Kulturë

“Një komb – një gjuhë”, parimi themeltar që i bashkoi shqiptarët

Nje komb nje gjuhe

Rëndësia dhe vlera e Kongresit të Drejtshkrimit, roli i tij sot, pesha e një gjuhe të përbashkët, sfidat gjuhësore e një sërë problemesh të tjera, të cilat lidhen me gjuhën shqipe, janë trajtuar në konferencën “Një komb – një gjuhë”. Por, pikërisht kjo moto e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës është kundruar si paraprijëse e parimit themeltar që i bashkoi shqiptarët në gjuhë

“Një komb - një gjuhë” ka qenë tema e konferencës shkencore, e cila edhe në Prishtinë ka bërë tok tri institucione, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Po kjo ka qenë motoja tek e cila i ka rrënjët edhe Kongresi i Drejtshkrimit.

Nën organizimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, konferenca ka pasur për kryefjalë 50-vjetorin e Kongresit të Gjuhës Shqipe. Të mërkurën në IAP ka ardhur pas Shkupit, ku u mbajt një ditë më parë.

Rëndësia dhe vlera e Kongresit të Drejtshkrimit, roli i tij sot, pesha e një gjuhe të përbashkët, sfidat gjuhësore e një sërë problemesh të tjera, të cilat lidhen me gjuhën shqipe, janë trajtuar në kumtesat e një sërë studiuesish nga tri vendet.

Akademik Rexhep Qosja, njëherësh pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit, ka qenë njëri prej folësve kryesorë. Sipas tij, ky Kongres nuk merrej vetëm me atë që njihet si drejtshkrim, por me diçka edhe më të gjerë, siç është gjuha e njësuar letrare.

Qosja: Varrosja përgjithmonë e përpjekjes së Serbisë për ndarjen e shqiptarëve

Në ligjëratën e tij, akademik Qosja ka numëruar disa nga meritat e Kongresit.

“Me këtë drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë të njësuar letrare në jetën shoqërore e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të shqiptareve sendërtohet shumë domethënëse një vlerë madhore e të drejtave të njeriut: sendërtohet barazia e dinjiteteve. Me të varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiftarëve, si na quante përbuzshëm, neve që përbëjmë kombin kosovar, Kosovën!”, ka lexuar para të pranishmëve Qosja. Ka vazhduar fjalimin e tij duke thënë se “përmes kësaj gjuhe të njësuar letrare të përtashmes dhe të ardhmes së kombit shqiptar i është dhuruar përbërësi më i rëndësishëm që e pasuron, e zgjeron, e përforcon, e lartëson, e bën të përjetshëm kohezionin shpirtëror, kulturor, politik dhe etik të kombit shqiptar”.

Si një studiues i letërsisë së romantizmit dhe periudhës së rilindjes shqiptare, akademik Qosja nuk ka kaluar as pa përmendur rolin e madh të rilindësve shqiptarë në formimin dhe njësimin e gjuhës shqipe. Në kumtesën e tij ka lexuar disa nga frazat që romantikët ia kishin kushtuar gjuhës shqipe dhe rëndësisë së formimit të një shqipeje të përbashkët. Ka folur edhe për mënyrën se si shkruanin rilindësit shqiptarë teksa ka përmendur “Gjahun e malësorëve”, që Konstandin Kristoforidhi e kishte shkruar në tri dialekte: toskërisht, gegërisht dhe në elbasanishte. Në mesin e të tjerëve akademik Qosja ka përmendur edhe Naim Frashërin dhe kontributin e tij në krijimin e një sërë neologjizmave.

“Të mos harrojmë se të gjitha epokat e mëdha janë të mëdha në saje të kulturës e të qytetërimit dhe të gjuhës se tyre të gjithëdomethënshme e të gjithnjëshme, siç është gjuha jonë letrare e njësuar”, është shprehur ai.

Zëvendësrektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Valter Memisha, ka thënë se gjuha luajti rolin e pazëvendësueshëm e përbashkues në një periudhë kur popullsia shqiptare e mbetur jashtë kufijve iu nënshtrua një ndjekjeje të egër dhe një politike shkombëtarizuese skajore, që shkonte deri edhe në moslejimin e përdorimit të shqipes në shkolla. Ai ka folur edhe për rrezikun që shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë u kanosej nga shtetet pushtuese “meqë gjuha e tyre, gegërishtja, nuk shihej si e njëjtë me toskërishten, si një gjuhë e cila ka zënë vend më të madh në gjuhën letrare”. Nisur nga kjo ka folur edhe për rëndësinë e “Një komb – një gjuhë”.

“Intelektualët shqiptarë të Kosovës dhe të ish-Maqedonisë e kuptuan rrezikun që po u kanosej. Konsulta e Prishtinës me sfidën ‘Një komb - një gjuhë’ u bë prijatare për t’u përdorur dhe në trojet jashtë Shqipërisë politike si gjuhë zyrtare, variantin që përdorej në Shqipëri. Politikat e planifikimit gjuhësor, që bënë parësore hartimin e disa ortografive në vitet ‘50 dhe ‘60 të shekullit XX, zhvillimin e sesioneve e konsultave shkencore dhe veçanërisht diskutimin e gjerë të rregullave të drejtshkrimit, hartuar në Tiranë, më 1967, përcaktuan hullinë e procesit të krijimit të gjuhës së përbashkët letrare”, është shprehur Memisha.

Motoja e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës e konfirmuar në Kongres

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, e ka kthyer vëmendjen te puna e madhe që u bë edhe para Kongresit.

“Në historiografinë tonë ekziston një prirje e perceptimit të së kaluarës nëpërmjet përqendrimit në aktet madhore të saj, pa u thelluar në zhvillimet që u kanë paraprirë atyre. Duke i parë të shkëputura kthesat historike, nuk shpjegohen mjaftueshëm as proceset historike, të cilat kanë qenë shumë komplekse dhe me një numër të madh faktorësh. Kongresi i Alfabetit dhe veçmas Kongresi i Drejtshkrimit përbëjnë një shembull tipik të kësaj qasjeje. Vendimet larghedhëse të këtyre dy kongreseve janë të padiskutueshme, por sikur harrohet se tubimeve të këtilla u paraprinë një varg përpjekjesh, idesh, debatesh, opsionesh e zgjidhjesh për të arritur në një përfundim që si realitet kulturor e përgjithësisht kombëtar po bën jetë prej gjysmë shekulli”, ka thënë Hyseni, në rolin e njohësit dhe studiuesit të kësaj fushe.

Ndër të tjera, ka folur edhe për Konsultën Gjuhësore dhe faktin se si ajo i kishte paraprirë Kongresit të 72-tës.

“Lidhja e Kongresit të Drejtshkrimit me emra të përveçëm e herë-herë edhe me një emër të vetëm përbën një tendencë që ka synim kontestimin e njërës ndër arritjet më të mëdha në konstituimin e njësisë kombëtare shqiptare. Kjo njësi në planin e standardizimit gjuhësor, para se të përkufizohej në Tiranë më 1972, ishte formësuar si një arritje shkencore në Konsultën Gjuhësore më 1968 në Prishtinë. Nëse Kongresi i Alfabetit pati lënë mundësinë e përdorimit paralel të dy alfabeteve, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës përfundoi punën e saj me moton e qartë identifikuese ‘Një komb - një gjuhë’. Ky parim vetëm sa u konfirmua në Kongresin e Drejtshkrimit”, ka kujtuar Matoshi.

Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore, ka theksuar rolin e madh që luajtën shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në këtë kongres.

“E derisa flasim për pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit, dua të theksoj se edhe intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në atë kohë nuk kishin asnjë dilemë rreth këtij përcaktimi. Pjesëmarrja e prof. Remzi Nesimit, që kishte kumtesë dhe ishte nënshkrues i Rezolutës së Kongresit, si edhe e prof. Petro Janures dhe prof. Sejfedin Sulejmanit, ishte dëshmi se në cilën anë do të ishin shqiptarët e asaj ane në gjysmëshekullin që vijonte”, ka thënë Asani.

Vinca: Pa Konsultën e ‘68-s zor se do të mbahej Kongresi i ‘72-shit

Ndërkaq duke kujtuar vitin kur u mbajt Konsulta e Prishtinës, vit të cilin e quajti edhe si viti i Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve të ish- Jugosllavisë, poeti e studiuesi Agim Vinca ka hedhur dyshimet se nëse ky organizim nuk do të mbahej në ato vite, atëherë zgjidhja e problemit të gjuhës letrare shqipe do të komplikohej dhe mbase edhe do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.

“E mbajtur në një kontekst të përshtatshëm historik, në kohën e zgjerimit të të drejtave politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe të ngritjes së ndërgjegjes kombëtare e të nivelit të tyre kulturor, Konsulta e Prishtinës e përgatiti terrenin për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit dhe krijoi premisat për njësimin e plotë të gjuhës shqipe në nivel kombëtar. Po të mos ishte marrë vendimi që u mor në ‘68-n në Prishtinë: përvetësimi i normës letrare të shtetit amë – mbi bazën e projektit të hartuar nga një grup ekspertesh në Tiranë – vështirë se do të mund të mbahej Kongresi i ‘72-shit, që kurorëzoi procesin historik të njësimit të gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj, kurse vendimet e tij pa pjesëmarrjen e gjuhëtarëve dhe të intelektualëve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora (këtu kemi parasysh në radhe të parë studiuesit arbëreshë), nuk do të kishin karakter kombëtar, por vetëm shtetëror”, ka konstatuar ai.

Gjuhëtarja e njëherësh këshilltare shkencore në IAP ka folur për rrugëtimin e vështirë deri te krijimi i gjuhës së sotme letrare shqipe.

“Nuk mund të mos themi se kjo histori, ky rrugëtim, këto procese kanë ecur lehtë e pa vështirësi, përkundrazi. Prandaj, në krijimin e gjuhës letrare shqipe, në procesin e saj të normimit e të standardizimit, ashtu siç ka ndodhur përgjithësisht edhe me gjuhët e tjera, krijimi i një gjuhe gjithmonë bart edhe përmasa si këto: ideologjike, politike dhe simbolike, që ndërlidhen ngushtë mes vete edhe me kritikën gjuhësore, edhe me mendimin për gjuhën”, ka konstatuar Islamaj.

Doktori i shkencave të historisë dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në IAP, Nuridin Ahmeti, ka folur për rolin që Instituti Albanologjik pati në standardizimin e gjuhës shqipe.

“Procesi i përgjithshëm i standardizimit është dëshmi se gjuha letrare, sikurse emërtohej atëherë, nuk ishte shpikje e një qendre, e një kaste politike, аро e një pushtetari, veçse rezultat i punës madhore të dijetarëve më eminentë shqiptarë. Në këtë kuptim, pra të vlerësimit të rrugës zhvillimore dhe të përfshirjes së të gjitha institucioneve shkencore të vendit tonë, posaçërisht Instituti Albanologjik dhe drejtuesit e këtij institucioni, vepruan në dobi të këtij organizimi dhe iu ofruan ndihmë organizatorëve”, ka thënë ai, derisa ka përmendur edhe skepticizmin që disa nga figurat politike të Kosovës së asaj kohe patën karshi këtij procesi.

“Edhe pse në emër të Universitetit të Prishtinës kishin arritur për një numër të konsiderueshëm të profesorëve ftesat, siç dihet nuk morën pjesë të gjithë, por vetëm disa prej tyre. Elita politike e Kosovës së atëhershme e priti me skepticizëm këtë nismë, duke pasur rezerva se ndoshta ky organizim mund të ketë edhe prapavijë politike. Përkitazi me këtë ata i porositën që ky organizim ’duhet të përmbajë vetëm elemente shkencore pa primesa politike’”, është shprehur Ahmeti.

Konferenca shkencore “Një komb – një gjuhë” do të vazhdojë aktivitetin e saj dhe dita e tretë do të mbahet sot në Tiranë.