Shtojca për Kulturë

E diel, 21 tetor 1912: Ushtria serbe nisur nxitimthi drejt Mitrovicës

MITRO

Kazermat në Mitrovicë

“Rrugës pamë shumë shqiptarë e turq të vrarë që kishin mbetur pa u varrosur”, shkruante ushtari i mobilizuar në ushtrinë serbe e cila më 21 tetor 1912, në Novi Pazar, mori urdhrin që nxitimthi të bëhet gati për t’u nisur drejt Mitrovicës së Kosovës. Mbrëmjen e së martës së 23 tetorit 1912, zyra e Shtabit të Ushtrisë serbe ishte vendosur në hotelin “Otoman” dhe njëri ndër ndryshimet e para të emërtimeve tashmë në Mitrovicën e okupuar ishte se hoteli i sipërpërmendur në të ardhmen do të quhej “Car Dushan”. Dy ditë më vonë, më 25 tetor në Mitrovicën e mbuluar nga bora e trashësisë dhjetë centimetra, arriti edhe një pjesë e ushtarëve serbë nga Piroti. Me interes të veçantë janë të dhënat për çmimet e disa prodhimeve në pazarin e Mitrovicës në vjeshtën e zymtë të vitit 1912

“Konsulli serbofob” austro-hungarez dhe okupimi i Mitrovicës

Me fuqitë e një batalioni të këmbësorisë, dy çetave të mitralozave dhe forcave të artilerisë, ushtria serbe nën komandën e famëkeqit Zhivojin Mishiqit ia mësyu Vushtrrisë dhe Mitrovicës. Në orët e pasdites të 26 tetorit të vitit 1912 duke zbritur nga veriu te ura e Sitnicës dhe Bajra, ushtria serbe u pa në rrugët e Mitrovicës.

Një ushtar i mobilizuar serb, marshimin drejt Mitrovicës e përshkruante si në vijim: “E diel, 21 tetor 1912, Novi Pazar: Moti është i kthjelltë por i ftohtë dhe ka mjegull. Na u dha urdhri që nxitimthi të bëhemi gati për t’u nisur drejt Mitrovicës së Kosovës. Prej Novi Pazarit u nisëm në orën 9 paradite. Rrugës pamë shumë shqiptarë e turq të vrarë që kishin mbetur pa u varrosur. Duke shkuar nëpër Rogozinë (lartësia 1200 metra) hasnim në hane por edhe në çezme të braktisura. Thuajse të gjitha hanet ishin të lëna shkretë (pa pronarë)”.

Ndërsa burimet e huaja nga Mitrovica raportonin se “më 21 tetor, njëri prej pronarëve, gjegjësisht i hanit në Çeçevë, i quajtur Ahmeti me origjinë nga Gjakova, ishte vrarë nga pjesëtarët e Lëvizjes Çetnike”.

Përveç shtetit serb, hyrjen e ushtrisë në Kosovë dhe Mitrovicë e kishte mirëpritur edhe opinioni rus, duke e parë atë si fitore të politikës së Rusisë në Ballkan 

“Banjska ishte një qytezë e vogël jo edhe aq e rregulluar...”

Po ato ditë kur kishte nisur eliminimi i pronarëve të haneve, burimet e ushtrisë serbe e konfirmuan se rrugën Mitrovicë – Novi Pazar tashmë po e ruanin pjesëtarët e Regjimentit të Dytë nga Krushevci. Gjithashtu në ditët e para të arritjes së ushtrisë serbe, nuk munguan edhe informacionet rreth Banjskës. Veç tjerash thuhej se “Banjska ishte një qytezë e vogël jo edhe aq e rregulluar, ndërsa të gjitha shtëpitë, 65 sa i kishte qyteza ishin myslimane”. 

Më pastaj thuhej se aty ndodhej banja me ujin e ngrohtë shërues, që turqit e kishin kthyer në hamam, bile shumë prej nesh u lamë në të.

“Në Mitrovicë mbërritëm natën vonë dhe mund të themi se edhe pse qyteti është më i vogël se Novi Pazari, është shumë më i bukur. Këtu ka ndërtesa të reja dhe të bukura, ndërsa kazermat janë si në Novi Pazar, por gjithkund nëpër qytetet turke kazermat janë ndërtesat më të mëdha dhe më të bukura”, ishin përshtypjet e para të ushtarëve serbë që për herë të parë shkelën rrugëve të Mitrovicës.

Mirëpo, kur ushtria serbe, gjegjësisht Armata e Ibrit e vendosur nën komandën e gjeneralit Zhivkoviq dhe ndihmësshefi i komandës serbe Zhivojin Mishiq, hyri në Mitrovicë, në vjeshtën e vitit 1912, krerët i ushtrisë serbe nuk mund të besonin se do ta gjenin këtu konsullin austro-hungarez Ladislaus (Laszlo) Tahyin (1881 - 1940) i cili shërbeu në Mitrovicë prej tetorit të vitit 1909 deri në janar të vitit 1913. Në anën tjetër, qarqet ruse tashmë ishin të informuara se vetë gjenerali Zhivkoviq e kishte vrarë Isa Boletinin. Kuptohet se ky informacion ishte përhapur më tepër si propagandë.

“Konsulli austro-hungarez Tahy është një serbofob“, thuhet në një raport të dërguar prej Mitrovice, në javën e parë të nëntorit të vitit 1912. Më tej në këtë raport thuhet se “konsulli austro-hungarez Tahy e kishte zhvilluar aksionin propagandues nëpërmes shqiptarëve–katolikë, por midis bashkëpunëtorëve të tij në Mitrovicë kishte pasur edhe muhaxhirë boshnjakë të vendosur këtu vite më parë. Pasi ushtria jonë (serbe v.j.) hyri në Mitrovicë, konsulli Tahy nuk e bëri vizitën e zakonshme të kurtoazisë në zyrën e komandantit të Armatës së Ibrit, edhe pse komandanti Zhivkoviq e kishte dërguar në konsullatën austro-hungareze adjutantin i cili e kishte informuar Tahyn se ushtria tashmë e kishte nën kontroll Mitrovicën dhe në këtë qytet ishte vendosur pushteti ushtarak”. 

Për dallim prej konsullit austro-hungarez, ai rus Udinicov me të marrë informacion e kishte realizuar vizitën. Duke e njohur disponimin armiqësor të serbëve lokalë ndaj konsullit Tahy, ku i fundit i ishte drejtuar me kërkesë administruesit të porsaemëruar të Mitrovicës,  P. Pantiqit, se gavazët e tij duhej të ishin të armatosur! Megjithatë, në javën e parë të dhjetorit, konsulli Tahy, më në fund e kishte vizituar në zyrën e tij administruesin Pantiq, të cilin e kishte njoftuar se ai do të lëvizte lirshëm nëpër Mitrovicë, më pastaj do t’i kontaktonte nënshtetasit e Perandorisë Austro-Hungareze që jetonin këtu, por njëra prej kërkesave të tij ishte edhe afrimi i garancive për ruajtjen e arkivit të konsullatës.

“Mund të lëvizni nëpër Mitrovicë, mund t’i kontaktoni nënshtetasit tuaj, por ju duhet të më njoftoni gjithnjë para lëvizjeve dhe kontakteve që do t’i keni”, ishte kërkesa e Pantiqit, i cili ofroi garanci rreth ruajtjes së arkivit konsullatës austro-hungareze, por në fund ai e tërhoqi vërejtjen se përveç vizitave zyrtare që do t’i bënte vetë Pantiqi në konsullatën austro-hungareze, një gjë e tillë nuk do t’i lejohet askujt!”

Sipas dëshmive të dokumentuara, konsulli austro-hungarez Ladislaus (Laszlo) Tahy kishte qenë i prerë me nëpunësin serb Pantiq dhe ia kishte bërë me dije në mënyrë të prerë se ”ju mund të vini në zyrën time vetëm si person privat, e jo si mysafir zyrtar pasi nuk e shoh nevojën për një vizitë të tillë”.  

Padyshim se konsulli Tahy, nuk mund ta pranonte vendosjen e pushtetit ushtarak serb në Mitrovicë, gjë që shihet edhe nga vetë biseda, prandaj Pantiqi në ditët në vijim e pengoi në çdo mënyrë veprimtarinë diplomatike të konsullit. Në janarin e vitit 1912, vetë Tahy i kishte drejtuar letër administratorit serb se “po e braktiste Mitrovicën, sepse vetë administratori ia kishte ndaluar lëvizjen e lirë nëpër qytet por edhe kontaktet me nënshtetasit austro-hungarezë!“ Ndërsa ushtria serbe tashmë kishte filluar të vendosej në Mitrovicë, aty ku gjente vend.

Mbrëmjen e së martës së 23 tetorit 1912, zyra e Shtabit të Ushtrisë serbe në hotelin “Otoman”

Mbrëmjen e të martës së 23 tetorit 1912, zyra e Shtabit të Ushtrisë serbe ishte vendosur në hotelin ‘Otoman’ dhe njëri ndër ndryshimet e para të emërtimeve tashmë në Mitrovicën e okupuar ishte se hoteli i sipërpërmendur në të ardhmen do të quhej “Car Dushan”. Dy ditë më vonë, më 25 tetor në Mitrovicën e mbuluar nga bora e trashësisë dhjetë centimetra, arriti edhe një pjesë e ushtarëve serbë nga Piroti. Në këtë ditë konsulli austriak pa vullnetin e tij e kishte braktisur qytetin dhe ishte nisur drejt Prishtinës.

“Konsulli austriak nuk pranoi që t’i dorëzohej ushtrisë sonë”, shkruante një ushtar i entuziazmuar serb i quajtur Stanoje Mijatoviq. Përveç shtetit serb hyrjen e ushtrisë në Kosovë dhe Mitrovicë e kishte mirëpritur edhe opinioni rus, duke e parë atë si fitore të politikës së Rusisë në Ballkan.

Largimi i ushtrisë turke nga Mitrovica

Mitrovica e okupuar në sytë e ndërkombëtarëve

Ndërsa qarqet diplomatike, gjendjen në Mitrovicën tashmë të okupuar e përshkruanin si në vijim: “Me hyrjen e trupave serbe në Mitrovicë, gjithçka ndryshoi, madje edhe fizionomia e vetë qytetit. Mitrovicasit e manifestonin qartë urrejtjen ndaj pushtuesve përveçse serbëve lokalë që filluan të ndiheshin krenarë… Në ditët e para të okupimit zyra e administratorit Pantiq u vërshua nga priftërinjtë serbë dhe ai gjithnjë ishte i rrethuar prej mësuesve serbë dhe figurave të tjera të Lëvizjes Çetnike, që njëherësh e fituan rolin e këshilltarëve të tij. Pikë së pari në Mitrovicë, por edhe zonat e tjera të Kosovës, nisi çarmatosja e shqiptarëve. Më pastaj në qytet pushteti i ri i urdhëroi figurat më të njohura të qytetit (shqiptare dhe turke) që t’i kryenin punët më poshtëruese, si pastrimi i rrugëve apo qërimi i patateve për nevojat e ushtrisë dhe pushtetit të ri. Ndërsa në fshatrat përreth Mitrovicës, serbët vendas uzurpuan shumë prona të shqiptarëve, dhe sipas raporteve të diplomatëve të huaj, shqiptarët nuk kishin as mundësi, por as guxim që të ankoheshin ndaj këtij arbitrariteti, që në fakt promovohej prej vetë pushtetit.

Çmimet në pazarin e Mitrovicës në vjeshtën e zymtë të vitit 1913

Përveç lajmit të rrufeshëm që u shpërnda në Mitrovicë, se ushtria serbe kishte arritur në Durrës, me interes të veçantë janë të dhënat për çmimet e disa prodhimeve në pazarin e Mitrovicës së vjeshtës së zymtë të vitit 1912. Atëbotë një okë miell kushtonte 35 dinarë, një okë grurë kushtonte 30 dinarë, djathi kushtonte 80 dinarë për okë, mollët 40 – 60 dinarë për një okë etj. Ndërsa mitrovicasit ishin informuar se cili ishte kursi i këmbimit të monedhave të imta turke (të bakrit, nikelit dhe argjendit) me paratë serbe. Sipas kursit zyrtar: dinari serb vlente sa çereku turk (gjysmë mexhidia e argjendit) 20 pare sa një grosh turk (një pjastër) ndërkaq 5 para vlenin sa një metalik turk. Ky rregull vlente për qarkullimin privat, ndërkaq arkat shtetërore e kishin të ndaluar të pranonin para të sistemit turk, përveçse arit efektiv (sipas tarifës serbe, një lirë turke e arit e kishte vlerën e 22 dinarëve serbë në ar). Veprimi i radhës së okupuesve ishte regjistrimi i popullsisë por edhe i të mirave materiale.

Sipas regjistrimit të vitit 1913, qyteti i Mitrovicës i kishte 9 mijë e 354 banorë. Me ndarjen e re administrative Rrethi i Mitrovicës i përfshinte 24 komuna dhe 183 fshatra. Kryeshef i rrethit u emërua Aksnetije Ristiq, ndërsa sekretar Lazar Topaloviq.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë