Tema që po pretendoja ta “kapja” në objektiv është ajo e mungesës së një debati të qartë, të thuktë dhe, mbi të gjitha, konstruktiv e vetëdijësues lidhur me një fenomen që nuk po shfaqet as te subjektet politike që po pretendojnë të marrin pushtet në zgjedhjet e dhjetorit, as në media, e as në qarqet akademike. Ajo që është më interesante, e ndoshta edhe më e dhimbshme, është të flasësh për këtë dukuri, të cilësuar në gjuhën sociologjike si hermetizëm social i shoqërisë sonë, e cila, në njërën anë, përditë thirret në vlerat dhe standardet evropiane mbi dijen dhe arsimin, ndërsa në anën tjetër, përmes një heshtjeje – e sidomos indiference kërcënuese – në mënyrë indirekte është mbyllur në vetvete dhe me të dy veshët i ka orientuar vetëm kah politika… Pra, duke mos mundur të qëndrojë indiferent, e pak a shumë edhe i zhgënjyer nga kjo heshtje jonë akademike që i ngjan shprehjes “veshët në lesh”, e cila na bën të dyshojmë se jemi shndërruar në poltronistë e konformistë, që vetëm presim me afsh ndonjë “kockë të mbetur”, në vend që të ngremë zërin dhe të alarmojmë opinionin e gjerë për të metat dhe katastrofën që po u ndodh arsimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, si në Universitetin e Prishtinës, ashtu edhe në përgjithësi sistemit të shkollimit. Ky sistem, në vend që të shërbejë si mjet për të dalë nga kriza ekonomike, sociale, politike e pse jo edhe kulturore, po shndërrohet në një barrë të pajustifikueshme për shoqërinë kosovare. Askund dhe asnjëherë nuk është vërtetuar shkencërisht se edukimi dhe arsimimi i një komuniteti është në kundërshtim me progresin dhe emancipimin e përgjithshëm politik, ekonomik e sidomos kulturor. Kjo nënkupton se funksionimi dhe përparimi i një vendi dhe i një shteti janë të lidhura ngushtë me nivelin e shkollimit dhe arsimimit, apo, thënë ndryshe, me nivelin e praktikimit të përvojave të të tjerëve, të cilët kanë dëshmuar shkallë të lartë të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit për kapacitetet, mundësitë dhe nevojat e tyre. Shoqëritë e avancuara, në fakt, ambiciet dhe projektet e tyre sociale, kombëtare dhe sidomos shtetërore, i kanë realizuar kryesisht përmes një sistemi koherent të edukimit dhe arsimimit në të gjitha nivelet. Ngase cilësia e arsimimit është njëkohësisht mekanizëm dhe pasqyrë që, në botën ku jetojmë, na mundëson të përjetojmë momente krenarie dhe ndërtimi të një identiteti social me të tjerët, si dhe një kornizë zhvillimi dhe emancipimi global. Por, a është kështu me arsimin dhe edukimin tonë në Kosovë? Kjo është një pyetje fondamentale që duhet të na provokojë, së paku neve që po prodhojmë – pa ndjenja dhe, ç’është më shqetësuese, pa vetëdije shtetërore e as nacionale – një hiperproduksion kuadrosh që çdo ditë përballen me nepotizëm dhe me perceptimin se asgjë nuk mund të bëhet për avancimin e tyre, për shkak se politika (lexo: elitat politike) i dizajnojnë dhe i rekomandojnë parametrat e edukimit dhe arsimimit të shoqërisë sonë. Paramendojeni: shteti, me mekanizmat e tij, arrin të përzihet jo vetëm në politikat kadrovike (që ndoshta edhe mund të toleroheshin disi), por – ç’është edhe më tragjike – edhe në nevojat dhe destinimet e këtyre kuadrove të reja, të cilët nesër duhet të jenë bartësit dhe artikuluesit kryesorë të përparimit dhe emancipimit të përgjithshëm.
Arsimi, gjithkund në botën e globalizimit, dihet se nuk ofron vetëm dije – që natyrisht është kushti kryesor për rritjen e parametrave të zhvillimit dhe për sigurimin e hyrjes në tregun e punës – por edhe dije që mundëson vlerësimin e punës sonë, na nxit të kërkojmë përgjigje logjike se pse po punojmë dhe sa jemi të kënaqur me cilësinë e sistemit edukativo-arsimor, për të cilin kemi investuar kohë dhe mund. Kjo dije na ndihmon të kuptojmë kapacitetet dhe interesat tona kombëtare, shkencore e politike, si dhe të definojmë kahet në të cilat duhet të orientohet ky vend dhe ky shtet, i thënçin…
Duke u nisur nga premisa logjike se sistemi ynë aktual i arsimimit dhe edukimit – thënë pa dorashka – është një imponim, apo thënë ndryshe një copy-paste i trashëguar nga administrata e ish-UNMIK-ut, vërehet se ministrat dhe rektorët e atëhershëm nuk bënë pothuajse asgjë që të shqyrtoheshin, së paku në vija të trasha, nevojat humaniste, empatike, altruiste, komunikuese dhe sidomos ato të aftësimit profesional, të cilat për shoqëritë e dala nga lufta, siç ishte edhe shoqëria jonë, ishin dhe mbesin kardinale për ndërtimin e kapaciteteve të duhura përballë sfidave të kohës. Po ashtu, nuk u shqyrtuan as (pa)mundësitë e aplikimit të sistemit bachelor, për të cilin gjykoj se jo vetëm që nuk ishim të përgatitur për fazën në të cilën ndodhej shoqëria kosovare, por as për pasojat që ky sistem solli. Sot, ky sistem po na bind çdo ditë se po prodhon analfabetë bashkëkohorë. Dikush mund të pyesë: ku janë shkaqet? Si ilustrim, mendoj se sistemi Bachelor, në vend që të aplikohej menjëherë, do të duhej të shtyhej për katër apo pesë vjet, madje edhe për një dekadë të tërë, në mënyrë që të bëheshin përgatitjet e duhura, ashtu siç vepruan vendet e rajonit, duke analizuar paraprakisht përgatitjen e kuadrove, gjendjen sociale dhe ekonominë. Sot, ky sistem po prodhon një hiperproduksion të njerëzve që ende nuk mund të cilësohen kompetentë për sfidat e kohës dhe nuk u ofron gjeneratave të “revolucionit teknologjik” asnjë perspektivë reale në tregun konkurrues të punës.
Logjika e ndjekjes së kuantitetit, e jo të kualitetit, ka bërë që studenti të zgjohet herët në mëngjes për të zënë një karrige, ndërsa profesori të ligjërojë dhe të kontrollojë një mijë teste për një afat provimi. Kjo politikë e qëllimshme, me intenca tërësisht politike, e ka politizuar institucionin më të shenjtë të dijes, i cili në çdo shoqëri ka për detyrë të funksionalizojë ekonominë, të rrisë vetëdijen shoqërore dhe të identifikojë sfidat zhvillimore.
Duke qenë se mungon sociologjia e arsimit si disiplinë funksionale, na mbetet të identifikojmë intuitivisht disa dukuri shqetësuese: ligjërimi ende ex cathedra, mungesa e interaksionit dhe kreativitetit, mungesa e instituteve hulumtuese, pamundësia e qasjes në literaturën bashkëkohore, mungesa e transparencës financiare dhe decentralizimit, si dhe shumë probleme të tjera që kërkojnë analiza empirike serioze.
P.S. Cilësia e arsimimit, në një mënyrë, është një mekanizëm, por edhe një pasqyrë që na mundëson të ndërtojmë krenari, identitet social dhe kornizë zhvillimi e emancipimi në botën globale në të cilën jetojmë…