Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se janë në dialog me Qeverinë e Kosovës sa i përket amendamenteve për Ligjin për Gjykatën Speciale.
Derisa ka folur për përparimin e vendit në reforma, ka thënë se ky proces mund të minohet për shkak të këtyre amendamenteve.
“Tash me qeverinë e re, shpresoj që shteti ta ketë mundësinë të ecë para. Amendamentet në Ligjin për Specialen rrezikojnë ta minojnë çdo përparim, por tashmë jemi në dialog sa i përket këtyre amendamenteve me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ajo.
Duke folur për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, ajo ka thënë se hapi i radhës është që 27 shtetet anëtare të pajtohen që t’i kërkojnë Komisionit Evropian të përgatisin opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
“Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Por për t’i bindur shtetet anëtare, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme, siç i ka tash, dhe përparim në reforma dhe sa më i fortë përparimi në reforma edhe më i fuqishëm do të jetë rasti i Kosovë për të ecur përpara”, ka thënë ajo.