Koncepte të traditës gramatikore mbi dymijëvjeçare të gramatikës tradicionale, koncepte krejtësisht aktuale të studimeve gramatikore të kohëve më të vona, të shkollave dhe të orien¬timeve të ndryshme, aktuale në studimet për strukturën e gjuhëve, janë përmbledhur në veprën “Leksikoni i termave të gramatikës”, të akademikëve Rexhep Ismajli e Bardh Rugova, bashkë me studiuesit Rrahman Paçarizi, Kadire Binaj, Bahri Koskoviku dhe Qëndresa Jakupi. Janë përfshirë rreth 1200 terma, e një vepër si kjo është cilësuar kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin e diskursit shkencor në gjuhën shqipe
Studimet për gjuhën shqipe janë pasuruar me një vepër të re shkencore: “Leksikoni i termave të gramatikës”. Si projekt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, libri është promovuar të mërkurën në ambientet e institucionit më të lartë shkencor në vend. Ky vëllim vjen si i treti me radhë pas leksikonëve të termave të shkencave të ligjërimit sikurse “Leksikoni i termave të fonetikës dhe fonologjisë” i Bardh Rugovës dhe “Leksikonit të termave të sociolinguistikës” në bashkautorësi të akademikëve Rexhep Ismajli, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi.
Vepra e re ka për autorë akademikët Ismajli e Rugova, bashkë me studiuesit Rrahman Paçarizi, Kadire Binaj, Bahri Koskoviku dhe Qëndresa Jakupi.
Akademik Rexhep Ismajli ka shpjeguar se në këtë leksikon janë përfshirë rreth 1200 terma, njësi, që janë shpjeguar në konceptimin e tyre nocionor, janë ekzemplifikuar me shembuj përkatës, sa më shpesh që ka qenë e mundshme nga gjuha shqipe, duke përfshirë tërësinë e hapësirave disiplinore të gramatikës në kuptimin e gjerë të fjalës.
“Janë përfshirë aty koncepte të tërë traditës gramatikore mbi dymijëvjeçare të gramatikës tradicionale, por edhe koncepte krejtësisht aktuale të studimeve gramatikore të kohëve më të vona, të shkollave dhe të orien¬timeve të ndryshme, aktuale në studimet për strukturën e gjuhëve”, ka thënë akademik Ismajli.
Ka shpjeguar se në tre vëllimet e deritashme janë trajtuar diçka më pak se 3 mijë terma të ndryshëm nga fushat e gjuhësisë, dije që ka historik mijëravjeçar dhe që ka përjetuar zhvillime sidomos të gjalla në dy shekujt e fundit. Ka sqaruar se në dy shekujt e fundit ka pasur zhvillime të gjera në dijet që merren me gjuhën, në shkallën që në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar jo një herë është shprehur vlerësimi se gjuhësia po bëhej shkenca e vërtetë ndër ato që quhen shkenca shoqërore, shkenca model për t’u ndjekur nga shkencat e tjera shoqërore, pikërisht në saje të rigorozitetit konceptual në periudhën e strukturalizmave dhe në raport me të quajturat shkenca të sakta.
“Konceptimin e vëllimit, përzgjedhjen e fjalësit dhe të njësive që do të trajtoheshin, e patëm parashtruar qysh në fillim, bashkë me dimensionet e trajtimit të çdo njësie dhe konceptin e paraqitjes së njësive duke shënuar në fund siglat e autorësisë, duke indikuar referimet e mëtejme bibliografike dhe duke dhënë referenca terminologjike në gjuhë me qarkullim ndërkombëtar, e kishim bërë tashmë rrugë të ndjekur te ‘Leksikoni i termave sociolinguistikës’”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, risia është se për realizimin e këtij qëllimi këtë herë u kërkua bashkëpunimi i një grupi më të gjerë bashkëpunëtorësh jashtë Seksionit të ASHAK-ut.
“Edhe me këtë rast jemi përpjekur që në hartimin e leksikonit të ndjekim një rrugë të matur lidhur me terminologjinë që do të përshtatnim dhe nevojat për të pasur sa më shumë brumë leksikor vendës”, ka thënë ai. Sipas akademik Ismajlit, në shumë raste të studimeve për gjendjen e sotme e kanë ndjerë nevojën për terma përkatës shqip, sidomos për konceptet që mund të mos jenë shfaqur më herët në veprimtaritë brenda kulturës sonë.
“Na është imponuar kujdesi i shtuar. Po jap një shembull. Termi ‘discorso’ në traditën shkrimore e më vonë gramatikore qysh nga Pjetër Bogdani e këndej në gjuhën shqipe jepet me fjalën vendëse ligjëratë: pjesët e ligjëratës, ligjëratë publike, etj. Kjo ndërlidhet me fjalën shqipe ligjërim (fr. langage). Në gjuhët romane vijonte tradita edhe pas zgjerimeve nocionore në fushat e diskutimeve të gjithmbarshme në dijet shoqërore, kuptohet edhe në anglishten me trashëgimi shumë të gjerë romane”, ka thënë ai. Këtë sqarim e ka çuar edhe më tej përderisa ka thënë se shtrirja konceptuale në fushat e gjera shoqërore, ashtu si denduria e përdorimit në studimet përkatëse, u bë baza për njëfarë ikjeje nga zgjerimi i përdorimit të termit vendës edhe në gjuhë të tjera. Sipas tij, aventurat terminologjike ndërlidhen me shumë aspekte të zhvillimeve shoqërore, kulturore, të dijes, e të tjera dhe kjo është edhe një arsye shtesë për të hartuar mjete të këtij lloji.
“Dua të theksoj me këtë rast se kemi ndeshur vështirësi dhe të natyrave të tjera, por jemi përpjekur t’i tejkalojmë ato me forcat tona, pa kërkuar as marrë mbështetje shtesë nga institucioni. Vështrimet ndonjëherë ndoshta me një si sens kritik për vonesat eventuale në afatet jemi përpjekur t’i marrim si nxitje, pa e kërkuar mbështetjen që e kishin projektet e ngjashme”, ka thënë ai. Sipas Ismajlit, realizimi i këtij projekti, gjithsesi, e bën edhe më të nevojshëm angazhimin në hartimin e të ngjashmëve në fushat e gjuhësisë historike-krahasuese, të studimeve krejt aktuale të diskursit, të studimeve të tekstit, e me këtë të retorikës, të disiplinave si psikolinguistika, etnolinguistika, filozofia e gjuhës, e të tjera, koncepte të të cilave gjejnë përdorim të gjerë në hapësirën e shqyrtimeve publike ndër ne.
“Vullneti dhe energjia e pak anëtarëve brenda Seksionit për gjithë këtë gjerësi zhvillimesh nuk duken të mjaftueshëm. Qysh tash ndihet nevoja e menaxhimit në frymën e kohës të aspekteve të ndryshme të vjeljes dhe të arkivimit jo të vdekur, por me synim të përdorimeve në ndërmarrjet që mund të vijnë. Nevojat për përkrahje të shumanshme të projekteve të ngjashme drejt një zhvillimi më premtues në të ardhmen flasin në të mirë të funksionalizimit të Qendrës Leksikografike-Enciklopedike të themeluar para shumë vje¬tësh, e cila mund të merrte përsipër shumë nga punët e domosdoshme për zhvillimin efikas të projekteve të kësaj natyre, gjithsesi shumë të nevojshme për kulturën dhe dijen tonë”, ka thënë ai.
Në cilësinë e recensentit, akademik Shkumbin Munishi ka thënë se ky vëllim përfaqëson një arritje të konsoliduar akademike e cila synon jo vetëm të sistemojë terminologjinë gramatikore në gjuhën shqipe por edhe ta vendosë atë në një kornizë teorike bashkëkohore të krahasueshme me traditat më të zhvilluara linguistike ndërkombëtare.
“Në këtë kuptim leksikoni nuk është një mjet ndihmës terminologjik por është një kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin e diskursit shkencor në gjuhën shqipe”, ka thënë ai. Sipas Munishit, autorët e kësaj vepre përfaqësojnë breza dhe profile të ndryshme të gjuhësisë shqiptare të bashkuar në këtë ndërmarrje të rëndësishme kërkimore dhe akademike. Sipas tij, ky pluralizëm autorësie i jep leksikonit një thellësi konceptuale dhe një ekuilibër metodologjik duke shmangur qasjen njëdimesionale dhe duke reflektuar pikëpamjet e brendshme të disiplinës.
“Përkufizimet dhe sqarimet e ofruara dëshmojnë një njohje të gjerë të literaturës shkencore dhe një vetëdije të qartë për traditën gramatikore në gjuhë shqipe”, ka thënë Munishi. Sipas tij, rëndësia e leksikonit para së gjithash qëndron në rolin e tij shpjegues dhe sqarues.