Në përpjekje e sipër, kur e lexon librin e Albinot Malokut, “Një vit jetë pa institucione” – Sh.B. “Botime Koliqi“, Prishtinë, 2026 – mendon se teza e vjetër klasike (Hegel) se asgjë nuk mund të mësohet nga historia, e shikon të materializuar në rastin e Kosovës
Bota Perëndimore prej kohësh zhvillon sfida sa i përket demokracisë, shtetformimit, burimeve natyrore dhe sidomos Ligjit Ndërkombëtar. Në hapësirën e pamat’ që rrok kjo e fundit, u krijua edhe Republika e Kosovës. Sakrifica e paimagjinueshme dhe sublimiteti i disa brezave të shqiptarëve, arritën të kapnin në kohën e duhur momentumin historik dhe të shpallnin pavarësinë. Një komb i vogël dhe i nëpërkëmbur, tashmë ka plot dy shtete. Kujt vallë do t’ia merrte mëndja se në shekullin XXI, do agonin plot dy subjekte shtetërore shqiptare?!
Lufta tashmë do t’ia linte udhën shpalosjes së ideve, përpjekjeve të shtetformimit dhe ndërtimit të konstruksionit politik-ekonomik-administrativ, të cilat Kosova duhet të ndërmerrte në hapat e rritjes. Një sërë individësh për këtë qëllim, zgjodhën apoteozën dhe kulmimet e Luftës, çka dinin ta bënin më mirë e më lehtë; disa syresh protagonizmin dhe evidentimin deri në skaje të kontributeve të tyre; kurse një pjesë e tretë kanë zgjedhur t’i shërbejnë Kosovës në mënyrë krejt tjetër: Duke shpalosur problematikat, dinamikat e krijuara dhe fenomenet për ta parë Kosovën zonjë dhe për ta trajtuar si shtet normal mes komunitetit të shteteve të pavarura. Atë që në fakt Rilindasit e mendonin për të gjithë hapësirën shqiptare, asokohe shpërndarë në katër vilajete.
Magjistri i së Drejtës Ndërkombëtare dhe analisti politik nga Kosova, Albinot Maloku i përket këtij grupimi të tretë. Në librin e tij të fundit, ku nën mbititullin “debate këndore” qëndron titulli: “Një vit jetë pa institucione”, është bërë një përmbledhje jo vetëm e krizës aktuale që po jeton Kosova, por edhe rrënja e problematikave, si edhe të gjitha elementet që kanë përcjellë drejt saj. Publicistika politike, e përdorur këtu, është gjinia e publicistikës me të cilën Maloku ndihet familjar por edhe di t’i trajtojë me maturi çështjet, ngjarjet dhe debatet politike e shoqërore. Këtë e bën shpesh nëpërmjet shtypit vendas dhe atij ballkanik, medias vizive, apo botimeve të veçanta. Analiza e tij kritike, opinioni dhe argumenti i shpalosur e bën lexuesin kosovar dhe atë shqiptar jashtë Kosovës (madje edhe atë ballkanik) të ndërgjegjësohet dhe orientohet rreth zhvillimeve në vend dhe më gjerë. Studiuesi i ri, tashmë kandidat doktorant, shpaloset jo thjesht i pjekur, por edhe i matur e i kujdesshëm dhe mbi të gjitha largpamës.
E di se përballë Kosovës, qëndron paqartësia e kohës dhe vetë amullia e shpeshtë e strukturave të BE-së, por ka të rrënjosur nga ana tjetër se për vendin e tij ka vetëm një udhë: Ajo quhet Liri dhe duhet mbajtur e kultivuar me çdo çmim mendimi e kontributi intelektual. Deri tani është paguar me gjak, djersë dhe sakrifica. Në llogoren e tij luftohet me mendim dhe ide, por edhe me konstatime. Jo pak herë edhe parabola, që e tregojnë me një përmasë kulturore të spikatur. E tillë si ajo që shpjegon në rastin e “Filter 57”, ku: “Sistemi monist ndër të tjera, ishte mashtrues aq sa edhe logjika më dembele, nuk mund ta pranonte atë që i servohej si diçka e pranueshme!” Paradoksalisht, Kosova si produkt i Perëndimit, jo rrallë herë po i vuan politikat e saj. Në një këndvështrim disi cinik, Perëndimi është zhvilluar jo pak herë duke sfiduar demokracinë, ose duke i konsumuar retorikat, apo ka shkuar në zgripe të paimagjinueshme, ku kërcënon deri me tharjen e caqeve natyrore, por tashmë normalitetin ua kërkon vendeve si ne, që të mos përshkojmë të njëjtën udhë! Nëse do të ekzistonte ndonjë lloj etike, atëherë duhet të ishin cak këto vende që duhet të ndanin jo vetëm sakrificat, por edhe shpenzimet si edhe kufizimet. Perëndimi, jo pak herë, ka nisur luftëra dhe është përballur shumë pak me pasojat, ndërsa shpesh i ka përcjellë disa vende në dilema ekzistenciale, sa i përket të Drejtës Ndërkombëtare.
Maloku ua kujton në një aspekt tjetër dhe në çdo rresht pushtetarëve të vendit elementët e Të Drejtës, Normalitetin dhe Etikën, duke u evidentuar udhët dhe problematikat, por edhe sinqeritetin, pasi nëse do të bësh diçka për vendin, duhet ndikuar edhe vetë në politikë. Ose si e përcaktoi qartë Platoni në antikitet se: “Një nga ndëshkimet për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë, është se përfundon duke u qeverisur nga inferiorët e tu“. Ky është kontributi i këtij qytetari intelektual. Ndërkohë, është etika e arsyes që nuk e lë studiuesin ta shikojë moralin aktual politik në Kosovë, thjesht si një produkt të logjikës njerëzore. Etika na mëson se vendimet dhe veprimet e drejta, nuk burojnë nga dogmat apo ndjenjat, por nga aftësia e mendimit racional, për të përcaktuar e pranuar rregulla universale, që e bëjnë të mundur bashkëjetesën përmes dialogut. Këtu gjendet tashmë Thembra e Akilit në Kosovë. Dialogu është i munguar jo vetëm nga politika, por ndodh jo rrallë dhe brenda vetë një force politike. Rastet e Vetëvendosjes, LDK-së, PDK-së, AAK-së etj., mund ta ilustrojnë sa më mirë këtë. Brenda kësaj logjike, studiuesit Maloku i shkon më shumë logjika e filozofit Jürgen Habermas, që e zgjeroi etikën e arsyes në sferën shoqërore me argumentin se morali dhe e vërteta arrihen përmes dialogut dhe konsensusit. Më pak fjalë: Rregullat janë të vlefshme kur të gjithë të prekurit bien dakord pas një debati të lirë dhe racional. A është ky rasti i Kosovës?
Qasja e Malokut nis dendur e adresuar te një forcë politike VV dhe kreun e saj Kurti, që tashmë e zotëron mjedisin kosovar dhe e trajton t’lidhur të gjithë problematikën dhe zhvillimet që ka prodhuar, kryesisht me dialogun me Serbinë, por jo vetëm kaq “...para 14 shkurtit të vitit 2021, është kritikuar, kërkuar dhe premtuar që procesi i dialogut të ketë transparencë, deri në rrethana që, kur ata të jenë në pushtet, dialogu Kosovë-Serbi, nuk do të mund të jetë vetëm mes elitave politike me pushtet, por duhet t’i përfshijë edhe qytetarët, shoqërinë civile, ekspertët dhe se pa këtë përfshirje, marrëveshjet nuk do të kenë legjitimitet dhe do të kundërshtohen fuqishëm. Është insistuar që çdo marrëveshje e arritur në Bruksel, do të publikohet dhe diskutohet në Kuvendin e Kosovës, e konsideruar mosraportimin para të zgjedhurve të popullit, si shkelje të rëndë të demokracisë dhe si përjashtim i qytetarëve nga rrjedha e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, rrethanat e të cilit kanë reperkusione historike për qytetarët dhe për vendin”. Përfundimi i studiuesit është i qartë dhe i thartë: “Bajrakun e paqartësisë së procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Republikën e Kosovës e mban garnitura qeverisëse dhe drejtuese e vendit pas 14 shkurtit, 2021”.
Politologu dhe publicisti Albinot Maloku noton lehtë në këtë peizazh të së Drejtës dhe me tunikën e punonjësit shkencor, nuk e ekzagjeron në librin e tij të fundit procesin e shtetformimit të Kosovës, ashtu si di të adresojë të metat, dobësitë, apo qoftë edhe arritjet e shtetit të ri. Ai vendos që të jetë njëfarë kronisti i mendimit dhe ta përshkruajë këtë rrugëtim shpesh me një matricë shkencore. Nga shikimi i kujdesshëm dhe shkoqitja e shkaqeve, di të shkojë dhe të argumentojë se ku po e çojnë pasojat vendin e tij. Ndryshimet politiko-shoqërore të Kosovës, nuk i shikon të palidhura me pasojat që rrodhën pas lufte dhe sidomos pas shkëputjes prej kolonializmit serb (paçka kohëve) dhe nisjen e formimit të një identiteti brenda të njëjtit komb. Di t’u japë hisen e tyre edhe flegmatizmit të partive të tjera shqiptare, veç Vetëvendosjes, që tashmë posedon gjithçka në skakierën politike të vendit. “... PDK, LDK, AAK, NISMA, nuk kanë asnjë detyrim për të votuar dikë pa marrëveshje politike, ato duhet të mos i frikësohen narrativave, por mospasjes së qëndrimeve lineare të tyre dhe të cilat në shumë situata, nuk po i nxjerrin të interesuara të jenë në qeverisjen e vendit në këto kohë kur jetësimi i Pajtimit të ndodhur në Bruksel e Ohër mes Albin Kurtit e Aleksandar Vuçiqit, duhet të jetësohen në terren. Për fund, përpjekjet për të imponuar vendimmarrje politike përmes narrativave emocionale dhe presionit publik, krijojnë precedentë të rrezikshëm për demokracinë edhe më të pjekur e lëre më si kjo e Kosovës që si e brishtë është në ndërtim e sipër”, vëren ai.
Në përpjekje e sipër, kur e lexon Albinotin, mendon se teza e vjetër klasike (Hegel) se asgjë nuk mund të mësohet nga historia, e shikon të materializuar në rastin e Kosovës. Mbase, kjo lloj njohje është përtej mundësive tona, porse vendi nuk mund të jetë aq përjashtim. “Për shumë intelektualë, gjatë Luftës së Ftohtë pasojat njerëzore të citimit të së kaluarës për legjitimitetin e ideologjisë komuniste, kishin qenë aq të tmerrshme saqë çdo ide se historia mund të mbante mësime për të tashmen u diskretitua plotësisht”, shkruan historiani John Tosh. Dhe, këtë metodisti i kujdesshëm i historisë, ndërmjet tyre edhe disiplinës politike, veç këtij pohimi e lidh me një premisë të dytë për refuzimin e historisë si përkushtimi ndaj modernitetit. “E nëse dikush përkushtohet nga të resë, pse të shqetësohet me të shkuarën”, përcakton ai. Por ekuacioni i modernitetit me refuzimin e të shkuarës, shkroi më vonë e pati lidhjen shumë e shumë kohë më parë gjatë Revolucionit Francez. Ndërsa politika dhe filozofia e Kosovës me velon e pavarësisë, ende nuk ka mbushur çerekshekullin e saj jetësor. Por në rastin tonë, ndërsa mendimi avangard e konsideron krijimtarinë njerëzore të krahasuar me arritjet e të kaluarës, në vend që të rritej prej tyre, në rastin e Albinotit, ai flet për një të tashme moderne, ku atij i intereson veç konstatimit dhe idetë që ekzistojnë në Kosovë dhe ajo e shkuar po aq problematike.
Një vëzhgim interesant, që mund të jetë edhe konstatim, e ka me strukturat e BE-së...për të cilat nuk flirton por e shpreh hapur se: “(BE) kurrë nuk ka arritur të dëshmojë se është në gjendje të marrë vendime të mëdha, që do t’i jepnin fund çështjes së integrimit të këtyre vendeve dhe të konfirmonte fuqinë e tij politike. Si pasojë, në këto vende kanë vepruar forca të errëta, të cilat i përdorin këto shtete për destabilizim në rajon dhe më gjerë”, e shpreh në një nga intervistat e tij për median ndërkombëtare. Me shfletimin dhe leximin e këtij botimi interesant veç tematikave, lexuesi do gjejë dhe koncentrime mendimesh që janë dhënë për disa nga mediat më të njohura në ish-hapësirën jugosllave, duke treguar një fakt se brezi i kulturuar i kosovarëve të sotëm, mund të përballet jo thjesht me konstatimet e thella të zhvillimeve, por dhe të paraprijë me ide. Dhe, Albinoti nuk mbetet në këto, di të fshikullojë dhe bashkatdhetarët e tij që sot kanë arritur pushtet qoftë në Kosovë, por edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje e me radhë. Libri i fundit e shpalos në një udhë të mirë, ku Etika e arsyes i jep Malokut përgjegjësi të plotë për shprehjen e mendimeve të tij. Dhe, ku ka më shumë përgjegjësi, se sa të shqetësohesh për vendin tënd, ose si ua la si këshillë pasardhësve të Lëvizjes së tij tek “Testament shprese” Martin Luter King: “Vjen një kohë kur dikush duhet të marrë një qëndrim, që nuk është as i sigurt, as politik, as popullor, por ai duhet ta marrë atë, sepse ndërgjegjja i thotë se është i drejtë“. Dhe, a ka moment më të nevojshëm se ky për Kosovën që të përballet me mendim të pjekur e shkencor?!