Adhuruesit e pretendentit të vitit 2019 për “Palmën e Artë”, “Portrait Of A Lady On Fire”, do ta njohin Luana Bajramin si një aktore e re e jashtëzakonshme, që portretizoi shërbyesen Sofia. Tani, francezo-kosovarja rikthehet në Cannes si skenariste, regjisore dhe yll i dramës “Luaneshat e kodrës”. Bajrami është vetëm 20 vjeçe dhe jobefasisht ky është debutimi i saj, të cilin e bëri qëkur ishte 19 vjeçe.
Rrëfimi zë vend në Kosovë, ku tri shoqe Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) dhe Jeta (Uratë Shabani) jetojnë në një fshat të largët. Të mërzitura e të dëshpëruara për t’u arratisur, ato vendosin të formojnë një bandë e të plaçkitin bizneset lokale, duke përftuar një ndjesi të lirisë dhe pavarësisë nëpërmjet veprimeve të tyre rebele. Çka fillon si një dramë që përndizet me avash mbi miqësinë femërore kalon në një truall “Bling Ring”, ani pse filmi është më i fortë në çastet e tij të qeta, kur zhbiron lidhjen mes vajzave që ndihen të kufizuara nga mjedisi parak.
I ndihmuar nga puna e mirë e kinematografit Hug Paturel, Bajrami krijon një ndjesi vivide të vendit ku periudha mbase është lënë qëllimisht e dykuptimtë. Dielli llamburit teksa treshja livadhis ndër fshatra, duke shprehur pezëm nga të qenët e ngujuar. Një ndërprerje intriguese vjen me ardhjen e Lenës, e luajtur nga vetë Bajrami. Duke u miqësuar me Qenë kur viziton gjyshen e saj, ajo pranohet me kujdes në grupin që është kureshtar për atë që vihet re si jetë fort më dëfryese në Francë.
Por, pyetjet e Lenës e mënyra analitike e bisedës së saj pështjellon dhe huajëson vajzat e tjera. Kur Lena largohet nga rrëfimi, ju e ndieni mungesën e kësaj thellësie, që sjell një kontrast më përsiatës me përçartjet e frustruara të vajzave të tjera dhe nënvizon prirjen e tinejxhereve për t’u shtrënguar nga trysnia e moshatareve.
Megjithëkëtë, hollësitë e jetës së tyre mbetën përthithëse, teksa Li debaton me të riun Zem që i ka dërsirë mustaku, (Andi Bajgora), që ka lidhje me djemtë më të rrezikshëm të rrethinës. Çaste të flashkësisë seksuale janë paraqitur pa fanfarë. Ne vetëm përkapim telashet e jetës së tyre në shtëpi.
Edhe
“Luaneshat e kodrës” në origjinë bashkë me mesazhin për liri individuale
Bajrami parapëlqen kundrimin e qetë para shpërfaqjes, teksa ajo paraqet vajzat e reja në jetët e tyre të përditshme, shpesh duke jetuar në ngrehina të zbrazëta. Është edhe një ndjesi që potenciali i qenies së tyre është nënvlerësuar: ato nuk ia dalin të përzgjidhen për të vazhduar tutje arsimin dhe mësuesi i tyre i ri duket i painteresuar për t’ua shpjeguar këtë vendim. Është domethënëse që personazhet adoleshente shihen veçse shkurtazi dhe ndryshe nga shumë marifete kriminale, ky film nuk paraqet shumë incizime lajmesh apo skena avokatësh dhe policësh që hetojnë e gjurmojnë keqbërësit. Derisa kufizimet buxhetore mund të jenë pjesë e arsyes, kjo është një mënyrë efektive për t’u përqendruar në tri vajzat dhe hakërrimin që ato ndiejnë, i cili është sa i veçantë për vendin e tyre, po aq universal për tinejxherët. Filmi i parë premtues i Bajramit është një ode për luaneshat e mbyllura kudo.
Marrë nga “deadline.com”. Përktheu: Salih Mehmeti