Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kongresi i Drejtshkrimit përballë nevojës për pasurimin e gjuhës

Shpetim Elezi - Seminari

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në nëntor të vitit 1972 në Tiranë, është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres u vendos për një gjuhë standarde shqipe e cila përdoret nga gjithë shqipfolësit. Që nga atëherë e deri në ditët e sotme, gjuha shqipe ka mbetur brenda po atij përcaktimi e po atyre rregullave.

Edhe tre muaj do të bëhen 50 vjet prej kur është mbajtur ky Kongres. Kështu, në nder të këtij 50-vjetori, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është organizuar një tryezë drejtuar nga dy profesorët e Departamentit të gjuhës shqipe, Haki Hysenaj dhe Shpëtim Elezi.

“Pesëdhjetë vjet në historinë e një populli dhe në kulturën e tij nuk janë shumë. Realiteti tregon se gjatë kësaj periudhe në gjeografinë shqiptare kanë ndodhur zhvillime të shumta politiko-shoqërore, përfshirë këtu edhe zhvillimet që kanë ndodhur në gjuhë. Këto zhvillime kanë tejkaluar kornizat e standardit të vitit 1972, prandaj sot kemi aq shumë debate për mënyrën e krijimit të këtij standardi, rishikimin dhe përmirësimin e normës ekzistuese” ka thënë Haki Hysenaj.

Tutje, fjalimin e tij Hysenaj e vazhdoi duke nisur që nga përpjekjet e para të formimi të shqipes standarde të cilën ai, si përpjekje më të hapur e sheh te përfaqësuesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

“Sipas disa studiuesve të formimit të shqipes standarde përpjekjet për këtë çështje janë të hershme. Disa prej tyre i lidhin me ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut (1555) , pastaj me punën e vyeshme të Pjetër Bogdanit, të Pjetër Budit, me ‘Dorëshkrimin e Grotaferratës’ (1710) dhe më pas me Gramatikën e Françesko Maria de Leçes, ndonëse qëndrimi na duket pretendim i largët, sepse nevoja për një gjuhë të përbashkët në mënyrë eksplicite hetohet te autorët e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, ka thënë Hysenaj.

Edhe Hysaj: Kongresi i gjuhës ishte një linguicid – u zhduk ADN-ja shpirtërore e shqiptarit Arbëri Hysaj: Kongresi i gjuhës ishte një linguicid – u zhduk ADN-ja shpirtërore e shqiptarit

Ai përmendi edhe disa përpjekje të cila ishin bërë para Kongresit të 72-ës por që, për shkak të kritikave të shumta, nuk arritën rezultate.

“Para Kongresit të Drejtshkrimit u hartuan disa projekte ortografish për shqipen letrare. Projekti i parë i vitit 1948 u kritikua në shumë aspekte. Do theksuar me këtë rast faktin se kjo ortografi shënon fillin e ikjes së parë nga Rregullat Drejtshkrimit të Komisisë Letrare të Shkodrës”, ka shpjeguar ai.

Por, pas krijimit të standardit i cili u vendos në Kongresin e ‘72-s, Hysenaj përmendi edhe Konferencën e Durrësit të 2010-s në të cilën u diskutuan çështje që lidheshin me standardizimin e shqipes, kultivimin dhe modernizimin e saj në kontekstin mbarëkombëtar, çështje të legjislacionit gjuhësor dhe funksionesh të standardit si gjuhë zyrtare etj., por të cilat siç dihen nuk sollën ndonjë rezultat.

Profesori Shpëtim Elezi ka trajtuar më shumë problemet e standardit të 72-s dhe nevojën për ndryshimin e saj.

“Standardizimi i gjuhës, si një aktivitet i motivuar dhe i qëllimshëm për të normëzuar një variant gjuhësor, në asnjë mënyrë nuk është një proces i njëtrajtshëm, statik, që kryhet aty për aty dhe njëherë e përgjithmonë. Ai nuk është një akt që përfundon me normimin e një gjuhe atë ditë kur është vendosur ajo normë, por është një proces që ka shtrirje në kohë dhe hapësirë”, ka thënë Elezi.

Edhe Akademik Skënder Gjinushi: Kundër standardit gjuhësor janë individët më mediokër Kulturë Akademik Skënder Gjinushi: Kundër standardit gjuhësor janë individët më mediokër

Se ky standard ka nevojë për një rifreskim dhe plotësim sipas Elezit, kjo vërehet edhe nëse shikojmë gjendjen në të cilën kalon respektimi dhe zbatimi i kësaj norme.

“Duke qenë se vërehet një gjendje jo aq e mirë në punë të respektimit e të zbatimit të normës, pikërisht në ato institucione përmes të cilave synohet të imponohet norma, si shkolla, administrata, mediat etj., duhet thënë se nevojitet të ndërmerren hapa të caktuar që në një formë a tjetër e ndihmojnë këtë proces të zbatimit më konsekuent të normës së shqipes standarde dhe, për më shumë, e imponojnë natyrshëm atë në një masë sa më të gjerë”, ka shpjeguar ai.

Duke përmendur rastin e një intelektuali, shkrimi i shkurtër i të cilit ishte mbushur me mbi njëqind gabime gjuhësore, Elezi ka thënë se një gjendje e dobët e mënyrës së përdorimit të standardit vërehet në të gjitha akterët shoqërorë.

“Hulumtimet e rastit kanë konstatuar një gjendje jo të mirë të përdorimit të shqipes standarde në këto domene, si në administratë, medie dhe në shkollë. Me gjithë tendencën e përgjithshme që në këto sfera të përdoret shqipja standarde, në praktikë telashet janë evidente. Për shembull, kjo vihet re në shkresat zyrtare dhe në të gjitha njoftimet publike administrative, në tabelat zyrtare, ashtu dhe në daljet publike të politikanëve dhe të njerëzve të kulturës e të shkencës, si dhe në medie, veçmas në portale”, ka thënë ai.

Sipas Elezit, ky standard tashmë ka nevojë për një menaxhim dhe barra e tij bie veçmas mbi gjuhëtarët, shkrimtarët, gazetarët etj.

Edhe “Një komb – një gjuhë”, parimi themeltar që i bashkoi shqiptarët Kulturë “Një komb – një gjuhë”, parimi themeltar që i bashkoi shqiptarët

“Standardi gjuhësor ka nevojë për një menaxhim të gjuhës, që nënkupton se njerëzit që në mënyrë profesionale e përdorin dhe e trajtojnë gjuhën, siç janë gjuhëtarët, mësuesit, gazetarët, shkrimtarët etj., që edhe kanë ndihmuar në krijimin e gjuhës standarde, të ndihmojnë edhe në ruajtjen e gjuhës standarde si dhe në zhvillimin e saj”, ka thënë ai para të pranishmëve.

Në fund, Elezi u shpreh se në fakt zhvillimi i normës së gjuhës standarde është një proces i vazhdueshëm në raport me zhvillimet dinamike sociopolitike dhe gjuhësore. Sipas tij, rezultati i këtij procesi është norma standarde e përpunuar në aspekt të përmbushjes së funksioneve të saj dhe lehtësimit në komunikim si proces që rregullon vitalitetin dhe funksionalitetin e saj.