Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Faruk Begolli: Në qoftë se dal nga këtu, nuk do të jem më kërkushi

Faruk Begolli

Faruk Begolli me familjen e tij të ngushtë ishin ndër ata të paktët që kishin vendosur të rrinin. Ai ishte frikësuar ta lëshonte Kosovën, jo nga frika e luftës, por nga frika e vetmisë dhe e “shpërbërjes shpirtërore” që do të mund të pasonte pastaj. Kishte vendosur të rrinte me çdo kusht, duke besuar se, nëse do të largohej, më nuk do të ishte askushi dhe se do të mbetej vetëm numër...

Fillimi i luftës, më 1998, Faruk Begollin e gjeti në Kosovë. Edhe pse lufta bëhej gjithnjë e më e hovshme, ai vazhdonte të punonte me studentët e tij. Pak ditë para se aeroplanët e NATO-s të fillonin bombardimin mbi forcat ushtarake serbe, ai do të ballafaqohej me një ngjarje tragjike. Një nga studentet e tij, aktorja e re Adriana Abdulahu, e cila sapo kishte diplomuar, gjersa po pinte kafe me kolegët e saj në një nga kafiteritë e Prishtinës, do të qëllohej për vdekje në një sulm terrorist.

“Atë ditë patëm një provim studentor në sallën që posa na e kthyen serbët, në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Ishte provimi i studentëve që ishin në klasën e Luan Dakës. Ky ka qenë provimi i fundit i studentëve para lufte. Pas provimit, Adriana më ka kapë për të dy duart dhe m`ka lutë: ‘Profe, e di që nuk vjen në kafiteri, por, kësaj radhe, të lutem hajde, ‘veç ka një kafe ta pimë’. E unë, si gjithmonë, ia ktheva duke qeshur: ‘Ik bre çikë, çfarë kafiterie, nuk jam unë për kafiteri… Ik, ik…!’ Ajo më kishte lutë edhe herave të tjera me shku me të në kafiteri, por atë ditë ishte ndryshe. Nuk e dijsha që ai ishte momenti i fundit që po shihesha me të. Kurrë nuk e harroj atë moment, kur unë nuk shkova me të me ia plotësue dëshirën… Ndodhi… Nuk mujsha me e besue… Aty e kam pa se çka don të thotë ta humbasësh fëmijën tënd…”.

Vdekja e Adrianës vinte si një kumt i trishtë për njerëzit. Ishte si një alarm për të keqen që do të pasonte. Të nesërmen e vrasjes së saj, Faruk Begolli, bashkë me artistë të tjerë, ishin përpjekur të organizonin në Teatrin “Dodona” një mbledhje përkujtimore për Adrianën, por ishin penguar nga drejtori i dhunshëm serb.

“Ata që po na vrasin, po na pengojnë edhe sot ta mbajmë këtë mbledhje komemorative”, kishte thënë zëshëm Faruk Begolli. Por, mbledhja, megjithatë, ishte mbajtur në oborrin e vogël të këtij teatri. Me fjalime të shkurta, profesorë, artistë dhe ish-kolegë të Adrianës po rikujtonin me pietet kujtimin e aktores së re e të talentuar dhe po mallkonin vrasësit e saj. Në ditën kur duhej të bëhej varrimi, ish-kolegët e Adrianës po bëheshin gati të udhëtonin për në Ferizaj, në qytetin e saj të lindjes. Por, mbas një dileme, Begolli u kishte sugjeruar të mos udhëtonin: “Një fëmijë m`u vra, mos t`i humbas edhe të tjerët”, kishte menduar ai, para se të kërkonte nga studentët e tij, ish-kolegë të Adrianës, që të mos udhëtonin për në Ferizaj. “Shtetrrethimi” i Prishtinës, siç e quan Begolli, kishte filluar sapo bombat e aeroplanëve të NATO-s kishin nisur të bien mbi forcat serbe. Në këtë teatër tragjik, shqiptarëve u ishte ndarë roli i viktimës. Prishtina kishte filluar të zbrazet nga njerëzit. Paramilitarët serbë po i nxirrnin njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe po i deportonin për në Maqedoni e Shqipëri. Rreth një milion njerëz (gjysma e popullatës së Kosovës) qenë deportuar me dhunë. Në Prishtinë pak njerëz kishin vendosur të rrinin, tepër pak, sepse nuk kishin mundur të iknin, ndërsa, në të rrallë, mund të gjendeshin njerëz që, për motive të tjera, kishin vendosur të rrinin.

Faruk Begolli me familjen e tij të ngushtë ishin ndër ata të paktët që kishin vendosur të rrinin. Ai ishte frikësuar ta lëshonte Kosovën, jo nga frika e luftës, por nga frika e vetmisë dhe e “shpërbërjes shpirtërore” që do të mund të pasonte pastaj. Kishte vendosur të rrinte me çdo kusht, duke besuar se, nëse do të largohej, më nuk do të ishte askushi dhe se do të mbetej vetëm numër... “Unë, me eksperiencën teme e di që njeriu jashtë vendit të vet, njeriu refugjat, e ka shumë të vështirë... E humb identitetin... Ma nuk je kërkushi... Edhe shoku ma i ngushtë kur ta jep një cigare, ti mendon: po ta jep se po i dhimbsesh... Pra, unë e kam ditë se, në qoftë se dal nga këtu, nuk do të jem më kërkushi... Nuk jam ma as nga Kosova, nuk jam ma Faruk Begolli, nuk jam ma njeri... Unë, mes krejt atyne dilemave, u përcaktova të rri këtu... Sepse mendoja, asht njisoj: nëse largohem e humbi identitetin, nëse rri këtu ndoshta e humbi jetën... Cila asht ma e randësishme: jeta apo identiteti... Përderisa njeriu asht gjallë, identiteti dhe vendi i vet asht ma i randësishëm... E, vdes ose nuk vdes ajo asht shumë pak e randësishme. Njeriu jeton mos me u gjunjëzue, mos me e pru veten në rrethana ku mbetesh kërkushi, nuk ke identitet, bahesh vetëm ‘numër’... E unë nuk kam dashtë me u shndërrue në numër“.

Edhe Faruk Begolli, njeriu i lirë që përbuzte epokën e çmendur Shtojca për Kulturë Faruk Begolli, njeriu i lirë që përbuzte epokën e çmendur

“Operacioni Beograd”

Në ditët e para të bombardimeve të NATO-s, në televizionin e Beogradit emitoheshin filmat e luftës, në shumicën e të cilëve luante edhe Faruk Begolli. Dhe, ndërkohë që në filma ai luante partizanin trim që lufton fashistët gjermanë dhe tradhtarët e vendit, në realitet ai po priste se kur do të vinin policët serbë që ta largonin dhunshëm nga shtëpia. Dhe, policët do ta largojnë dy herë nga shtëpia, por ai, përsëri, bashkë me motrën e vet, do të kthehet te vëllai, Adili dhe nuk do të pranojë të largohet.

“Një ditë, derisa në televizion jepej filmi ‘Operacioni Beograd’ i regjisorit Zhika Mitroviq, ku unë luaj çlirimtarin e patrembur të qytetit të Beogradit, policët serbë erdhën dhe na larguen nga shtëpia”. Shokët e tij, nga Beogradi dhe qytetet e tjera jashtë Kosovës do t`ia dalin ta gjejnë numrin e tij.

Josif Tadiq – Jataganac, njëri nga shokët më intimë të Begollit, do ta mbajë vazhdimisht lidhjen me të. Ai do ta thërrasë në telefon Begollin çdo të dytën apo të tretën ditë. Jataganac dhe disa shokë të tjerë, duke e kuptuar atë që po ndodhte në Kosovë, do të bëjnë përpjekje të mëdha që ta “nxjerrin” nga Prishtina. Ata vërtet do të merakosen për Begollin. Do t’i hulumtojnë të gjitha kanalet e mundshme dhe madje do të përpiqen të nisin edhe një autobus, i cili do të evakuonte jo vetëm Begollin, por edhe familjen e tij. Përpjekjet e shokëve për ta shpëtuar nga ferri, do ta gëzojnë dhe trimërojnë Begollin, por ai nuk do të bindet që të largohet nga Kosova.

“…Ata banin plane e plane, ndërkohë që unë thosha: mendo tash, me ikë për Serbi... Ata gjithmonë gjenin variante për me më shpëtue. Ata ishin shokët e mi, që propaganda nuk ka mujtë me i infektue asnjëherë. Shoqnia nuk ka fe, etnitet... Shoqnia e ka njeriun... Shoqnia e ka njeriun e zhveshun nga gjithçka tjetër...”.

Çelja e luleve në kohë lufte

Afër shtëpisë, ku gjatë luftës do të rrinte Begolli, gjendej një kopsht. Lagjja “Taslixhe”, që tashmë ishte thuaja e zbrazur tërësisht nga njerëzit, ishte mbuluar nga bari dhe gjelbërimi i pashkelur. Dukej, siç e quan Begolli, “si një oazë në shkretëtirë”. Begollit i pëlqente të dalë në ballkon, t’i dëgjojë lajmet, të mbushë fjalëkryqe dhe ta shikojë kopshtin me lulet e barin që po rritej. Në kopsht ishte edhe një pemë e bukur qershie, të cilën Begolli e vëzhgonte gjatë kohës së lulëzimit të saj. “Sikur nana që i rri fëmijës afër, unë i shikojsha lulet e qershisë tuj çelë; si dilke sythi, si zgjerohej ngadalë... Vëzhgoja me kujdes se cila lule ka nisë sot me dalë, cila asht gati me çelë, cila ka çelë dje...”. Dukej se e tërë shpresa për jetë ishte shfaqur në atë pemë qershie, në aromën e luleve që po çelnin. Mbas luleve, qershia kishte filluar t`i piqte ngadalë edhe kokrrat. Si një ekspert bimësh, që është duke kryer një hulumtim mbi qershitë, Begolli do ta vëzhgojë me kujdes pjekjen e qershive, degët, madje edhe kokrrat secilën veç e veç. Më vonë ai do të fillojë të ushqehet me kokrrat e pjekura.

Edhe Adriana Abdullahu – engjëlli i teatrit, ylli i shuar nga regjimi EXPRESS Adriana Abdullahu – engjëlli i teatrit, ylli i shuar nga regjimi

“...Mandej kam fillue me hypë, në fillim në degët aty poshtë, por mbasi çdo ditë hypsha në qershi, në fund e kam pa veten në majë të qershisë, si dikur kur isha fëmijë e kur hypsha në maje të majës... I kam pasë do kojshi këtu afër e ju çojsha edhe atyne... Pra, e kam pasë një veprim fizik... Fizikisht m’u forcuen kambët... U bana si majmun, prej degës në degë...”.

Frutat e kësaj qershie do të kryhen thuaja në të njëjtën kohë me përfundimin e luftës. Por, tregimi i luftës ka edhe një episod tjetër të frikshëm. Faruk Begolli, bashkë me të vëllain, Adilin, po kryenin ritualet e një dite të zakonshme lufte. Në banesën e tyre hyjnë dy policë serbë, të cilët po kryenin regjistrimin e popullatës së paktë që kishte mbetur në Prishtinë. Policët e njohin Begollin.

“ ...Ishte e tmerrshme. ‘Hajde, e keni lypë Shqipninë, qe, veshu e nisu...’ Unë fillojsha me u veshë. Në fillim u dridhsha, normalisht. E ata vazhdonin: ‘Jo, deshu? Mandej, a ke pare?’ Unë i nxora krejt paret çka i kisha. Ata i gjujshin nëpër dysheme. Ata mandej: ‘Eh, tash, ju të dy na keni sulmue neve dhe ne tash ju vrasim’. Nja dy orë ka vazhdue ky lloj maltretimi. Por, dikur po i vike njeriut një fuqi krejt tjetër. Në fillim u dridhsha, i ndigjojsha, dikur më kërciti filmi edhe i lutsha unë: ‘hajde, çomni, ku po doni, çka po doni... Hajde, vramëni...’ Krejt me një fuqi tjetër dhe një qetësi ndoshta mbinjerëzore...”. Por, fatmirësisht, e gjitha kishte përfunduar pa ndonjë epilog tragjik. Policët kishin kërkuar nga Begolli t`ua paguante një drekë. Kishin marrë 200 marka gjermane dhe mandej ishin larguar, duke i lënë porosi Begollit, “Mos na nem, se pale na mbetet dreka në fyt!”.

Gjatë ditëve të luftës, Begolli zgjohej rreth orës 5 të mëngjesit që t`i dëgjonte lajmet. Nga dritarja bri shtratit shihte kulmet e shtëpive tjera të mbuluara nga sorrat. Mëngjesi dukej i zi. Krrokamat e egra të tyre i kuptonte si një shenjë e zezë, se diçka edhe më e tmerrshme do të ndodhte... Çdo mëngjes e njëjta pamje: kulme të mbuluara nga sorrat që krrokatnin. Asokohe, gjatë ditëve të luftës, Begolli do të ndahet plotësisht nga “miku” i tij i përhershëm - alkooli. Për disa muaj, ai nuk do të shtjerë në gojë alkool, sado që shtëpinë e kishte të mbushur me raki. Kishte vendosur ta mbante veten nën kontroll dhe t`i përjetonte në gjendje esëll ato çaste ankthi e tmerri. Kishte vendosur ta shihte luftën dhe tmerret e asaj lufte në sy, ashtu siç kishte bërë dikur nëpër filma. Dallimi, padyshim, ishte i dukshëm. Ajo që po ndodhte nuk ishte lojë. Përpara nuk ishin kamerat që po xhironin. Ai ishte Faruk Begolli, jo artisti, jo profesori... Ishte Faruk Begolli, njeriu. Mbasi përfundoi lufta dhe hynë trupat e NATO-s, Begolli do të ndihet si i humbur. Një kohë të gjatë nuk do të dalë fare nga shtëpia. Nuk do ta besojë se gjithçka kishte përfunduar me aq “lehtësi”. Ai nuk mendon se vendosmëria për të qëndruar në Prishtinë ishte shenjë trimërie. Ai nuk mendon se ka qenë trim. Ka ndenjur në Prishtinë, ngase e ka dashur vetveten dhe se nuk ka dashur të shndërrohet në “numër”.

“Kam ndejtë këtu si një qenie njerëzore, e pambrojtun dhe pa mundësi ndërmarrjeje të diçkasë... Përpos me ndjenjën e frikës... Kjo nuk ka qenë trimni... Trimnia asht krejt diçka tjetër... E sa i përket jetës, unë nuk e di a kam qenë a nuk kam qenë trim. Unë nuk di me e shpjegue fjalën trimni. Por, në qoftë se përcaktohesh dhe punon atë që do dhe atë e ban me kënaqësi dhe nëse kjo quhet trimni, atëherë unë jam trim. Se kam shkue në studime me kushte ekonomike tepër të vështira, se mes 500 e sa konkurruesve për aktorë jam zgjedhë ndër 12... Pra, kam kalue shumë sfida në jetë... E nëse këto kanë ndonjë lidhje me trimninë, atëherë kam qenë trim. Ndonjëherë, kur lexojsha ndonjë skenar a dramë, thojsha me vete: kjo asht e pamundun me u ba... Por, atëherë e ‘lutsha’ veten: mirë, filloja, mandej e sheh... E çdo send që fillon e ka, faktikisht, edhe fundin... Tjetër trimni unë nuk di për veten...”.

Mbas luftës, Begolli rrallë do të dalë jashtë Kosovës. Nuk do të shkojë më në Beograd, por as në Zagreb apo Lubjanë. Në Sarajevë do të shkojë shumë më vonë, me “Mbretin Lir”.

Edhe Adriana Abdullahu – engjëlli i teatrit, ylli i shuar nga regjimi i Serbisë Kulturë Adriana Abdullahu – engjëlli i teatrit, ylli i shuar nga regjimi i Serbisë

“U krijua në mua njëfarë ndjenje… Dhe as që provoj ta rikthej dashurinë që e kam pasur. Dua që ta ruaj me dashuri atë jetë të mrekullueshme që kam pasë dikur, ata shokë të mrekullueshëm, ato dashuri të mrekullueshme dhe atë kreativitet të mrekullueshëm, pa të cilin, natyrisht, as këto të tjerat nuk do të kishin ekzistuar. Nuk guxoj të mendoj për Beogradin. Shokët më thërrasin. Madje ata mendojnë se unë kam frikë. Por unë e kam ndërprerë një jetë të mrekullueshme. Tash e kam ndërtuar një mur dhe nuk dua më të mendoj, ngaqë e kam dashur shumë Beogradin. Kam frikë. Dua të më mbeten kujtimet e mira që kam”. Ende edhe sot, mbas sa vitesh që lufta ka përfunduar, Faruk Begolli vazhdon të zgjohet në orën pesë të mëngjesit, kohë kjo kur gjatë luftës jepeshin lajmet në radio. Zgjohet dhe, ashtu si në kllapi, lëviz pak rrotën e frekuencave të radios. Dëgjon pak ‘zhurmë’ e mandej përsëri e merr gjumi… Një ritual i pavetëdijshëm, si kujtim i një kohe të shkuar, i asaj kohe kur në lindje të diellit pullazet nxinin nga sorrat që krrokatnin frikshëm...

(Marrë nga monografia “Faruk Begolli”, botuar nga “Integra” më 2007)