Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“OperaWire”: Elbenita Kajtazi – artiste e javës e yll në ngritje

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka marrë vëmendjen e revistës amerikane “OperaWire”. Duke e vlerësuar si “yll në ngritje”, artikullin që i është kushtuar asaj revista e ka titulluar: “Artistja e javës: Elbenita Kajtazi”.

Aty përshkruhet se si ajo do të debutojë në rolin e Ritës në operën njëaktëshe të Gaetano Donizettit. Vepra e titulluar “Deux hommes et une femme” njihet edhe me emrin që e mban personazhi kryesor që interpretohet nga Kajtazi. Premiera do të jepet sonte (e mërkurë) në sallën e koncerteve “Konzerthaus” në Berlin.

“Sopranoja që vjen nga Kosova do të kthehet në Berlin, aty ku audienca e njeh për vite. Kajtazi ishte artiste e re në ‘Deutsche Oper Berlin’ prej vitit 2014 deri më 2016 dhe ka interpretuar një numër rolesh duke përfshirë veprat e Verdit, Mozartit deri te Puccini dhe Janacek e Humperdinck”, shkruhet në artikullin për Kajtazin.

Aty jepen të dhëna se Donizetti ka shkruar rreth 70 opera shumë prej të cilave janë harruar. Tregohet se përgjatë viteve shumë prej veprave të tij janë rizbuluar.

“Këtë javë audienca gjermane në ‘Konzerthaus Berlin’ do të zbulojë operën njëaktëshe të kompozitorit që e shkroi atë më 1841. Kjo operë do të interpretohet nga një kastë e këngëtarëve të rinj përfshirë yllin në ngritje Elbenita Kajtazi, e cila do të interpretojë rolin me emrin e të cilit njihet edhe vetë vepra”, shkruhet në artikull. Aty sqarohet se ky rol është i dyti me radhë nga veprat e kompozitorit italian që interpretohet nga Kajtazi. Ajo kishte interpretuar edhe në operën “L’Elisir d’Amore” në Essen, Padova dhe Berlin.

“OreraWire” ka sqaruar se roli me operën “Rita” do të hapë sezonin 2020/2021 për të vazhduar me interpretimet tjera në Hamburg, Dresden dhe Erfurt. Aty tregohet po ashtu se Kajtazi më 2018 ishte fituese e Çmimit të publikut dhe e vendit të tretë në “Glyndebourne Opera Cup” dhe po ashtu ka marrë Çmimin kryesor në “Riccardo Zandonai Competition” e po ashtu në “Spiros Argiris Sarzana Festival Competition”. Në artikull janë përfshirë edhe arritjet e tjera të Kajtazit, si përfaqësimi i Kosovës në “BBC Cardiff Singer”.

Të martën Kajtazi ka shkruar në profilin e saj në Facebook se të mërkurën do të debutojë në rolin e Ritas në operën “Deux hommes et une femme”.

Edhe Elbenita Kajtazi në rolin e Mimit dhe një ëndërr e realizuar Shtojca për Kulturë Elbenita Kajtazi në rolin e Mimit dhe një ëndërr e realizuar

“Kënaqësi e jashtëzakonshme të ngjitem në një sallë koncertale ku kanë performuar emra botërorë të muzikës klasike! Faleminderit shumë për përkrahjen”, ka shkruar ajo.

Por Kajtazi këtë sezon do ta ketë goxha të ngjeshur. KOHA ka raportuar se lista e personazheve në repertorin e saj është e gjatë. Aty janë Pamina në “Flautin magjik”, Gretel në “Hansel and Gretel”, Musetta në “La bohème”, Liù në “Turandot”, Violetta në “La Traviata” e Adele në “Die Bat” e shumë të tjera.

Megjithatë, deri tani ka munguar Mimi në “La Bohème”, rol të cilin sopranoja Elbenita Kajtazi e ëndërronte qëkur studionte për muzikë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Tani kur ka pushtuar skenat më prestigjioze të muzikës klasike në botë, rrugëtimi i saj po shkon duke u transformuar çdoherë drejt roleve më sfiduese. E Mimi do të jetësohet vitin që vjen. Kajtazi do ta luajë këtë rol në operën produksion i “Semperoper Dresden”.