Kulturë

“Luaneshat e kodrës” në origjinë bashkë me mesazhin për liri individuale

Premierën botërore e pati vitin e kaluar në “festivalin e festivaleve” në Cannes, në korrikun e vitit të kaluar, kritika e huaj e priti mirë, mori disa trofe nëpër ngjarje të njohura e tek tash është rikthyer aty ku e gjen temën e prej nga bën thirrje universale. “Luaneshat e kodrës”, nën regji të Luana Bajramit, vjen edhe para publikut vendor me mesazhin për liri individuale. “Kam dashur të inspiroj jo vetëm rininë, por të gjithë. Kam dashur që t’ia jap fjalën rinisë. Është subjekt dhe tematikë shumë universale. Në këtë film fliten disa gjëra në mënyrë shumë specifike dhe jam e lumtur për këtë”, ka thënë Luana Bajrami, njëra prej regjisoreve të cilat bota i cilëson si pjesëtare të valës së re të kinematografisë

Është një prej fshatrave të “humbura” ku ekziston njëfarë ritmi i jetës prej të cilit është vështirë të dilet. Duket sikur të jetë rregull i pashkruar, por që përcillet brez pas brezi verbalisht dhe të gjithë i dinë dhe u përmbahen kufijve të paracaktuar nga dikush tjetër. Por janë nja tri vajza që, të paktën nëpërmjet artit, hapësirën ku veprojnë e konsiderojnë të ngushtë. Duan t’i thyejnë kufijtë dhe atë jo dosido, por të japin leksion se duan të jetojnë krejt ndryshe nga realiteti të cilin e përjetojnë. Këtë edhe e bëjnë sipas skenarit të Luana Bajramit, e cila si regjisore ka debutuar me film të metrazhit të gjatë me “Luaneshat e kodrës”. Debutimi i saj qe lajm jo i vogël.

“Luaneshat e kodrës” nuk ishte në garën zyrtare për “Palmën e Artë”, por në programin paralel ”Director's Fortnight” të Festivalit të Cannes, që megjithatë merr vëmendje të madhe e ku zbulohen emra të së ardhmes në kinematografi. Atje vjet edhe u dha premiera botërore.

Filmi të mërkurën ka ndezur projektorët e vendit të origjinës, Kosovës, ku edhe zë fill e trajtohet rrëfimi. E prej të enjtes është në repertor të rregullt të “Cineplexxit”.

Image

Li (Era Balaj), Jeta (Uratë Bajrami) e Qe (Flaka Latifi) e cila është edhe njëfarë liderë e grupit, urrejnë krejt atë që kanë përreth. Në një fshat të tretur – ku në film gjeografia e natyra fantastike dalin në pah shumë – atyre nuk u zihet vendi vend. Dalin shpesh edhe gjatë natës te një shtëpi gjysmë e përfunduar e po ashtu shfrytëzojnë edhe gropën e një pishine të dikurshme që ka mbetur si relikt i kohës kur aty mund të jetë freskuar ndonjë banor a vizitor. Por hapësirën ideale e kanë kodrën. Është një breg ku ndihen rehat dhe sodisin fshatin dhe botën, të cilën nuk e kanë parë ndonjëherë por më shumë imagjinojnë. Me gjasë është imagjinata ajo që nuk i lë rehat. Rioshja Qe e ka një “mundësi ideale”, sipas familjarëve të vet. Të bëhet floktare si e ëma. Por karakteri i saj është fort impulsiv dhe krijon përshtypjen sikur më rehat do të ishte në burg sesa të mos i arrinte synimet. Fshati bart turli legjendash. Por, edhe shumë të vërteta. Prej moshatareve të tyre ka edhe aso vajzash që duken sikur nuk e kanë hall që të ushtrojnë një lloj prostitucioni në mënyrë që t’ia plotësojnë vetes disa kushte bazike. Por, treshja nuk është e tillë. Vajzat synojnë të regjistrohen në fakultet e t’u japin frymë ëndrrave.

Lena (Luana Bajrami) ua ngacmon fort egon duke u rrëfyer për Parisin. E asaj, gjë që është e çuditshme për treshen, i pëlqejnë Kosova e fshati. Kënaqet edhe në dasmën ku vajzat martohen shumë të reja. Thjesht, ngazëllehet sikur antropologët që hasin në tradita që u hyjnë në punë për studime e nuk e kanë gajlen se si jeton ndonjë komunitet.

Skenat ndërrojnë shpesh e muzika, edhe ajo vendore, e pasuron fort filmin. Është një prej copëzave të mozaikut pa të cilën projekti nuk do të ishte i plotë.

Image

Vajzat, njëra prej të cilave krijon lidhje dashurie me Zemin (Andi Bajgora) dalin në “tjetër hesap”. Pakënaqësia e tyre shkon deri atje sa bëhen bandite. Për të pasur para ato bashkë me Zemin plaçkitin markete e argjendari. Janë situata kur pafuqia për të realizuar egon ndërron trajtë dhe tash mjeti ua arsyeton qëllimin.

Filmi ka marrë pesë çmime të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Çmimin për aktorin më të mirë, të cilin e ka marrë treshja në Festivalin e Sarajevës vitin e kaluar. Rrugëtimi i “Luaneshave...” është duke vazhduar në gjithë Evropën. Potenciali i regjisores dhe aktoreve të reja shihet me shumë pritje të mëdha.

Projekti kinematografik që i takon asaj që njihet si “kinema evropiane” regjisoren e re, Luana Bajrami, e bën të ndihet shumë krenare.

“Nuk kam qëndruar në sallë, por aktoret më thanë se kishte reagime dhe më bënë të ndihem e kënaqur”, ka thënë ajo pas premierës, që të mërkurën është dhënë për botën e filmit e prej të enjtes edhe për publik. Siç e ka thënë edhe vetë Bajrami krejt në fillim para të pranishmëve, qe një premierë e improvizuar. Krejt ceremonia nuk ka ngjarë me një film që prej Cannes, festivalit të festivaleve do të jepej në vendin prej ku buron rrëfimi. Por, mbi të gjitha, rrëfimi e as loja nuk janë improvizim.

“Kam dashur të inspiroj jo vetëm rininë, por të gjithë. Kam dashur që t’ia jap fjalën rinisë. Është subjekt dhe tematikë shumë universale. Në këtë film fliten disa gjëra në mënyrë shumë specifike dhe jam e lumtur për këtë. Tash filmi ka nisur të shfaqet në disa vende”, ka thënë Bajrami me një shqipe të kamur, megjithëse jeton në Francë.

Filmi zbulon që dy prej vajzave krijojnë edhe lidhje intime mes vete. Por, në mënyrë se si ecën rrëfimi kjo vjen krejt natyrshëm.

Aktorja Flaka Haliti, e cila portretizon Qenë, ka thënë se shfaqja e filmit në Prishtinë është një tjetër eksperiencë pasi ishte në publik bashkë me familjarë e miq. Duket se edhe si natyrë shkon fort me personazhin që ka luajtur.

Image

“Me këtë rol jam përshtatur goxha. Ndihem krenare që kam pasur mundësinë të jem në këtë rol si zëri i shumë vajzave të reja në Kosovë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ndihet tepër mirë që ka mundur ta japë një mesazh bashkë me dy shoqet e koleget e saja.

“Mesazh për prindërit, shoqërinë e të gjithë”, ka thënë Haliti bashkë me entuziazmin që e bart edhe në rol.

Filmi i takon “serisë” që festivalet e njohura në botë e cilësojnë si një valë të re të kinematografisë kosovare. Projekti kinematografik prek shumë tema dhe emërues të përbashkët i ka të rejat që gjejnë guximin t’i thonë “jo” asaj që nuk e duan. Mbi të gjitha, prek të drejtën për të jetuar të lirë dhe madje sjell fort natyrshëm.