Shtojca për Kulturë

Mitrovica e qetë, Isa Boletini dhe provokimet ruse e serbe

Mitrovica po hynte në shekullin XX si qytet i 3 mijë e 413 banorëve

Mitrovica po hynte në shekullin XX si qytet i 3 mijë e 413 banorëve

Mitrovica e qetë dhe e zhvilluar duhej të shndërrohej edhe në seli të veprimtarisë propaganduese të qarqeve ruse dhe serbe. Është fillimi i shekullit XX, kur Mitrovica nis të shndërrohet në fushëbetejë të diplomacisë nga Rusia e Serbia. Si kulm i realizimit të strategjisë antishqiptare dhe antikosovare në vitet e para të fillimit të shekullit XX, ishte zyrtarizimi i iniciativës për hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. “Siç ju kam informuar në raportet e mëhershme Mitrovica është nën ndikimin e Isa Boletinit“, thuhej në një raport diplomatik të fundit të qershorit të vitit 1902. Në raport më tej thuhej se Isa Boletini u kishte thënë krerëve tjerë me ndikim në krahinën e Mitrovicës, se më parë do të vdiste sesa do ta lejonte hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë

“Mitrovica ka përparuar aq shumë sa që me të drejtë mund të quhet ‘Parisi i Kosovës’”

Njëri ndër raportet e fundit të shekullit që po largohej lidhur me Mitrovicën ishte ai i pranverës së vitit 1899 dërguar nga konsulli serb në Prishtinë, Sveta S. Simiq.

“Kur arrita në Mitrovicë e pashë se qëllimisht më ishte lënë pak kohë që t’i kontaktoja njerëzit tanë”, ishte njëra ndër ankesat e parë të konsullit serb edhe pse një gjë e tillë nuk mund të thuhet për nga vetë raporti i dërguar.

“Mitrovica ka përparuar aq shumë sa që me të drejtë mund të quhet ‘Parisi i Kosovës’ . Veçmas është zhvilluar tregtia me lëndën e drurit dhe me kafshë. I mirënjohuri Ali Pashë Draga e ka zdrukthëtarinë moderne të ngritur në Mojstir, tetë orë larg Mitrovicës, ndërsa këtu në qytet e ka fabrikën e përpunimit të dërrasave dhe trarëve, që në sasi të mëdha eksportohen për në Shkup dhe Selanik. Po ashtu prej Mitrovicës për në Selanik dhe Stamboll, eksportohen kafshë të imta e të mëdha”, ka shkruar Simiq duke e përshkruar në vijim ditën e tregut në qytet.

“Ditën e shtunë kur në Mitrovicë është pazari, këtu ka aq shumë njerëz që sjellin prodhime të shumëllojshme, saqë mezi mund të kalohet rrugëve. Në vijim do të përpiqem që t’i siguroj të dhënat në bazë të të cilave do të mund të vlerësohej saktë rëndësia tregtare e Mitrovicës. Duke u mbështetur në pozitën gjeografike dhe në bazë të kujdesit që kësaj qendre i kushtojnë vetë turqit, ashiqare shihet rëndësia politike dhe ushtarake e Mitrovicës. Këtu tani janë të vendosura tre batalione të ushtrisë, eskadroni i kalorësisë, e të tjera. Pjesa kryesore e ushtrisë është vendosur në kazermën e madhe që ndodhet karshi qytetit, ndërsa pjesa tjetër është pozicionuar në kufi dhe rreth vetë qytetit. Vizitën në Mitrovicë e nisa me qëndrimin në selinë e hyqymetit, ku e takova kajmekamin, që është një burrë afërsisht 26-vjeçar. Kohë më parë ai e kishte përfunduar shkollën në Stamboll dhe përveç tjerash fliste edhe frëngjisht. Kajmekami i Mitrovicës është i biri i teftedarit të Vilajetit të Kosovës”. Edhe pse Simiq pretendon se ka qenë i hapur dhe jo konspirativ gjatë vizitës në Mitrovicë, megjithatë realiteti që buron nga raporti i tij është ndryshe.

“Nëpërmes gavazit që ishte më i lirë për të lëvizur, arrita të vendosja kontakte me njerëzit tanë duke u marrë vesh me ta nëpërmes letrave të shkurtra. Qëllimi kryesor i imi ishte që ta përgatisja deputacionin e mitrovicasve (serbëve) që në ditët në vijim do të shkojnë te valiu për t’u ankuar. Por, në rrethana të këtilla është vështirë që njerëzit të binden për të lëvizur apo për ta ndërmarrë ndonjë hap të tillë. Nuk vonoi shumë dhe kjo vështirësi u mënjanua, prandaj deputacioni i përbërë prej pesë anëtarëve autoritativë në krye me priftin shtatëdhjetëvjeçar Jovanin, janë të gatshëm që të nisen drejt Shkupit. Siç e ceka më herët Mitrovica ka rëndësi të madhe tregtare dhe politiko – ushtarake, prandaj do të ishte mirë që këtu së paku ta kemi agjentin tonë tregtar si nën përfaqësues të konsullatës sonë. Agjenti tregtar, së pari do të ishte i dobisë së madhe, për bashkëkombësit tanë në Mitrovicë”, ka shkruar konsulli Simiq në pranverën e vitit 1899. Po ashtu në pranverën e këtij viti në Mitrovicë qëndruan konsujt Mashkov dhe Kurtoviq. Të dy konsujt, i Rusisë dhe i Serbisë erdhën këtu nga kryeqendra e Vilajetit të Kosovës, Shkupi. Qëllimi i vizitës së tyre ishte zgjerimi i propagandës serbe, përfshirë këtu edhe inicimin e veprimtarisë së çetave të armatosura të serbëve, që në të ardhmen duhej të vepronin në Vilajetin e Kosovës dhe aq më tepër në krahinën e Mitrovicës.... Ndërsa vetëm disa muaj më vonë, të dhënat e publikuara në Sallnamen e Vilajetit të Kosovës për vitin 1900 e konfirmonin se Mitrovica po hynte në shekullin e ri si qytet i banuar prej 3 mijë 413 banorëve.

Agresiviteti i fqinjëve dhe turrja drejt Mitrovicës

Nëse fqinjët e shqiptarëve vetëm para njëmbëdhjetë vjetësh, kishin mësuar se gjendja e serbëve në Mitrovicë ishte më e mirë se gjithkund tjetër ku ata ishin pakicë në Turqinë Evropiane, një ngjarje e pranverës së vonshme të vitit 1901, në fakt do ta zbulojë një pjesë të strategjisë së veprimtarisë antishqiptare dhe antikosovare pikërisht në qytetin e Mitrovicës.

“Për fatkeqësinë tonë këto ditë (më 29 maj 1901), policia turke në Mitrovicë e ka bastisur agjentin tonë Nikolla Nedelkoviqin dhe i ka gjetur tek ai dy letra komprometuese, për shkak të të cilave Nikolla është burgosur menjëherë. Në njërën letër kanë qenë të dhënat për stacionimin e forcave turke, ndërsa letra e dytë nga Novi Pazari i është dërguar në Mitrovicë priftit Janiqije Sllavkoviqit. Letrën e ka shkruar njëfarë personi me inicialet D. (alias Dushan Nekiq). Midis tjerash aty ndodhet edhe një letër e shkurtër e shkruar me dorë prej konsullit të mëparshëm Sveta S. Simiq, në të cilën ky e ka pyetur mitropolitin Rashkë – Prizren se “a e përmend ai gjatë lutjeve emrin e carit rus në kishën e Prizrenit…“. Nëse do të ketë proces gjyqësor në Shkup, më duhet të shkoj personalisht te konsulli (rus) atje, Mashkov që ai të angazhohet për lirimin e tyre. Fatkeqësisht ata janë fajtorë, pasi inati, e keqja dhe joharmonia midis serbëve është shkaku kryesor se pse agjenti Nikolla Nedelkoviq u kap mu në Mitrovicë edhe atë me të dhënat për ushtrinë. Është e vërtetë se Nedelkoviqin e raportuan disa serbë vendorë me qëllim të hakmarrjes ndaj tij por edhe ndaj priftit Janiqije Sllavkoviq. Sikur nuk do të kisha obligim që të informoja për këtë ngjarje si konsull, atëherë do të ishte më mirë që të heshtja prej turpi. Në ditët në vijim do të vazhdoj t’i ndjek gjurmët e spiunëve, por e kam të vështirë sepse turqit i ruajnë shumë mirë bashkëpunëtorët dhe informatorët e tyre…”, raportonte konsulli Avramoviq në verën e vitit 1901. Megjithatë, duket se e tërë çështja rreth letërkëmbimit të kapur ishte lënë pas dore, pasi vetëm pak ditë më vonë konsulli i kishte cituar fjalët e një qytetari joshqiptar të Mitrovicës, i cili kishte thënë se “falë Zotit kësaj here kishin shpëtuar, por tani lutemi që gjëra të tilla të mos përsëriten më”. Dy javë më vonë, megjithatë nisi nxitja apo instrumentalizimi tashmë i njohur i popullatës serbe me qëllim të realizimit të projektit të zgjerimit territorial të Serbisë, projekt ky që mori hov i nisur në gjysmën e shekullit XIX.

Nuk kaloi shumë kohë nga përhapja e informacioneve për hapjen e konsullatës ruse kur në shtypin italian u publikuan informacione mbi vrasjen e Isa Boletinit (1864 – 1916) dhe atë nga dora e gjeneralit serb Zhivkoviq, të cilit gazetat ruse pa një verifikim të informacioneve nisën t’i thurin lavde... ndërsa vetë Isa Boletini u portretizua si mashtrues për shkak të mospranimit të tij që të bashkëpunojë me qarqet ruso–serbe në kohët kritike për Ballkanin.

“Duke e pasur parasysh gjendjen në Mitrovicë dhe Kollashin, do të ishte e rrugës që unë dhe konsulli rus Mashkov, sa më parë të qëndrojmë në Mitrovicë, por ja që ka kaluar një kohë dhe akoma nuk ka arritur përgjigja prej Petrogradi. Vetë konsulli Mashkov e ka verifikuar, se në Kollashin kishte armë që ishin sjellë nga Serbia. Është e vërtetë se serbët kanë qenë të armatosur për t’u mbrojtur në rast të sulmit dhe për t’i luftuar shqiptarët nëse ata do të paraqiteshin në kufi”.

Megjithatë në raportin e 25 tetorit 1901, konsulli serb Avramoviq e njoftoi Beogradin, se më në fund Nikolla Nedelkoviq ishte liruar prej burgu! Pra është fillimi i shekullit XX, kur Mitrovica nis të shndërrohet në fushëbetejë të diplomacisë ruse, serbe. Si kulm i realizimit të strategjisë antishqiptare dhe antikosovare në vitet e para të fillimit të shekullit XX, ishte zyrtarizimi i iniciativës për hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë.

Qysh në vjeshtën e vitit 1902 nga Shkodra në Mitrovicë pritej ardhja e konsullit rus Grigorii Stepanoviç Shçerbina ndërsa shqiptarët në krye me Isa Boletinin e kundërshtonin me këmbëngulje ardhjen e tij dhe hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë.

“Kur, gjatë udhëtimit të tij për në Mitrovicë, pashë z. Shçerbinën në Stacionin Hekurudhor të Mitrovicës, një nga pyetjet e para që më bëri ishte për numrin e kaçakëve shqiptarë që pushteti i kishte burgosur”, ka raportuar konsulli i Serbisë, Millosav Kurtoviq nga Shkupi më 1 mars të vitit 1902.

Megjithatë vetë Shçerbina ia kishte tërhequr vërejtjen përfaqësuesit serb se “nuk duhet besuar të dhënave të afruara nga përfaqësuesit e pushtetit sepse ato nuk përputheshin me statistikat zyrtare. Duke u mbështetur në të dhënat zyrtare rezultonte se numri më i madh i kaçakëve shqiptarë ishte burgosur në kazanë e Gjilanit, gjithsej 111, në të Prishtinës 60, më pastaj vinte kazaja e Preshevës me 34, ndërsa Mitrovica kishte vetëm 6 kaçakë shqiptarë të burgosur”.

Megjithatë Mitrovica e qetë dhe e zhvilluar duhej të shndërrohej edhe në seli të veprimtarisë propaganduese të qarqeve ruse dhe serbe.

Beqir Boshnjaku serbëve të Kosovës: “Rusia s’e çan kokën për ju, Serbia është e dobët t’ju mbrojë“

“Siç ju kam informuar në raportet e mëhershme Mitrovica është nën ndikimin e Isa Boletinit“, thuhej në një raport diplomatik të fundit të qershorit të vitit 1902. Në raport më tej thuhej se Isa Boletini u kishte thënë krerëve tjerë me ndikim në krahinën e Mitrovicës, se më parë do të vdiste sesa do ta lejonte hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Madje, lajmet për hapjen e konsullatës ruse i kishin nxitur figurat fetare por edhe disa krerë shqiptarë që ata të tuboheshin në Medresenë e Mitrovicës, por në fund të këtij tubimi rezultonte se njëri prej vendimeve ishte paksa anakronik, pasi në të ishte vendosur se hapjes së konsullatës ruse nuk do t’i kundërviheshin turqit e Mitrovicës! Bile vetë personalitetet e njohura turke në Mitrovicë, deklaruan se nëse ata do të kundërviheshin hapur dhe kur dihej se ata jetonin në qytet, atëherë ekzistonte rreziku që të arrestoheshin e burgoseshin shumë lehtë, ndërsa shqiptarëve të zonave përreth pushteti nuk mund t’u bënte asgjë dhe kjo la të kuptohet se megjithatë lidhur me kundërshtimin e hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë fjalën kryesore do ta kenë shqiptarët! Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë kur në Mitrovicë u përhap lajmi se tashmë në Stacionin Hekurudhor kishin arritur gjësendet e konsullit rus dhe u tha se shqiptarët e nahijes së Mitrovicës, Novi Pazarit, Pejës por edhe ata të krahinës së Drenicës do të zbresin me armë në qytet... Shqiptarët e këtyre nahijeve madje i kishin nisur telegram sulltanit duke kërkuar që të ndalohej hapja e konsullatës ruse në Mitrovicë.

“Le të dëshmojë Rusia se në Mitrovicë është vetëm një nënshtetas rus, atëherë askush nuk do të jetë kundër hapjes së kësaj konsullate. Por pasi në Mitrovicë nuk ka qytetarë rusë, atëherë konsullata hapet vetëm të krijojë fesatë... Shqiptarët e Mitrovicës dhe të zonës përreth në krye me Isa Boletinin janë të bindur se veprimet e tilla do ta zmbrapsin sulltanin në hapjen e konsullatës ruse. Këto fjalë në besim ua kishte transmetuar disa personaliteteve serbe në Mitrovicë, nënkoloneli Salih Beu! (Më vonë vetë Salih Beu do të bashkëpunojë me konsullin rus – S. L.) Është interesante se gavazi i konsullatës Austro-Hungareze në Shkup, Beqir Boshnjaku ishte njëri prej këmbëngulësve më të mëdhenj të hapjes së konsullatës ruse dhe sipas tij Mitrovica ‘duhej ta parandalonte hapjen e konsullatës ruse me të gjitha forcat’. Beqiri, madje udhëtonte tri herë gjatë javës prej Shkupit në Mitrovicë. Sikur të kishit qenë katolikë unë do t’ju mbroja dhe askush nuk do të guxonte t’ju prekte, por pasi jeni pravosllavë ju do të vuani, sepse Rusia nuk e çan kokën për ju, ndërsa Serbia është e dobët t’ju mbrojë“, thuhej në një raport të konsullatës serbe për qëndrimet e Beqir Boshnjakut dhe në të cilin shtohej se hapjes së konsullatës ruse i kundërvihej edhe krahina e Vushtrrisë dhe në krye të lëvizjes atje ishte vendosur Zejnullah agë – Maxhuni.

Personalitet tjetër mbi të cilin rëndonin ankesat e serbëve lokalë ishte edhe hanxhiu mitrovicas Salih Qamili.

“Kur Shemsi Pasha do të kthehet prej Peje do ta lus që ta arrestojë dhe ta vrasë hanxhiun, Salih Qamilin. Këtë kërkesë do t’ia dërgoj edhe misionit tonë në Stamboll”, shkruante konsulli serb Sima Avramoviq në pranverën e hershme të vitit 1902.

Pikëpamjet ruse mbi shqiptarët dhe figura e Isa Boletinit në sytë e opinionin rus në vorbullën e ngjarjeve

Nuk kaloi shumë kohë nga përhapja e informacioneve për hapjen e konsullatës ruse kur në shtypin italian u publikuan informacione mbi vrasjen e Isa Boletinit edhe atë nga dora e gjeneralit serb Zhivkoviq, të cilit gazetat ruse pa një verifikim të informacioneve nisën t’i thurin lavde... ndërsa vetë Isa Boletini u portretizua si mashtrues për shkak të mospranimit të tij që të bashkëpunojë me qarqet ruso–serbe në kohët kritike për Ballkanin dhe sipas shtypit rus shqiptarët e Kosovës ishin instrumentalizuar nga Perandoria e Austro– Hungarisë.

”Epo, më në fund me Isa Boletinin? Ose do ta vrasin, ose ai jeton akoma. Gjithsesi për çdo rast, ne e kemi njohur Isën si një personalitet të qetë. Prandaj e marrim guximin që ta prezantojmë atë si një djalosh që ishte (apo është) plotësisht i aftë: të vdesë dhe të ringjallet, dhe përsëri atij t´i dalë emri si i vrarë dhe kështu kjo të ndodhë disa herë radhazi, sa herë që vdekja apo ringjallja e tij është e nevojshme të ndodhë, ashtu sipas kërkesës. (më tepër aludohet në pushtetin turk – S. L.) Dhe duke vdekur, Isa Boletini duhet patjetër ta marrë dikë me vete në funeral. Dhe përsëri ai ngrihet prej varrit e ringjallet për një jetë të re! I gjithë respekti për këtë udhëheqës, që lufton për lirinë e shqiptarëve, prandaj edhe është e pamundur që Isa Boletinin të mos e njohim si të tillë, si luftëtarin më të përkryer e më të paepur, që ka nxjerrë ndonjëherë njerëzimi”, shkruante një autor rus duke vazhduar se vetë atij nuk ”i kujtohet saktë se a ishte një shkrim në gazetën “День” apo në “Вечернее Время” kur Isa Boletinin e krahasuan me Haxhi Muratin. (Haxhi Murati vepër e njohur e Lav Tolstoit që u botua në vitin 1912. Personazhi kryesor në vepër është një person real historik, Haxhi Murat, Naib Shamili, i cili në vitin 1851 kaloi në anën e rusëve dhe vitin e ardhshëm vdiq duke u përpjekur të arratisej në mal – S. L.). E po ja! Në krahasim me Haxhi Muratin – Isa është një ‘djalosh i qetë’, sikur personazhet e Sollogubas (Fedor Kuzmiç Sollogub - Фёдор Кузьми́ч Сологу́б – 1863 – 1927) publicist, poet dhe dramaturg i njohur rus) por në përgjithësi malësorët e Kaukazit janë më të butë, se ‘egërsirat shqiptare!’ – ka shkruar ai duke shtuar se “Isa Boletini, është një njeri me aftësi të mëdha dhe trim i jashtëzakonshëm...“.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë