Shtojca për Kulturë

“Shqiptarët si zviceranët”, konsullata e Rusisë në Mitrovicën e 1903-tës

mitro

Konsullata e Rusisë në Mitrovicë e vendosur në shtëpinë e tregtarit Cicvariq

“Zviceranët liridashës e dhanë jetën e tyre për një regjim të vjetër, duke i mbrojtur mbretërit francezë, më pastaj ata e dhanë jetën për pushtetin mondan të Papës së Romës, prandaj edhe mund të pyesim se a ka vallë ndonjë tirani, për të cilën nuk vdiqën zviceranët? Por edhe rojet shqiptare me një devotshmëri vetëmohuese i mbrojtën sulltanët më të egjër turq!”, shkruante shtypi rus në fillim të viteve 1900, në kohën kur hapja e konsullatës ruse në Mitrovicë, ishte punë e kryer. Shqiptarët “Moskovin” (faktorin rus) e shihnin si pengesën kyçe të realizimit të autonomisë por edhe të pavarësimit të tyre.

Ajo çka është më interesante në artikullin e shtypit rus, është krahasimi i autorit midis shqiptarëve dhe zviceranëve.

“Shqiptarët në vendet e Islamit (Perandorinë Osmane – S. L.) na e kujtojnë rolin të cilin e luajtën zviceranët në Evropën e vjetër të pararevolucionit. Shqiptarët e mbrojnë lirinë e tyre në mënyrë të zjarrtë dhe përjetësisht u rreshtuan në shërbim të luftimit të despotizmit, besëtytnive dhe supersticionit, me qëllim të shtypjes së lirive të popujve të tjerë! Shedrini (Mihail Shedrin (1826 -1889) shkrimtari i njohur rus ka pohuar se në piedestalin e ‘Luanit të Lucernit’ qëndron një mbishkrim ku thuhet: ‘Zviceranëve të dashur, që e dhanë jetën për fronin e një vendi të huaj’. Ky përkushtim gjithashtu do të vlente edhe për historinë shqiptare. Zviceranët liridashës e dhanë jetën e tyre për një regjim të vjetër, duke i mbrojtur mbretërit francezë, më pastaj ata e dhanë jetën për pushtetin mondan të Papës së Romës, prandaj edhe mund të pyesim se a ka vallë ndonjë tirani, për të cilën nuk vdiqën zviceranët? Por edhe rojet shqiptare me një devotshmëri vetëmohuese i mbrojtën sulltanët më të egjër turq! Abdyl Hamiti bile edhe në vitet kur Shqipëria ziente nga kryengritjet e pareshtura, iu besonte vetëm truprojave shqiptare dhe ky sulltan gjithherë u mbështet vetëm te shqiptarët! Me sa duket kjo kontradiktë në këtë marrëdhënie me shqiptarët, zhduket vetëm me një kusht dhe atëherë kur të krijohet kombi i bashkuar shqiptar e që shqiptarët tani, në fakt akoma janë shumë larg krijimit të një kombi të tillë unik! Ideja e bashkimit e të parëve të shqiptarëve në një Shqipëri unike, është një ide ndër më të shenjtat dhe shumë kombëtare, prandaj edhe nëse ka shumë gjasa që të mos arrihet marrëveshje me shqiptarët në mënyrë të përgjithshme, kjo megjithatë nënkupton që është e parapëlqyer që paraprakisht para se t’iu qasesh shqiptarëve, duhet vendosur kontakte veç e veç me krerët e tyre! Për shembull, konsulli rus Rostovski (Aleksandër Arkadyeviç Rostkovsky - Александр Аркадьевич Ростковский 1860 - 1903) i cili në verën e vitit 1903 u vra në qytetin ku edhe shërbente, në Manastir, njihej si një burrë i qetë, madje gëzonte respekt të madh te shqiptarët, por njëherësh ata ia kishin frikën atij. Dhe pikërisht shqiptarët nuk e duruan atë! Në fund të fundit edhe vetë Rostovskin e qëlloi një shqiptar! Por, në të njëjtën kohë Rostovski mbante si truprojë vetëm shqiptarët dhe ata ishin shumë të besueshëm, pra thënë në mënyrë simbolike truprojat shqiptare janë si fëmijët, sepse të duan pa hile. Dhe kur unë mendova të kaloja nga Manastiri në Ohër, në një kohë shumë të trazuar, vetë Rostovski më tha: ‘Në këtë udhëtim juve ju duhen roje, të cilat unë nuk i disponoj, ndërsa turqit do të sigurojnë roje për ju, por nëse juve ju ndodh ndonjë fatkeqësi ata do t´ua hedhin dhe më pas do t´i fajësojnë grabitësit shqiptarë si dhe komitët bullgarë! Prandaj, më e mira e të mirave është që vetveten tuaj t’ia besoni një grupi të rojeve shqiptare! Ja për shembull në qoftë se Kaja (me siguri që aludohet në ndonjë shqiptar të Manastirit që ka qenë i njohur për besnikërinë dhe trimëritë e tij – S. L.) do të ishte tani nëpër qytet, atëherë do të isha i sigurt që juve nuk do të ju mungonte asnjë qime e flokëve’. Pra, për të qenë marrëveshja më e sigurt me shqiptarët atëherë duhet lidhur marrëveshjen ‘Besa – Besë’ por shqiptarët i duan edhe paratë. Ata janë tmerrësisht të pangopur, sidomos për ar... Kështu që është një analogji e plotë me tregtinë e vjetër të ‘besnikërisë zvicerane - pas d’argent, pas de suisse!’“

Por, ky përshkrim i shqiptarëve dhe i Isa Boletinit tashmë ishte sjellë në sprovë, pasi shqiptarët por edhe Isa Boletini i manifestonin hapur ndjenjat e tyre antiruse dhe mund të thuhej se as paratë e as ari në të cilat aludonte autori nuk kryenin punë.

Hilmi Pasha, inspektor i reformave

Provokimet e konsullit të ardhshëm rus

Në përpjekje të veprimit sa më efikas të pushtetit dhe të përfshirjes së krishterëve në radhët e xhandarmerisë, gjë që parashihej në reformat e parapara, në gjysmën e marsit të vitit 1903 në Shkup krahas përfaqësuesve të pushtetit nga qendrat e tjera të Kosovës, atje mbërritën edhe kajmekami i Mitrovicës “Mahmud Beu dhe myftiu Beqir Qorri, ndërsa pas konsultimeve të mbajtura u konstatua se tashmë në Kazanë e Mitrovicës për pjesëtarët e pakicës krishtere në radhët e xhandarmerisë ishin rezervuar 15 vende, po aq sa edhe në Kazanë e Prishtinës”.

Megjithatë ajo që ishte planifikuar në politikën zyrtare ruse duhet të realizohej.

“Është e rëndësishme se çfarë do të ndodhë me protestat e shqiptarëve kundër reformave”, ishte pyetja që vetë diplomati rus Shçerbina konsulli i ardhshëm në Mitrovicë i brengosur ia kishte drejtuar konsullit serb në Shkup.

Por për kohën për të cilën flitet mund të thuhet se në vetë Mitrovicën krahas manifestimit të hapur të ndjenjave antiruse nga shqiptarët, megjithatë, akoma mungonte një lëvizje e profilizuar kundër reformave.

Madje për këtë ka dëshmuar edhe vetë kandidati për konsull, Grigorii Stepanoviç Shçerbina (1868-1903) kur i kishte shkruar konsullit serb në Prishtinë në shkurtin e vitit 1903 “se në vetë Mitrovicën akoma nuk është paraqitur lëvizja e konsoliduar që do të pritej si rezultat i tubimeve të shqiptarëve dhe shqiptarët tashmë po ngushëlloheshin me faktin se konsullata nuk ishte hapur zyrtarisht dhe se flamuri rus deri më tani nuk ishte shpalosur. Mitrovicasit e dinin se ky njëherësh ishte shkaku se pse konsulli rus akoma nuk ishte vendosur në banesën e re…”

Por, megjithatë konsulli Shçerbina ishte në dijeni se “shqiptarët e kishin planin që ta dëbonin atë, ndërsa dikush i kishte këshilluar shqiptarët që ta vrisnin konsullin, bile për këtë ishte gjetur edhe njeriu i duhur!”

Habit fakti se përkundër këtyre informacioneve, që z. Shçerbina i kishte përmbledhur në raportin e tij ai vazhdonte të dilte në gjah çdo të diel në rrethinat e Mitrovicës.

“Kur ai del nëpër rrugët e qytetit nuk e merr gavazin me vete pos një qytetari të zakonshëm sa për ta shoqëruar… Unë gëzohem nga zemra që ‘Konxhollozi i parë i Moskovit’ është i patrembur. Sikur të mos ishte i tillë, deri më tani shqiptarët do të tentonin ta frikësonin atë. Është interesante dhe vlen të përshkruhet një ngjarje që i ngjau z. Shçerbina. Në Mitrovicë gjendet edhe, nënkoloneli Salih Beu. Ky njeri është shumë i ndershëm dhe ai ka qëndrim dashamirës ndaj serbëve. Ndoshta edhe mu për këtë atë e transferuan nga Mitrovica. Por, për një vit të plotë ai nuk e mori as rrogën, prandaj nuk pati mundësi të lëvizte lirshëm pasi ashtu e kishin urdhëruar. Kohë më parë në konsullatën ruse erdhi hanëmja e Salih Beut. Ajo iu ankua konsullit Shçerbina për vuajtjet e familjes për shkak të shkurtimit të rrogës dhe për të gjitha padrejtësitë që iu ishin shkaktuar atyre. Më pastaj, hanëmja iu lut konsullit që të ndikonte me autoritetin e tij, që më në fund familja e Salih Beut të fillonte të merrte rrogë, përndryshe ata detyroheshin të vendoseshin nën autoritetin e vetë konsullit Shçerbina, sepse nuk u kishte mbetur rrugë tjetër. Z. Shçerbina e priti mirë hanëmen dhe menjëherë e bëri një hap para duke i siguruar 40 lira për Sali Beun, bile edhe duke premtuar se do të siguronte edhe para tjera. Kjo ngjarje i mposhti turqit e Mitrovicës dhe i inkurajoi serbët, sepse si turqit, si serbët e panë se çfarë fuqie dhe ndikimi mund të kishte në të ardhmen konsullata ruse. Mytesarifi i Mitrovicës, më tha sot se kishte frikë serioze se në qytet do të shpërthenin turbullirat. Sikur z. Shçerbina të mos ishte në Mitrovicë, atje nuk do të bëhej asgjë rreth organizimit të xhandarmërisë. Vetë z. Shçerbina më shkroi se zaptijet serbë këtu akoma nuk i kanë veshur uniformat, sepse me përzgjedhjen e kandidatëve punët shkojnë ngadalë. Vetëm pak ditë më parë këtu kanë ardhur serbët që janë përzgjedhur si zaptije në Vushtrri dhe ata duhet t’i kryejnë kontrollet mjekësore”, ka raportuar konsulli Avramoviq pas vizitës që ia ka bërë Mitrovicës në shkurtin e vitit 1903. Njëherësh këto edhe ishin efektet e para të veprimtarisë “gjysmë ilegale” të konsullatës ruse në Mitrovicë.

 Kërkesa e serbëve për çarmatosjen e shqiptarëve

“Të ndalohen shtypjet dhe terrori mbi popullsinë e krish­terë, të bëhet çarmatosja e shqiptarëve dhe nëpunësit turq të zëvendësohen me nëpunës të drejtë dhe të ndershëm”, ishin kërkesat e zyrtarëve serbë dhe ato nuk ishin në kundërshtim me sovra­ni­tetin dhe integritetin e Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX! I gjetur në një pozitë jo të lakmueshme në dhjetor të vitit 1902, Sulltan Abdyl Hamiti II i miratoi reformat që parashikonin reformimin e xhandarmërisë, formimin e gjyqeve civile të përbëra edhe prej të krishterëve e të tjera.

Duke parë rrezik nga shtrirja e ndikimit Austro-Hungarez mbi shqiptarët, qarqet diplomatike të Rusisë më në fund ia arritën qëllimit dhe e hapën konsullatën ruse në Mitrovicë. Qëllimi kryesor i kësaj konsullate do të ishte përcjellja më së afërmi e veprimtarisë së diplomacisë së Austro–Hungarisë por njëkohësisht edhe influencimi mbi Lëvizjen Shqiptare. Por, konsujt rusë në Vilajetin e Kosovës, në Shkup por edhe në Prizren në sytë e serbëve vendorë e gëzonin statusin e mbrojtësve të popullatës sllave, ndërsa shqiptarët “Moskovin” (faktorin rus) e shihnin si pengesën kyçe të realizimit të autonomisë por edhe të pavarësimit të tyre. Në njërin prej dokumenteve diplomatike, gjegjësisht rreth qëndrimit të Austro–Hungarisë për hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë thuhet se kjo fuqi ka kërkuar “që qeveria turke të mos nxitonte me hapjen e konsullatës ruse”.

Kështu, më 7 maj të vitit 1902, Rusia e zyrtarizoi hapjen e konsullatës në Mitrovicë dhe e emëroi Grigori Stepanoviç Shçerbina si konsull. Më herët Shçerbina ishte nëpunës diplomatik në ambasadën ruse në Stamboll, ndërsa para ardhjes në Mitrovicë, ai kishte shërbyer në Cetinje të Malit të Zi, më pastaj kishte qenë zëvendëskonsull në Shkodër. Përveç se njihej si njohës i rrethanave ballkanike, gjatë shërbimit në Shkodër, Grigori Stepanoviç Shçerbina e kishte mësuar gjuhën shqipe, më tej thuhej se kishte arritur të përkthente në rusisht edhe disa këngë epike shqiptare. Para arritjes në Mitrovicë, konsulli rus i kishte deklaruar se “gjatë shërbimit në Mitrovicë do të përpiqej me të gjitha forcat ta mbronte popullatën serbe, por fillimisht duhej të tregohej i kujdesshëm derisa të shtrinte autoritetin e tij”.

Sipas burimeve diplomatike serbe, informacionet apo lajmet për hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë krijuan pakënaqësi te shqiptarët, kështu që kërcënimet se ata nuk do ta duronin “Moskovin” në qytetin e tyre thuajse ishin publike. Në çastin kur në Mitrovicë u sollën gjësendet e konsullit të ardhshëm Shçerbina, vetë Isa Boletini kreu i shqiptarëve të kësaj krahine e kishte urdhëruar tellallin që ta bënte publike se do të ishte ai vetë që do t’ia digjte shtëpinë atij që do t’i ofronte strehim konsullit rus. Qëndrimi i Isa Boletinit ishte domethënës pasi vetë gavazi dhe personeli i konsullit rus u detyrua të gjente strehim madje te konsulli rus në Shkup. Ndërsa veprimi dhe kërkesa e qarqeve serbe të asaj kohe ishte “që Porta e Lartë duhej t’i çarmatoste shqiptarët, të mbronte popullatën serbe, të zbatoheshin reformat administrative, gjyqësore dhe financiare si dhe përfaqësuesit e serbëve të përfshihen në kuadër të pushtetit lokal”.

Nga fundi i shtatorit të vitit 1902, nga Petrogradi arriti në Stamboll vetë Shçerbina ku u paraqit para Sulltanit. Përkundër që hapja e konsullatës në Mitrovicë tashmë ishte punë e kryer, qeveria turke i sugjeroi Shçerbinës që të mos shkonte në Mitrovicë derisa të qetësoheshin shqiptarët. Qarqet ruse reaguan menjëherë duke e shtyrë udhëtimin e konsullit për në Kosovë. Por me këtë vendim nuk u pajtua përfaqësuesi serb në Stamboll, Sava Grujiq i cili me këmbëngulje insistoi që konsulli të nisej sa më parë për në Kosovë, sepse arritja e tij në Mitrovicë po pritej si “lindja e diellit”. Megjithatë qarqet ruse mbetën në qëndrimin e mëparshëm. Kështu, nuk kaloi shumë kohë kur lajmi mbi ardhjen e konsullit rus u shpërnda si rrufeja. Reagimet e para erdhën nga Gjakova, dhe menjëherë pas nisjes së konsullit nga Shkupi për në Mitrovicë edhe krerët gjakovarë qartësisht u pozicionuan kundër. Më pastaj Rusia këmbënguli edhe në kërkesën që Isa Boletini të largohej nga Vilajeti i Kosovës. Dhe kur përpjekjet e Shemsi Pashës për largimin e Isës nuk dhanë rezultate, atëherë në këtë drejtim u angazhua vetë sulltani, i cili ia doli që ta bindë këtë të fundit të qëndronte në Stamboll deri në shkurtin e vitit 1906”.

Ky informacion është i konfirmuar vetëm prej burimeve serbe.

Kërkimfalja e përfaqësuesve turq të pushtetit në Mitrovicë

Më në fund më 26 janar të vitit 1903, në Stacionin Hekurudhor të Mitrovicës gjithçka ishte rregulluar sipas programit të ambasadës ruse në Stamboll. Konsulli i ardhshëm rus në Mitrovicë, Grigori Stepanoviç Shçerbina u prit me nderime ushtarake, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit i kërkuan falje atij për shkak të vonesave por edhe për shkak të kundërshtimeve të shqiptarëve. Lidhur me vendosjen e konsullit rus në Mitrovicë burimet ruse e kanë vërtetuar se “ai arriti në këtë qytet në janar 1903, por në postin e tij të ri ai qëndroi vetëm dhjetë javë”.

Kështu qysh në ditët e para të marrjes së postit në Mitrovicë, konsulli i ri e vizitoi mytesarifin, kajmekamin por edhe gjeneralin Shemsi Pasha të cilit pa durim ia shtroi pyetjen rreth numrit të xhandarëve të pakicës serbe që ishin përfshirë në kuadër të xhandarmërisë. Gjatë gjithë pritjes por edhe bisedave që u zhvilluan midis konsullit rus dhe përfaqësuesve të pushtetit, në çarshinë e Mitrovicës ishte qetë. Në javët në vijim, konsulli rus iu hodh në qafë inspektorit të vilajeteve të Rumelisë, Hilmi Pasha, dhe kërkoi prej tij që të fillonte sa më parë me aksionin e eliminimit të kryengritësve shqiptarë, të cilët atëbotë emëroheshin si kaçakë apo të pabindurit e pushtetit. Po ashtu prej pashait u kërkua edhe zbatimi energjik i reformave të parapara.   

E vetmja ngjarje që bartte shenja të acarimit të gjendjes midis mitrovicasve në ditët e para të hapjes së konsullatës ruse, ishin kërcënimet ndaj pronarit të shtëpisë ku ishte vendosur konsulli rus dhe ku njëherësh pritej të ishte selia e konsullatës. Por edhe provokimet e konsullit nuk mungonin, sepse ai shpeshherë u pa në çarshinë mitrovicase i veshur me veshje kozake duke shëtitur, por tani ishte në përcjellje të përhershme të gavazit. Shenja e parë se aktiviteti i konsullit kishte nisur kundër shqiptarëve, ishte burgosja e çaushit të njohur Tafil Uka dhe dërgimi i tij në Shkup. Kështu akoma pa kaluar një muaj i plotë, revolta shpërtheu në Vushtrri pasi shqiptarët e atjeshëm siguruan informacione të sakta për armatosjen e pakicës serbe në fshehtësi, ndërsa kërkesat e tyre tashmë ishin të njohura – të ndalohej zbatimi i reformave të parapara në tokat shqiptare.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë