Begolli ka qenë jo vetëm një artist i jashtëzakonshëm, por edhe një njeri i jashtëzakonshëm, i çliruar tërësisht nga çdo ndjenjë urrejtjeje e ngarkese nacionale. Në një intervistë të atyre viteve, ai pat deklaruar: “Kurrë nuk kam ikë nga rranjtë e mia, por nuk kam mendue se kjo asht gjaja ma e randësishme e jetës teme“. Ka qenë një njeri i lirë. Ai e ka përbuzur çdo pushtet e forcë që ka bërë përpjekje t’ia diktojë bindjet, vlerat e idealet
Këtë 23 gusht që lamë pas janë mbushur 18 vjet nga vdekja e aktorit të njohur nga Kosova, Faruk Begolli. Ai ka qenë njëri ndër aktorët më të popullarizuar të filmit në ish-Jugosllavi, me një bagazh prej më shumë se 100 roleve, shumica prej të cilëve në filma me tematikë nga Lufta e Dytë Botërore. Begolli në filma ka qenë kryesisht ai heroi romantik, partizani i shkathët apo dashnori i flaktë, që e pëson padrejtësisht diku ka fundi i filmit. I ri, i pashëm, i popullarizuar – ai u bë idoli i miliona njerëzve në ish-Jugosllavi, veçanërisht i grave. Por përtej karrierës së bujshme në kinematografinë e atëhershme jugosllave, ai në Kosovë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si themelues i Degës së Aktrimit, e pastaj edhe si profesor, por edhe si drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë. Ai u kthye nga Beogradi në Prishtinë, në fund të viteve të 80-ta, e qëndroi deri kur vdiq në vitin 2007, në moshën 63- vjeçare.
Gjatë viteve të 90-ta ai udhëhoqi teatrin “Dodona”, teatri i vetëm që krejt atyre viteve realizonte shfaqje në gjuhën shqipe. Në një kohë kur teatrot e tjera u mbyllën ose kaluan nën menaxhim të vasalëve të Millosheviqit, “Dodona” u bë shtylla kryesore e “rezistencës shpirtërore” në Kosovë. Kur nisi lufta dhe kur policia dhe ushtria serbe nisën dëbimin e shqiptarëve nga qytetet e fshatrat e Kosovës, Begolli kishte vendosur të qëndronte në Prishtinë. I fshehur në banesën e vëllau të tij, ai një herë ishte vizituar nga policë serbë të tërbuar, të cilët e kishin maltretuar e terrorizuar. “Një ditë, derisa në televizion jepej filmi ‘Operacioni Beograd’ i regjisorit Zhika Mitroviq, ku unë luaj çlirimtarin e patrembur të qytetit të Beogradit, policët serbë erdhën dhe na larguen nga shtëpia”, kishte rrëfyer ai.
Në Beograd, Begolli refuzoi të shkonte pas luftës, thoshte se kishte frikë se do të gjente një Beograd tjetër nga ai që ruante në kujtimet e mira të dikurshme. Në Prishtinë ai jetoi një jetë prej bohemi të vërtetë. Kishte disa kafene të preferuara ku pinte raki e shoqërohej kryesisht me ish-studentët e tij. Vazhdonte ta voziste “Jugon” e tij të moçme, e të pinte “Drinat” e tij, të cilat ia sillnin të shfercuara nga Serbia. Në filma luante rrallë, sepse rrallë xhiroheshin filma në atë periudhë të pasfluftës. Në teatër hezitonte të luante, por megjithatë luajti Mbretin Lir pak kohë para se të vdiste. U varros në varrezat e Prishtinës, nga familja dhe nga një rreth i vogël miqsh, të cilët u përshëndetën me të me nga një gotë raki.
Begolli ka qenë jo vetëm një artist i jashtëzakonshëm, por edhe një njeri i jashtëzakonshëm, i çliruar tërësisht nga çdo ndjenjë urrejtjeje e ngarkese nacionale. Në një intervistë të atyre viteve, ai pati deklaruar: “Kurrë nuk kam ikë nga rranjtë e mia, por nuk kam mendue se kjo asht gjaja ma e randësishme e jetës teme“. Kur u bë e qartë që, për shkak të sëmundjes, nuk do të jetone gjatë, institucione të ndryshme kulturore, shoqata, ministri e ngjashëm, nisën t’i ndajnë mirënjohje. Ai u tall, duke thënë: “Tani, pres që edhe Ujësjellësi të më ndajë mirënjohje, për pagesën e rregullt të ujit”.
Begolli ka qenë një njeri i lirë. Ai e ka përbuzur çdo pushtet e forcë që ka bërë përpjekje t’ia diktojë bindjet, vlerat e idealet. Në të vërtetë, me mënyrën e jetës së vet, me moskokëçarjen e refuzimin e tij, ai ka përbuzur edhe krejt atë epokë të çmendur të pasluftës.