Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Elbenita Kajtazi në rolin e Mimit dhe një ëndërr e realizuar

“Roli i Mimit nga opera ‘La bohème’ ka qenë një ëndërr e kamotshme qysh nga koha kur kam filluar studimet ne Prishtinë. Ariet e Mimit i kam punuar jashtëzakonisht shumë më profesorin Bajar Berisha. I kujtoj gjithmonë ato ditë në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë”, ka thënë sopranoja Elbenita Kajtazi të shtunën, nën emocionet e premierës së “La bohème” në Semperoper” të Dresdenit

Roli i Mimit për Elbenita Kajtazin ishte një ëndërr. Ajo tashmë është realizuar. Pjesa tjetër është rrëfim suksesi, duartrokitje dhe një rrugëtim që sapo ka nisur me këtë rol, prej një alamet skene. Të premten mbrëma ajo ka debutuar në këtë rol në “La Bohème” në shtëpinë operistike “Semperoper” në Dresden të Gjermanisë.

Ende nën emocionet e premierës, edhe pse kanë kaluar disa orë, Kajtazi i kthehet ëndrrës kur flet për rolin. Të shtunën, i është përgjigjur KOHË-s, teksa po udhëtonte me tren për një tjetër skenë në një tjetër qytet. Agjenda e saj ka kohë që është e ngjeshur.

“Roli i Mimit nga opera ‘La bohème’ ka qenë një ëndërr e kamotshme qysh nga koha kur kam filluar studimet ne Prishtinë. Ariet e Mimit i kam punuar jashtëzakonisht shumë më profesorin Bajar Berisha. I kujtoj gjithmonë ato ditë në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë”, ka kujtuar Kajtazi teksa në zë i dallohet entuziazmi. Si mrekulli, e përshkruan ngjitjen në skenë një natë më parë.

“Mbrëmja e djeshme ka qenë një mrekulli. Nuk do ta harroj kurrë. Ka qenë jashtëzakonisht sfiduese, sepse kam pasur vetëm dy ditë prova edhe është çmenduri të debutosh një rol me dy ditë prova por, ne femrat shqiptare jemi shumë të guximshme dhe sfidat i kemi shumë qejf, kështu që mezi e kam pritur” ka thënë ajo.

Debutimin e Kajtazit e ka mirëpritur jashtëzakonisht mirë edhe publiku i “Semperoper”, ku siç tregon Kajtazi, “duartrokitjet kanë qenë të mëdha dhe shumë të gjata”.

Edhe Sopranoja Elbenita Kajtazi me rolin e Mimit drejt rrugëtimit lirik Kulturë Sopranoja Elbenita Kajtazi me rolin e Mimit drejt rrugëtimit lirik

Por, përveç debutimit me një rol kaq të dashur për të, Kajtazi thekson edhe rëndësinë e madhe që për një artiste ka debutimi “në një shtëpi operistike siç është Semperoper Dresden, e cila është njëra ndër shtëpitë më të bukura operistike në botë.”

“La bohème” është një operë në katër akte, kompozuar nga Giacomo Puccinit në mes të viteve 1893-1895 bazuar në “Scenes of Bohemian Life” të shkrimtarit francez Henri Murger. Një nga operat më të dashura të kompozitorit italian që sjell gjallërinë e jetës bohème.

Është shumë e njohur dhe e kërkuar, por edhe sfiduese sepse kërkon fuqi vokale. Për realizimin e saj, Kajtazit i ishte dashur një përvojë e madhe profesionale si dhe punë e palodhshme.

“Mimi është një rol shumë sfidues, sepse Puccini ka kompozuar një orkestër të plotë dhe është rrezik që orkestra e mbulon zërin, por jam shumë me fat që gjithë ato role që i kam kënduar deri tani, më kanë ndihmuar shumë në zhvillimin e zërit tim, që të mund t’i këndoj këto role që janë më sfiduese”, ka thënë ajo.

Sopranoja Elbenita Kajtazi, ka treguar se roli i Mimit nga opera “La bohème” është “një rol për një zë lirik, soprano lirike”. Qysh kur ishte konfirmuar se asaj do t’i besoj ky rol, në korrikun e vjetëm, ajo e kishte cilësuar si kapitull të ri në aspektin profesional. “Për mua karakteristik është fakti se po futem në një rrugëtim më lirik, soprano lirike, pasi që deri tani kam kënduar si soprano leggero ose ‘baby lyric’, kurse tash po i futem një repertori më lirik”, kishte thënë Kajtazi për KOHË-n më 12 korrik të 2021-s. Prej atëherë “ka numëruar ditët” deri te dalja në skenë. “Jam shumë e emocionuar dhe pres me padurim që të këndoj...”, kishte thënë ajo.

“La bohème” shtjellon rrëfimin e Rodolfos, poet i varfër që takon rrobaqepësen Mimi dhe bie në dashuri me të. Lumturia e tyre zbehet kur Rodolfo mëson se Mimi është e sëmurë rëndë. Ai e di se nuk mund t’i përballojë ilaçet e as t’ia ofrojë kujdesin që i duhet Mimit, prandaj ndahet prej saj. Megjithëse më vonë ata ribashkohen, në fund Mimi vdes.

Edhe Bis në skenat kulmore për zërin me të cilin jehon edhe Kosova Kulturë Bis në skenat kulmore për zërin me të cilin jehon edhe Kosova

Duke folur për historinë e Mimit, Kajtazi ka treguar se historia e saj ia kujton vitet e hershme studentore në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë. Atëherë kur ajo kishte filluar edhe lidhjen me burrin e tanishëm, Ardianin.

“Është një rol i dashur, një rol i një gruaje që dashurohet në një student. E kam shumë qejf këtë operë, sepse m’i kujton ditët e mia studentore në Prishtinë kur nuk kemi pasur kushte edhe aq të mira, por kemi jetuar ashtu si kemi munduar, si kemi ditur, bashkë me të dashurin tim të atëhershëm, tashmë burrin tim, Ardianin”, ka thënë ajo.

Elbenita Kajtazi është tashmë një figurë e njohur e skenave gjermane. Ajo ka një listë të gjatë të personazheve në repertorin e saj duke filluar nga Pamina në “Flautin magjik”, Gretel në “Hansel and Gretel”, Musetta në “La bohème”, Liù në “Turandot”, Violetta në “La Traviata”, Adele në “Die Bat” e shumë të tjera.

Në prill të këtij viti, përmes një postimi në Facebook ajo kishte njoftuar se kishte pranuar çmimin "Dr. Wilhelm Oberdörffer – Preis”, i dhënë nga “Fondacioni operistik i Hamburgut për artistë të cilët kanë treguar suksese të mëdha gjatë sezoneve të fundit.”

“Elbenita Kajtazi jo vetëm që ka një talent të veçantë, por ajo është edhe një muzikante shumë e zgjuar. Vitet e fundit hap pas hapi ajo është rritur në rolet më kërkuese. Së fundmi, si Manon dhe Violetta, ajo ka dëshmuar se në një mbrëmje operistike mund të shkëlqejë dhe të ngrejë gjithë publikun në këmbë. Arti i saj i pasionuar, i dashur dhe në të njëjtën kohë shumë natyral e bën atë një artiste që vlerësohet si nga kolegët, ashtu edhe nga publiku”, shkruhej në certifikatën e këtij çmimi të publikuar në Facebook nga vetë Kajtazi.

Por, rrugëtimi i saj nuk do të mbarojë këtu. Ajo do të jetë në Erfurt, ku të dielën do të këndojë Konteshën, një heroinë të Mozartit nga opera “Le nozze di Figaro” dhe një ditë pas do të ketë edhe një debutim në njërën nga sallat më prestigjioze, “Konzerthaus Berlin”.

Edhe Elbenita Kajtazi në Olimpin e operës: Realizova ëndrrën Kulturë Elbenita Kajtazi në Olimpin e operës: Realizova ëndrrën

“Prej pasnesër do të udhëtoj në Berlin ku do të debutoj edhe me një rol të ri të Silvia nga “Opera Zanetto”, e kompozuar nga Pietro Mascagni, të cilën do ta debutoj në një sallë prestigjioze siç është “Konzerthaus Berlin”, ka thënë ajo.

Kajtazi, pas pushimeve që do ta gjejnë në Kosovë e Shqipëri, do ta nisë sezonin e ri me shfaqje të njëpasnjëshme në vende të ndryshme të Gjermanisë po jo vetëm. Sopranon e njohur e presin edhe Franca e Anglia.