Evropian atje do të hyjmë me një gjuhë, me gjuhën e njësuar, gjuhën e integrimit evropian”, ka thënë Gjinushi.
Ismajli: Shqipja është horizonti i gjerë, ndërsa shqipja standarde është pjesë e këtij horizonti
Akademik Rexhep Ismajli në kumtesën “Gjuha shqipe sot” ka thënë se në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit bashkësia gjuhësore shqipe, me traditën e varianteve letrare, me shtresëzimet shoqërore, shtrihej në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë së izoluar me sistem rigjid të Lindjes dhe në Jugosllavinë po ashtu në një sistem socialist me kontroll politik-ideologjik e mbisundim të dukshëm të serbokroatishtes. Ka thënë se sot bashkësia e folësve të shqipes jeton kryesisht në sisteme demokratike me orientime vlerore liberale, në diasporë pjesërisht në sisteme autokratike.
“Por komunikimi midis folësve të kësaj bashkësie sot është më i madh se kurrë ndonjëherë në histori. Dallimet dhe ngjashmëritë midis varieteteve diatopike, diastratike e të tjera ndodhen në kontakte e ndërthurje gjithnjë e më të dendura”, ka thënë ai. Në këtë rast, ka shtuar se gjuha shqipe e përdorur sot në jetën publike nuk është krejt e njëjtë me shqipen e viteve ’60-’70 të shekullit të kaluar kur u bë standardizimi. Sipas tij, shqipja e njësuar letrare, shqipja standarde nuk mund të shihet si e ndarë nga shqipja letrare e mëhershme, përkundrazi, aty dalin mundësi e burime për të.
“Shqipja është horizonti i gjerë, ndërsa shqipja standarde është pjesë e këtij horizonti, sigurisht më e rëndësishmja, dhe është e tillë për shkak se i përthith lëngjet e veta në ato burime”, ka thënë ai. Për të, marrja e dhënia midis varieteteve të shqipes nuk e ka natyrën e huazimit, po është diçka brenda sferës së gjuhës shqipe. Ka thënë se kujdesi për gjuhën sot ndërlidhet me vlera si prestigji, moderniteti, demokracia, zhvillimi, gjithsesi jo me izolimin.
“Kemi nevojë që gjuhën ta trajtojmë si kulturë në tërë gjerësinë e manifestimeve të saj. Me i dhënë qytetarit një gjuhë sipas masës së tij, kjo, mendohet nga një dorë studiuesish, duhej të ishte synimi i standardizimit të vazhdueshëm”, ka thënë ai. Në vlerësimin e akademik Ismajlit, në dy-tri dekadat e fundit ka pasur zhvillime intensive të përdorimit të shqipes.
“Duken të nevojshme harmonizimet në shprehjet e jetës shoqërore sipas gjedheve eurokomunitare, jo vetëm për nevojat e integrimeve që po synojmë në të gjitha pjesët e bashkësisë së folësve të shqipes në Ballkan, po edhe më shumë për nevoja përafrimi midis hapësirave dhe përdorimeve të ndryshme të përgjithësuara gjatë shekullit të fundit atje ku shqipja është me funksione publike”, ka thënë ai. Kjo, sipas Ismajlit, mund të niste me shqyrtimin e përbashkët të harmonizimit me atë që merret si bazë e përbashkët, si “acquis communautaire”, për të kaluar më tej në rrafshe të tjera. “Integrimi në vete gjithsesi duhet t’i paraprijë ose së paku të shkojë paralelisht me integrimet globalizuese”, ka thënë ai.
Rugova: Ajo që ka ndodhur, ka qenë pastrim, por jo pasurim i gjuhës
Në kumtesën “Ideologjia e preskriptivizmit – rasti i shqipes” anëtari korrespodent i ASHAK-ut, Bardh Rugova, ka thënë se duke e pasur parasysh se preskriptivizmi është ideologji më vete, duhet hetuar ndikimin e tij në gjuhësinë shqiptare.
Duke u ndalur te nocionet e preskriptivizmit, ka përmendur dy terma që i ka quajtur të ndryshëm: “Ideologjinë e standardit, në një anë dhe ideologjinë e superioritetit gjuhësor në anën tjetër”.
Ka thënë se shqipja e njësuar letrare ka kaluar nëpër një shteg të gjatë e kompleks të zhvillimit të saj krahas proceseve të vendosjes së rregullave të drejtshkrimit që ka kulmuar me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972.
“Në Shqipëri, shqipja e njësuar letrare është sanksionuar me Vendimin nr. 50 ‘Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe’, të datës 8. 3. 1974, nënshkruar nga Mehmet Shehu”, ka thënë ai derisa ka cituar vendimin. Ka treguar se në vendim, në 7 pika, kërkohet zbatimi i detyrueshëm i normës dhe kërkohet ndihmë e institucioneve shkencore për këtë. Ka thënë se krahas kësaj, ndërhyrja në punën kërkimore të gjuhëtarëve u shpreh me vendimin nr. 82, “për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”. Ka cituar Androkli Kostallarin, Jani Thomain, Xhevat Lloshin e Emil Lafen të cilët kishin mbështetur vendimin e Shehut që ishte kryeministër.
“Shtojmë, po ashtu, siç kemi argumentuar më parë, se ajo që ka ndodhur, ka qenë pastrim, por jo pasurim i gjuhës. Gjuhësia preskriptive ka punuar në favor të varfërimit”, ka thënë ai. Ka thënë se siç dëshmon leximi i këtyre katër autorëve, këtu kishte një grup, i cili kishte një program dhe i cili e “kërkonte mbështetjen ‘e shkencës’, ndërsa ‘shkenca’ po i përgjigjej, duke preskriptuar receta për zbatimin e këtij program”.
Sipas tij, autoritetet e institucioneve që pritet të kryejnë veprimtari shkencore e studimore, u vunë nën urdhrat për zbatim të koncepteve të partisë për uniformitet dhe konformizëm, përfshirë uniformitetin gjuhësor. Ka thënë se synimi i uniformitetit gjuhësor ishte pjesë e mëtimeve për uniformitet të përgjithshëm shoqëror.
“Pasoja e kësaj mendësie janë, po ashtu, stigmatizimi i formave dialektore, rreziku i zhdukjes së të folmeve të ndryshme shqipe që do të dëmtonte ekologjinë gjuhësore, krijimi i pasigurisë gjuhësore dhe konservimi i një kodi të shkruar që mund të vijë në situatë të dallojë shumë nga gjuha e folur”, ka thënë Rugova.
Anëtari korrespodent i ASHAK-ut, Shkumbin Munishi, ka folur mbi nevojën e modernizimit të gjuhës shqipe. Sipas tij, shqipja ka nevojë që në kuadër të planifikimit të saj fokusi planifikimit të saj të jetë te modernizimi i shqipes.
“Ky dimension i planifikimit gjuhësor është mjeti i vetëm që do të ndihmonte në procesin e planifikimit të shqipes. Dimensioni i planifikimit e ka zanafillën qysh nga Rilindja Kombëtare”, ka thënë ai. Sipas Munishit, gjuha duhet të planifikohet në mënyrë që t’u përshtatet rrethanave shoqërore. Nevojën po ashtu e ka mbështetur edhe te përzgjedhja arbitrare e bazës dialektore të shqipes gjë për të cilën diskutohet tash e 50 vjet.
Studiues si Bahri Beci, Seit Mansaku, Ardian Doka, Elsa Skënderi, Tomorr Plangarica, e të tjerë po ashtu kanë shprehur pikëpamjet e tyre në kuadër të Konferencës që ka rrumbullakuar pesë dekadat e shqipes standarde.