Kulturë

Adriana Abdullahu – engjëlli i teatrit, ylli i shuar nga regjimi i Serbisë

Yllit në ngritje do t’i pritej jeta në vitet e rinisë, në një kafene në Prishtinë, ku i ishte bashkuar asaj që ishte përtej festës së një suksesi midis artistësh. Ishte rezistencë. Adriana Abdullahu e vrarë më 22 mars të vitit 1999, të premten në çerekshekullin e asaj dite, është kujtuar si engjëll i teatrit, veçmas i “Dodonës”, ku do ta niste karrierën, frymëzim gjeneratash e dëshmi e krimit të regjimit serb

Emri i saj, qysh në flakët e luftës do të shndërrohej në sinonim të ëndrrave të mëdha për artin, engjëll i teatrit, por edhe dëshmi e krimeve të regjimit serb ndaj civilëve shqiptarë. Kur sapo kishte nisur të merrte hov rrugëtimi i Adriana Abdullahut, edhe në ditët kur sfidoheshin rrethanat e luftës, yllit në ngritje do t’i pritej jeta në vitet e rinisë, në një kafene në Prishtinë, ku i ishte bashkuar asaj që ishte përtej festës së një suksesi midis artistësh. Ishte rezistencë.

Imazhi i saj është kthyer në skenën teatrore, me portretin e me fotografi nga e fundit shfaqje ku ka luajtur, të premten në mesditë, në 25-vjetorin e vrasjes. Ishte vetëm 23 vjeçe, kur u vra më 22 mars të vitit 1999. Katër ditë më parë kishte luajtur në shfaqjen “Ushtari mburravec”, në atë që asokohe ishte Teatri Popullor Krahinor. Si për ironi, titulli i shfaqjes disi kapërthente edhe një ngjarje si kjo.

Të pashlyeshme janë konsideruar gjurmët e saj në akademinë përkujtimore “25 vjet pa Adriana Abdullahun” të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku janë bërë bashkë ish-kolegë e familjarë të saj.

Adriana Abdullahu do të diplomonte për aktrim në klasën e profesor Faruk Begollit, më 1998, një vit para se të vritej. Magjinë e skenës do ta përjetonte në teatrin “Dodona”, që në kohën e regjimit serb do të shndërrohej në një lloj oaze e strehë artisësh dhe jo vetëm.

Në akademi përkujtimore drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtim Sheremeti, që ishte njëri prej kolegëve të studimeve, ka thënë se Adriana Abdullahu ka lënë gjurmë të pashlyeshme me personalitetin e talentin e saj. E ka kujtuar shfaqjen e parë dhe të fundit të saj në atë që sot është Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Ishte data 18 mars, ora 13:00, kur në skenën e Teatrit Kombëtar u ngritën perdet e premierës së fundit – ‘Ushtari mburravec’. Për Adrianën, një aktore e jashtëzakonshme që kishte përfunduar studimet vetëm pak muaj më parë, debutimi në skenë ishte moment i realizimit të një ëndrre. Talenti i Adrianës ndriçoi skenën me hirin, pasionin, prezencën e fuqishme të saj”, ka thënë Sheremeti.

Shfaqjen në të cilën ajo ka luajtur, Sheremeti e ka krahasuar me vrasjen tragjike të aktores në moshën 23-vjeçare.

“Adriana e cila në skenën e teatrit tonë luajti në shfaqjen e fundit që shpërfaqte vogëlsinë e një ushtari që krekosej në veprat e tij minore, pak ditë më vonë në skenën e jetës u përball pikërisht me vogëlsinë e një polici kriminel që konsideronte heroizëm vrasjen e një vajze të re e të pambrojtur. Shfaqja e saj e parë në Teatrin Kombëtar, fatkeqësisht është edhe shfaqja e fundit”, ka thënë Sheremeti.

Në “Dodonë”, Abdullahu do të luante edhe në shfaqjet “Martesa”, “Shtatë ngjyra lumturie”, “Marurantët”, “Mbreti Ibish” e në shfaqjen “Stjuardesat”. Ka luajtur edhe në projektet televizive “Elefantët futurojnë në Hoolivud”, “Shihemi në gjyq, bac” dhe “Darka e dreqit”.

Para se të largohej me familjen për në Maqedoni, aktorja do të vinte edhe një herë në Prishtinë. Pasi kishte parë shfaqjen e diplomës së kolegëve të saj, do të bëheshin bashkë në kafenenë “Magic”. Të shtënat drejt kësaj kafeneje në mbrëmjen e 22 marsit ia morën jetën. Kolegët e saj do të mobilizoheshin të mbanin një mbledhje komemorative në teatrin ku ajo luante, por do të gjendeshin përballë dyerve të mbyllura nga forcat serbe që nuk lejuan mbajtjen e kësaj ceremonie. Megjithatë, Adriana do të nderohej jashtë teatrit “Dodona”.

Image
Të pashlyeshme janë konsideruar gjurmët e saj në akademinë përkujtimore “25 vjet pa Adriana Abdullahun” të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku janë bërë bashkë ish-kolegë e familjarë të saj (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se aktorja Abdullahu njihet për talentin e rrallë, përkushtimin e palëkundur, edukatën e kapacitetin e pashoq për aktrim. Sipas Kurtit, magjia e saj nuk shuhet.

“Pa provokim, pa asnjë arsye, u sulmua arti i Kosovës e artistët tanë. Në këtë mes, tragjikisht humbëm Adrianën tonë. Por jo edhe magjinë e saj. Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë. Adriana quhet ‘Engjëlli i Dodonës’, teatri i qytetit të saj, Ferizaj, quhet Teatri ‘Adriana’, sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se organizimi i ceremonisë përkujtimore për Adriana Abdullahun – i bërë në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe teatrin “Adriana” në Ferizaj – është hap modest për të rikujtuar jetën dhe veprën e saj.

“Humbja e saj fizike asnjëherë nuk do të ngadhënjejë mbi fuqinë e saj pozitive shpirtërore. Këtë e dëshmon edhe Teatri i Ferizajt, ku zhvillohen gjenerata të reja artistësh nën ombrellën e emrit teatri ‘Adriana’. Ky është vetëm një hap drejt ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore artistike që ajo la pas vetes së saj”, ka thënë kryeministri Kurti.

Drita Abdullahu, motra e aktores së ndjerë, ka thënë se Adriana Abdullahu e shijoi magjinë e skenës me gjithë rrethanat në vendin e okupuar.

“Humbja e Adrianës është një plagë që vazhdon të kullojë dhimbje. Adriana si artiste e re nuk arriti kurrë të shijojë profesionin e saj në liri, profesionin që aq shumë e donte. Por luftërat janë të pamëshirshme, prekin shumë familje, siç prekën edhe familjen time të vogël”, ka thënë ajo në skenë mes emocionesh. E kujtuar si “Engjëlli i Dodonës”, ka thënë se ajo e kishte bërë të kuptonte rolin e artistes në vendin e saj.

“Edhe pse teatrot ishin nën masa të dhunshme të regjimit, udhëtimet me kolegë anekënd vendit me shfaqjet e tyre më krijonte përshtypjet se lajmërohet nga një vend plotësisht normal. Nëpërmjet kësaj edhe unë e kuptova sa i rëndësishëm është roli i një artisteje për popullin e tij në çdo vend, në çdo moment. Në çfarëdo rrethanash, artisti bashkëndien me vuajtjet, përpjekjet, gëzimet, aspiratat. Me një fjalë e ndan fatin e tij me popullin të cilit i takon”, ka thënë Abdullahu, duke u shprehur se Adriana e kishte shijuar magjinë e skenës deri në frymën e fundit, ani pse nuk jetoi gjatë.

Në hollin e atij që është kthyer në Amfiteatër të Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë ekspozuar gjësende nga fëmijëria e aktores. Aty janë imazhet e fëmijërisë së saj. Rroba, djepi, aksesorë e fotografi kanë sjellë imazhet e vegjëlisë së aktores.

Me pikë muzikore në ceremoninë përkujtimore kanë shoqëruar Edona Vatoci dhe Viola Rrecaj.

Aktori Artan Geca, ish-bashkëpunëtor i aktores Abdullahu, e ka vlerësuar atë si njërën prej artisteve më elegante të skenës teatrale.

“Kur dilnim në skenë me Adrianën, diçka ndryshonte. Nuk ka pasur dallim në çfarë niveli ishte. Kur ajo ka dalë në skenë diçka ka ndryshuar. Në mënyrë të natyrshme na ka bërë edhe neve të jemi më të mirë. Prania e saj në skenë, me të drejtë e kanë thënë të gjithë, përfshirë profesorin Faruk e profesorin Fadil Hysaj, pastaj regjisorët me të cilët ka punuar”, ka thënë Geca.

Uliks Zajmi, nipi i aktores së ndjerë, ka thënë se e ka krijuar imazhin për të bazuar në rrëfimet e të afërmve.

“S’e takova asnjëherë Adrianën. Kam dëgjuar vetëm histori rreth pasionit të saj për artin dhe dashamirësinë për jetën, ambiciet për të mbërritur lart, dashurinë për kombin dhe madhështinë e saj. Historitë të cilat janë vërtet befasuese në jetën e saj të shkurtër prej 23 vjetësh, duke marrë parasysh kohën në të cilën është rritur, ajo arriti të japë shumë dhe të ndikojë shumë”, ka thënë ai.

Adriana Abdullahu u lind në Shkup në vitin 1976. Në Ferizaj mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa studimet në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Adriana Abdullahu u varros më 24 mars të vitit 1999 në Ferizaj. Përderisa emri i saj është përjetësuar në teatrin e qytetit në Ferizaj, teatri “Dodona” do të themelonte çmimin “Adriana”, që e ndante për çdo vit për aktoren më të mirë në kuadër të organizimit të dikurshëm të festivalit ndërkombëtar të studentëve “Skena UP”.