Arnold von Harff (1471 – 1505) ishte kalorës gjerman i cili në vitin 1496 u nis nga qyteti i Kölnit dhe në tre vjetët e ardhshëm vizitoi Italinë, Sirinë, Egjiptin, Arabinë, Etiopinë, Palestinën, Turqinë etj. Harff, njëkohësisht i regjistroi vendet e vizituara duke ilustruar imazhe të tyre në pllaka të drurit dhe deri më tani njihen 47 gdhendje nga vendet ku shkeli këmba e tij Për viset e Ballkanit më i rëndësishëm është kthimi i Arnold von Harffit nga Palestina kur ai udhëtoi nga Kostandinopoja nëpër Gadishullin Ballkanik. “Pasi e kaluam malin, zbritëm në Prishtinë dhe më pastaj arritëm në Mitrih”, ka shkruar Harff me të mbërritur në Mitrovicën e sotme në vitin 1499. Pra, vizita e tij në këtë qendër ka ndodhur rreth 350 vjet para ndërtimit të hekurudhës Mitrovicë – Selanik. Në vijim para lexuesve do të shpalosim imazhe të Mitrovicës nga dekada e fundit e shekullit XIX deri në vitet e tridhjeta të shekullit të XX. Burimet që janë shfrytëzuar në këtë punim janë të ndryshme, duke filluar nga arkivat, udhëpërshkrimet, kujtimet, si dhe raportet e ndryshme diplomatike
Mitrovica nëpër kohë
“Pasi e kaluam malin, zbritëm në Prishtinë dhe më pastaj arritëm në Mitrih”, do të shkruante kalorësi gjerman Arnold von Harff (1471 – 1505) me të mbërritur në Mitrovicën e sotme në vitin 1499.
31 vjet më vonë, përkthyesi i latinishtes pranë misionit të mbretit Ferdinand të Austrisë, Çekisë dhe Hungarisë, slloveni Benedict Curipeschitz (1491 – 1531) ka shkruar se “të shtunën më 24 shtator 1530 është nisur nga qendra tregtare (mercatoja) e Mitrovicës për në Fushë të Kosovës. Ndërsa Mitrovicën si qytet të bukur të shtrirë në një rrafshinë e ka përshkruar Difren Kanej.
Në aspektin e zhvillimit administrativ, gjegjësisht si qendër të kadillëkut, Mitrovicën e përmend gjeografi i njohur Mustafa Ben Abdalla Hadshci Chalfa (1609 – 1657) duke theksuar se kjo qendër është seli e kadillëkut dhe gjendet në fqinjësinë e Kadillëkut të Vushtrisë. Në vijim Chalfa ka shtuar se se Metrofdsché (Mitrovica) gjendet 19 ditë larg Konstantinopolit në rrugën që nga Shkupi shkon për Novi Pazar apo në rrugën “via di Cossovo”(via di Scoppie)”. Është e njohur se përshkrimet e këtij autori i përkasin gjysmës së parë të shekullit të XVII.
“Në vitin 1685 Mitrovica kishte 500 shtëpi”, ka shkruar kryepeshkopi Pjetër Bogdani. Mirëpo viti 1702 e ndali hovin e zhvillimit jo vetëm të Mitrovicës, në radhë të parë mendojmë për zhvillimin tregtar ngase ky vit është i njohur si fatkeq për Kosovën, por edhe për viset përreth për shkak të murtajës e cila në pranverën e këtij viti e goditi pamëshirshëm Mitrovicën, Shkupin, Gjakovën e të tjera. Këtë e vërteton edhe një dokument në Arkivin Historik të Kotorrit i datës 27 prill i vitit 1702.
Por nuk kaloi as gjysmë shekulli kur në Mitrovica mbërritën tregtarët e Dubrovnikut të cilët përveç prodhimeve bujqësore e shfrytëzonin këtë pjesë të Kosovës mesjetare për sigurimin e lëndëve të para. Megjithatë duket se lëkura ishte produkti kryesor i eksportit të Mitrovicës pasi lëkurat e lopëve ishin shumë të kërkuara në Itali dhe më gjerë në Perëndim, natyrisht për t’u përdorur për prodhimin e këpucëve.
Ishin tregtarët Luka Kojiq dhe Gregor Kreshiq që i tregtonin sasitë e lëkurave në vitet 1759 – 1760. Kreshiq ishte nga Hercegovina me shumë gjasë nga Mostari i sotëm por kuptohet se selia e tyre ndodhej në Dubrovnik.
Se qendra e Mitrovicës në ndërkohë kishte shënuar përparim të dukshëm e bën të njohur edhe njëri nga beratet e Sulltan Hamidit të vitit 1776, kur Mitrovica përmendet si qytet edhe pse gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë pra në vitin 1792 një udhëtar anonim nga Dubrovniku e kaloi lumin e Ibrit me shumë vështirësi pasi siç ka shkruar ai “ura ishte krejtësisht e rrënuar, ndërsa Mitrovica tani po zhvillonte tregti të intensitetit më të ulët sesa më herët edhe atë me qendrat e Shkodrës dhe të Sarajevës”.
“Parisi i Kosovës”
Megjithatë që prej ndërtimit të hekurudhës Mitrovicë – Selanik në vitin 1874, qendra e Mitrovicës u shndërrua në nyje me rëndësi të veçantë gjeostrategjike, ekonomike dhe politike të Kosovës së atëhershme, por e cila jo vetëm që do t’ia dalë ta ruajë pozitën e rëndësishme por edhe do ta forcojë atë në vazhdimësi. Transformimi i kësaj qendre ndikoi edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm të mbarë Kosovës. Dhe jo pa të drejtë një autor i huaj e ka quajtur Mitrovicën “Paris të Kosovës”.
Qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX rrugët e çarshisë së Mitrovicës paraqisnin njëfarë degëzimi të dyqaneve dhe të zanateve të larmishme, që në fakt ishin të pazakonta për Ballkanin e atëhershëm së paku për qendrat që numëronin më pak se 250 shtëpi sa atëbotë i kishte Mitrovica.
Imazhet e Mitrovicës që në vijim do t’i shpalosim para lexuesve janë të mbështetura në burimet të ndryshme duke filluar nga arkivat, udhëpërshkrimet, kujtimet, si dhe raportet e ndryshme diplomatike.

Mitrovica e pasur me drithë, vreshta dhe kullosa
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë në vitin 1852, françeskani kroat, Jovan Franjo Jukiq (1818 - 1857) ka shkruar “se Mitrovica ishte qyteza e fundit e Pashallëkut të Bosnjës e cila shtrihej deri te lumi i Ibrit ku ka qenë edhe Ura e Gurit, mbetjet e së cilës shihen edhe tani. Tani në vend të Urës së Vjetër është ngritur Ura e Drurit. Mitrovica i ka 300 shtëpi turke dhe rreth 50 të krishtera. Rrethina e Mitrovicës është e pasur me drithë dhe kullosa, ndërsa brigjet përreth janë të mbjella me vreshta”.
Numrin e shtëpive në Mitrovicë që Jukiq e ka ndarë në baza fetare, natyrisht duhet nënkuptuar si të dhëna të një figure fetare dhe në kontekstin e pikëpamjeve për përkatësinë fetare, që ekzistonte në Evropën e atëhershme.
Se Mitrovica nuk ishte e turqizuar aq sa e paraqiste Jukiq, dëshmi ka ofruar Rexhep Mitrovica (1888 - 1967).
“Jeta në Mitrovicë ishte e ëmbël. Klima e këndshme. Pemët e lloj - llojshme e të lezetshme, të shijshme. Ujërat e gjalla e të freskëta. Bjeshkët e larta e piktoreske. Një vend aq të bukur, unë nuk do ta ndërroja as me tërë botën”, ka shkruar Mitrovica duke potencuar në veçanti se edhe pse “turqishtja ishte gjuhë zyrtare, mitrovicasit, e flisnin duke e sakatuar atë. Disa e masakronin tërësisht. Gjyshja ime fliste vetëm shqip”.
Kur në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, Perandoria osmane e emëroi Abedin Pashën si Ministër të Punëve të Jashtme, qarqet ruse e pritën emërimin e tij duke shprehur shumë rezerva sa i përket qasjes së tij ndaj shqiptarëve.
“Ali Draga nga Mitrovica me ndikim në Lidhjen Shqiptare (të Prizrenit – S. L.) bashkë me krerët tjerë vazhdojnë të ëndërrojnë krijimin e Provincës Autonome të Shqipërisë”, raportonte në verën e vitit 1880 konsullit rus, Skrjabin nga Selaniku.
Megjithatë, se Mitrovica pësoi zgjerim të dukshëm u pa në dyzet e pesë vjetët në vijim dhe në vitin 1897, qyteti i kishte 1100 shtëpi, prej tyre 160 ishin të krishtera. Përveç tjerash në qytet ekzistonin katër xhami, një shkollë ruzhdije – gjysmëgjimnaz dhe dy shkolla fillore. Në kuadër të Mitrovicës si qendër më e madhe e asaj kohe, ishin të përfshira edhe 110 fshatra bashkë me ato të zonës Kollashinit.
Gjashtë vjet më herët, pak kohë para se të vritej, saktësisht në gjysmën e marsit të vitit 1890 në Mitrovicë, qëndroi konsulli i parë i Principatës së Serbisë, në Prishtinë, Lluka Marinkoviq. Mund të themi se me arritjen e konsullit këtu njëherësh nis edhe, “konkretizimi i interesimit” të diplomatëve dhe qarqeve kishtare të Serbisë së atëhershme, për çështjen e siç ata e quanin të “Serbisë e Vjetër”.
“Prej serbëve në Mitrovicë dëgjova lëvdata për lirinë që ata e gëzojnë dhe liri të tillë nuk ka në asnjë vend tjetër të Turqisë, veçmas nëse rrethanat e këtushme në të cilat jetojnë serbët krahasohen me ato në Prishtinë”, janë fjalët që ai i kishte shkruar në raportin e dërguar në Beogradin e atëhershëm. Arsyet, pse ai kishte shkruar kështu dhe pse e nxinte Prishtinën në raport me Mitrovicën, ishin të njohura deri diku, pasi në kohën kur ai u vendos zyrtarisht në Prishtinë plagët e muhaxhirëve shqiptarë që ishin dëbuar prej Nishi, Leskoci, Prokuple e Kurshumli ishin akoma të freskëta, ndërsa në Mitrovicë muhaxhirët nga Bosnjë-Hercegovina tashmë e kishin gjetur veten dhe mjedisi mitrovicas për ta kishte afruar strehim, por edhe sadopak mirëqenie ekonomike, që ata më tej do ta forcojnë gradualisht.
“Në bazë të Traktatit të Berlinit, Austria ka të drejtën të shtrihet deri në Mitrovicë, diçka që do ta bëjë sapo të paraqitet rasti favorshëm”, e tërhiqnin vërejtjen nga konsullata ruse në Selanik në vjeshtën e vonshme të vitit 1881 duke reaguar në qëndrimet konsullit të Austro–Hungarisë në Manastir, Knapiq i cili e kishte potencuar se Mitrovica tashmë i përkiste sferës austriake.
Shtëpia trekatëshe e Haxhi Ademit dhe hamami luksoz i Abdurraman Agës
“Interesimi” për Kosovën nga fqinjët e shqiptarëve vazhdoi ashtu siç kishte nisur. Në vitin 1892 në Vilajetin e Kosovës, por edhe veçmas në Mitrovicë qëndroi një diplomat i Principatës së Serbisë, që nuk e zbuloi identitetin e tij para mitrovicasve që ai i takoi. Ai quhej Mihailo G. Ristiqi dhe shënimet e tij bashkë me shumë raporte, përveç tjerash ruhen edhe në Arkivin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Në kohën e vizitës në Mitrovicë, Ristiq ishte sekretar i misionit serb në Stamboll.
“Rrugës prej Vushtrrie për në Mitrovicë, menjëherë pas qytetit, kalova nga njëra anë e Urës së Vjetër të Gurit, e cila tani është e papërdorshme, sepse, siç më thanë, Sitnica, mbi të cilën ishte e vendosur kjo urë tashmë e kishte ndryshuar rrjedhën, duke u anuar pak më nga lindja, kështu që poshtë urës shtrati i lumit ishte i thatë”, ka shkruar Ristiq para se të hynte në qytet. “Sapo hyra në qytet e fitova përshtypjen se Mitrovica ishte një qendër përparimtare, që i ka lënë pas vetes shumë vende të këtij rajoni. Pasi kohë më parë hekurudha e lidhi Mitrovicën me Selanikun, ky qytet vetvetiu e fitoi pozitën e qendrës së vendosur në udhëkryqin e rrugëve që shkojnë për në Prizren, Pejë, Novi Pazar e më gjerë, më pastaj nëpërmjet Sjenicës dhe Plevles ky qytet lidhet me Bosnjën. Pra, Mitrovica u shndërrua në qendër të rëndësishme, që natyrisht, ndikoi edhe në ndryshimin e pamjes së përgjithshme të qytetit. Dhe rrethina e saj është jashtëzakonisht piktoreske, prandaj Mitrovica nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër që i kam vizituar deri më tani, veçanërisht zona rreth Ibrit dhe Sitnicës dhe bregu romantik i Zveçanit… Tërë qytetin e gjeta të shtruar me kalldrëm, përveç pjesës së re ku janë vendosur muhaxhirët. Këtu pashë disa ndërtesa të bukura, ndërsa përshtypje të veçantë më la sidomos trekatëshja e pastër dhe me nam e Haxhi Ademit dhe hamami luksoz i Abdurraman Agës. Më ra në sy se në Mitrovicë kishte edhe puse me pompa hekuri, që shumë rrallë shihen në vendin tonë, dhe për njërin prej tyre më thanë që ishte ngritur ‘për sevap’ nga ana e një turku, një zakon të cilin do të mund ta kopjonin shumë popuj dhe arsyeja e vetme qëndron ekskluzivisht në kujdesin vetëmohues për të varfrit dhe nevojtarët. Por, është e çuditshme se në shumë raste, nuk dihet as emri i atij që ka bërë ‘sevap’”.
Për dallim prej Ristiqit konsulli i ardhshëm serb në Kosovë, Todor P. Stankoviq që dy herë radhazi e përfaqësoi Principatën e Serbisë në Vilajetin e Kosovës, së pari në vitet 1890 – 1893 dhe herën e dytë në vitet 1897 – 1898, ka shkruar se “familjet më të vjetra mitrovicase janë ajo e Haxhi Mustafës dhe e Haxhi Kurteshit”.
Ndërsa Ristiq vazhdoi t’i radhisë përshtypjet e tij nga qëndrimi në Mitrovicë.
“Këtu pashë dyqane që ishin shumë mirë të rregulluara. Është fakt se këtyre dyqaneve për nevoja të ndryshme dhe ushqime të përditshme, shpeshherë për ndihmë u drejtohet edhe vetë Prishtina. Mitrovica tani i ka rreth 1200-1300 shtëpi, prej të cilave 130-140 janë të serbëve. Ata (serbët) e kanë shkollën e tyre, të vendosur në një godinë të re dhe të bukur. Këtë vit kur unë qëndrova në Mitrovicë, në shkollën e meshkujve provimin e dhanë 40 nxënës, ndërsa në shkollën e femrave 20 nxënëse. Në këtë shkollë mësimin e vijojnë edhe nxënësit e 5 – 6 shtëpive latine që kanë ardhur këtu prej Shkodre, ndërsa një familje latine ka ardhur prej Peje. Siç e ceka më lart, këtu është edhe një numër i konsiderueshëm i muhaxhirëve boshnjakë… Përveç 130 – 140 shtëpive serbe që e përmenda më sipër, pjesa tjetër e popullsisë është tërësisht myslimane, kryesisht shqiptare. Por, dua të them se natyra e shqiptarëve këtu po më duket se është më e butë sesa në vendet e tjera të kësaj krahine, ose të paktën fuqia e pushtetit është më e madhe, por pak më vonë do t’ju bëj disa njoftime, të cilat do të na shtyjnë të besojmë në këtë që po e shohim këtu. Në konfirmim të kësaj, mund të përmend faktin se në Mitrovicë mund të blini duhan të monopolizuar, por nuk mund të blini mish derri sepse shitja është e ndaluar me ligj. Në pjesë të tjera të Turqisë, banorët myslimanë janë shumë më tolerantë lidhur me shitjen e mishit të derrit sesa këtu. Për shembull në Shkup, afër kishës së atjeshme lejohet shitja e mishit të derrit, ndërsa këtu jo! I vetmi lëshim bëhet për Krishtlindje. Më thanë se në atë kohë këtu vjen një vushtrrias, i cili e sjell mishin e derrit të vendosur në një thes dhe pastaj i lajmëron qytetarët nëpër çarshi për të cilët është i sigurt se do të blejnë prej tij. Megjithatë, kjo shitje e mishit të derrit, prapë bëhet tinëz!”

Ura e Drurit mbi Ibër
Raporti i Ristiqit vazhdon: “Në mbrëmje dola për një shëtitje të shkurtër deri tek Ibri, në të cilin, pak minuta më tutje, derdhet Sitnica, dikur e turbullt dhe e përgjakur. Mbi lumin e Ibrit ndodhet një Urë Druri, që shërben për të kaluar në anën tjetër. Pranë urës janë disa teferiçë, të ndërtuar pranë bregut mu mbi valët e Ibrit. Në ato teferiçe i pashë disa myslimanë duke u kënaqur në rahatllëk, të cilët i kishin futur këmbët në valët e lumit. Kënaqësia dhe imazhet, siç më ngelën në kujtesë nuk ishin aq lindore. Më ra në sy edhe numri i madh i përrenjve që mbulojnë qytetin. Duke përfituar nga pozita e qytetit të tyre, mitrovicasit e kanë orientuar ujin jashtë Ibrit dhe me atë i vadisin bahçet, por uji iu shërben edhe për mbajtjen e pastërtisë. Kur më parë u largova nga Vushtrria, në drejtim të veriut e pashë një kodër, e cila më tërhoqi vëmendjen, veçanërisht për shkak të veçantisë dhe formës së saj. Më dukej se dikush e kishte vendosur atë kodër mu në atë vend duke e shkëputur prej maleve tjera që rreshtohen rreth saj dhe ashtu siç ajo është pa lisa, rrezet e diellit e shkëlqenin dhe më dukej sikurse ajo kodër ishte e bërë prej koralesh. Ajo është Kodra e Zveçanit, që gjendet menjëherë mbi Mitrovicë... Duke kaluar urën mbi Ibër që e përmenda pak më parë, shumë shpejt nisa të ngjitesha kodrës përpjetë dhe pothuajse nëpër një shteg të dhive, për një orë e një çerek u ngjita në majën e saj, ku ndodhen mbetjet e Zveçanit. Para meje u shfaq Vushtrria dhe e gjithë Kosova, mbi të cilën e pata mundësinë ta ndiqja Sitnicën e bardhë, kryqëzimin e së cilës me Ibrin e pashë menjëherë poshtë bregut ndërsa vranësirat e dendura e kishin mbuluar Sharrin dhe Kopaonikun… Unë dhe shoqëruesit e kishim për qëllim ta vizitonim Manastirin e Sokolicës, i cili është rreth dy orë larg Mitrovicës. Për këtë e njoftuam edhe kajmekamin dhe ai na i çoi haber se rruga për në Sokolicë çon midis fshatrave Rahovë e Boletin, se ato fshatra tashmë janë në ngatërresë mes vete, prandaj kajmekami kishte frikë se mos vallë mund të na ndodhë diçka rrugës. Për shkak të rrethanave të sipërpërmendura kajmekami nuk e preferoi vizitën e tonë të planifikuar, por nëse ne me të vërtetë këmbëngulnim, atëherë ai do na i jepte në përcjellje një bylyk ushtarësh. Ne u përgjigjëm se shkuarja jonë atje do të varej veçmas nga moti që ato ditë ishte i lig, dhe nëse do të vendosnim të marrim rrugë, atëherë do të kërkojnë përcjellje të zakonshme, të tillë siç e kemi pasur deri më tani”.
Ahmet Aga – vojvoda shqiptar i Manastirit të Sokolicës
Për Ristiqin e gjithë kjo pjesë e rrethinës së Mitrovicës është jashtëzakonisht piktoreske dhe ofron pamje të mrekullueshme.
“Të gjithë vëmendjen time e ka pushtuar një mitrovicas, i cili m’i tregoi disa vende, ku shqiptarët i kishin vendosur pusitë, më pastaj m’i tregonte nishanet e varreve të shqiptarëve të vrarë, duke më rrëfyer për Ahmet Agën që do ta takojmë së shpejti…
Duke shkuar kësaj rruge, arritëm në fshatin Rudarë. Me të marrë vesh për qëllimin tonë të vizitës, fshatarët na njoftuan se vojvoda i manastirit të Sokolicës e kishte parë për obligim që të na takonte dhe të na çonte deri në manastir. Vojvoda i manastirit ishte Ahmet Aga i famshëm dhe prej këtij momenti ai është një mik imi i ri, për të cilin edhe do të rrëfej në vijim. Para nesh rreth 150 metra larg, ndodhet një kodër, prapa së cilës, qëndrojnë retë e dendura e të errëta. Në thirrjen tonë, prej asaj kodre zbriti Ahmeti, një burrë i fortë, i armatosur me një martinë dhe një revole shumë të dekoruar, ndërsa rreth brezit e kishte mbërthyer rrethatoren plot me fishekë. Silueta e tij, të cilën e pashë sapo u shfaq në majë të kodrës, m’u duk jashtëzakonisht e madhe dhe impozante, prandaj akoma pa ia dhënë dorën, të gjithë ne u ngritëm në këmbë dhe u nisëm drejt Ahmet Agës. Ai vinte te ne në besë. Pasi u përshëndetëm Ahmet Aga iu përgjigj ftesës për t’u ulur. Por, gjatë gjithë bisedës sonë ai për asnjë çast nuk e largoi shikimin nga zaptitë dhe përcjellja jonë. Siç shihet deri më tani Ahmet Aga gjithmonë i ka pasur kundër vetes zaptitë dhe pushtetin. Pushkën e mbante ashtu gjithnjë të gatshme. E vërejta se shpeshherë shikonte prapa vetes dhe në çastin kur unë pashë drejt bregut i pikasa tre shqiptarë, që nuk e hiqnin Ahmetin prej shikimeve të tyre. Ata ishin shokët e tij besnik që kishin ardhur për t’iu gjetur pranë në rast nevoje.
E pyeta Ahmet Agën se kur për herë të parë u jepet arma fëmijëve apo të rinjve shqiptarë. Që nga mosha 15-vjeçare – m’u përgjigj. Që prej atëherë, për të arma bëhet shoqëruese e pandashme dhe ajo kurrë më nuk do të ndahet prej tyre. Në ndarje më tha: ‘Ku ta di ndoshta ndonjëherë do të kemi nevojë për njëri-tjetrin, prandaj u bë mirë që u takuam’. Më pastaj ai u ngrit dhe me hapa ta lehtë e të sigurt u nis prej nga kishte ardhur. Tre përcjellësit e tij tashmë ishin në këmbë dhe e prisnin. Ai ishte i lirë prej pushtetit vetëm sa t'i skadojë besa, ndërsa ishte liruar vetëm për shkak të vizitës sonë”.
Po ashtu lidhur me manastirin e Sokolicës ka shkruar edhe konsulli Stankoviq, i cili ka qëndruar atje më 1898.
“Deri para 40 vjetëve ky manastir ishte jofunksional. Flitet se atë e rinovoi një katundar i fshatrave përreth, me mbiemrin Ostojiq. Më thanë se merita të mëdha për funksionalizimin e manastirit kanë njëfarë Fiqa haxhi Jakiqi dhe i biri i tij Jakovi. Ata janë prej Prizreni, ndërsa në Mitrovicë ata janë vendosur para 25 vjetëve. Pasi manastiri gjendet midis fshatrave shqiptare si Zaseli, Lisiçja, Kutlloci, Stan Tërgu, Rahova, Boletini dhe Zhazha do të ishte vështirë të ruhej, por sipas dëshmive të shumë banorëve, manastirin por edhe mysafirët e tij i mbrojnë Ahmeti dhe Isa, por gjithashtu edhe vëllezërit Ademi nga Boletini (vëllezërit e të mirënjohurit Isa Boletinit) ndërsa shtëpitë e të parëve ndodhen 800 metra larg manastirit, shtëpitë e vëllezërve Ademi ndodhen shumë më afër. Ahmet Aga është vrarë para dy vjetëve, gjegjësisht në vitin 1895, ndërsa i vëllai Isa është arratisur, pasi pushteti e ndjek vazhdimisht dhe Isa tashmë është strehuar në Banjë të Pejës. Ahmeti u vra në shenjë hakmarrjeje, ndërsa pushteti ia dogji kullën Isës dhe tani asaj i kanë mbetur vetëm muret. Mirëpo, për fat shtëpia e Ahmetit nuk është prekur dhe në të jetojnë e ëma, bashkëshortja dhe fëmijët e të ndjerit. Në këtë krahinë Isa Boletini vlerësohet si trim i veçantë. Ai vjen lirshëm në Boletin, e mbikëqyr shtëpinë e vëllait Ahmetit, por i mbledh edhe bereqetet. Askush nuk guxon të ndërmarrë asgjë kundër tij edhe pse siç thamë më lart ai kahmoti është vënë në shënjestër të pushtetit”
Kështu ndodh shpeshherë që Isën ta takojnë në rrugë 5 – 6 xhandarë turq, por ata duhet t’ia lëshojnë rrugën dhe jo që nuk mund ta burgosin apo ta vrasin, por ua kanë frikën familjarëve dhe fisit të Isës. Unë e kam njohur personalisht Ahmetin dhe jam takuar me të jashtë Mitrovicë, në vitin 1892. E njoh edhe vëllain e Isën. Edhe tani kur e kaluam natën në manastir, mora vesh se Isa ishte këtu, por ai refuzoi të më takonte“.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë